Mashtrimi i Veliajt me parkingjet me pagesë/ Me SMS parkingu kushton 20 % më shtrenjtë

0
265

Erion Veliaj doli vetë në terren për t’u treguar personalisht qytetarëve se si mund të parkonin tek rrugët me pagesë vetëm me një SMS, pa qenë nevoja për të pritur biletat e punonjësit të bashkisë.

Duke dashur të promovojë shërbimin e ri, ai u tha qytetarëve se të paguarit me para në dorë nuk ishte më diçka transparente apo moderne, ndaj ai u kishte gjetur anën moderne të pagesës.

“Të parkosh me para në dorë nuk është as transparente, por as moderne. Pothuaj të gjithë qytetarët, sidomos ata që kanë makinë, e kanë patjetër edhe një celular. Ndaj, nga sot shkojmë në një sistem modern pagimi për parkimin, ku mjafton që të çosh me SMS targën në nr. 50500 dhe automatikisht e ke paguar për një orë në zonën A, e cila përfshin qendrën e Tiranës”.

Por teksa Veliaj foli për transparencë, transparenca ishte ajo që i mungoi promovimit të këtij shërbimi.

Në rrugët me pagesë të Tiranës, 1 orë parkim kushton 100 lekë. Kjo tarifë vlen edhe për dy rrugët ku po zbatohet projekti pilot i parkingut me SMS.

Por nëse paguani me SMS, parkingu do t’ju kushtojë plot 20 % më shumë. Lapsi.al e verifikoi këtë duke kontaktuar dy prej kompanive celulare.

Kostoja e fshehur është TVSH –ja që i shtohet biletës prej 100 lekësh që paguhet aktualisht për parkimin. Pra, për pagesën me SMS, 1 orë parkim kushton 120 lekë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ua mbajti të fshehtë qytetarëve këtë fakt. Ai nuk e bëri transparencën e plotë të këtij shërbimi dhe nuk u tha qytetarëve se do të paguanin më shumë nëse parkimin e bënin me anë të celularit.

Pagesën, ata që kanë numra me kontratë, e shohin në fund të muajit. Të tjerët duhet të kenë para në kartën e tyre.

Në 22 ditë të muajit ku parkingu është me pagesë, nëse paguani vetëm për 1 orë në ditë me SMS, vlera e faturës së celularit do të jetë 2 640 lekë. Nëse paguani në dorë, 2 200 lekë.

Pra, për parkingun me SMS, për vetëm një orë në ditë, në 22 ditët që janë me pagesë ( të shtunën e të dielën parkingu është falas), do të duhet të paguani 440 lekë  të reja më shumë.

Veliaj u foli qytetarëve të Tiranës për risi e teknologji që po u sjell ai me parkimin, duke mos u treguar se ky shërbim i ri u kushton më shumë. Dhe kjo kosto shtesë, nuk dihet se ku shkon.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here