Vrasja në Shkodër/ Xhabir Shega nuk i shpëton dot atentatit të dytë, vritet me snajper

0
246

Artan Cena

snajperXhabir Shega u ekzekutua në oborrin e banesës së tij në Shkodër, me një pushkë me precizion të lartë. Në gusht të 2014, 51-vjeçari i shpëtoi një tjetër atentati

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Shkodrës, ku mbeti i varë me armë zjarri një person. Burime nga policia kanë bërë të ditur se shtetasi Xhabir Shega është qëlluar me snajper në oborrin e banesës së tij, pranë Kalasë së qytetit. Mësohet se këtij shtetasi i ishte bërë një atentat i ngjashëm, po me snajper në gusht të 2014-ës, nga ku kishte mundur të shpëtonte. Shkaqet e vrasjes janë ende të paqarta, por nga të dhënat e para dyshohet se vrasja ka ndodhur për hakmarrje. Sipas policisë Shega ka qenë i dënuar më parë. Forca të shumta policie kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për identifikimin e autorëve.

 

Atentati me snajper

Rreth një vit më parë mundi t’i shpëtonte një atentati me armë, por këtë radhë plumbat i kanë marrë jetën Xhabir Shegës. 51-vjeçari u ekzekutua këtë mbrëmje në oborrin e banesës së tij në hyrje të qytetit të Shkodrës. Shega fillimisht u transportua në spitalin e qytetit të Shkodrës por nuk mundi të dalë i gjallë nga reanimacioni si pasojë e plagëve të rënda nga të dy plumba në pjesën e kraharorit. Sipas policisë, dyshohet që autori të ketë qenë në një largësi të konsiderueshme me objektivin e atentatit, ndaj dyshimet janë që të bëhet fjalë për një ekzekutim me snajper. Në fakt e njëjta metode është përdorur edhe në gusht të 2014-ës për të eliminuar fizikisht Xhabir Shegën, por qëllimi i atentatorëve nuk u arrit pasi 51-vjeçari mbeti i plagosur lehtë. Në atë kohë banesa e Shegës u qëllua me snajper nga Kalaja e Rozafës, ku mbeti i plagosur rëndë në oborrin e shtëpisë Sadetin Lohja dhe u lëndua lehtë Xhabir Shega. Familja Shega ka qenë edhe herë të tjera objektiv i sulmeve me armë zjarri pasi edhe me 6 Qershor të 2014-es në lagjen e Bahçallëkut mbeti i vrarë një person dhe u plagosen dy të tjerë, ndërsa autorët e krimit tentuan të ekzekutonin Nezir Shegen. Mësohet gjithashtu se Shega është djali i tezes së zëvendëspresidentit të Vllaznisë, Isuf Isufi.

 

Atentati i parë

Plumbat e snajperit të qëlluar nga Kalaja e Rozafës kanë plagosur dy persona, të cilët ndodheshin në oborrin e një banese pranë zonës së Kalasë. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 të së Dielës, 10 gusht ndërsa të plagosur mbetën 40-vjeçari Sadetin Lohja dhe 50-vjeçari Xhabir Shega. Policia dyshon se objektiv i këtij atentati të ketë qenë Xhabir Shega, i cili arriti t’i shpëtoj plumbave. Sipas efektivëve të policisë dyshohet se objektiv i atentatit të ndodhur rreth orës 19:00 ditën e diel në lagjen “Qafës” të Shkodrës, nuk ka qenë 40-vjeçari, por Xhabir Shega, i zoti i shtëpisë ku ndodhi plagosja. Ky fakt është mësuar pasi janë marrë në pyetje personat me të cilët ka qënë 40-vjeçari Lohja, ndërsa policia gjatë pyetjes së 50-vjeçarit Shega ka konstatuar se edhe ky i fundit ka mbetur i plagosur lehtë në krah. Pas marrjes në pyetje të tij grupi hetimor ndryshoi edhe rrjedhën e hetimeve.

 

Konflikti mes familjes Taullau dhe Bares nisi që prej vitit 1997

 Saimir Taullai i arrestuar nga policia në Durrës për trafik të lëndëve narkotike nuk ka qenë i panjohur për drejtësinë shqiptare. Në arkivën e lajmeve për grupet e strukturuara kriminale janë të ruajtura edhe faktet të cilat e lidhin emrin e Saimir Taullaut, me një grup tepër të rrezikshëm krijuar në qytetin e Lushnjës dhe drejtuar nga Aldo Bare që në fillim të viteve ‘90. Por Familja Taullai del në skenë si rivale e fortë e Aldo Bares në vitin 1997, pikërisht atëherë kur banda e Bares kishte rritur influencën e saj në këtë qytet. Familja Taullai kishte në pronësi në atë kohë një pikë karburanti në Lushnjë dhe disa biznese të tjera. Konflikti mes Tullait dhe Bares lindi pikërisht në momentin kur Bare kërkoi të rekrutonte në grupin e tij një prej djemve të kësaj familje, pikërisht Saimir Taullain, i cili në atë kohë kishte refuzuar. Pas këtij momenti Bare nisi të vendosë gjoba për familjen Taullau dhe kërkoi largimin nga qyteti të Saimirit. Konflikti përfundoi me vrasjen e pronarit të karburantit një prej vëllezërve te familjes Taullau.

 

Masakra në Thumanë, burg pa afat për vëllezërit Kora e babanë

 Dy vëllezërit Kora dhe babai i tyre do të qëndrojnë në burg. Gjykata e Krujës vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Daniel e Besnik Korën, ndërkohë që për të moshuarin Gurali Kora masa e sigurisë ishte vendosur më parë. Ata bashkë me njërin vëlla i cili është ende në kërkim akuzohen për vrasjen e tre pjesëtarëve të familjes Çeku. Dy vëllezërit shfajësojnë babanë dhe vëllanë e tyre të vogël duke marrë përsipër ekzekutimin. Ata u kanë thënë hetuesve të çështjes se kanë qenë të dehur në momentin kur ndodhi ngjarja. Ndërkohë policia arrestoi dhe një tjetër person për dhënie ndihmë autorëve. Ai është Sandër Gjonaj nga Laçi, të cilit iu gjetën edhe armë.

 

Arrestohet grabitësi i kazinosë tek Rruga e Dibrës

 Rreth një muaj nga grabitja e një kazinoje tek Rruga e Dibrës në kryeqytet policia e Tiranës arrestoi autorin 24-vjeçar Liridon Sinani nga Tropoja, por me banim në Tiranë. I riu është shoqëruar gjatë mesditës së djeshme për në ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës. Grabitja për të cilën është vënë në pranga 24-vjeçari ka ndodhur më 25 maj ndërsa për 23 sekonda i riu futej në ambientet e kazinonë me kapuç e i armatosur. Autori, tashmë i arrestuar, i drejtoi armën një klienti dhe për të trembur të pranishmit qëlloi me armë në pajisjen e lojërave të fatit.

 

Plagoset aksidentalisht me çifte në fytyrë i mituri

 Një 7-vjeçar është plagosur rëndë me armë gjahu ndërsa po luante. Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Morinë rreth orës 15:30, ku i plagosuri me inicialet M. S., ka marrë dëmtime në fytyrë. I mituri është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal të Kukësit, ku ka marrë ndihmën e parë dhe më pas është transportuar me helikopter për ndihmë më të specializuar në Tiranë. 7-vjeçari mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa nga hetimet paraprake thuhet se, i mituri u plagos ndërsa ishte duke luajtur bashkë me një 10-vjeçar pranë banesës së këtij të fundit.

 

Gjykata refuzon lirimin nga burgu të deputetit Mark Frroku

 Gjykata e Lartë refuzon lirimin nga burgu të deputetit Mark Frroku, i akuzuar për vrasje në Belgjikë. Kolegji Penal i kryesuar nga gjyqtari Artan Broci vendosi të mos pranoi kërkesën e avokatëve për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në qeli nën masën e caktuar në muajin prill, atë të “Arrestit me burg”. Vet Frroku ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, që u zhvillua me dyer të mbyllura dhe mësohet se kërkoi lirimin për të ushtruar mes tjerash edhe detyrën Kushtetuese të deputetit. Ndërkohë avokatët, mësohet se kanë ngritur pretendimet se autoritet e drejtësisë belge nuk po kërkojnë ndjekjen penale të tij në Shqipëri. Prokuroria kundërshtoi pretendimet e avokatëve dhe vet të dyshuarit Frroku, me arsyetimin se nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë nga moment i caktimit të masës së arrestit. Prokurorët thanë se dosja e plotë ka ardhur nga Belgjika dhe vazhdon të jetë në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë duke u përkthyer për shkak të volumit të madh të materialeve që ndodhen brenda. Në dalje të Gjykatës, deputeti Frroku nuk komentoj vendimin duke u larguar drejt Spitalit t ë Burgut me pranga në duar, ndërsa avokatët thanë se vendimi ishte i padrejtë. Mark Frroku ndodhet në qeli nga prilli I këtij viti, kur edhe është arrestuar pas urdhër-arrestit të lëshuar nga drejtësia Belge, e cila e akuzon për vrasjen e shtetasit shqiptar Aleksandër Kurti. Sipas akuzës, kjo vrasje ka ndodhur në mars të 1999 në Bruksel, ku është ekzekutuar me thikë shtetasi Aleksandër Kurti, pasi dyshohet se do të denonconte tek familja një vajzë shqiptare që përdorej për prostitucion nga të akuzuarit e kësaj ngjarje.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here