Rosi: Rikthehem i fortë te Italia

0
134

Jurges Veizaj

 

Sulmuesi që aktivizohet tashmë te Fiorentina, premton të rikthehet në formën që gëzonte dikur. Lojtari pati probleme me dëmtimet që në kohën kur luante te Vilareali, por tani është rikthyer për të fituar dhe do të jetë pjesë e kombëtares Italiane

 

Giuseppe-RossiPas dy dëmtimeve fatkeqe në gju, Xhuzepe Rosi është rikthyer në formën e tij. Tashmë përveç rikthimit në një klub si Fiorentina, do të rikthehet edhe te kombëtarja italiane. Lojtari deklaroi: “Është një nder që të rikthehem këtu përsëri, shpresoj që të jetë një pikënisje e mirë. Kam folur me teknikun Prandeli dhe impenjimi im është që të përmirësoj formën time fizike, por pas dy vitesh ndalese është normale që ta kesh të vështirë ndonjë problem të vogël. Ky sezon është më i rëndësishmi i karrierës sime”. Gjithashtu ai foli edhe për kolegun e tij që do të ketë në sulm, Mario Baloteli. “Do të bëjmë më të mirën së bashku”, dhe vijoi deklaratën, kur u pyet për problemet që mund të kenë duke thënë se të dy nuk do të hasin një konflikt, pasi kanë shkuar shumë mirë edhe me parë. Tema që shqetëson më shumë lojtarin është gjendja e tij fizike. Një element që është shumë i rëndësishëm, pasi dy vjet pa luajtur është një disavantazh i madh që do të mund ta paraqesë inferior para kundërshtarëve. Kujtojmë se Xhuzepe Rosi vjen pas dëmtimeve në gju, por edhe problemeve muskulore që ka paraqitur në skuadrën violë. Por sulmuesi deklaroi se ka folur edhe për këtë çështje me teknikun italian. “Me Prandelin kemi folur edhe për këtë, por duhet kuptuar që dy vjet pa luajtur nuk është e thjeshtë që të rikthehesh dhe të luash gjithmonë. Është e vështirë dhe më është dashur që të qetësohem pak, por probleme me Fiorentinën nuk më kanë ndodhur. Por sigurisht që kur vjen ndeshja unë nuk tërhiqem asnjëherë mbrapa”, – vijoi lojtari. Por ai është shprehur se është afër rikuperimit të tij të plotë. “Po punoj akoma për t’u rikthyer në 100 për qind të formës. Në kombëtare ndihem si në shtëpi dhe është një nder që jam këtu dhe shpresoj që të jetë një nisje e re. Është sezoni më i rëndësishëm për mua, pasi e nis gjithçka nga zeroja. Deri tani udhëtimi ka qenë pozitiv, por kam menduar që pas dëmtimit të dytë të rikthehem më i fortë se kurrë”, – e mbaroi deklaratën e tij lojtari. Për këtë lojtar bëri edhe një koment trajneri Çezari Prandeli: “Është një lojtar i madh, ndihem shumë mirë me të gjithë lojtarët në skuadrën axurre. Por besoj se me Marion jemi të sigurtë mund të bëjmë mirë”. Tekniku bëri edhe një koment për legjendën Toti, për të cilin është përfolur se mund të jetë pjesë e kombëtares italiane. “Nuk kemi folur midis nesh, vetëm kemi lexuar vetëm gazetat. Françeskon e njohim të gjithë, do të ishte një gjë e mirë për Italinë dhe për kombëtaren, por duhet parë”. Mendohet se Italia duhet të ketë një fytyrë të re me ardhjen e Rosit dhe nëse Toti thirret, atëherë do të rikthehet në një trekëndësh të frikshëm bashkë me Balotelin. Axurrët duket se po sjellin një skuadër të re për 2014-ën, pasi lojtarë si Kandreva i Lacios apo dhe Insinja te Napoli janë fytyra të reja që do të jenë kyç në lojën e Italisë. Lulëzimi i shumë ekipeve në Itali jep një ogur të mirë për atë çka mund të paraqesë skuadra e kaltër, por duhet pritur qershori 2014.

 

 

 

Vidiç vihet në radarin e Juventusit

Kapiteni i Mançester Junajtid, Nemanja Vidiç, dhe Zheremi Menez mund të jenë dy lojtarët që mund të bëhen përforcimet më të reja të “Zonjës së vjetër”. Mbrojtësi serb i Mançester Junajtidit mendohet se nuk do ta zgjasë kontratën me “Djajtë e kuq”, pasi ende nuk i ka nisur bisedimet. Për qendërmbrojtësin, bardhezinjtë kanë gati një kontratë katërvjeçare. Nëse gjithçka shkon siç duhet për shoqërinë torineze, 31-vjeçari mund të firmosë për ata që në janar, duke qenë se kontrata i skadon qershorin e ardhshëm. Një tjetër objektiv i Juventusit është edhe francezi Zheremi Menez. Mediat franceze kanë bërë me dije se mesfushori 26-vjeçar i Paris Sen Zhërmenit nuk ka marrë asnjë sinjal nga klubi aktual për zgjatje kontrate. Kjo mund ta çojë atë përsëri në Itali, por tashmë si pjesë e torinezëve.

 

 Interistët mbrojnë milanistët, kërcënojnë me bojkotim stadiumi

Kohë problemesh me dhunën për futbollin italian, që duket i mbërthyer nga problemet të cilat vijnë nga shkallët e stadiumeve. Pas mbylljes së pjesshme të disa stadiumeve për koret raciste, i takon Milanit të vuajë masën më ekstreme, atë të zhvillimit të një ndeshjeje pa tifozë, për shkak të koreve të tifozëve kuqezinj në transfertën e Torinos kundër Juventusit. Por këtë herë, në krah të shoqërisë kuqezi kanë dalë tifozët e “kushërinjve” të të njëjtit qytet, ata të Interit, të cilët lënë mënjanë mëritë dhe bëjnë një thirrje gati-gati revolucionare për një sinjal radikal ndaj drejtuesve të futbollit italian. “Curva Nord” e stadiumit “Xhuzepe Meaca”, ku çdo fundjavë ndjek ndeshjet pjesa më e zjarrtë e tifozerisë zikaltër, publikon një komunikatë ku u kërkon të gjithë tifozëve italianë të këndojnë kore diskriminuese, në mënyrë që federata të mbyllë të gjitha stadiumet. “Në Itali, ligji po interpretohet në mënyrë qesharake dhe ky është një sulm i pajustifikueshëm. Të jeni të sigurt që askush nuk e cilëson të gabuar ligjin kundër racizmit por problemi është se po teprohet dhe kjo situatë po bëhet e papranueshme. Por ne nuk do ta ulim kokën ndaj këtyre presioneve dhe jemi kuriozë të shikojmë një javë të luhet pa tifozë në asnjë stadium. A do të jetë kjo një ide interesante për tregjet e huaja? i bëjmë apel publikut të reagojë pasi tani ka ardhur momenti të mbajmë një krah sepse kjo është një betejë që lidhet me lirinë. Napoletanët nisën rrugën, prandaj le të nxjerrim armët tona për të bërë që zëri jonë të dëgjohet. Të dalim të gjithë mbi rivalitetin”, – thuhet në komunikatën e ultrasve të Interit. Një qëndrim ekstrem ky nga tifogrupi zikaltër. Kjo duket se mund të pasohet nga të gjitha skuadrat italiane që mund të sjellin një krizë të re në futbollin italian.

 

Roben përgënjeshtron për problemet me Guardiolën

Arjen Roben përgënjeshtron lajmet mediatike se ai ka mbetur i pakënaqur nga fakti se qëndroi në stol për përballjen e Bajern Mynihut në Bundesligë me Bajern Leverkusen fundjavën e kaluar. 29-vjeçari holandez shpjegoi se arsyeja për qëndrimin e tij në stol ishte një dëmtim i lehtë, duke përgënjeshtruar zërat se ai ka mbetur i pakënaqur me trajnerin e bavarezëve, Pep Guardiola pasi spanjolli nuk e futi në fushë para minutës së 71 kur Roben hyri si zëvendësues. “Për sa i përket ndeshjes me Leverkusen, sigurisht që unë do të kisha preferuar të futesha në fushë më shpejt, por dua të sqaroj gjithashtu se unë pata një problem të vogël muskular gjatë stërvitjes së fundit para takimit. Ishte kjo arsyeja se përse trajneri Pep Guardiola më la në stol dhe asgjë tjetër”, – ka thënë futbollisti holandez i Bajern Mynihut.

 

Ksavi i kërkon Tata Martinos të mbajë tika-takan

Duket se ardhja e Tatas ka sjellë revolucion në skuadrën katalanase. Mirëpo kjo nuk i ka pëlqyer të gjithëve. Nga një mesatare prej 72% në mbajtjen e topit gjatë ndeshjeve, ajo u ul në 59%, duke treguar qartë se për pak kohë ekipi nisi të ambientohej me filozofinë e re të teknikut argjentinas. Gjithsesi, edhe pse lojtarët e kanë mirëpritur në fillim një ndryshim të tillë, duket se kanë ndryshuar mendje. E përditshmja katalanase “El Mundo Deportivo” ka publikuar lajmin se Ksavi Hernandezit ka kërkuar një takim me teknikun e skuadrës ku i ka kërkuar argjentinasit që të mos i pengojë lojtarët të praktikojnë “tika-taka”-n, të paktën për momentin, pasi kjo do i pengojë që të arrijnë rezultatet e kërkuara. Sipas mesfushorit katalanas, grupi i lojtarëve ka vite që luan me aksione të gjata e me shumë pasime, ndaj një ndryshim i menjëhershëm do sillte pasoja negative. Duke iu referuar burimeve brenda klubit, mësohet se vetë Martino e ka pranuar kërkesën e Ksavit dhe trajneri argjentinas nuk do bëjnë ndryshime të mëdha në lojën e tyre. Ish trajneri i “Newell’s Old Boys” pritet që të bëjë një provë përgjatë ndeshjeve të ardhshme. Pjesa e parë do luhet me “tika-taka” dhe nëse arrihet të krijohet një avantazh i sigurt me gola, do eksperimentohet me filozofinë e re. Një lëvizje e zgjuar që nuk rrezikon edhe pozicionin e skuadrës.

 

Rami në janar pjesë e Milanit

E përditshmja spanjolle “AS” është e sigurtë se mbrojtësi i ardhshëm i Milanit do të jetë francezi i Valencias Adil Rami. Konflikti mes 27-vjeçarit dhe klubit spanjoll duket se është zbutur pasi trajneri Djukiç i ka kërkuar Rami të stërvitet me skuadrën e parë pas përfundimit të dënimit. Por klubi kuqezi ka arritur në kohë të gjejë akordin me presidentin e Valencias Salvio për huazimin e lojtarit deri në fund të sezonit dhe të drejtën e blerjes së plotë gjatë merkatos së verës. Tashmë pritet që Adil Rami të veshë fanellën e “Djallit” në janar duke mbyllur kështu edhe një prej problemeve më të mëdha të Milan për sa i përket fazës mbrojtëse. Për francezin interesohej edhe Roma pasi tekniku Garsia e ka pasur lojtarin nën urdhrat e tij në periudhën kur ishte te Lila.

 

Rosel: Ardhja e Kasijasit te Barcelona, imagjinare

Ka ardhur koha që tifozët katalanas të zgjohen nga ëndrra. Kjo, pasi ardhja e Kasijasit është thjesht fantazi, sepse presidenti katalanas, Sandro Rosel, hedh poshtë të gjitha aludimet mediatike për një transferim historik të kapitenit madrilen te rivalët e urryer. Në një intervistë dhënë për radio “Cadena Ser”, Rosel flet për lamtumirën e Viktor Valdesit dhe emrat e mundshëm që mund të mbajnë mbi supe trashëgiminë e tij në katërkëndëshin e ekipit blaugrana. Po flasim për një flamur të Real Madrid që ka treguar përherë publikisht se dëshiron të qëndrojë në kryeqytet. Këtu dua të shtoj se ai ka një rrogë shumë të lartë të cilën nuk jemi të gatshëm ta paguajmë, prandaj nuk bën pjesë aspak në planet tona”, – u shpreh Rosel. Në vijim, Rosel shtron rrugën për afrimin e belgut Kurtois që po tregon një formë të shkëlqyer me Atletikon e Madridit. “Më pëlqen shumë, është një portier i madh por për merkaton duhet të pyesni Zubizaretën, sepse është ai përgjegjësi në këtë sektor të shoqërisë”, – përfundoi presidenti katalanas. Në fund të këtij sezoni, Viktor Valdes do të largohet nga Barcelona pas 11 sezoneve me fanellën blaugrana. Gardiani i kombëtares spanjolle nuk ka pranuar ta rinovojë kontratën, duke zgjedhur të vazhdojë një aventurë të re. Sipas tij, cikli i tij te skuadra e Barçës i ka ardhur fundi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency