Bashkim Shehu: Do të jem derë e hapur për të gjithë kuksianët

0
213

Intervistoi: Bujar Muçmata

kandidatin demokrat për kryetar të Bashkisë së KukësitIntervistë me kandidatin demokrat për kryetar të Bashkisë së Kukësit 

 Pyetje: Zoti Shehu, ju jeni kandidat i së djathtës për kryetar bashkie në Kukës. Pse pikërisht ju? Pse jo dikush tjetër, i cili ka një karrierë më të gjatë në Partinë Demokratike?

Bashkim Shehu: Së pari më lejoni t’ju falënderoj për intervistën dhe për pyetjen interesante që po më drejtoni. Nga ana tjetër duhet të sqaroj dy-tri momente: E para, Partia Demokratike ka shumë personalitete dhe kandidatura të mira dhe madje më të mira sesa kandidatura ime. Ajo është parti e vlerave dhe ka përgatitur dy breza politikanësh. Unë i takoj brezit të dytë të këtyre politikanëve dhe shpreh falënderimin tim për besimin që më jepet. Së dyti, të dy brezat kanë veçoritë e veta. Por brezi im ka më shumë energji, ka më shumë ambicie për të dhënë më të mirën. Ka edhe një kualifikim dhe arsimim jashtë vendit, ku krahas dijes, kemi marrë edhe kulturën perëndimore të komunikimit, mendimit dhe perceptimit. Këto avantazhe unë do t’i shfrytëzoj në dobi të bashkëqytetarëve të mi kuksianë. Kukësi ka nevojë për ndryshim dhe krahas Partisë Demokratike në opozitë, ndryshimin e sjell edhe kandidati i formuar dhe i përshtatur me demokracinë perëndimore. Prandaj, unë garantoj ndryshimin e sjelljes, ndryshim në vendimmarrje, ndryshim në përgatitjen dhe realizimin e projekteve, ndryshim në negocimin e fondeve. Kjo, sepse gjithçka te unë do të bëhet jashtë konfliktit të interesit me veten, me njerëzit e familjes dhe farë e fisit.

 

Pyetje: Çfarë ju bëri të pranoni këtë sfidë?

Bashkim Shehu: Së pari mjerimi dhe padrejtësitë ndaj qytetit tim, ndaj qytetarëve kuksianë, ndaj të afërmve të mi këtu në Kukës, ndaj rinisë së braktisur, ndaj grave të pambrojtura, ndaj burrave të nëpërkëmbur, sidomos në këto dy vite të qeverisjes së socialistëve. Po ju jap një fakt: Nuk ka dyqan që nuk shet veresie. Nuk ka shtëpi që nuk rënkon nga brenga se nuk mbyll dot muajin me të ardhurat që siguron. Dhe kjo ndodh për shkak të papunësisë, të mosmbështetjes së prodhimeve të zonës, të harbutërisë në administrimin e pasurive të Kukësit. Kjo ndodh se paraardhësi im është dhënë pas interesit të vet e të partisë së tij, LSI-së. Kjo është e patolerusheshme. Nuk ka vend në botë me gjithë këto pasuri sa Kukësi, që të jetë katandisur në gjendjen e mjerueshme, ku është katandisur zona jonë. Kuksianëve u kanë marrë gjithçka, me limite ua jep qeveria e kryetari aktual i bashkisë edhe ajrin, bukën, ujin, punën.

Unë dua dhe do të bëj gjithçka që ta ndryshoj këtë gjendje. Do të riparoj edhe gabimet në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, sepse e pranojmë se ka pasur gabime. Por do ta ndaloj menjëherë sjelljen arrogante të qeverisë së sotme, do të ndaloj që dikush të ushtrojë dhunë mbi këta qytetarë të dëshpëruar edhe pa kamxhikun e policisë. Nuk do të lejoj që dikush të sillet me kuksianët në mënyrë të padenjë. Kuksianët kanë dinjitet të spikatur krahasuar me çdo zonë të vendit tonë. Ua kanë marrë gjithçka, duan t’ua marrin edhe dinjitetin. Këtë nuk do ta lejoj.

 

Pyetje: Po si do ta bëni këtë, si do ta ndryshoni situatën, për të cilën flisni?

Bashkim Shehu: Duke hartuar projekte, duke respektuar pronën e qytetarëve, edhe ato prona të cilat regjimi komunist ua përmbyti nën liqenin e Fierzës. Unë do jem zëri i të dëmtuarve nga kjo përmbytje. Do të bashkohem me bashkëqytetarët e mi për të drejtën, jo vetëm sa kohë që ushtron dhunë mbi ne qeveria e Edi Ramës dhe Ilir Metës, por edhe nëse bën padrejtësi nesër qeveria e Partisë Demokratike.

Situatën do ta ndryshoj duke hapur vende pune. Do të ngre një staf për të studiuar rezervat dhe mundësitë që ofron zhvillimi ekonomik sa u përket minierave e fabrikave, bujqësisë dhe blegtorisë, turizmit dhe infrastrukturës dhe brenda gjashtë muajsh do t’i dërgoj këto projekte në të gjitha burimet e financimit, nga qeveria shqiptare, te fondet e zhvillimit rural, dhe fondet e grantet e tjera që jepen për zona të tilla nga donatorët e huaj e deri të institucionet e Bashkimit Evropian, si dhe donatorë të tjerë potencialë kudo në Evropë dhe SHBA. Do kujdesem jo vetëm për qytetin e rrethinat e tij, por edhe për Tërshenën, Kalisin, Ujmishtin, Grykën e Çajës, Zapodin, Shishtavecin, Topojanin, Surrojn, Arrnin e Shëmrinë.

Kukësi është qyteti simbol i pranverës së vitit 1999. Unë do të di të lëviz ato institucione kombëtare dhe ndërkombëtare që do t’i jepnin kuksianëve perspektivën e një jete më të mirë. Këtu qëndron ndryshimi me kryetarin aktual të bashkisë. Ai nuk di dhe nuk do që të bëjë projekte. Edhe nëse bën diçka, e bën me qëllimin që t’u shërbejë bizneseve të tij, pa menduar asnjë çast për qytetarin. Kjo është filozofia e LSI-së, prandaj ai ndërroi partinë, sepse kapaku duhej të gjente tenxheren. Dhe Hasani e gjeti nën sqetullën e Ilir Metës. Ndërkaq Rama tallet me Hasanin. E keni parë si tallet kryeministri?! Sepse ai vetë është lëshuar në një situatë të tillë. Unë do ta ruaj në çdo moment integritetin tim, sepse nëse numri një i këtij qyteti dhe fshatrave të Kukësit nuk do kishte integritet e dinjitet, ai do të përdhoste edhe dinjitetin e qytetarëve, të cilëve u shërben. Kjo do të thotë se unë kurrë nuk do të vejë dorën në fondet publike a private, nuk do të bëj veprime që më bëjnë të skuqem, sepse unë kam gjak, nuk jam nga ata që as nuk skuqem, as nuk zverdhem.

 

Pyetje: Problemi më i mprehtë, për të cilin gjithnjë kreu aktual i Bashkisë është ankuar, ka qenë uji i pijshëm për qytetin dhe fshatrat përreth. Si do ta zgjidhni këtë problem?

Bashkim Shehu: Puna e parë që do të bëj do të jetë auditimi i fondeve që janë harxhuar për këtë projekt. Jam i bindur se me fondet e ujësjellësit është abuzuar dhe se abuzimi është shkaku kryesor i kësaj gjendjeje katastrofë. Tetë vite është marrë paraardhësi im me këtë çështje dhe nuk ka bërë asgjë. Siguroj qytetarët se pas dy vitesh nuk do të ketë asnjë ankesë individuale, jo më kolektive sa i përket furnizimit me ujë. Do ta gjej kuçedrën që ka ndaluar ujin për kuksianët dhe do ta zhduk prej këtej.

Nuk do të lejoj që të abuzojnë institucionet e Tiranës as sa i përket furnizimit me energji elektrike. Do të gjejmë mbështetje, fonde dhe gjithçka që na duhet për zgjidhjen njëherë e mirë të këtyre çështjeve. Është e turpshme të flitet në këto kohë për ujë, drita, asfalt. Këto janë minimumi i asaj që mund të bëhet. Unë kam barrën mbi supe të krijoj vende pune për të rinjtë e këtij qyteti, të krijoj tregje për prodhuesit e patates e të produkteve të tjera bujqësore e blegtorale. Do insistoj që të mos ketë kufi e dogana në Morinë e në Vermicë, që ky treg të zgjerohet, siç ka qenë këtu e 80 vite më parë, edhe në Prizren, Gjakovë e më gjerë. Rruga e Kombit ka krijuar avantazhe që të rrisim mundësinë e tregjeve në Tiranë dhe qytetet bregdetare. Prodhimet e Kukësit do të kenë etiketën e vet me emrin e qytetit, me qëllim që të konkurrojmë me prodhimet tona bio e të kultivuara në bjeshkë, në një territor të shëndetshëm.

Do të jem derë e hapur për të gjithë kuksianët. Do vë në dispozicion një numër telefoni për denoncimin e shkeljeve të administratës. Do hap një zyrë për të gjitha shërbimet dhe jo qytetarët të sorollaten zyrë më zyrë… One stop shop i kohës së Berishës.

 

Pyetje: Ç’do të thotë për ju pjesëmarrja në një fushatë elektorale, si kjo e tanishmja? Ju krijon stres, ndiheni i nervozuar?

Bashkim Shehu: Jo, aspak. Megjithëse nuk do të donim që fushata të tilla të jenë kaq konfliktuale. E shihni si veprojnë për të marrë vota? Thasë me para, mbrëmje të zhurmshme e të kushtueshme me gratë, të rinjtë, me atë pjesë vitale të popullsisë, e cila është krim të trajtohet si mall. Partia e zotit Halili, LSI, i ktheu tollonat për xhinse bluza e mallrat të tjera. Premtimet e bujshme për punësim e favore në këmbim të votës janë bërë modë për të.

Këto dukuri më shqetësojnë më shumë sesa zhurma, fyerjet, etiketimet dhe akuzat e Edi Ramës dhe Ilir Metës për opozitën. Këta pasi të marrin votën, të marrin edhe pasurinë dhe të lënë pa bukë, të marrin nderin, krenarinë, për të të gjunjëzojnë më në fund për një thes miell. Prandaj për dy vjet bënë aksione kundër të varfërve dhe favorizuan familjet e tyre me tendera, sollën në Shqipëri për investime mafiozët dhe i vunë gratë e tyre në partneritet me ta. Ndërkohë, burgu, presioni, torturat, kërcënimet dhe madje likuidimet fizike janë vetëm për ata njerëz që i kundërvihen bandave të krimit mafioz në pushtet.

Kjo është arsyeja pse ne duam ta ndryshojmë qeverisjen lokale. Prej ndryshimit në lokalet do të shkojmë shumë shpejt të ndryshimi i qeverisjes qendrore, për t’i rikthyer Shqipërisë dhe shqiptarëve dinjitetin nëpërmjet punës.

 

Pyetje: Zoti Bashkim, a jeni i sigurt në fitoren e 21 qershorit?

Bashkim Shehu: Fitorja ime dhe e Partisë Demokratike në këto zgjedhje shihet qartë dhe duket si drita e diellit. Njerëzit mezi po presin mëngjesin e 21 qershorit për ta ndëshkuar këtë qeverisje të së majtës me votë dhe për të mundësuar shpresën dhe progresin për të ardhmen. Fitorja është besim. Në këtë kuptim unë shoh se qytetarët e Kukësit kanë krijuar besimin te unë dhe Partia Demokratike dhe kanë humbur çdo lloj iluzioni se Partia Socialiste, LSI si dhe kandidati i tyre mund të bëjë diçka të mirë për këtë zonë e këtë qytet. Partia Demokratike ka shpallur një program ambicioz kombëtar, si rritja e rrogave dhe pensioneve, të cilat sot shkojnë pikiatë, me uljen e çmimit të energjisë elektrike, me subvencionet, uljen e çmimit të karburantit, zgjidhjen e pagesave të prapambetura dhe faljen e kamatëvonesave etj. Ndërsa ne këtu në bashkitë ku jemi kandiduar u kemi premtuar qytetarëve për zgjidhjen e atyre punëve të ashtuquajtura të vogla, që lidhen me lagjen, me fshatin, me pallatin, me rrugën e rrugicat, me ujin e dritat, me ndriçimin e pastrimin, me krijimin e kushteve për investim dhe zhvillim, me trajnimet për punësim, me projektet e vogla e të mëdha për qytetin e zonën e Kukësit, me tregun dhe zhvillimin minerar, bujqësor, turistik etj.

Ndërkohë fitoren na e ka lehtësuar politika e premtimeve të pambajtura e mashtruese e koalicionit në qeverisje. Askush nuk i fajëson shqiptarët pse para dy vitesh votuan këto mashtrime të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Por ata do të marrin ndëshkimin e merituar, sepse këta të dy kanë luajtur me njerëzit. Janë 38 mijë njerëz, qytetarë të këtij vendi që në një vit janë burgosur ose janë marrë në pyetje në komisariatet e policisë. As Millosheviçi në kohën e represionit në Kosovë nuk kishte keqtrajtuar 38 mijë shqiptarë brenda një viti. Ndërsa kriminelët në parlament gëzojnë të gjitha privilegjet. Kokëdhima i Ramës ndërton saraje 20 metra larg bregdetit, Vangjush Dako ndërton 200 metra brenda detit, kreu i këtushëm në ikje i Bashkisë i jep djalit gjysmën e ambienteve të Pallatit të Kulturës dhe e ka bërë drejtor! Edi Rama, Ilir Meta, Erion Veliaj e të tjerë ndërtojnë vila luksoze me paratë e mamave dhe askush nuk i qorton. Këta kanë shkuar shumë larg dhe kanë krijuar një hendek aq të thellë në dy vite, sjellje kjo e cila nuk ka të krahasuar as me kohën e diktaturës. Edhe diktaturës iu deshën 30-40 vite të konsolidohej si e tillë. Këta e konsoliduan diktaturën në dy vjet me represion të paparë, në emër të shtetit ligjor dhe duke diskriminuar njerëzit para ligjit. Vrasësit lihen të lirë, se janë miqtë e Edi Ramës e Ilir Metës, ndërsa borxhlinjtë burgosen.

Ne do t’u kthejmë shqiptarëve lirinë, lirinë për të punuar e jetuar në dinjitet. Këtë do ta bëjë Partia Demokratike dhe lidershipi i saj, këtë do ta bëj unë në Kukës.

Fitorja është jona, sepse ne jemi e vërteta, ne jemi shpresa, kombinojmë zbatimin e ligjit me humanizmin dhe krijojmë ekuilibër social në shoqërinë tonë. Ne do të fitojmë se ne dimë të mbajmë fjalën, ne jemi të përkushtuar, ne jemi besimi, jo thjesht premtimi. Për në fund u them kuksianëve të mi bashkëqytetarë se kurrë nuk do të lodhem për të zgjidhur hallet që ata kanë, se kurrë nuk do të bezdisem nga ankesat e tyre. Unë kam lindur dhe jam rritur në Kukës. Do të jem kryetari i bashkisë e gjithashtu shërbëtori i secilit qytetar. Prandaj do të përkushtohem që gjithkujt t’i krijoj një mundësi, një zgjidhje. Jeta është plot halle e probleme, aq më tepër jeta e këtyre njerëzve të lënë pas dore e të nëpërkëmbur si kurrkund tjetër në Shqipëri e në Evropë. Nuk e meritojnë kuksianët bujarë e patriotë këtë sjellje arrogante e përbuzëse. Prandaj e kam detyrë dhe kënaqësi të ndryshoj situatën e vështirë ekonomike, sociale e psikologjike të tyre.

 

Objektivat e mia janë, veç tjerash, edhe këto:

  1. Brenda dy vitesh të zgjidh përfundimisht problemin e ujit. Qytetarët kuksianë meritojnë dhe do të kenë ujë 24 orë në ditë.

  2. Të punoj me investitorët vendas e të huaj për ngritjen e dhe zhvillimin e turizmit malor, përfshirë dhe turizmin kurativ shëndetësor.

  3. Të tërheq fonde nga Bashkimi Evropian dhe institucionet tjera ndërkombëtare. Për këtë do të ngrejë një drejtori projektesh me njerëz të arsimuar e të kualifikuar.

  4. Do të negocioj me qeverinë vendosjen e rentës minerare, me të cilën të përfitojnë kuksianët dhe jo vetëm firmat që merren me këtë.

  5. Do punoj që kuksianët të jenë të lirë, të punojnë dhe të jetojnë me ndershmëri, do tu ofroj shërbime tjera në vend të shërbimit në burg.

  6. Do të vendos partneritet pa asnjë paragjykim me këdo që është i interesuar për zhvillimin e kësaj zone.

  7. Do të bashkëpunoj me Komunën e Prizrenit e të Gjakovës për projekte të përbashkëta dhe lehtësi në komunikimin e qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve.

  8. Do të rikthej hapjen e universitetit në Kukës si dhe do të inicioj hapjen edhe të një shkolle profesionale për turizmin, artizanatin, fasonerinë e të tjera profesione. Për këtë do të siguroj mbështetjen e eksperiencës austriake e gjermane.

  9. Do të luftoj që arsimi të ngrihet në nivel konkurrues me shkollat më të mira të vendit, duke synuar jo vetëm të plotësojmë nevojat e zonës, por edhe të eksportojmë ekspertizë e njohuri jashtë Kukësit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here