Qeveria e Kosovës / A po rrezikohet buxheti?

0
145

Qeveria_e_Kosoves-_foto_e_re

Projektet e planifikuara për këtë vit, rritja e pagave dhe disa vendime të tjera të marra nga qeveria e Kosovës nuk rrezikojnë buxhetin e Kosovës, thonë zyrtarë qeveritarë, ndërsa ekspertë për çështje ekonomike thonë se qeveria e ardhshme duhet të jetë shumë e kujdesshme në shpenzimet buxhetore. Një nga projektet më të mëdha në vend për këtë vit është fillimi i ndërtimit të autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, e quajtur “Arbën Xhaferi”, e cila kushton rreth 600 milionë euro, kurse nga buxheti i këtij viti janë ndarë vetëm 30 milionë euro.

Përveç kësaj, ekspertët e çështjeve ekonomike pohojnë se edhe vendimi për rritjen e pagave deri 25 për qind për të gjitha kategoritë e të punësuarve publik në Kosovë dhe disa vendime tjera mund të paraqesin probleme në sistemin buxhetor.

Eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se çdo shpenzim buxhetor duhet të jetë i matur dhe i analizuar mirë nga qeveria e ardhshme, sepse problemet buxhetore mund të jenë evidente.

“Unë këto situata më tepër i quaj ‘aksidente fiskale’ dhe duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrë që nëse deri më tani kemi pasur një stabilitet fiskal, në një periudhë të ardhshme mos të futemi në situata të palakmueshme”.

“Sepse mund të futemi në deficit buxhetor dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar gjithnjë ka ngritur këto shqetësime fiskale, prandaj kërkohet një kujdes jashtëzakonisht i madh”, – shprehet Sadiku. Profesori në kolegjin “Riinvest”, Alban Hashani, ndërkaq thekson se projektet dhe vendimet e përmendura rrezikojnë qëndrueshmërinë brenda limiteve buxhetore.

“Qeveria e Kosovës, – thotë ai, – duhet t’i balancojë burimet me obligimet materiale. Kosova jo se do të ketë probleme me deficitin buxhetor, për shkak se kjo kufizohet me rregullat fiskale të buxhetit, mirëpo buxheti nuk është alokuar në mënyrën më të drejtë për arsye se vendimmarrja është bërë kryesisht për qëllime elektorale”, – shprehet Hashani.

Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë thonë se nuk do të ketë ndonjë krizë apo probleme në sistemin buxhetor, pasi të gjitha projektet dhe vendimet kanë qenë të planifikuara.

Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave, lidhur më këtë thotë se vendimet e marra nuk e rrezikojnë buxhetin.

“Ngritja e pagave dhe vendimet tjera të ndërmarra nga Kryeministri Hashim Thaçi dhe qeveria e Republikës së Kosovës nuk e rrezikojnë buxhetin, sepse edhe ashtu projekti për ndërtimin e autostradës ka qenë i paraparë të fillojë këtë vit. Ndërsa, shpenzimet e reja si ato për paga planifikohet të mbulohen në rend të parë nga kontigjenca e ndarë për rritje të pagave sipas Ligjit të Buxhetit për vitin 2014, nga shkurtimet në kategorinë mallra dhe shërbime sipas vendimit të qeverisë si dhe nga kursime të tjera”, – thotë Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Shahini, ndërkaq, shprehet se edhe institucionet që janë përgjegjëse për mbledhjen e të hyrave buxhetore, siç është Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë realizuar planet e tyre sa i përket të hyrave.

Nga 1 miliard e 590 milionë euro sa parashihen si të hyra të përgjithshme për këtë vit, sipas parashikimeve këto institucione për vitin 2014 duhet të grumbullojnë mbi 1 miliard euro.

Vetëm Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë rreth 930 milionë euro. Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion, thotë se deri më 3 korrik, Dogana ka mbledhur 470 milionë euro.

“Gjashtëmujori i parë i vitit 2014 nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi një rënie të importit në aspektin e sasisë, një zvogëlim të importit rreth 5 për qind. Kurse inkasimi i të hyrave ka qenë 6 për qind më shumë. Nëse përkthehet në të hyra faktike nënkupton se kemi qenë afër 21 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Edhe përkundër rënies së sasisë së importit, Dogana ka arritur të realizojë 95 për qind të planit që është parashikuar për gjashtë mujorin e parë”, – thekson Stavileci.

Kurse, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për këtë vit duhet të mbledhë 367 milionë euro. Shuma mjeteve të grumbulluara për periudhën janar-korrik është 182.2 milionë euro, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, administrata ka mbledhur 1 për qind më pak të hyra, thotë Valentina Sefa – Bytyçi, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës.

“ATK, krahasuar më periudhat e tjera për këtë vit ka trend pozitiv dhe përkundër trendëve aktuale ekonomike si një e arritur e madhe falë përmbushjes se deklarimit të vetë tatimpaguesve dhe falë ofrimit të shërbimeve elektronike dhe një plani detal të veprimit dhe trajtimit të rrezikut”, – shprehet Bytyqi. Sidoqoftë, deficiti i përgjithshëm i planifikuar, sipas rregullës fiskale për vitin 2014 është 111 milionë euro.

 

 

 

Maqedoni: Krijohet panik për mishin

Mosidentifikimi i burimit të bakteres “listeria”, nga e cila u prekën 8 qytetarë të Maqedonisë, prej të cilëve 4 humbën jetën, ka shkaktuar panik te qytetarët, duke kufizuar në minimum konsumimin e prodhimeve nga mishi dhe qumështi i përpunuar.

Andriana Naskovska, qytetare, thotë se edhe përkundër asaj se fëmijët insistojnë që në tryezë të kenë salsiçe dhe prodhime të tjera të mishit, ajo tërësish i ka shmangur ato.

“Po kam frikë nga çdo gjë pas kësaj që dëgjojmë në media, gjithçka që është nga mishi ose qumështi është larguar nga tryeza jonë dhe kjo e vështirëson shumë përzgjedhjen çka do të hamë, por duke e ditur sa të rënda janë pasojat, thjesht kryesisht jemi me pemë dhe perime”, – thotë Andriana. Edhe Ilmi Bajrushi thotë se nuk ndjehet i sigurt kur bëhet fjalë për prodhime nga mishi i përpunuar andaj në tryezë shtrohet vetëm atëherë kur sigurohet mish i freskët.

“Unë nëpër dyqane nuk blej asnjëherë mish ose çkado qoftë që është nga mishi,vetëm atëherë kur kam mundësi të siguroj mish të freskët kemi mish në sofër”, – thotë Bajrushi.

Ndërkohë, kompanitë të cilat merren me prodhimin e mishit dhe bulmetit ankohen se kanë pësuar dëme të konsiderueshme si pasojë e panikut në mes të qytetarëve si konsumatorë duke nënvizuar se shteti duhej të reagojë më shpejtë, pothuajse një muaj pas shfaqjes së kësaj baktereje edhe nuk është gjetur burimi i saj.

“Po është evidente paniku në mesin e konsumatorëve. Ne nuk mund t;u shpjegojmë të gjithë konsumatorëve se prodhimet tona janë të sigurta. Gjendja nuk është aq keq me konsumatorët tonë të përhershëm, por pas kësaj është pothuajse e pamundur të mendohet për zgjerimin e tregut jashtë vendit”, – shprehet një prodhues i prodhimeve të mishit, i cili dëshiron të mbetet anonim. Gjersa Dejan Runtevski, drejtor i Ushqimit dhe Veterinarisë, ditë më parë ka kumtuar se intensivisht punohet në këtë drejtim, ndërkohë që janë marrë mostra nga qindra produkte ushqimore, por ende nuk janë të plota rezultatet që do të ndriçonin arsyen për helmimin e tetë personave me “listeria”. “Deri më tani ne kemi ekzaminuar 610 mostra, nga te të cilat 23 janë pozitive, llojin te cilin e kemi zbuluar ne ushqim nuk korrespondon me atë të personave të infektuar. Listeria ekziston, por në sasi minimale, më pak se 10 koloni për gram që është nën nivelin e lejuar prej 100 kolonive për gram brenda afatit të produktit”, – është shprehur për mediat Runtevski. Ai porositi qytetarët të kenë kujdes ku i blejnë produktet e mishit, veçanërisht mishin e bluar dhe atë të përpunuar. Por, ekspertët thonë se institucionet përkatëse, nëse sinqerisht angazhohen që të gjendet burimi i bakteres, kjo është punë e lehtë ngase Maqedonia disponon laboratorë të sofistikuar në të cilat mund të bëhen analiza nga më të ndryshmet nga ana e kuadrit profesional për një afat të shkurtër kohor. “Nuk jam dhe aq i bindur se ende nuk dihet se ku është burimi i kësaj baktereje, por në këtë rast do të thosha se njëherë e përgjithmonë duhet t’i jepet fund praktikës që për disa kompani të shihet mes gishtave kur bëhet fjalë për cilësinë e prodhimeve, në kurriz të shëndetit të qytetarëve, madje edhe në kurriz të atyre kompanive të cilat janë të ndershme dhe respektojnë çdo standard të cilësisë”, – nënvizon Ilia Karov, ligjërues në fakultetin e Industrisë Ushqimore. Ndryshe bakteria “listeria”, e cila paraqitet më shpesh me konsumimin e ushqimit të kontaminuar siç është mishi, prodhimet e qumështit dhe perimet, të cilat nuk janë larë paraprakisht mirë, manifestohet me temperaturë të lartë dhe ngërç të muskujve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency