Tifozët kuqezi, thirrje lojtarëve kosovarë që luajnë për Zvicrën: Mos luani kundër Shqipërisë, që të mos ju thërrasim tradhtarë!

0
144

Jurges Veizaj

Një thirrje paksa e veçantë ka ardhur nga tifozët kuqezi shqiptarë në sfidën që po afron me Zvicrën. Ata u kanë kërkuar lojtarëve shqiptarë, të cilët luajnë me Zvicrën, që të mos luajnë në Tiranë. Mirëpo, duket se Otmar Hicfeld nuk ndan të njëjtin mendim.

 

foto3Përpara është një ndër sfidat e mëdha të kombëtares shqiptare. Ajo e përpalljes me Zvicrën. Në sfidën e parë, të luajtur në tokën alpine, kombëtarja jonë humbi përballë golave të Xherdan Shaqirit dhe Ilnërit me penallti. Mirëpo tashmë erdhi edhe dita e transfertës. Këto pikë janë tepër të rëndësishme për ne, pasi mund të na çojnë përsëri në pozicionin që ishim para dy humbjeve që pësuam. Megjithatë, kjo ndeshje përveçse një sfidë e rëndësishme për pikë, është edhe një sfidë ku ka emocione. Kjo, pasi 6 lojtarë shqiptarë aktivizohen në radhët e Zvicrës. Një e vërtetë e hidhur, por që tashmë duhet të mësohemi me realitetin. Tifozët tanë, duke e parë nga kjo pikëpamje, u kanë kërkuar 6 shqiptarëve që të mos aktivizohen me kombëtaren e Zvicrës. Një deklaratë që duket se nuk mund të realizohet, pasi lojtarët janë më të rëndësishmit e ekipit transalpin dhe do të ishte e pamundur që të mos jenë në fushë, por tifozët tanë kanë bërë thirrjen e tyre. Në një deklaratë të tyre, ata kanë thënë: “Letër e hapur lojtarëve me origjinë shqiptare që luajnë për Zvicrën në prag të ndeshjes së parafundit eliminatore, Shqipëri-Zvicër që luhet me 11 tetor 2013 në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë. Grupimi më i madh i tifozëve të Kombëtares Shqiptare u drejtohet futbollistëve me origjinë shqiptare që luajnë në përfaqësuesen helvete. Futbollistëve: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi dhe Pajtim Kasami. Jo rrallëherë për t’iu kundërvënë kritikave të shumta pse ju keni zgjedhur për të përfaqësuar një vend tjetër e jo vendin e origjinës, ju i jeni përgjigjur se e doni shumë Shqipërinë, se ndiheni shqiptarë, ashtu sikurse ndihen shumë familje shqiptare që emigruan për një mirëqenie më të mirë në vende të tjera. Meqenëse keni rrënjë shqiptare dhe nuk ndiheni rehat të luani kundër Kombit të rrënjëve tuaja (ashtu siç edhe deklaroni nëpër media ), ju kërkojmë që të mos luani në ndeshjen kundër Shqipërisë në Tiranë. Mendojmë se në këtë mënyrë do të jeni korrektë edhe me ngjyrat që prezantoni, pasi ata do t’ju kuptojnë. Nëse veproni ndryshe dhe nuk jeni në ditën tuaj më të mirë, atëherë ata (zviceranët) do t’ju quajnë “tradhtarë”. Mirëpo, nëse eventualisht shënoni gol, atëherë bashkëkombasit tuaj (ne), të anës tjetër do t’ju quajmë po me të njëjtin emër. Besojmë shumë se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për të gjitha palët. Ju kujtojmë se në një rast të tillë, ish-lojtari i kombëtares polake të basketbollit, Dardan Berisha, nuk u paraqit fare në ndeshjet eliminatore që Polonia zhvilloi kundër Shqipërisë, sepse, sipas tij, nuk mund të luante kundër vendit të tij. Tifozat Kuq e Zi. O sa mirë me qenë shqiptar!” Një deklaratë që është një thirrje e hapur ndaj lojtarëve që të refuzojnë përfaqësimin për ekipin zviceran. Por vetë grumbullimi i tyre duket se e bën të pamundur, pasi lojtarët janë grumbulluar me ekipin për të kryer seancat stërvitore para ndeshjes. Ndërsa për sa i përket formacionit të Zvicrës, mendohet se mungesa e vetme e ekipit do të jetë lojtari i Juventusit Stefan Lihshtajner. Mbrojtësi, për shkak dëmtimi, nuk është grumbulluar duke u kthyer në një dhimbje koke për trajnerin, pasi është një ndër lojtarët kyç të skuadrës. Lajmi për mosriaftësimin e tij është konfirmuar dje nga stafi mjekësor që, pasi ka bërë testet e ndryshme, e ka vlerësuar si të pamundur daljen e lojtarit në fushë për sfidën ndaj Shqipërisë. Mbrojtësi i krahut të djathtë nuk mund të riaftësohet në kohë nga dëmtimi në kofshë për sfidën e së premtes, ndaj gjermani duhet të vendosë për zëvendësuesin e tij. Për shkak të këtij problemi fizik, mbrojtësi juventin mungoi edhe në superndeshjen e javës së shtatë të Serisë A, Juventus-Milan, por fillimisht u mendua se mund të ishte i gatshëm për kuqezinjtë. 29-vjeçari madje është në dyshim edhe për transfertën me Slloveninë, ndaj këtë të mërkurë do të vendoset nëse do të udhëtojë me pjesën tjetër të skuadrës drejt Shqipërisë. Mediat zvicerane kanë projektuar edhe formacionin e mundshëm titullar që do të hidhet në fushë në “Qemal Stafa”, ku bie në sy prania e tre lojtarëve me origjinë shqiptare në repartin e mesfushës. Në portë do të jetë Benaljo, në mbrojtje Lang, Sher, Von Bergen, Rodriguez, në mesfushë Behrami, Inler, Shaqiri, Xhaka dhe Stoker, ndërsa në sulm do të luajë i avancuar Seferoviç. Ky është formacioni paraprak i teknikut Hicfeld, por që mund të ketë ndonjë ndryshim të vogël deri ditën e ndeshjes, në varësi të formës apo të problemeve që mund do të shfaqin futbollistët gjatë seancave stërvitore që po zhvillohen me dyer të mbyllura.

