Asnjë banor i Kombinatit në banesë të re, siç premtoi Veliaj në 8 prill

0
38

Nga Ilda Hoxha-Faktoje.al

Pavarësisht premtimeve, banorët e Kombinatit, që cilët mbetën pa strehë nga tërmeti i vitit 2019, nuk kanë hyrë në banesat e tyre. Në fillim të prillit, Veliaj garantoi nisjen e shpërndarjes së ‘çelësave në dorë’. Bashkia e Tiranës u përgjigj zyrtarisht se në Kombinat kanë përfunduar vetëm 3 nga 16 banesat e reja, por edhe ato janë në procs kolaudimi, ndërsa infrastruktura rreth pallateve mungon. A po vërtetohet ‘profecia’ e banorëve se vetëm fushata e zgjedhjeve 2025 do t’i bëjë me shtëpi të re

Gjatë një interviste në emisonin ‘Top Story’ në fillim të muajit prill, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj foli sërish për procesin e rindërtimit në zonën e Kombinatit. Veliaj u zotua se do të niste shpërndarja e apartamenteve për banorët.

‘Gjërat janë më mirë… Kombinati shpërndahet javës tjetër, fillon shorti’-deklaroi Veliaj më 8 prill të këtij viti.

Në lidhje me këtë premtim të kryebashkiakut Veliaj, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës. Zyrtarisht ky institucion sqaron se po ndërtohen 16 godina dhe aktualisht ka përfunduar puna për vetëm 3 prej tyre, por edhe këto ende nuk janë të banueshme.

‘Në kuadër të procesit të rindërtimit, në Bashkinë Tiranë, ndër të tjera, janë parashikuar të ndërtohen 16 godina të reja në zonën e re zhvillimore në Kombinat, shpallur në bazë të VKM nr. 80, datë 31.01.2020, për ‘Shpalljen e zonës së re për zhvillim në Njësinë Administrative Nr. 6, Kombinat, Bashkia Tiranë’ dhe në bazë të PDV-së, miratuar, me Vendim nr.2280/1, datë 30.03.2022, ‘Për miratimin e Planit të Detyruar Vendor’.

Image

Në këtë zonë të re zhvillimore kanë përfunduar dhe janë në proces kaloudimi punimet për 3 godina. Janë në proces punimet për 13 godina. Për këto godina nuk ka nisur ende procesi i shorteut publik për shpërndarjen e apartamenteve banorëve’, bën të ditur Bashkia e Tiranës në përgjigjen që mban datën 29 prill.

Për të parë nga afër ecurinë e procesit të rindërtimit, ne bëmë një verifikim në terren në javën e parë të majit. Nga verifikimi konstatuam se asnjë banor nuk ishte futur në apartamentet e reja, ndërkohë që infrastruktura rrugore e bënte të vështirë kalimin në këtë zonë.

Banorë i thanë Faktoje se nuk kanë informacion kur mund t’i marrin çelësat e banesave të reja, por shpresojnë që kjo të bëhet sa më parë. Ata thekojnë se disa janë skualifikuar edhe nga bonusi i qirasë, pa asnjë arsye konkrete.

Image

‘Vetëm t’i marrim shtëpitë, nuk dua gjë tjetër, kemi 5 vjet që i presim. Njerëzve po u heqin bonusin e qirasë, nuk e dimë çfarë po bëhet’, tha një banor i Kombinatit.

Në një sërë artikujsh, Faktoje ka raportuar mbi shkeljen e afateve për përfundimin e procesit të rindërtimit në zonën e Kombinatit.

Më herët, banorë të Kombinatit thanë për Faktoje se pritja mund të zgjasë deri në 2025-n dhe vetëm me afrimin e zgjedhjeve, për fushatë, ata të kenë më në fund një strehë mbi kokë.

Aktualisht pallatet e reja, një pjesë e të cilëve nga jashtë duken të përfunduar, janë ende të pabanueshëm, pasi ende ka punime për t’u kryer nga brenda, ndërsa jashtë mungojnë rrugët dhe kanalizimet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here