Kupa e Shqipërisë/ Tirana dhe Skënderbeu vazhdojnë rrugëtimin

0
134

Dy nga skuadrat më të forta të këtij sezoni kanë kaluar pa problem në fazën tjetër duke mundur Bylisin dhe Tërbunin

Tirana dhe Skënderbeu vazhdojnë rrugëtiminKupa e Shqipërisë ka mësuar dje edhe dy skuadrat e tjera që kalojnë për në fazën e çerekfinale. Tirana dhe Skënderbeu kanë arritur të marrin fitore tenistike në ndeshjet e kthimit të raundit të dytë të Kupës së Shqipërisë, duke u kualifikuar me lehtësi në fazën çerekfinale të këtij kompeticioni. Skuadra e Gugash Maganit mposhti 6-0 Bylisin në “Selman Stërmasi” në një sfidë që më shumë i ngjasonte një testi stërvitor. Takimi u zhbllokua nga Olaki në minutën e 12, ndërsa Taku i çoi shifrat në 2-0 para se gjyqtari të fërshëllente për fundin e pjesës së parë. Fraksioni i dytë nisi me golin e Ndikumanës, për të vijuar më pas me finalizimet e Takut, Bakajt dhe të riut Halili. Edhe sfida e Korçës, Skënderbeu – Tërbuni nuk pati shumë histori. Pas golit surprizë të Ndrecës në minutën e 2-të kampionët në fuqi të superiores reaguan menjëherë duke shënuar 6 gola në portën e pukjanëve, që mbajnë firmën e 6 futbollistëve të ndryshëm. Progni, Ribaj, Shkëmbi me 11-metërsh, Sefa, Alikaj dhe Olaynka shuan shumë shpejt shpresat e Tërbunit për një rezultat befasues në qytetin juglindor. Ndërsa në ndeshjet e luajtura dy ditë më parë,Partizani e ktheu në stërvitore përballjen me Lushnjën, të cilën e kishte mundur edhe në takimin e parë në “Roza Haxhiu” me rezultatin 1-0. Në një nga fushat e kompleksit sportiv në Pezë-Helmës, të kuqtë fituan 3-1, duke përmbysur avantazhin provizor të Lushnjës falë golit të Gjylës me 11-metërsh në minutën e 17-të. Për formacionin e Shpëtim Duros realizuan Fejzullau, Dushku dhe Jaupaj. Laçi fitoi 2-0 me Elbasanin edhe në takimin e kthimit, teksa në “Elbasan Arena” kishte triumfuar 3-2. Nuk u zhvillua Flamurtari-Veleçiku, pasi koplikasit nuk u paraqitën në Vlorë. Në takimin e parë që u luajt po në Vlorë, Flamurtari kishte fituar me rezultatin e thellë 6-1. Në grupin B, bie në sy eliminimi i Teutës së Durrësit, që nuk mundi të përmbyste humbjen 2-1 me Apoloninë në “Loni Papuçiu”. Takimi i “Niko Dovanës” përfundoi me rrjeta të paprekura, rezultat që u jep të drejtë fierakëve për të vijuar në fazën tjetër. Me të njëjtat shifra 0-0 përfundoi edhe Vllaznia-Kastrioti, me shkodranët që kualifikohen në çerekfinale falë fitores 4-0 në takimin e parë. Me shumë lehtësi u kualifikua edhe Kukësi, që mposhti në “Zeqir Ymeri” 5-2 Pogradecin. Finalja e Kupës së Shqipërisë është përcaktuar të luhet më 23 maj 2015. Sezonin e kaluar, kupën e fitoi skuadra e Flamurtarit. Ky kompeticion përveç përfitimeve ekonomike shikohet edhe si një mundësi shumë e mirë për të kualifikuar për në Europa Ligë.

 

Riberi: Rojsh? Jam unë akoma te Bajerni

Anësori i Bajernit të Mynihut, Frank Riberi, nuk e ka në plan që t’ia lëshojë vendin Marko Rojshit te kampioni gjerman. Mesfushori i Borusias së Dortmundit po përflitet për një kalim në “Allianz Arena” në muajt e fundit dhe ai konsiderohet si zëvendësim ideal për francezin. Megjithatë, 31-vjeçari është zotuar që të luftojë për vendin e tij dhe nuk planifikon të largohet nga Bayerni në një të ardhme të afërt, raporton Telegrafi. “Rojsh është një lojtar i shkëlqyer. Mirëpo, unë do të jem te Bajerni edhe një kohë, edhe pse edhe pak do të mbush 32 vjet. Akoma jam lojtar i rëndësishëm te Bajerni, prandaj njerëzit nuk duhet të mendojnë se kam mbaruar”, – ka deklaruar francezi. Rojsh ka kontratë me Dortmundin deri në vitin 2017, mirëpo ka edhe një klauzolë që lejon largimin e tij nëse një klub paguan 25 milionë euro në fund të këtij sezoni. Në garë përveç Bajernit, 25-vjeçari kërkohet edhe nga Mançester Siti dhe Real Madrid.

 

Bufon dhe Kielini rinovojnë kontratat

Një ndër legjendat bardhezi Xhanluixhi Bufon dhe qendërmbrojtësi Xhorxho Kielini kanë vazhduar kontratat e tyre me Zonjën e Vjetër. Kontrata e Bufonit do të zgjasë deri në vitin 2017, kurse ajo e Kielinit deri në vitin 2018. “Është një ditë e rëndësishme për Juventusin. Lidershipi i tyre është shumë i rëndësishëm”. “Ata qëndruan me klubin kur ishim në Serie B dhe na kanë ndihmuar të kthehemi në maje”, ka thënë presidenti i klubit, Andrea Anjeli, gjatë një konference për shtyp. Në anën tjetër, Bufon ka njoftuar se kjo do të jetë kontrata e fundit me Juventusin. “Fakti se kjo do të jetë kontrata ime e fundit kishte ndikim, por nuk jam i shqetësuar për këtë gjë, ndjej shumë energji. Fjalët e klubit më bëjnë krenar për zgjedhjet që i bëra 14 vite më parë. Dëshiroj të vazhdoj të paraqitem në nivele të larta, në mënyrë që të jem një pikë referimi në klub”, – ka deklaruar kapiteni. Edhe Kielini u shpreh i lumtur për këtë vendim. “Jam i lumtur që jam këtu. Pas arritjeve tona historike qëndron një familje që punon çdo ditë në ndihmë të arritjes së objektivave tona. Të gjithë vazhdojmë të kemi ëndrra të mëdha, me punën e madhe dhe sakrificën si pikënisje”, – ka thënë mbrojtësi italian.

 

 Cana: Kemi tifozerinë më të mirë në botë

Kapiteni kuqezi Lorik Cana ka deklaruar se tifozët shqiptarë janë më të mirët në botë dhe ata i kanë befasuar për të mirë edhe lojtarët italianë. Tifozët shqiptarë mbushën stadiumin e Xhenoas të martën mbrëma për të mbështetur kombëtaren, por qëndrimi i tyre dhe madje këndimi i himnit italian kanë befasuar të gjithë, përfshirë lojtarët e Italisë. “E prisnim që të kishte shumë tifozë shqiptarë, por jo kaq shumë. Edhe lojtarët e kombëtares italiane mbetën shumë të surprizuar sepse dukej sikur ndeshja luhej në Tiranë. Nuk kam frikë ta them, por ne kemi tifozët më të mirë në botë dhe do të provojmë të bëjmë gjithçka për ta. Në atë mbrëmje pamë gjëra shumë të bukura. Tifozët shqiptarë këndonin himnin italian. Kjo që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e futbollit. Jam shumë krenar për ta dhe i lumtur njëkohësisht”, – ka thënë Cana një në intervistë të dhënë.

 

Samer: Guardiola, pak i çmendur

Drejtori sportiv i Bajernit të Mynihut, Matias Samer, është shprehur për Pep Guardiolën, duke thënë se është “pak i çmendur”, por atij i pëlqen të punojë me të. Drejtuesi këtë javë nënshkroi vazhdimin trevjeçar të kontratës me klubin, 47-vjeçari thotë se është kënaqësi të punojë krahas ish-menaxherit të Barcelonës. “Ai është një trajner gjeni dhe paksa i çmendur në aspekt pozitiv. Gjithë çfarë mund të them është se është shumë argëtuese të kërkojmë caqet tona krahas tij. Është kënaqësi të punoj me të”, – ka thënë Samer.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency