“Klani” kundër PD?! Për këtë pyesni Lulin! Berisha: Basha opozitë personale, ndryshe nga imja

0
116

Jetmir Olldashi

BerishaIsh-kryetari i PD-së i faturon Bashës përgjegjësinë e fushatës dhe zgjedhjeve të 21 qershorit

“Fushata e Bashës është një fushatë e individualizuar e liderit ashtu siç ka arritur në dy vjet të konturojë opozitarizmin e tij ndryshe nga opozitarizmi i Berishës. Mendoj se është përqendruar në dy aspekte, denoncime dhe premtime”. Kjo është deklarata e fortë e liderit historik të PD-së, Sali Berisha, në një konferencë të mbajtur për mediat. Njeriu që drejtoi për 25 vjet Partinë Demokratike bëri me dije se ai nuk e kritikon Bashën për këtë fakt. “Ndoshta dhe unë do të doja që opozita e Bashës të ishte kjo që është”. Berisha u shpreh kundër bojkotimit të zgjedhjeve nga opozita. “S’jam për bojkot, por për dokumentim të çdo lloj manipulimi në zgjedhje”. Me humbjen e zgjedhjeve të 23 qershorit Berisha dha dorëheqjen dhe u tërhoq nga të gjitha rolet në Partinë Demokratike. Ai qëndroi jashtë garës për kreun e ri të PD-së dhe zgjedhjen e strukturave të reja në të gjitha degët e partisë më të madhe të opozitës.

 

Berisha: “Klani” kundër PD-së?! Për këtë pyesni Lulin

Ndërkaq, ish-kreu i selisë blu u pyet nga gazeta “Standard” për arsyet e mostransmetimit të reklamave elektorale të doktor Halim Kosovës nga TV “Klan”. “Ju jeni akuzuar se keni favorizuar TV “Klanin” gjatë kohës që drejtonit qeverinë, ndërsa tani media e drejtuar nga Aleksandër Frangaj nuk transmeton asnjë spot të vetëm publicitar të kandidatit për kryebashkiak të Tiranës, Halim Kosova. Është ky një problem financiar i PD-së apo TV “Klan” i ka vendosur embargon kandidatit të opozitës për bashkinë më të madhe në vend?” Berisha tha se nuk ka dijeni për këtë situatë dhe se kjo pyetje i duhej adresuar drejt kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. “S’kam dijeni për marrëdhëniet e lidershipit të PD-së me televizionin “Klan”. Këtë pyetje kalojani lidershipit të Partisë Demokratike. Sigurisht nuk jam për raportime të njëanshme”. Ish-kryeministri, zoti Berisha, shtjelloi përgjigjen e tij duke thënë se ka ndihmuar edhe televizionin “Top Channel” dhe mediat e tjera në vend. Që prej kalimit në opozitë të Partisë Demokratike TV “Klan”, i njohur si media proqeveritare në vitet 2005-2013, ka kaluar me një linjë editoriale drejt të majtës dhe shumë pranë Kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit Meta. Opozita e djeshme dhe qeveria e sotme akuzonte Aleksandër Frangajn se përfitonte qindra miliona lekë nga buxheti i shtetit.

 

Asnjë deputet i PD-së nuk ka rekorde kriminale

Berisha u shpreh i bindur se asnjë ligjvënës i selisë blu nuk ka rekorde kriminale. Ai shprehu kënaqësinë e tij për këtë fakt, ndërkohë që akuzoi kundërshtarët politikë si të lidhur me krimin. Ai i bëri thirrje Kryeministrit Rama t’i përmbahet marrëveshjes së 24 dhjetorit, të largojë nga Kuvendi i Shqipërisë deputetët me rekorde kriminale si dhe të tërheqë nga zgjedhjet e 21 qershorit kandidatët e lidhur me krimin. “Asnjë deputet i PD-së nuk ka rekorde kriminale, jua jap me garanci të plotë, ndërsa e majta ka plot 19 deputetë me rekorde kriminale”. Lideri historik i së djathtës u shpreh i bindur se përpjekjet për manipulim votash janë evidente dhe si asnjëherë tjetër në historinë e pluralizmit shqiptar. “Këto janë zgjedhjet më të implikuara të zhvilluara ndonjëherë në këto 25 vite. Ka goditje ndaj opozitës, blerje votash me miell, patenta, xhinse dhe të brendshme”.

 

Rama është armik i medias së lirë

Goditja ndaj medias ishte në qendër të bisedës me gazetarët e veteranit politik që dominoi skenën politike shqiptare për më shumë se 23 vjet. Berisha u bëri thirrje mediave dhe gazetarëve të reagojnë për sulmin ndaj “Agon Channel”-it. Ai e quajti Kryeministrin Rama si armik të medias së lirë, si njeri që nuk pranon mendimin ndryshe dhe se në fund do të mbetet vetëm me Filip Çakulin.”Agon Channel” po i çirrte maskën çdo ditë Edi Ramës dhe qeverisë. Skema e larjes së parave është e thjeshtë dhe gjykata e ka të lehtë ta provojë, nëse është apo jo pastrim parash. Reagoni sot se nesër do ta ketë radhën dikush prej jush. Ku janë shoqatat e gazetarëve? Edhe një kryetar shoqate gazetarësh që ishte shkoi e u bë bashkëpronar tek “Ora News””, – u shpreh me batutë ish-kryeministri i vendit, duke nënkuptuar gazetarin Ylli Rakipi. Berisha e quajti të papranueshme që në krye të AMA-s është vendosur Gentian Salaj, një nëpunës i “Digitalb”-it, konkretisht ish-drejtor i kësaj kompanie mediatike. Sipas ish-kryeministrit, emërimi në një pozicion të tillë i një zyrtari të tillë bëhet për t’i mbyllur gojën medias, për të shantazhuar televizionet. Ndërkaq, me emërimin e zotit Gentian Salaj në krye të AMA-s po bëhen përpjekje për të shpërndarë në mënyrë abuzive licencat e rrjeteve kombëtare dixhitale.

Ish-kryeministri Berisha është tërhequr nga jeta aktive politike e Partisë Demokratike, por mbetet deputeti më kritik ndaj qeverisë në Kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu ai vazhdon me denoncime të keqqeverisjes së majtë nëpërmjet profilit të tij në “Facebook”. Sidoqoftë, vëzhguesit shprehen se ndikimi i Berishës është ende shumë i madh brenda PD-së, ndoshta edhe më i madh se edhe ndikimi i kryetarit Lulzim Basha. Ish-lideri i PD-së është paksa i tërhequr edhe nga fushata aktive për zgjedhjet e 21 qershorit. Lëvizjet e tij politike duken si mundësi dhe liri që ai i krijon kryetarit të ri të partisë, duke mos u përfshirë vetë drejtpërdrejt, por duke respektuar vendimet e zotit Basha.

 

Berisha:  Rama e propozoi Halimin për President në vitin 2007

Sali Berisha në daljen e tij për mediat nuk la pa fshikulluar edhe Kryeministrin Rama dhe fushatën e të majtës në përgjithësi. “Edi Rama ma ka sjellë emrin e Halim Kosovës si kandidat për President Republike në vitin 2007. Si mundet ai sot ta shajë dhe ta sulmojë”, – u shpreh Berisha. Ai foli për raportet e Ramës me median, duke bërë batutë edhe me gjatësinë e Kryeministrit. “Ky aq sa ka gjatësinë me kilometra ka urrejtjen”. Ai shprehu kundërshtinë e tij për luksin e përdorur në fushatë nga e majta, duke shpenzuar qindra miliona lekë për flamuj dhe banderola politike. Berisha tha se Rama s’ka se çfarë t’u thotë qytetarëve dhe rend për turp nga sheshi në shesh. “Është mjerim për fushatën e Edi Ramës që shkon nga sheshi në shesh dhe flet gruaja burri, burri gruaja, asgjë tjetër, është turp për një kryeministër”, – përfundoi fjalën e tij ish-kryeministri.

 

Reagimi

Ilir Meta konfirmoi dje deklaratën e ish-kryeministrit Berisha se të majtët e kanë propozuar kandidatin aktual për kryetar Bashkie të Tiranës, Halim Kosova, për President Republike në vitin 2007. “…Është e vërtetë që ne në atë kohë në opozitë, madje dhe unë vetë personalisht, kemi propozuar për z. Halim Kosova si një nga shumë kandidatët e tjerë për të marrë konsensusin e z. Berisha”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here