Konflikti për pronën/ 11 banorë kërcënojnë me hedhje nga pallati, kërkojnë paratë e qirasë

0
115

Alma Çuka

 Kërkojnë ndihmë nga policia dhe shteti. Prej vitit 2009 kanë lidhur kontrata me pronarin. Ndërtesa duhej të përfundonte në korrik të këtij viti

banoret protestojne te hidhen nga pallati Përplasjet e banorëve me ndërtuesit e pallateve në Tiranë rikthehen sërish. Zona e Unazës së Re, e njohur për morinë e ndërtimeve shumëkatëshe nga pronarë të ndryshëm, është bërë në jo pak raste “mollë” sherri mes dy palave. Një situatë e ngjashme me atë të disa kohëve më parë në po këtë zonë, ndodhi pasditen e djeshme në zonën pranë fushës “Misto Mame”. 11 persona, të cilët pretendojnë se janë pronarë të tokës dhe jot ë vetëm, kërcënuan se do të hidheshin nga tarraca e një pallati 9-katësh. Shkak për këtë vendimmarrje të përbashkët është bërë mosrespektimi i kontratës që ndërtuesit kanë bërë me ta. Banorët protestues pohuan se kanë lidhur kontratë me pronarin e pallatit, që prej vitit 2009 dhe tashmë që viti shënon 2014, ata vazhdojnë të qëndrojnë me qira, pa pasur ndihmën e pronarit që duket se në këtë rast i ka mashtruar. Jo vetëm kaq, por banorët e zhgënjyer, nuk i dinë as adresën.

 

Kontrata

Banorët pretendojnë se ndërtuesit nuk i janë përmbajtur kontratës për të përfunduar pallatin në kohën e premtuar. Ata shprehen se kanë paguar paratë për ndërtimit e pallatit, i cili ende nuk është përfunduar dhe prej disa vitesh vazhdojnë të qëndrojnë me qira. Sipas të dhënave nga banorët, pronari i kësaj ndërtese u ka marrë paratë 22 pronarëve të truallit, ndërsa nuk i dihet se ka ka adresën. Në të tilla rastet shprehen qytetarët të gjithë pronarët fshihen duke na lënë në mes të rrugës.

 

Policia

Banorët e mashtruar nga pronari i ndërtimit shprehen se i janë drejtuar policisë, konkretisht komisariatit të policisë së Kombinatit për ndihmë, por që deri tani nuk kanë marrë përgjigje. “Kemi bërë disa ankesa në polici për pronarin. Jemi me kontrata të rregullta. Kemi paguar paratë për ndërtimin e shtëpisë dhe prej më shumë se një viti jetojmë me qira. Pronari na premtoi se do të na paguajë qiratë, por nuk e ka bërë një gjë të tillë. Nuk mundemi më. Të gjitha paratë që patëm i hodhëm këtu dhe tani ndihemi të braktisur”, – shprehen banorët. Në vendin e ngjarjes mbërritën drejtues dhe punonjës të policisë të Komisariatit numër 6, të cilët negociuan me banorët për të zbritur nga pallati i papërfunduar. Policia ka arritur të bind banorët për të zbritur pas një orë bisedimesh. Disa prej tyre janë shoqëruar në komisariat me qëllim ballafaqimin me pronarin, me të cilin pretendojnë se nuk kanë pasur lidhje prej disa kohësh dhe nuk ia din as adresën.

 

 Seanca/ Vjedhja në Bankën e Shqipërisë, shtyhet seanca e parë për 15 të pandehur

Gjykata e Tiranës shtyu për një javë procesin gjyqësor kundër 15 të pandehurve, ish-zyrtarë të Bankës së Shqipërisë të akuzuar për “Shpërdorim të detyrës”. Gjyqtari Martin Deda, pasi njoftoi të gjithë të pandehurit që ndodheshin në sallën e gjyqit për akuzat e ngritur ndaj tyre, kërkoi vazhdimin e procesit me leximin e kërkesës për gjykim. Por, të pandehurit Medi Molla dhe Medi Marku kërkuan shtyrjen pasi nuk ishin paraqitur avokatët e tyre. Në këto kushte, gjyqtari pranoi kërkesën dhe e shtyu seancën për të enjten e ardhshme në ora 10:00. Sipas akuzës, të 15 të pandehurit kishin detyra të ndryshme në Qendrën e Emisionit të Monedhës në Linzë, që nga hidraulik, elektricist, murator, financier, sanitare e deri te inxhinier, të cilët për shkak të certifikatës së sigurisë kanë marr pjesë në inventarizimin e parave të arkës. Nga mos kryerja siç duhet e detyrave që kishin, prokurorët thanë se kanë sjell pasojën e vjedhjes së arkës nga i pandehuri Ardian Bitraj. Në mesin e të pandehurve ishte edhe ish-Inspektorja e Përgjithshme e Bankës Elivar Golemi e cila po gjykohet në gjendje të lirë.

 

 Shkodër/ Sherr mes dy grupeve, plagosen me thikë dy të rinj

 Dy djem të rinj kanë mbetur të plagosur si pasojë e një sherri mes dy grupeve në Shkodër. Rreth orës 02.00 pas mesnate të ditës së djeshme në urgjencën e spitalit të Shkodrës janë dërguar të plagosur me thikë V. B., 23 vjeç, banues në Hajmel, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe 22-vjeçari F. M., banues në Shkodër. Siç raporton policia, ngjarja ka ndodhur mes dy grupeve të rinjsh në lagjen “Vasil Shanto”, pranë vendit të quajtur Rruga e Dollarit, Shkodër dhe gjithçka mendohet se ka nisur për motive të dobëta. Lidhur me këtë ngjarje po punohet për sqarimin e rrethanave, ndërsa u shoqëruan katër persona që kanë qenë në vendin ku ndodhi plagosja.

 

Hetimi/ Vdekja e këngëtarit Floran Kondi, pyetet gruaja në polici

 Bashkëshortja e këngëtarit Floran Kondi, i quajtur ndryshe me emrin e tij muzikor Dr. Flori, merret në pyetje nga policia e komisariatit numër 2. Burime të policisë bëjnë me dije se gjatë shpjegimeve, Blerina, bashkëshortja e këngëtarit, është shprehur se ai ka vuajtur shumë faktin që djali i tyre ardhur në jetë dy muaj më parë vuante nga probleme shëndetësore. Bashkëshortja e Dr. Florit i ka thënë policisë që hetimi të mos përqendrohet tek fakti se ai pësoi atak kardiak për shkak të overdozës. Sipas saj, Flori kishte kohë që nuk merrte drogë. Ajo ka shpjeguar për policinë se natën para se të ndërronte jetë, i kishte dhënë qetësues, me qëllim që të mos vuante nga shqetësimet e tepërta dhe më vonë shprehet se nuk e di përse shëndeti i tij u përkeqësua. Policia në të njëjtën kohë ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të urgjencës së Tiranës. Paralelisht Prokuroria po kryen hetime lidhur me vdekjen e Dr. Florit në banesën e tij, ku sipas mjekësisë ligjore, zemra e tij pushoi së rrahuri si pasojë e një ataku kardiak pas marrjes së një overdoze me kokainë.

 

Arrestimi/ I dënuar në Itali, arrestohet në Tiranë

 Ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar prej disa vitesh, pasi kërkohej nga autoritetet italiane. Një i ri me banim në kryeqytet u vu në prangat e policisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Policia shprehet se, i arrestuari është Liko Dane, 32 vjeç, me banim në Laprakë të Tiranës. Dane u prangos nga policia e Tiranës, pasi në ngarkim të tij Gjykata e Torinos ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar në shkurt të vitit 2011, për “Trafikim të lëndë narkotike”. Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimi drejt Italisë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency