Abuzimi/ Mashtruan me fondet e Komunës, në gjyq gjashtë punonjës dhe ish-kryetari

0
132

Alma Çuka

 gjyqPër vite me radhë vodhën fondet e Komunës Lis në rrethin e Matit. Kanë falsifikuar dokumente, duke marrë fonde për Komunën, të cilat asnjëherë nuk u vunë në zbatim

Prokuroria e Matit ka përfunduar hetimin dhe dërgon për gjykim 7 zyrtarë të Komunës Lis, përfshirë edhe kryetarin e saj, të gjithë të akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, veprime të cilat kanë sjellë një dëm ekonomik në vlerën e mbi rreth 10 milionë lekëve të reja. Kjo shifër bëhet me dije se ka dalë pas përfundimit të hetimeve dhe pas verifikimit të gjithë dokumentacionit përkatës të përpunuar nga grupi i ekspertëve. Në materialin e saj disafaqësh nisur drejt Gjykatës, Prokuroria e Matit ka renditur një sërë shkeljesh të cilat janë në kuadër të dyshimeve, por që të gjitha bien mbi shtatë zyrtarët e Komunës Lis. Sipas akuzës, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumentet, duke bërë fatura fiktive për të tërhequr fonde të posaçme, që sipas dokumentacionit do të përdoreshin për përmirësimin e jetës së banorëve të komunës. Por, në fakt, nuk ka ndodhur kështu.

 

Hetimi

Nga hetimi i Prokurorisë, i cili ka nisur pas kallëzimit të bërë nga ana e disa shtetasve, kanë rezultuar këto shkelje: janë kryer pagesa për shërbime publike, të cilat janë tërësisht fiktive dhe nuk ka asnjë punë të kryer, janë kryer pagesa për shërbime të brendshme të komunës, të cilat janë tërësisht fiktive dhe nuk është marrë asnjë shërbim për paratë e shpenzuar, është kryer një procedurë prokurimi publik për blerjen e rreth 160 tonerave bojë printeri, ndërkohë që komuna nuk ka printer, i është shitur makina e komunës tip “Land Rover”, me vlerë 1.8 milionë lekë kryetarit të komunës, i cili e ka blerë me vlerë 125 mijë lekë (pra, rreth 1.6 milion lekë më lirë se sa vlera reale). Të gjitha këto shkelje të pandehurit, sipas akuzës, i kanë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Paratë e përftuara nga aplikimi i dokumenteve fiktive janë shpërndarë mes tyre. Aktiviteti i paligjshëm ka vazhduar gjatë, ndërkohë që të pandehurit janë marrë në pyetje dhe gjatë gjithë kohës kanë kundërshtuar akuzën duke e konsideruar të qëllimshme. Prokuroria e Matit ka renditur pas çdo akuze edhe dokumentet, si dhe aktet e ekspertimit për çdo faturë. Një tjetër akt i rëndë që dyshohet të jetë kryer nga të pandehurit është edhe falsifikimi i vulës së Komunës. Ata e kanë përdorur vulën për qëllimet e tyre kriminale, ndërkohë që kjo mendohet t’i ketë sjellë shtetit një dëm të konsiderueshëm në buxhet.

 

Emrat e të pandehurve

  1. Agim Selita, kryetar i Komunës Lis, Mat
  2. Dritan Farrici, zyrtar i Komunës
  3. Liljana Aliaj, zyrtare e Komunës
  4. Dashamir Panxha,zyrtar i Komunës
  5. Hismet Barhani,zyrtar i Komunës
  6. Qemal Marqeshi,zyrtar i Komunës
  7. Ismail Brahimetaj,zyrtar i Komunës

 

Marrëveshja/ Prokuroria Shqiptare dhe Antimafia italiane nisin hetimet e përbashkëta

Prokuroria Shqiptare dhe Drejtoria Kombëtare e Antimafias italiane kanë nisur zbatimin në praktikë të marrëveshjes së bashkëpunimit, nënshkruar në Tiranë në nëntor 2014 ndërmjet dy strukturave hetimore. Bëhet e ditur se një delegacion i nivelit të lartë i Prokurorisë Shqiptare, i drejtuar nga prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, po zhvillon bisedime në Romë me prokurorin e Antimafias italiane, Franco Roberti, lidhur me çështje konkrete të krimit të organizuar, si edhe të pastrimit të parave. Në këtë takim marrin pjesë edhe drejtues dhe prokurorë të prokurorive rajonale të Italisë, të cilët janë duke hetuar çështje konkrete të kriminalitetit të organizuar ndërkufitar. Në tavolinën e bisedimeve janë shqyrtuar raste hetimore që kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve në të dy anët e kufirit. Në këtë kuadër, Prokuroria Shqiptare dhe Drejtoria e Antimafias e Italisë vendosën ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore, struktura të cilat kanë histori suksesi gjatë veprimtarisë së tyre ndërmjet vendeve të Bashkimit Evropian. Duke vlerësuar rëndësinë e këtyre hetimeve në zhvillim, prokurori i Përgjithshëm, Llalla, gjendet personalisht në kryeqytetin italian për të koordinuar bashkëpunimin ndërmjet Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Drejtorisë Kombëtare të Antimafias, si edhe të disa prokurorive rajonale italiane. Dy strukturat kanë nisur aplikimin e “shkëmbimit spontan të informacionit”, një teknikë që mundëson kombinimin e informacionit në kohë reale, nën koordinimin e zyrave qendrore të marrëdhënieve me jashtë. Kjo teknike ishte një ndër arritjet më të rëndësishme të memorandumit të bashkëpunimit të nëntorit të kaluar, e cila mundëson komunikimin dhe më pas goditjen e njëkohshme të grupeve kriminale që operojnë në të dyja anët e kufirit.

 

Vlorë/ Vjedhja e energjisë, arrestohen dy persona në flagrancë, 4 në kërkim

 Strukturat e Policisë së Vlorës kanë arrestuar 2 persona në flagrancë dhe kanë shpallur në kërkim 4 persona për Vjedhje të energjisë elektrike. Sipas të dhënave bëhet e ditur se tre nga pesë rastet, janë biznese. Policia tha se u arrestua në flagrancë për “Vjedhje të energjisë elektrike” Kleanth Abazaj, vjeç 37, banues në Vlorë, pasi nga kontrolli në lokalin e marrë me qera prej tij është konstatuar “Vjedhje e energjise elektrike”. U bë arrestimi në flagrancë për të njëjtën akuzë për shtetasin Ardian Alikaj, administrator i subjektit Ka-Trading pasi nga kontrolli i kryer ka rezultuar se kishte ndërhyrë në matësin e energjisë elektrike. Gjithasht u proceduan penalisht dhe u shpalëen në kërkim. Idriz Resulaj, banues në Vlorë pasi nga kontrolli i kryer në banesën e tij është konstatuar vjedhje e energjisë elektrike. Lavdim Rrapaj, vjeç 57, banues në Vlorë, pasi nga kontrolli në lokalin e tij është kostatuar “vjedhje energjie elektrike” nëpërmjet lidhjes së dyfishtë. Vilson Meçaj, vjeç 64, banues në Vlorë pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij është konstatuar ndërhyrje në matësin e energjisë elektrike. Avdul Rakipaj, banues në Vlorë, pasi nga kontrolli i kryer në banesën e tij është konstatuar ndërhyrje në matësin e energjisë elektrike me qëllim vjedhje energjie.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency