Beteja finale, a do dorëzojë Berisha dhe deputetët e tjerë të PD-së mandatin e deputetit?

0
216

Çfarë pritet të ndodhë me opozitën nëse mazhoranca nuk pranon kushtet, cilët janë skenarët e demokratëve. Çfarë nënkupton Berisha kur deklaron se “ka edhe opsione më të rënda se bojkoti?”

Gëzim Saliu

“Ne po ikim se bashku , por ende është një lamtumire, dhe mundet qe ne te kthehemi, ne toke, nuk i dihet….është numërimi i fundit”. Ky tekst i shkëputur nga kënga e famshme e grupit Europe “The final countdown” (numërimi i fundit) duket se përshtatet më së miri me situatën aktuale në Parlament dhe me qëndrimin e pritshëm të opozitës. Demokratët janë në limitet e vendimmarrjes së tyre përballë mazhorancës dhe  me shumë shanse debati aktual mund të jetë edhe “beteja finale” e opozitës dhe njëkohësisht “numërimi i fundit” për mazhorancën në kuadër të reflektimit mbi kërkesat e PD-së.

Pse beteja finale?

Paralajmërimi u dha së pari nga ish-kryeministri Berisha, i cili javën e kaluar foli për mundësinë e dorëzimit të  mandatit të deputetit në kushtet kur sipas tij Parlamenti është i mbushur me kriminelë dhe njerëz që vjedhin pasuritë e vendit. Ky qëndrim i Berishës po has terren brenda kampit blu, pasi disa deputetë demokratë kanë shprehur mbështetje ndaj tij duke e cilësuar këtë si variantin e fundit në kushtet e “shurdhërisë” së mazhorancës. Ish-kryeparlamentarja Topalli apo më pas edhe deputeti Gent Strazimiri kanë theksuar publikisht se janë duke menduar edhe hipotezën e dorëzimit të mandatit nëse mazhoranca nuk do pranojë kushtet e opozitës. Krahas dekriminalizimit, i cili duket se ka marrë rrugën e zgjidhjes me negociatat e mbrëmshme mes palëve, opozita ka vendosur si kusht kryesor ndaj mazhorancës respektimin e Kushtetutës dhe lejimin e gjykimit të kërkesës për mandatet e deputetëve Kokëdhimaj, Leskaj e Suli nga Gjykata Kushtetuese. “Ose pranoni dekusarizimin e parlamentit, ose ne nuk e gjejmë më veten në këtë parlament”, tha dje Berisha në Kuvend duke ju referuar pikërisht kërkesës së dytë të opozitës për mandatet e deputetëve socialistë. Në të njëjtën linjë me të, kreu i grupit parlamentar Edi Paloka i pyetur dje nga gazetarët nëse opozita do ti rikthehet aktivitetit normal në Kuvend pas dakordësisë për dekriminalizimin, theksoi se PD ka edhe dy kushte të tjera për mazhorancës. “Kërkesa tjetër në fakt po them kërkesa por këto janë detyrime ligjore që i ka parlamenti dhe mazhoranca, janë pika që lidhen me marrëveshjen e Dhjetorit 2014. Ndërkohë që ne prisnim të zbatohej vendimi i Gjykatës kushtetuese për Koço Kokëdhimën, mblidhet Këshilli i Mandateve dhe vendos të kundërtën e asaj që kishte vendosur Gjykata kushtetuese. Gjykata Kushtetuese vendimin e ka të qartë, nuk është Parlamenti i cili mund të diskutojë dhe të marrë vendime për çështje të tilla. Nëse opozita apo 1/10-a e deputetëve kërkon që të shqyrtohen çështjet e konfliktit të interesit, konkretisht siç janë rastet e Kokëdhimajt, Leskajt, apo Rakip Sulit, atëherë detyrimisht Parlamenti e kalon në Gjykatë Kushtetuese. Çfarë ndodhi? Vetëm dy ditë më parë këshilli i mandateve bëri të njëjtën gjë që kishte bërë me Kokëdhimën dhe me Leskajn, trajtoi çështjen e Rakip Sulit dhe vendosi që mos ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, një vendim hapur në shkelje të Gjykatës Kushtetuese”, pohoi Paloka.

Skenarët dhe pritshmëritë

Krahas deklaratës së fortë përpara deputetëve në Parlament, ish-kryeministri Berisha në daljen para medieve bëri të ditur edhe variantin në “sirtar” të opozitës, i cili ndryshe mund të cilësohet si “dorëzim kolektiv i mandateve”. I pyetur nga mediat dje nëse PD do t’i qëndrojë bojkotit, Berisha tha se,: “Unë mendoj se Grupi ka vendosur me pjekuri dhe seriozitet dhe ka lënë të hapur opsione edhe më të rënda se bojkoti”. Por cilat mund të jenë këto opsione?

“Vërtetë po negociohet për një nga pikat, por janë tre pika të tjera për të cilat Parlamenti është në shkelje kushtetuese. Nëse nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi me rastin e Rakip Sulit, pra që u mor një tjetër i Këshillit të Mandateve në kundërshtim me vendimin e sapozbardhur të Gjykatës Kushtetuese, mbase do të duhej të ishim në kushtet e pritjes të zbatimit të procedurës. Por na është thënë qartazi edhe me arrogancë që nuk kemi ndërmend të zbatojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këto kushte nuk e di se çfarë mund të pritet”, u shpreh Paloka, duke bërë të ditur se edhe vetë opozita është e paqartë për vendimmarrjen e ardhshme të saj. Normalisht askush brenda PD-së nuk po shkon me dëshirë drejt dorëzimit të mandatit dhe me shumë mundësi do të shfrytëzohen të gjitha shanset që çështja të marrë zgjidhje përmes konsensusit me mazhorancën. Por në kushtet e një situate tejet konfliktuale mes palëve, ku rasti i rikthimit të Prengës në Kuvend dhe ai i mos pranimit të mazhorancës për shqyrtimin e mandatit të deputetëve të PS-së nga Kushtetuesja, bëjnë që shanset e konsensusit të jenë të pakta. PD nga ana e saj, sidomos përmes qëndrimeve të ish-kryeministrit Berisha apo ish-kryeparlamentares Topalli, duket vërtet drejt një rruge që ka vetëm një dalje: Ose pranohen të gjitha kërkesat e opozitës dhe PD i rikthehet punimeve normale në Kuvend ose në të kundërt opozita do vazhdojë bojkotin ndaj Parlamentit e ndoshta një pjesë e deputetëve të saj do dorëzojnë edhe mandatin. Skenari i dorëzimit kolektiv të mandatave paraqitet larg realitetit, pasi një pjesë e madhe e deputetëve në PD, ndryshe nga ish-kryeministri, nuk duket se janë të gatshëm të lëshojnë “karrigen” e Parlamentit. Por nga ana tjetër, dorëzimi i mandatit nga ana e ish-kryeministrit apo edhe disa deputetëve të tjerë në PD do të ishte një gjest që do sillte zhvillime të forta në jetën politike të vendit. “ Po e çoni vendin drejt konfliktit civil”, paralajmëroi Berisha kundërshtarët politikë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here