Azilkërkuesit në Gjermani/Intensifikohet puna në Zyrën Federale për Migracionin e Refugjatët

0
121

 

 

azNë Zyrën Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) janë mbledhur qindra mijëra kërkesa të papërpunuara për azil. Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, me sa duket, është i hapur për masa radikale.

Shifrat e kërkesave të papërpunuara për azil, të raportuara nga Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) janë marramendëse. Autoritetet marrin vendim për 1700 kërkesa në ditë (nga 1000 më parë). Por sipas landeve gjermane, kjo shifër vendimesh nuk është as sa gjysma e kërkesave për azil që paraqiten çdo ditë. Me fjalë të tjera, më shumë se 1000 kërkesa të papërpunuara i shtohen çdo ditë pirgut të kërkesave të vjetra. Në bazë të një raporti të Ministrisë së Brendshme gjermane, të cituar në gazetën “Passauer Neue Presse”, në fund të nëntorit 2015 kanë qenë 355.914 kërkesa për azil të patrajtuara, prej 425.035 të tilla të paraqitura këtë vit. Në këtë kuadër, kritikat ndaj qeverisë federale janë shtuar prej landeve. “Të punosh nga e hëna në të premte – kjo nuk është më e mjaftueshme në kohë të tilla”, – i tha Malu Dreyer, kryeministre e Landit të Rheinland-Pfalz-it gazetës “Bild am Sonntag”. Ndërsa ministri i Brendshëm i Landit të Nordrhein-Westfalisë, Ralf Jäger shtoi se “refugjatët nuk mund t’u përmbahen orareve zyrtare nga ora 8 deri në orën 4”. Në këtë situatë, edhe Parlamenti Evropian ndërhyri të hënën (7.12.2015) në debatin midis qeverisë dhe landeve. “Me gjithë ankesat e shumta nga landet dhe komunat, ministri i Brendshëm Federal, Thomas de Maiziere, nuk ka arritur që t’i zbatojë rregullat administrative dhe të arrijë një përpunim më të shpejtë të kërkesave për azil”, i tha Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz gazettës “Die Welt”. “Ministri duhet të bëjë atë për të cilën ka rënë dakord qeveria, dhe pastaj gjërat do të ecin më mirë”. Në këtë situatë, Ministri i Brendshëm Federal, Thomas de Maiziere u shpreh pro zgjerimit të punës me turne në Zyrën Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF). Këtë ai e quan “të mundur dhe të përballueshme”, – deklaroi de Maiziere në Berlin. Në “sektorë me rëndësi themelore” që tani punohet me turne, shpjegoi ai. Biseda për rregulla të ngjashme në pjesë të tjera të administratës janë në zhvillim e sipër. Në bazë të shifrave më të fundit, që prej fillimit të vitit deri në fund të nëntorit në Gjermani janë regjistruar 965.000 refugjatë të ardhur. Megjithë rënien aktualisht të numrit të të ardhurve, sipas de Maiziere këtë vit pritet të kalohet shifra e një milionë refugjatëve të ardhur. Vetëm në nëntor, në Gjermani erdhën 206.101 azilkërkues – aq sa asnjëherë më parë këtë vit. De Maiziere e mori në mbrojtje Zyrën Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF), të kritikuar nga të gjitha anët. Ai tërhoqi vëmendjen në 35.000 vendimet për kërkesat për azil që janë marrë vetëm në muajin nëntor – kjo do të thotë një rritje me 145 për qind e përpunimit të kërkesave në krahasim me të njëjtën kohë të vitit të kaluar. Ministrat e Brendshëm të Federatës dhe të Landeve vendosën të enjten kthimin në shqyrtimin individual të kërkesave për azil për sirianët. “Kjo do ta zgjasë edhe me disa muaj kohën e përpunimit të kërkesave për azil”, – i tha drejtuesi ekzekutiv i Organizatës Pro Asyl, Günther Burkhardt agjencisë AFP.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency