Debati Gjermeni-Manjani/ Miratohet vendimi për legalizimin e pallateve, zgjerohen kategoritë, përfitojnë 30 mijë familje

0
191

 

 

Ministria e Drejtësisë  e ka kundërshtuar këtë vendim me arsyetimin se cenon kompencencat e pushtetit vendor, por mbi të gjitha krijonte një paradoks fiskal duke taksuar me 8 përqind pallatet e rregullta dhe 0.5 përqind ato të paligjshme

 

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua dje vendimi, i cili zhbllokon legalizimin e pallateve pa leje dhe atyre që kanë thyer lejen e ndërtimit. Vendimi i miratuar është “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesa anësore ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien”. Ky projektvendim u hartua nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe ALUIZNI, në zbatim te neneve 36 dhe 43/1 të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni tha dje se janë kryer 110 mijë legalizime, 90 mijë vetëm në vitet 2014 – 2016 ose thënë ndryshe, 5 herë më shumë se në tetë vitet e qeverisjes së mëparshme.

Megjithatë, ekziston një kategori qytetarësh, të cilët nuk kanë mundur të përfitojnë nga ky angazhim madhor i Qeverisë. “Sipas të dhënave që kemi janë rreth 30 mijë familje në Republikën e Shqipërisë, të cilat jo për faj të tyre, nuk kanë mundur të marrin hipotekën e pronës ku jetojnë. Në të gjithë vendin numërohen rreth 1 320 pallate që preken nga ky vendim, 700 prej të cilave janë në territorin në administrim të bashkisë së Tiranës. Këto familje, edhe pse e kanë blerë pronën në mirëbesim, nuk janë bërë pronarë, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e ndërtuesve. Pra, qytetarët, të cilët kanë shlyer detyrimet e tyre financiare ndaj ndërtuesve të pallateve, nuk mund të penalizohen prej këtyre ndërtuesve, të cilët nuk kanë respektuar rregullat apo detyrimet ligjore. Ndaj ky vendim, i miratuar sot nga Qeveria i jep zgjidhje përfundimtare kësaj problematike të mbartur në vite dhe bën të mundur legalizimin e pronave për këto familje.

Nga njëra anë rregullohet e drejta e regjistrimit të banesave nga individët që i kanë blerë, dhe nga ana tjetër synohet vjelja e të gjitha detyrimeve financiare nga ndërtuesit dhe investitorët. Ligjërimi i pronës nëpërmjet këtij vendimi, bën të mundur disponimin dhe qarkullimin e saj në tregun e lirë. Në aspektin ekonomik pritet të ketë një ndikim pozitiv në financat e këtyre familjeve si dhe në financat e njësive të qeverisjes vendore dhe buxhetit të shtetit. Megjithatë vështirësitë e hasura, për shkak të problematikës së mbartur, Ministria e Zhvillimit Urban dhe ALUIZNI mbeten plotësisht të angazhuar për finalizimin e procesit të legalizimit . Në funksion të kësaj ecurie, që prej vitit 2014, MZHU ka ndërmarrë 4 nisma ligjore të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, si dhe 24 vendime të Këshillit të Ministrave, një prej të cilave sapo u miratua”, tha ministrja Gjermeni.

 

Debati Manjani-Gjermeni

 

 

Ky projektvendim është propozuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, por ai u kundërshtua nga Ministria e Drejtësisë me arsyetimin se cenon komptencencat e pushtetit vendor, por mbi të gjitha krijonte një paradoks fiskal duke taksuar me 8 përqind pallatet e rregullta dhe 0.5 përqind ato të paligjshme.  Në mbledhjen e Qeverisë ka patur debate të gjata mes Ylli Manjanit dhe Eglantina Gjermenit, para se të bihej dakord që neni për taksat që ndryshojë dhe edhe për këto objekte të paguhet e njëjta taksë për ndikimin në infrastrukturë ashtu si për objektet e ligjshme, pra 8 përqind.

Më parë në një shkresë zyrtare, Ministria e Drejtësisë ka theksuar  se ky akt shkakton përplasje ligjore, cenon kompetencat e pushtetit vendor, por mbi të gjitha nxit evazionin dhe çon në një paradoks fiskal, duke ulur taksat për ata që kanë shkelur ligjin. Sipas ligjit të taksave vendore, për çdo ndërtimi të ri, taksa e ndikimit në infrastrukturë është sa 8 për qind e vlerës së objektit dhe paguhet në bashki. Por, nëse objekti është në proces legalizimi tek ALUIZNI, taksa është vetëm 0.5 për qind. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, duke e transferuar të drejtën e legalizimit të pallateve nga bashkitë tek ALUIZNI, projektvendimi ul automatikisht me 16 herë taksën e ndikimit, duke u falur ndërtuesve miliona euro taksa. Kjo sipas saj krijon një paradoks, që takson me 8 për qind taksë ndërtuesit e ligjshëm, por vetëm 0.5 për qind ata që kanë ndërtuar pa leje. Në oponencën që i ka bërë projektvendimit, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar që e drejta e legalizimit të pallateve pa leje apo atyre që janë në thyerje të lejes, t’u mbetet bashkive, ndërsa ALUIZNI të legalizojë shtëpitë private që janë ndërtuar personalisht nga qytetarët. Në shkresën që i ka nisur Ministrisë së Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë thotë se vetëm kështu shpejtohet procedura e legalizimit, rritet siguria e ndërtimeve, mbyllen shtigjet për evazion dhe dekurajohen ndërtimet e reja pa leje.  Ndërsa ministrja Gjermeni gjatë mbledhjes ka pohuar se “Nga njëra anë rregullohet e drejta e regjistrimit të banesave tek individët që i kanë blerë dhe nga ana tjetër synohet vjelja e të gjitha detyrimeve financiare nga ndërtuesit”, shtoi Gjermeni. Ndërkohë, një tjetër ndryshim i dakortësuar pas vërejtjeve nga Ministria e Drejtësisë është dhe ai që të mos ketë transferim të detyrimeve tatimore nga ndërtuesit tek banorët në asnjë rast. Vetë Manjani nuk pranoi të komentonte mbi debatin e të mërkurës në mbledhjen e Qeverisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here