Pas shoqërimit të kushëririt nga policia Dritan Dajti kërcënon gjyqtarët dhe familjet e tyre

0
150

Sonja Caka

dritan-dajtiVrasja e katër policëve, i pandehuri: Pas zgjedhjeve do hap kutinë e Pandorës. Do mësoni të vërtetën e vrasjeve

 

Për herë të parë, një seancë pas shoqërimit të kushëririt të tij për disa orë në polici, Dritan Dajti kërcënon hapur gjyqtarët e trupës gjyqësore që po gjykon çështjen e tij. Qysh në momentet e para të fillimit të seancës, Dajti iu drejtua gjyqtarëve me fjalët: “Uroj që mos të keni urdhëruar ju shoqërimin e kushëririt tim seancën e kaluar. Ky është presion. Siç më keni kërcënuar familjen, duke më shoqëruar pas seancës një të afërm, të njëjtën gjë do bëj dhe unë me ju dhe familjarët tuaj”. I gjendur përballë kësaj situate dhe me një pamje mjaft të frikësuar pas kërcënimit, kryesuesi i trupës gjyqësore, Idriz Mulkurti, iu justifikua të pandehurit se nuk kishin asgjë personale me të dhe se nuk ka qenë Gjykata ajo që ka urdhëruar shoqërimin e kushëririt të tij, Lulzim Muçës, një seancë më parë. Por, Dajti ka vijuar kërcënimin e tij pa u tërhequr nga ajo që sapo kishte deklaruar duke u shprehur: “E kam unë personale me ju tashmë. Unë i njoh mirë ligjet, mos harroni se unë jam Dritan Dajti dhe po flisni me Dritan Dajtin”. Me të njëjtin ton, i pandehuri ka vijuar fjalën e tij, ndonëse herë pas here nga gjykata i kujtohej se po dilte jashtë gjykimit. “Prej dy vjetësh procesi po bëhet i mbyllur që publiku të mos marrë vesh të vërtetën e gushtit të 2009-ës. Ju kujtoj se pas zgjedhjeve do hap kutinë e Pandorës”, – ka vijuar i pandehuri, deklarim që e bën për herë të parë që nga momenti i arrestimit dhe deri në këtë seancë të 228-të të gjykimit. Më tej, por për momentin e vrasjes së 4 policëve, Dajti iu drejtua me disa pyetje gjyqtarëve, duke shtruar disa pyetje: “Pyesni mirë kush e vrau Saimir Duçkollarin? Pse e vrau veten babai i tij? Pyesni mirë e nderuar Gjykatë. Edhe akt-ekspertiza e tregon shumë mirë kush e ka vrarë, ndërkaq e interesuar për të mbuluar këtë të vërtetë ka qenë gjykatësja Nertina Kosova. E dini shumë mirë historinë e vrasjes së tij”, – e mbylli momentin më kritik të procesit i pandehuri. Më pas, gjykata vijoi seancën si të mos kishte ndodhur asgjë në ato pak minuta, duke i kërkuar të pandehurit nëse do mbrohej vetë në seancë. Por, kësaj pyetjeje Dritan Dajti iu përgjigj negativisht, duke iu kujtuar gjyqtarëve Kodin e Procedurës dhe momentin e mbrojtjes së një të pandehuri. “Kërkoj të mbrohem me avokat e meqë nuk më keni gjetur avokat, kërkoj të largohem nga salla”, – tha Dajti dhe u kërkoi policëve të togës ta shoqëronin jashtë sallës së gjyqit. Pas kërcënimeve direkte të Dajtit ndaj trupës gjyqësore dhe familjeve të tyre, pritet që Gjykata e Krimeve të Rënda t’i kërkojë Policisë së Shtetit marrjen në mbrojtje për 5 gjyqtarët që përbëjnë trupën gjyqësore.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency