Klajda Gjosha: Projektligji për Teatrin i paprecedent, ligjëron plaçkitjen e pronës publike

0
156

Seanca parlamentare ka sjelle perplasje te forta mes opozites dhe mazhorances. Opozita ka hedh akuza te forta ndaj qeverise. Deputetja e LSI Klajda Gjosha ne deklaraten e saj e ka quajtur ligjin e teatrit Kombetar, si projektligj të paprecedent që ligjëron plaçkitjen e pronës publike.

Fjala në Kuvend e deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha

Kurrë nuk do të mendohej në një vend normal të bënim një diskutim të tillë për çështjen e Teatrit Kombëtar. Jo vetëm që qeveria nuk do të guxonte të ndërmerrte iniciativa të tilla shkatërruese, por ndoshta askush nga ne nuk do të guxonte të politizonte një çështje që ka të bëjë me vlerat dhe traditën shqiptare.

Kur mendon për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë të vijnë ndër mend emra të shquar aktorësh, disa prejt tyre sot fatkeqësisht nuk jetojnë më, por që ende vazhdojnë të mbajnë gjallë një komb të tërë me rolet e tyre, humorin apo duke sjellë në skene ato grimca të historise Shqiptare, realitete të bukura apo të hidhura, por që janë pjesë e identitetit tonë kombëtar.

Për shumë njerëz Teatri Kombëtar është një shtëpi e dytë, për shumë të tjerë është një pjesë argëtimi e jetës së tyre. Ndoshta ka plot qytetarë që nuk kanë mundur të frekuentojnë këtë institucion por që gjithçka në kryeqytet e lidhin rreth Teatrit.

 

Teatri Kombëtar është vepër e një arkitekture të mirëmenduar të atyre viteve, e që shkon në të njëjtën linjë me gjithçka tjetër ndërtuar rreth saj. Çdo vend që do dhe ruan historinë kombëtare nuk do të guxonte kurrë të shëmbte një simbol të artit shqiptar sado e vjetër të ishte ajo, sado e pamirëmbajtur qëllimisht, sado e rrënuar në themelet e saj nga njerëz që vijnë e ikin në politikë po vizionin e kanë të shtrirë deri te interesat personale dhe jo përtej kësaj.

 

Askush nuk ju ndalon të ndërtoni një teatër të ri, kudo në Tirane ku ka një plan zhvillimor të tillë por minimumi do duhej të respektonit këtë vlerë historike, pse jo duke e kthyer atë edhe në një muzë të artit, apo duke vendosur në skenë vepra të mëdha për hir të memories historike që gjithësecili nga ne dhe po kështu fëmijet duhet ta gjejnë në atë godinë.

Po si ka mundësi që gjetët dhe investuat lekë pafund për zyrat e shtetit pa plan dhe nuk gjetët kurrë lekë për të mirëmbajtur Teatrin Kombëtar? Po si ka mundësi që gjetët lekë pafund për të fryrë institucionet tuaja me burokratetët e partisë dhe nuk gjetët kurrë lekë për teatrin? Po si ka mundësi që gjetët lekë pafund për koncesionet zhvatëse dhe nuk gjetët kurrë lekë për teatrin? Ndoshta përgjigjen e di dhe e ndjen gjithësecili nga ne, por padrejtësia e shtetit kundrejt artit është vetëvrasëse, është e dhimbshme.

 

Dhe si të mos mjaftonte përbuzja për gjatë gjithë këtyre viteve sot na vihet përpara një projektligj i paprecedent që ligjëron plaçkitjen e pronës publike ku si asnjëherë tjetër ligji paracakton edhe fituesin me emër konkret për ndërtimin e teatrit dhe të kullave rreth tij. Një projektligj që shënon rënien e shtetit, shkatërrimin e institucioneve, shkatërrimin e rregullave dhe akteve të tjera ligjore mbi të cilat funksionon shteti.

 

Sot edhe pushteti lokal ka rënë, është i papërfillshëm përballë këtij projektligji. Këshilli Bashkiak që është i vetmi organ vendimarrës në këtë pjesë as që pyetet, anashkalohet e përbuzet. Sot prona e gjithkujt mund të rrëmbehet me dëshirë dhe urdhër të një individi të vetëm. Une nuk e di nëse dikush sot do të gjente ndonjë ndryshim mes diktaturës dhe kësaj katrahure që ka shkaktuar sot sistemi ynë autokratik, arbitrar dhe i pamëshirshëm.

 

Sot Shqipëria është pa gjykatë kushtetuese, pa gjykatë të lartë vetëm që të plotësohej endrra e një individi për të qenë i gjithëpushtetshëm dhe ku asnjëri nga ne mos të kishte një vend ku të ankohej, ku të ankimonte padrejtësitë që bëhen në emër të kushetutës së këtij vendi. Sot shteti i së drejtës është kthyer përfundimisht në shtetin që rrëmben dhe plaçkit pronën e përbashkët. Teatri nuk është pronë e Kryeministrit, as e ministrave të tij. Teatri është pronë e historisë së Shqipërisë, ku të gjithë ne jemi bashkëpronar.

 

Arroganca për të vepruar me inat atëherë kur të gjithë janë kundër është rrezikshmëria më e madhe që i kanoset një vendi, sepse këtu logjika tashmë ka humbur. Shqipëria çdo ditë po rrezikon fjalën e lirë, median e lirë. Shqiptarët po varfërohen gjithmonë e më shumë duke i  bërë ata edhe me vulnerabël kundrejt kërkesës për drejtësi, apo kërkesës për llogari. Institucionet kanë pezulluar punën pasi kryeministri ka vendosur të jetë edhe specialist, edhe shef sektori, drejtor apo ministër duke u tallur çdo moment me ndjeshmëritë e qytetarëve e duke i drejtuar ata drejt platformave online që po i drejton e ku askush nuk merr kurrë asnjë përgjigje.

 

Edhe çështja e teatrit është në të njëjtën grackë dhe ky është momenti qe ai duhet shpëtuar. Për shumë kënd kjo ngjan si një luftë me mullinjtë e erës, por në fakt nuk është kështu sepse janë mijëra qytetarë sot jashtë ambjenteve të Kuvendit që kërkojnë të dëgjohen, të respektohen sepse në fund të fundit janë ata që vendosin për fatin e teatrit, për fatin e këtij vendi.

 

Dhe meqënëse javës që shkoi nuk munda të mbaja dot fjalën time në këtë foltore përsa i përket një nga prioriteteve madhore që kishte të bënte me çeljen e negociatave, më lejoni të ndalem fare shkurt duke ju thënë fare thjeshtë se janë çështje si kjo e shembjes së teatrit dhe e rrënimit të shtetit të së drejtës ato që e largojnë çdo ditë e më shumë vendin tonë nga vlerat europiane.

 

Sot shqiptarëve i ështe shtyrë mundësia e çeljes së negociatave me një vit. Shkaku është i qartë për të gjithe ne: Shqipëria po humbet edhe atë pak demokraci të brishtë që mundi të ndërtonte në 27 vite. Sot kushtet që duhet të plotësojmë janë të rënda për supet e një vendi ku s’ka asnjë bashkëpunim politik, po mbi të gjitha s’ka asnjë bashkëpunim me qytetarët. Në vend të diskutojmë për integrim ekonomik të Shqipërisë dhe të rritjes së konkurueshmërisë së tregut, ne diskutojmë çmontimin e lidhjeve të politikës me krimin! Kjo është një nga fatkeqësitë më të mëdha tek e cila do duhet të durojmë edhe festën e qeverisë për dështimin e saj, edhe lojën psikologjike që ajo bën çdo ditë duke thënë fituam se ndoshta vitin që vjen BE mund të na japë një dritë jeshile.

 

Dhe populli nga ana tjetër është varfëruar aq shumë sa nuk ka forcë më as të mendoj dhe jo më t’i kërkoj llogari qeverisë për mashtrimet dhe abuzimet e saj. Ndoshta në këtë pikë qeverisë do duhet tia njohim këtë arritje!

Ne ndodhemi në një moment kritik ku s’ka më kohë për lojëra. Kjo është dita ku të gjithë bashkë do duhet të veprojmë për të ndalur këtë marrëzi shtetërore, për të ndalur shembjen e Teatrit e për t’ju rikthyer punës për plotësimin e kushteve jetike për Shqipërinë.

Ai teatër sado i vjetër qoftë është simboli I vlerave shqiptare, nga i cili kanë lindur ambasadorët më të mire të këtij vendi. Shqipëria nuk mund të jetë europiane duke shkatërruar historinë dhe kulturën, por duke i ruajtur ato me krenari si pjesë e një vlere që do të jetë vlerë e shtuar edhe për vete Euro.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here