Procesi/ Banda e tritolit para Gjykatës, Sinanaj dhe Gjokona, nën mbrojtjen e drejtësisë

0
129

Alma Çuka

 Juljan Sinanaj ka zbërthyer gjithë mekanizmin e funksionimit të vrasjeve me pagesë. Shtatë të pandehur kanë mbi shpinë mbi 38 vepra penale. 15 prej tyre i atribuohen vetëm Sinanajt

Julian Sinanaj ne gjykate gjyq 3 Shtatë të pandehurit e akuzuar për kryerje të vrasjeve me pagesë me anë të shpërthimit me tritol, për herë të parë pas dhjetë muajsh hetime, dolën para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Juljan Sinanaj, njeriu i cili ka ekzekutuar pothuaj të gjitha vrasjet me pagesë të porositura nga disa persona, një pjesë e të cilëve janë në bankën e të akuzuarve, për herë të parë shfaqet me fytyrë në sallën e gjyqit. I shoqëruar nga katër oficer të policisë, Sinanaj, u fut në sallën e madhe, jo nga e njëjta derë që hynë të pandehurit e tjerë, ose të përkufizuar ndryshe, ata për të cilët ai ka folur gjatë hetimeve se kanë porositur vrasjet. Askush deri dje nuk e kishte para Sinanaj me një pamje ndryshe nga ajo e fiksuar deri më sot që ka qenë një fotografi e pasaportës së tij. I pandehuri kryesor i këtij procesi, Juljan Sinanaj, i cili ka marrë statusin e personit të mbrojtur nga drejtësia u fut në sallën e gjyqit me një imazh ndryshe. I veshur me një xhup të bardhë, me syze optike, i shëndetshëm, ndryshe sa shfaqej më parë në foton e vetme, pa pranga në duar dhe i sigurt mes katër oficerëve të policisë, të cilët e mbuluan gjatë gjithë kohës që qëndroi në sallë, duke mos i lënë mundësi të pandehurve të tjerë të komunikonin me të. Sinanaj u vendos në të njëjtin pozicion ku kanë qëndruar më parë dy të penduarit e drejtësisë, Petrit Liçaj, i bandës së Lushnjës, Adriatik Coli i Bandës së Lul Berishës. Sinanaj që ka pranuar më herët të rrëfejë të gjitha vrasjet dhe rrugën që ndjekur për të përfunduar çdo akt kriminal, nuk ka folur asnjë fjalë para trupit gjykues. Nën mbrojtjen e drejtësisë është edhe i pandehuri tjetër Ndriçim Gjokona, edhe ky i rrethuar në sallë ashtu si Sinanaj nga oficerët e policisë.

 

Të pandehurit

Kjo ishte seanca e parë e të ashtuquajturës “banda e tritolit”, ku bashkë me Sinanajn u njohën me akuzat dhe 6 të pandehur të tjerë, Andon Mëhillaj, Marjon Mitro, Ndriçim Gjokona, Albin Mexhaj, Ilir Karçini dhe Genis Mëhillaj, i cili është ende në kërkim nga drejtësia. Ndërkohë i pandehuri Ilir Karçini, biznesmeni i naftës, kishte vendosur të mos ishte i pranishëm, duke kërkuar të përfaqësohej në gjykim nga avokati Ardian Leka. Seanca e djeshme zgjati për më shumë se një orë, ku trupi gjykues i kryesuar nga Flora Hajredinaj njohu të pandehurit me akuzat që rëndojnë mbi ta. Më pas seanca u shty për në datë 4 dhjetor me argumentin sipas gjyqtares, se duhet të njoftohet edhe njëherë Policia Vlorë, për të rifilluar kërkimet për gjetjen e personit në kërkim Genis Mëhillaj. Nëse Mëhillaj nuk arrestohet deri më 4 dhjetor do t’i caktohet një avokat mbrojtës për të vijuar më tej seancat gjyqësore.

 

Hetimi

Hetimi ndaj tyre ka nisur në janar të vitit 2014, pas disa atentatesh me armë zjarri dhe lëndë plasëse që ndodhën ose mbetën në tentativë në Vlorë dhe Tiranë. Në përfundim të këtyre hetimeve e pas gjetjes së provave që i implikojnë në 38 vepra penale, Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur të marrë të pandehur 7 persona, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Për vrasësin me pagesë Julian Sinanaj prokuroria ka ngritur 15 akuza, për dy vrasje dhe një sërë atentatesh me lëndë eksplozive. Sakaq, për Ndriçim Gjokonën radhiten akuzat për 7 vepra penale, ndër to vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Për kushërinjtë Genis dhe Andon Mëhillaj, Prokuroria ka formuluar 6 akuza, si porositës të disa ngjarjeve mafioze në qytetin bregdetar të Vlorës, ndërsa Genis Mëhillaj është ende në kërkim nga policia. Ata akuzohen se kanë porosituar vrasjen e Sokol Veizi, biznesmen nga Vlora, Agron Çelës dhe ish- kryetarit të partisë Demokratike në Vlorë, Ardian Kollozi. Sakaq, i pandehuri tjetër Marjon Mitro akuzohet për tre vepra penale, ky dyshohet se ka porositur atentatin e mbetur në tentativë ndaj ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Ndërsa mbi Albin Mexhaj është ngritur akuza e trafikimit të armëve, ku sipas Prokurorisë i shiste armët Julian Sinanajt.

 

 Trafiku/ 77 vite burg në Britani për shtatë shqiptarë, pjesë e një bande trafikantësh

Shtatë shtetas shqiptarë anëtarë të një rrjeti të trafikimit të drogës dhe importimit të saj në Britaninë e Madhe, u dënuan me 77 vjet burg. Shqiptarët ishin përgjegjës për shitjen në Britaninë e Madhe të kokainës dhe heroinës, me një vlerë prej dhjetëra milionë paund. Tetë prej bashkëpunëtorëve të tyre janë dënuar më parë me 80 vjet burg, për importimin e drogave të klasit A me vlerë 40 milionë paund, nga Evropa drejt Londrës, në juglindje dhe në kufirin jugor të Anglisë. Të tetë shtetasit shqiptarë u shpallën fajtor për bashkëpunim në tregtimin e drogës së klasit A. Arrestimi dhe vënia para drejtësisë e të pandehurve ishte rezultat i një hetimi të suksesshëm të detektivëve të Task-Forcës, në një operacion të koduar “Ninjask”. Sami Qerkini ishte lideri i grupit kriminal shqiptar, i cili kishte zhvilluar një rrjet të sofistikuar dhe të gjerë bashkëpunëtorësh në importimin dhe furnizimin me drogë në Mbretërinë e Bashkuar, duke dërguar të ardhurat e biznesit të tij jashtë vendit. Qerkini dhe bashkëpunëtorët e tij përpiqeshin të bënin një jetë normale, duke dalë në kafenetë e përditshme. Megjithatë, ata ishin të gjithë të përfshirë në përgatitjen e drogës. Roja e shtëpisë, korrierët, përgatitësit dhe binjakët identikë, Almir dhe Altin Gocaj, u arrestuan së bashku në fabrikën e drogës në zonën e Crystal Palace. Atyre iu gjetën 2 kg heroinë dhe një shumë e konsiderueshme parash prej 133,205 paund. Shefi i rrjetit Qerkini, kishte Bardhi Lleshin krahun e tij të djathtë, Altin Gocaj ishte roja e fabrikës dhe korrieri, Gjergji Lleshi (nipi i Bardhi Lleshit) ishte korrier dhe përgatitës droge, vëllezërit Armando dhe Arben Oruçi ishin roje të fabrikës, korrierë dhe përgatitës të drogës. Të gjithë këta shtetas u arrestuan në shtator të vitit 2013. Më 12 shtator të vitit 2013, Armando Oruçi u pa duke dalë me një thes, të cilin Arben Oruçi e nxori jashtë. Kur ky i fundit u ndalua nga policia në 2 kutitë me biskota dhe një ekspresi, iu gjet 1 kg heroinë. Policia arrestoi Armando Oruçi në korridor. Ndërsa Qerkini ishte në “kuzhinë”, duke përgatitur një sasi të vogël heroine. Të dy mbanin doreza dhe kishin maska në fytyrë. Në total gjatë aksionit u gjetën 8 kg heroinë dhe rreth 2 mijë paund.

 

Shtetasit shqiptarë të dënuar janë:

1- Sami Qerkini, 49 vjeç, u dënua me 22 vjet burg për trafikim të heroinës

2- Bardhi Lleshi, 36 vjeç, u dënua me 16 vjet e gjysmë burg për trafikim të heroinës

3- Arben Oruçi, 44 vjeç, u dënua me 3 vjet burg për trafikim të heroinës

4- Armando Oruçi, 40 vjeç, u dënua me 12 vjet burg për trafikim të heroinës

5- Gjergji Lleshi, 27 vjeç, u dënua me 2 vjet e 8 muaj burg për trafikim të heroinës

6- Almir Gocaj, 36 vjeç, u dënua me 12 vjet burg për trafikim të heroinës

7- Altin Gocaj, 36 vjeç, u dënua me 9 vjet burg për trafikim të heroinës

 

Kapen 20 kg heroinë që vinte nga Stambolli, arrestohen dy shqiptarë

Policia e Kapshticës sekuestron 20 kg heroinë të fshehur në një autobus që vinte nga Stambolli për në Tiranë. Autobusi, sipas autoriteteve kufitare, u bllokua pa u futur në doganën shqiptare. Të dhënat e para që kanë dalë nga media greke flasin se autobusi ishte i mbushur me futbollistë që vinin nga Stambolli dhe bëhet fjalë për ekipin e Erzenit. Megjithatë, gjithçka pritet të vërtetohet nga policia e shtetit fqinj. Malli ishte i fshehur në dy çanta. Ndërsa bëhet me dije se kanë qentë antidrogë ata që kanë pikasur lëndën narkotike të fshehur në pjesë të ndryshme të automjetit. Sasia e lëndës narkotike e llojit heroinë është kapur pasditen e së enjtes në pikën kufitare të Kapshticës. Burime të policisë kufitare bëjnë me dije se droga u kap në një autobus, i cili vinte nga Stambolli dhe destinacion kishte Tiranën. Policia arrestoi dy shtetas shqiptarë 41 dhe 43 vjeç, drejtuesit e makinës, të dyshuar si të përfshirë në këtë trafik droge, ndërsa autobusi u shoqërua për në Athinë, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedural.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency