Droga e Xibrakës/ Gjermania: Hetimet kanë nisur në mars të vitit të kaluar, u përgjua një çift

0
138

Alma Çuka

Laboratori i Xibrakës2 Vazhdon puna për gjetjen e personave të tjerë të përfshirë. Nuk jepen emrat e dy të dyshuarve si pjesë e organizatës. Priten përfundimet për sasinë e kokainës së pastër

Droga e llojit kokainë mund të ketë hyrë në Shqipëri që në muajin prill të vitit të kaluar. Këtë fakt e kanë nxjerrë në dritë prokurorët e Hanoverit në Gjermani përmes një komunikate për mediat. Sipas kësaj Prokurorie, laboratori i Xibrakës ka funksionuar prej disa muajsh, ndërkohë që hetimet intensive vazhdojnë për të zbuluar sasinë e drogës, e cila mund të jetë futur në vendin tonë. Sipas deklaratës për shtyp informohet se “nga hetimet paraprake dyshohet që kokaina është përzier në Amerikën e Jugut me substanca të parrezikshme dhe pas mbërritjes përftohej sërish në Shqipëri”. Hetimet për rrjetin e trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë kishin nisur në mars të 2014-ës. Fillimisht hetimet nisën ndaj një shtetasi shqiptar 46-vjeçar që banonte në Hameln, Gjermani, si dhe një 47-vjeçareje e dyshuar si bashkëpunëtore e tij ndaj të cilëve është ushtruar edhe kontrolli i banesave.

 

Kontrolli i banesave

“Të mërkurën në Hameln dhe Bodenverder u kontrolluan banesat e 46-vjeçarit dhe 47-vjeçares së dyshuar si bashkëpunëtore e tij. “Që nga marsi i vitit 2014 Inspektorati Qendror për Krimet në Gëtingen (ZKI Göttingen) nën drejtimin e Prokurorisë së Hanoverit, Zyrës Qendrore për Çështje Penale në Fushën e Narkotikëve, po kryen hetime në mbulim në ngarkim të një rrjeti ndërkombëtar trafiku lëndësh narkotike, i cili dyshohej që trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut për në Evropë. Fillimisht hetimet nisën në ngarkim të një shtetasi shqiptar 46-vjeçar, i cili banonte përkohësisht në Hameln, si edhe një 47-vjeçareje nga Bodenverderi (Bodenwerder), e dyshuar si bashkëpunëtore e tij” thuhet në deklaratën e prokurorisë. Në vjeshtën e vitit 2014 u shtuan dyshimet që baza e kokainës ndodhej në Shqipëri. Autoritetet gjermane dërguan një kërkesë për mbështetje, duke u përcjellë edhe informacionet e nevojshme. Informacioni nga autoritetet Gjermane erdhi ne mesin e muajit dhjetor, ndërkohe që ndërhyrja e Prokurorisë së Krimeve të rënda dhe Policisë së Shtetit u bë në mesin e muajit janar, pra një muaj më pas.

 

Hetimet

“Hetimet në Shqipëri çuan në zbulimin e një laboratori të madh kokaine në një kompleks ndërtesash të veçuara dhe të ruajtura me masa shumë të larta sigurie në afërsi të qytetit të Elbasanit. Gjatë kontrolleve të kryera u arrit të sekuestroheshin në një automjet rreth 20 kg kokainë e pastër. Autoritetet shqiptare sekuestruan edhe disa armë, midis të cilave një armë automatike, para’ në monedha të ndryshme me një vlerë totale prej mbi 400.000 eurosh si edhe disa automjete dhe sasi të mëdha kimikatesh. Ende vazhdojnë hetimet për të zbuluar se sa drogë mund të jetë prodhuar gjithsej në laborator. Hetimet e autoriteteve shqiptare i mbështetën atje edhe një prokuror i Prokurorisë së Hanoverit, oficerë krimesh të Inspektoratit të Gëtingenit dhe Policisë Federale Kriminale si edhe ekspertë të Zyrës Kriminale të Landit Nidersaksen.

 

 Tiranë/ Arrestohen dy persona, ushtronin prostitucion

 Policia e kryeqytetit vuri në pranga dy persona, pasi i kapi në flagrancë duke ushtruar prostitucion. Ngjarja ndodhi në qendër të kryeqytetit, ndërkohë që dy personat janë kapur në flagrancë. Mbrëmjen e djeshme efektivët e policisë vunë në pranga 19-vjeçaren M. H., me banim në Tiranë dhe 43-vjeçarin D. F., lindur dhe banues në Mexero të Milanos, në Itali. Mbrëmjen e djeshme ata u kapën në bulevardin “Zogu i Parë”, në flagrancë duke ushtruar prostitucion me njëri-tjetrin. Aktualisht vijojnë hetimet e policisë për zbardhjen e aktivitetit të plotë të të ndaluarve. Ndërkohë dy djem të rinj në kryeqytet kanë tentuar të kryejnë marrëdhënie seksuale me dhunë me një vajzë. Ardi Hyka, 23 vjeç, dhe Denis Uku, 23 vjeç, me banim në Vaqarr të Tiranës, janë vënë në prangat e policisë pas denoncimit të bërë nga 25-vjeçarja M. P. Vajza ka thënë në polici se rreth mesnatës së të dielës në rrugën “Shaban Bardhoshi” në Tiranë, Hyka dhe Uku kanë tentuar të kryejnë marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Nuk dihen ende rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa mësohet se gjatë arrestimit dy të rinjtë kanë kundërshtuar me dhunë punonjësin e policisë S. P.

 

Lushnjë/ Arrestohen atë e bir, rrahën nusen e shtëpisë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një familje në qytetin e Lushnjës. Babë e bir kanë rrahur nusen e shtëpisë, ndërsa kjo e fundit i është drejtuar komisariatit të policisë, ku ka bërë edhe denoncimin përkatës. Dhuna në familjen Koçi është bërë e padurueshme për nusen e shtëpisë, në fshatin Remas. Babë e bir janë vënë në prangat e policisë së Lushnjës, pas denoncimit të bërë nga nusja e të riut. Sadik Koçi, 62 vjeç, dhe Fitim Koçi, 30 vjeç, me banim në fshatin Remas të Lushnjë, u arrestuan pasi në banesën e tyre në fshatin Remas, kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nuses së Fitimit, 21-vjeçares S. Koçi. 21-vjeçarja është paraqitur në polici me shenja dhune në trup dhe e tronditur, duke denoncuar të shoqin. E reja ka thënë në polici se dhunohej vazhdimisht prej të shoqit dhe vjehrrit të saj, porse së fundmi goditjet ishin shtuar. Pas denoncimit 21-vjeçarja pohoi se nuk kishte më në plan të vijonte martesën, pasi jeta i ishte bërë e pamundur në familjen e të shoqit, ku ndihej e kërcënuar në çdo moment nga presioni psikologjik dhe goditjet e vazhdueshme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency