Brukseli nuk e sheh si ‘historike’, marrëveshjen në Uashington

0
125

Çfarë mund të pritet nga vazhdimin e dialogut në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, pas nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike në Uashington? A mund të ketë zgjidhje të problemit pa marrëveshje mes BE dhe SHBA?

Nga Marina Maksimovic, DW

Serbia, Kosova dhe presidenti i SHBA Donald Trump nënshkruan të premten (4.09) në Shtëpinë e Bardhë “Marrëveshjen për normalizimin e raporteve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë”. Në Serbi thuhet se fjala është për një marrëveshje bilaterale me SHBA, në Kosovë flitet për një marrëveshje ndërshtetërore me Serbinë, ndërsa në BE thonë se janë informuar për këtë “dokument”.

Interpretimet janë të ndryshme, por fakt është që disa tema ekonomike gërshetohen edhe me çështjet politike, sepse bëhet fjalë për projekte ndërkombëtare infrastrukturore, tregti, energjetikë, liri fetare, të drejtat e LGBT, rrjetin 5G dhe raportet me Izraelin.

Ambasadori Richard Grenell thotë se kjo marrëveshje është rezultat i një politike të ndryshme diplomatike të presidentit Trump, ndërsa në anën tjetër të Atlantikut e shohin këtë si një qasje të njëanshme dhe “qasje tërësisht private” të presidentit Trump ndaj çështjeve, që bazohen në kuptimin e gjërë të fjalës tek – tregtia.

”Në pyetje është një dokument jo obligues, i cili më së shumti i shërben shpalljes së ndonjë suksesi të madh historik, sepse tek presidenti Trump çdo gjë cilësohet si historike. Në këtë dokument janë futur të gjitha gjërat që mund t’i shërbejnë Trumpit për zgjedhjet pas dy muajve, me të cilat Serbia dhe Kosova kanë mundur të dakordohen”, thotë për DW, Bodo Weber, anëtar i  Këshillit për demokratizim politik.

Ndryshe nga administrata amerikane, analisti gjerman mendon se konflikti politik mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zgjidhet vetëm me normalizimin e raporteve ekonomike dhe se raportet ekonomike nuk mund të normalizohen pa zgjidhjen e raporteve politike mes tyre. Weber thotë se BE është e vetëdijshme se Kosova dhe Serbia nuk kanë mundur të refuzojnë procesin e organizuar nga SHBA, për shkak të influencës së madhe të këtij vendi. Por shumica e gjërave për të cilat është rënë dakord në Uashington nuk kanë lidhje me zgjidhjen e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës.

Brukseli nuk e sheh marrëveshjen si “historike”

Brukseli nuk ka reaguar pothuajse aspak lidhur me pohimet se është arritur “një marrëveshje historike”, në Uashington. Pas insistimit të mediave, në Bruksel u prononcua zëdhënësi i shefit të diplomacisë së BE, Peter Stano.

”Jemi njohur me nënshkrimin e këtij dokumenti mes Beogradit dhe Prishtinës në Shtëpinë e Bardhë. Presim të përshëndesim ekspertët dhe krerët e dy palëve, të cilët do të vijnë në Bruksel në fundjavë dhe gjatë javës që vjen do të vazhdojmë dialogun për normalizimin e përgjithshëm të raporteves mes Kosovës dhe Serbisë – sipas kritereve të drjetësisë ndërkombëtare dhe kriteve evropiane”, thotë Stano.

BE ka shprehur rezerva ndaj dokumenteve të nënshkruara në fillim të vitit për normalizimin e trafikut ajror, hekurudhor dhe tokësor. Në Bruksel thonë se tani presin të shohin hapa konkret në realizimin e këtyre marrëveshjeve. Njëkohësisht në Bruksel thonë se qëllimi i tyre është zgjidhja e të gjitha çështjeve të hapura mes Kosovës dhe Serbisë dhe nënshkrimi i një marrëveshje të obligueshme ligjore, me të cilën do të mbylleshin të gjitha çështjet e hapura.

”Pozitivë për ne janë të gjithë hapat që bëjnë Serbia dhe Kosova që çojnë drejt normalizimit të raporteve dhe vazhdimit të rrugës evropiane të këtyre dy vendeve”, thotë Stano.

Kohët e fundit janë zbutur mosmarrëveshjet mes SHBA dhe BE për dialogun, sepse vetëm disa muaj më parë flitej për një “konflikt të hapur”. Në deklarimet zyrtare flitet për “partneritet të ngushtë mes Brukselit dhe Uashingtonit” në çështjen e raporteve me Ballkanin Perëndimor.

”Komunikimi është përmirësuar por ende jemi larg koordinimit”, thotë për Deutsche Wellen, Bodo Weber. “SHBA-ja vazhdon të shikojë vetëm interesat e veta dhe nuk shqetësohet shumë për procesin që po zhvillohet në BE, i cili ka një qëllim shumë më serioz – normalizimin e raporteve dhe nënshkrimin e marrëveshjes së obligueshme gjithëpërfshirëse ligjore”.

Weber thotë se proceset në Uashington dhe Bruksel janë tërësisht të ndara dhe se të dyja këto procese kanë mangësi. “BE ka dëshmuar se nuk ka qëndrimet të përbashkëta dhe kështu po e dëmton dialogun e vet, ndërsa aministrata e Trumpit është unike, por ka për synim interesat e veta dhe jo interesat e Sebisë dhe Kosovës”.

Pritja e marrëveshjes BE-SHBA

Menjëherë pas Uashingtonit, delegacionet e Serbisë dhe Kosovës do të zhvendosen në Bruksel, ku të hënën (07.09) takohen presidenti Vuçiq dhe kryeministri Avdullah Hoti. Përballë tyre kësaj radhe nuk do të jenë Grenelli dhe Trumpi, por Miroslav Lajçaku dhe Borreli.

Brukseli po insiston tani që të ketë një dinamikë të re në dialogun për normalizimin e raporteve. Tani flitet për marrëveshjen që duhet të arrihet brenda disa muajve dhe jo viteve. Shumëkush flet për një qasje tepër optimiste kur dihet e kaluara e dialogut të Brukselit, i cili ka filluara para gati dhjetë vitesh.

Taktika e BE

Konkretisht cilat janë pritjshmëritë nga dialogu në Bruksel? Në BE pritet që gjatë fundjavës të finalizohen marrëveshjet për të pagjeturit dhe të zhvendosurit si dhe çështja e raporteve ekonomike, me qëllim që Hoti dhe Vuçiqi të hënën të mund të hapin edhe kapitullin e gjendjes së pakicave etnike si dhe kërkesat financiare mes këtyre dy vendeve dhe pasurisë. Këto janë tema të rëndësishme, ndërsa dallimet janë tepër të mëdha. Ndaj shumëkush shtron pyetjen: A mund të zgjidhen shpejtë këto gjëra dhe cila është taktika e BE?

”Unë nuk besoj se dikush ka mundur ta zgjidhë gjatë verës çështjen e të pagjeturve dhe çështjet ekonomike. Për fat të keq, negociatat sërish janë jo transparente. Unë nuk po shoh ndonjë ndryshim serioz në qasjen e BE ndaj këtij dialogu”, pohon Weber.

Shumica e njohësve të proceseve në Bruksel i shpallin përgjegjëse për këto ngecje ish-ndërmjetësen në dialog, Federica Mogherini, pikërisht për shkak të mungesës së transparencës në dialog. Me ardhjen e krerëve të ri të BE është rikthyer entuziazmi dhe përkushtimi ndaj dialogut, por problemet e vjetra kanë mbetur – nuk ka transparencë në dialog, deklaratat janë kundërthënëse ndërsa akuzat e ndërsjella mes Serbisë dhe Kosovës po vazhdojnë.

 Zgjedhjet në SHBA

Analistët thotë se rezultate serioze në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të priten para zgjedhjeve presidenciale amerikane, të cilat mbahen në fillim të nëntorit. Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të përcaktojë në masë edhe raportet mes Brukselit dhe Uashingtonit edhe sa i përket normalizimit të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës.

”Pavarësisht qasjes së re të Lajçakut dhe Borrelit ndaj dialogut, nëse diçka e tillë ekziston, ky proces aktualisht është i ngrirë për shkak të zgjedhjeve në SHBA. Në rast të fitores së Bidenit do të ktheheni më binarin e vjetër, ku BE-ja do të ketë rolin udhëheqës në dialog, me një rol të fuqishëm të Gjermnaisë dhe mbështetjen e SHBA. Nëse mbetet Trumpi në postin e presidentit, atëherë mund të ketë ndryshime në motivet e politikës amerikane, e cila tani shikon vetëm zgjedhjet dhe mund të arrihet një “gentelman agreement” për ndarjen e punës në këtë proces”, mendon Weber.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here