 

 Shqiponja në “Qemal Stafa”

Shqiponja do të jetë e pranishme në vendin që më së miri i bashkon shqiptarët anembanë botës, në mitikun “Qemal Stafa”, aty ku, kur luan kombëtarja për 90 minuta janë zemra dhe sytë e një kombi të tërë. Në 11 tetor, para përballjes me Zvicrën, shqiponja do të niset nga një qiellgërvishtës pranë “Qemal Stafës” për të fluturuar sipër stadiumit, duke krijuar pa dyshim një atmosferë emocionuese. Gjithçka falë një nisme të Igli Tares dhe Lorik Canës, që kanë vendosur t’i bëjnë një homazh “Qemal Stafës”, duke sjellë në Tiranë një eksperiencë të bërë traditë tashmë në stadiumet e Lacios dhe Benfikës. Kjo nismë është bërë falë spanjollit Juan Bernabe që me bashkëpunimin e tij është bërë e mundur që të jetë në Tiranë ashtu siç ka qenë në Romë dhe në Lisbonë.

 

Formacioni me të cilin mendohet të luaj Hicfeldi.

Benaglio (portier)

Lang (mbrojtës)

Sher (mbrojtës)

Von Bergen (mbrojtës)

Rodriguez (mbrojtës)

Behrami (mesfushë)

Inler (mesfushë)

Xhaka (mesfushë)

Shaqiri (sulm)

Stoker (sulm)

Seferoviç (sulm)

 

 

Januzaj refuzon Belgjikën, më shumë shpresa për Shqipërinë

Dy golat e shënuar ndaj Sandërlendit në ndeshjen e kësaj jave në Premier Ligën angleze e kanë bërë sensacionin e kësaj jave Januzaj në të gjithë futbollin evropian. Loja e tij i dha talentit një sërë elozhesh të thurura, duke e përcaktuar si një ndër talentet që mund të bëjë diferencën. Mirëpo kjo ka hapur një debat mediatik se për cilën kombëtare duhet të luajë ai. Ky diskutim në zanafillën e tij para sfidës ndaj Sandërlendit ishte i vendosur kryesisht në Shqipëri, Kosovë dhe Belgjikë, por që tani është përhapur edhe në Angli, ku mediat sportive dhe trajnerë, ish-futbollistë u ndanë në dy kampe, pro dhe kundër thirrjes së Januzajt në kombëtaren angleze. Për shkak të ligjeve vendase, Januzaj s’mund të luajë për “Tre luanët” të paktën për 5 vjet, aq sa i duhet të jetojë si madhor në vendin ishullor. Megjithatë, i pari që ka lëshuar sinjalin për shqyrtimin e mundësisë së dhënies së kësaj të drejte për shqiptarin nga Kosova, është vetë trajneri Hoxhson.

Hoxhson deklaroi të hënën se ishte dakord me hapjen e debatit për këtë temë dhe duke vlerësuar talentin e shqiptarit, tha se ftesa nga ana e tij nuk do t’i mungojë. Së fundmi, nga Belgjika mbërrin lajmi se Adnani ka refuzuar kombëtaren e këtij vendi. Vetë trajneri i kombëtares belge ka konfirmuar këtë, duke thënë se respekton vendimin e lojtarit. Vetë futbollisti nuk ka vendosur asgjë dhe për aq kohë sa do të vazhdojë pavendosmëria e tij, aq do të zgjasë edhe debati dhe ftesat për fanellë kundrejt tij. Ndërsa tashmë kjo temë duket se ka marrë një karakter ndërkombëtar. Madje kjo ka tërhequr edhe pikat e basteve. Duke parë interesin, shumë kanë vendosur baste se për cilën kombëtare do të luajë lojtari. Madje, debati për këtë lojtar ka shkuar edhe në “CNN”, ku është bërë një reportazh që tregon se lojtari i ri kërkohet nga disa kombëtare.

 

Lorik Cana paralajmërohet për përjashtim

Protestat që janë bërë pas ndeshjes tek gjyqtari i kanë sjellë Lorik Canës një paralajmërim për përjashtim duke rrezikuar pezullimin. Rezultati në ndeshjen me Fiorentinën e ka acaruar mbrojtësin shqiptar, që ne tunelin e brendshëm të stadiumit e ka akuzuar gjyqtarin si jo korrekt me vendimet që ka marrë. Gjykata sportive e ka ndëshkuar mbrojtësin shqiptar dhe e ka paralajmëruar se në rast te një tjetër shkeljeje, do të pezullohet për disa ndeshje. Cana ka shpëtuar me kaq, ndërsa Lacio ka marrë 15 mijë euro gjobe për sjelljen aspak korrekte të tifozëve në ndeshjen e fundit. Kujtojmë që në Itali nuk kanë qënë të pakta skenat e skualfikimit. Disa kohë më parë ishte Baloteli, në ndeshjen me Juven u skualifikua edhe Mekses. Objekt i këtij dënimi mund të ishte edhe Cana, por gjykata sportive është mjaftuar me këtë vendim.

 

Presidenti i Partizanit përgatit seli të re për ekipin

Tashmë duket se klubi i Partizani po i rikthehet lavdisë së munguar. Tifozët kanë arsye për t’u ndier të sigurtë, tani që klubi i kuq po bëhet gjithmonë e më serioz. Presidenca e re, me në krye Gazmend Demin, ka përgatitur një seli të re për Partizanin. Drejtuesit dhe stafi do të kenë zyrat e tyre të reja që janë gati dhe pritet të përurohen brenda pak ditësh. Afër ish-stacionit të trenit, në Tiranë, do të jetë selia e re e të kuqve. Veç klubit, Partizani po mendon edhe për kompleksin për të cilin vazhdon puna në periferi të kryeqytetit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency