7 vjeç në kampin e Tepelenës, gruaja tregon tmerret! Burri më ndau për biografi, kurse në internim …

0
108

Rrëfimet e një gruaje për një jetë të mundimshme: Unë kam hyrë 7 vjeçe në kampet e internimit e kam dalë 20 vjeçe…. kam vuajtur si Krishti….

Ishte 7 vjeç kur e pa për herë të parë kampin e Tepelenës. Një hapësirë e madhe që i dukej se nuk sosej, rrethuar me disa ndërtesa të mëdha të mbushura me gra fëmijë e pleq…. ndërtesa ku kumbonte dhimbja, rënkimi i fëmijëve të sëmurë… ulurimat e nënave kur ata largoheshin nga kjo botë…zëra njerëzish të uritur që kërkonin bukë…  disa xhelatë që rrinin vërdallë duke shtuar dhimbjen e tyre në atë hapësirë që shpejt do të rrethohej me varrezat e atyre që nuk ia dolën dot të mposhtin urinë, tifon e dizanterinë. Kështu e ka fotografuar kampin e Tepelenës Bardha Mëlyshi. Këtu i ka kaluar pesë vitet e fëmijërisë së saj, nga mosha 7 deri në moshën 12 vjeç. Ajo rrëfen detaje të dhimbshme të jetës së saj.  Bardha Mëlyshi e ka rrëfyer histortinë e saj në një intervistë për Kristale Ivezaj, botuar në “Kampi i tepelenës” nga AIDSSH. Më poshtë janë renditur disa nga dëshmitë e Bardha Mëlyshit, për jetën në kampin e Tepelenës, më pas në Savër e më vonë kthimi në Mirditë, atje ku do të jetonin si “armiq të popullit”. Dëbimi në një fshat të Shkodrës, martesa dhe divorci pak vite më pas për shkak të biografisë. Rrëfimet i një gruaje për një jetë të mundimshme qysh fëmijë e deri sa u moshua.

Kur ma dogjën shpinë  

Problemet e familjes sime kanë filluar qysh në 1947, kur babai im nuk u pajtua me komunizmin dhe doli në mal. Unë kam qenë 7 vjeç, se jam e datëlindjes 1939. Mbaj mend që ishim veç gra e fëmijë në oborr të shtëpisë, se burrat kishin ikur prej shtëpive, kur ata i vunë flakën shtëpisë. Na janë djegur shtëpitë, na janë djegë brenda dite tok me shtëpitë e Gjon Markagjonit, kullat e Gjonmarkajve. Se unë jam prej Rrëshenit. Nënën e kam pas bijë Gjonmarkash. Ka qenë kushërina e tyre. Aty filloi kalvari, një jetë për së mbrapshti. U dogj shtëpia, u shkatërrua gjithçka. Arritën na çuan në një vend që i thonë Shpali i Mirditës, nja 2-3 netë. Ka shumë historira por, prej aty, na kanë çuar në Lezhë, e përfunduam në Berat. Unë, qysh 7 vjeçe e nisa punën. Na kanë çuar në Berat, në shtëpitë e pashait të Beratit, që edhe sot i mbaj mend, i kam si të rregjistrume. Sikur të më çoni tash atje, e di mirë me ta diftu vendin, se nje këtu kam ndejtur. Nënat tona i çojshin me mbajt dru, për me u nxehur ata, dega e brendshme. Na linte nëna mbyllur me çelës, ne fëmijëve të vegjël, se ishim 3 motra, e plus këta, ishin dhe të tjerët se ishim e tërë familja. Prej aty kena shkuar në Kuçovë, Qyteti Stalin i kanë thënë në atë kohë.

Kampi i Tepelenës

Në 1949-ën është hap kampi i Tepelenës, kampi më famëkeq që mund të ketë ekzistuar kund. Ne i qajmë hallin të tjerëve e nuk shohin hallet tona, hallet që ka vendi ynë, e populli ynë. Kështu që, filloi jeta qysh në fëmijëri, e vazhdoi në rini. Prej kampit të Tepelenës kemi dalë të fundit. Aty tani, kam patur fatin, se kam qenë e vogël, dhe nuk më kanë çuar me dalë për të punuar, krahas të mëdhajave që ishin mbi 20 vjet.  Vazhdoi kalvari i Tepelenës. Tepelena ka qenë kampi më i tmerrshëm që ka patur ky vend. Aty kam patur fatin e mirë se kam jetuar me ajkën e Shqipërisë, pse me rrejtë, me familje që kanë qenë shumë të përmendura. Kam qenë e vogël, unë nuk punoja. Ne u sjellshim nëpër kamp. Ndeznin ndonjë zjarr me u nxehur ujë pleqve, këta që ishin në moshë, me u bë nga një çaj. Çaj i thënçin, se ishte një ujë aty edhe… hajt. Dreka ishte, por siç dihet mirë, ishte bollguri që hanim, e di edhe Simoni, gjithë kryma. Nënat tona na rreshtonin kështu, i pastronin krymat na ushqenin ne dhe, çfarë mbeste nga kjo, e hanin vetë. Dhe për të fjetur, aq sa e kishe trupin kishe vend për të fjetur. Ishim në rresht.

Fëmijëria ime në Tepelenë

A keni deshirë t’ju përmend me kë kam ndejtur në kampin e Tepelenës? Kam ndejtur me familjet më ajka e Shqipërisë. Na ka mbajtur shumë kjo lidhje me njeri- tjetrin, shumë. Unë kam ndejtur me Nush Topallin shumë. Me nanën e Gjonit dhe dajat e Gjonit, me Lukejt, me Mirakejt, me Gjonmarkajt, Bajraktarët e Mirëditës që s’i mbaj mend, pse me rrejtë. Me familjen Vasiajt, me të Abaz Kupit, Fiqiri Dines, Mustafa Krujës, Agollajt, me të shoqen e Qazim Mulletit, prefektit të Tiranës, Hajrien edhe djalin. I shkreti, ka vdekur me duket. Me priftërinjtë, padre Gardinin, Viktor Volaj, padër Ferdinandin, Mark Has Kaloshte, Kurt Kolaj. Me të gjithë kemi ndejtur. Na mbanin përdore, na donin ne, fëmijëve. Rrinim me njeritjetrin. Priftërinjtë më kanë mësuar uratën, me thënë uratë. Tani, unë nuk e di se çfarë feje keni juve, por unë aty i kam mësuar, përmes priftërinjve. Vendoste dy gurë, tulla, çfarë gjenin, dërrasë edhe prifti rrinte andej, ne rrinim këtej. Na mësonte edhe thoshim uratë. A ka qenë kjo gjë kundër ligjit? Bardha Mëlyshi: Jo. Atëherë s’kishim frikë, se nuk ishte akoma kundër ligjit. Në 1967-ën është bërë kundër ligjit. Janë prishur të tëra.

Në tepelenë ndenjëm 5 vjet. Dilnim nganjëherë prej telave, me shku me hëngër gorrica të egra, ne i thoshim dardha të egra, sa me ngop barkun. Kalonim përmes një teli.  Aty ka qenë tmerr. Aty kishte epidemi, aty vdisnin fëmijët, i varrosnin, i zhvarrosin, si u donte qejfi të gjithëve. Prej aty na kanë larguar, pas 5 vjetëve. Na çuan në Savër të Lushnjes. Kemi punuar nëpër ferma, në pambuk, në dhomat e orizit, na hanin ushujëzat nga këmbët, e prapë duhej të hynim aty. Ka qenë jetë e vështirë shumë. Prej aty, në 1957, na kanë nxjerrë prej kampit, me nënën dhe ne, 3 fëmijë që ishim; babai ishte i arratisur. Ky quhej kriminel, tradhëtar, diversant, ne, “bijat e filanit”…

Kthim në mirditë si “armiq populli”

Sa ishim në kamp, tok me shokë, nga kjo anë, ishim rehat. Por, kur erdhëm këtu, na bënin me gisht. Ishte tmerr, më tmerr s’kishe ku me e çu. S’na afrohej askush më. Neve na kanë çuar prej  kampit, na dëbuan për në Bardhaj të Shkodrës. 9 muaj në Bardhaj. Kishte një kushëri nëna, që ndërhyri në Degën e Brendshme, me Ilmi Seitin, që prej Bardhajt, ne të na sillnin këtu në Shkodër. Dhe ikëm prej atje. Na mori kushurira e nënës, na mbajti në shtëpi. Motrat e mia ishin më të vogla se unë. Motra e dyte kishte 5 vjetë diferencë me mua. Ajo me të voglën ishte afër. Atëherë, ato vazhduan shkollën këtu. Mbaruan 7-vjeçaren, edhe gjimnazin, edhe… stop, s’kishte më. Kurse unë e nëna, shkonim në Bardhaj, kalonim lumin Kir, se atje ishte vendi ku punonim në bujqësi. Në darkë i hynin edhe njëherë Kirit dhe vinim në shtëpi, për të mbajtur familjen.

Ajo rrugë ishte gjysëm ore për të shkuar e gjysëm ore për të ardhur, por duhet të hyje në ujë, të merrte rrjedha e ujit me vete. Çdo ditë hynim në ujë për të kaluar. S’kishte urë Kiri. Verë e dimër. Tek varret katolike që janë sot, ishte Kiri; aty kalonim me nenen për të shkuar për punë në fermë, të dyja bashkë. Ajo ishte e drejta jonë. Kur unë kam hyrë në fabrikën e salcës për të punuar, më Në kohën e demokracisë më kanë mirëpritur për shkollën e saj. Kurse ajo tjetra, për një copë pune më ka ikur në Itali, nuk jeton këtu. Jeta është shumë e vështirë, por unë e kam ngrënë me dhëmbë jetën, kam punuar. Kudo që kam punuar 8 orë pune, kam ardhur kam punuar edhe në shtëpi. Kam bërë triko, kam punuar me grep. vjeçe kam mësuar të qep në makinë, kam qepur këmisha burrash.

Unë kam hyrë 7 vjeçe në kamp e kam dalë 20 vjeçe. 13 vjet, edhe prapë se prapë kampeve kam qenë këtu, se kam vuajtur si Krishti për të shkuar për të punuar, me ardhë fermave e vendeve. Kush më ka dhënë punë. Shkoja kërkoja punë, s’ka punë për ty më thonin. Ke këtë edhe këtë… Vetëm në tulla, në kanal e në fermë. Edhe ta zgjidhje njërën prej tyne se s’bënte të rrije në shtëpi.

“Jam ndarë për bashkëshortit. Ai ka vdekur tashmë, nuk jeton më. Per biografi jemi ndarë, se unë kisha biografinë e keqe. I kam rritur vajzat vetë. Këtë ka paraqitur kur ka qenë puna e divorcit”, rrëfen Bardha Mëlyshi.

Intervista e realizuar nga Kristale Ivezaj. Marrë nga “Kampi i Tepelenës” Dëshmitë e të mbijetuarve, Volumi 1, Botim i AIDSSH-së./kujto.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here