Skandali /40-vjetori i Uotergejtit

0
185

120201032013-nixon-down-story-top9 gushti shënon 40-vjetorin e dorëheqjes së Presidentit Richard Nixon. Zoti Nixon dha dorëheqjen si pasojë e përfshirjes së tij në skandalin e njohur me emrin “Uotergejt” dhe fshehjes së asaj që dinte rreth skandalit. Gjithçka filloi kur disa punonjës të fushatës republikane hynë fshehurazi në selinë qendrore të Partisë Demokrate në kompleksin “Uotergejt” në qershorin e vitit 1972. Skandali pati një ndikim të madh në politikat kombëtare dhe disa prej reformave të zbatuara në atë kohë vazhdojnë të kenë jehonë edhe sot.

Nata e 8 gushtit 1974 ishte një dramë politike me rëndësi të jashtëzakonshme. Presidenti Richard Nixon doli para kamerave nga Zyra Ovale dhe njoftoi se do të jepte dorëheqjen ditën tjetër.

“Nuk kam qenë kurrë njeri që dorëzohem. Largimi nga zyra para fundit të mandatit është e neveritshme për çdo instinkt të trupit tim. Por si President, më duhet të vë të parin interesin e Amerikës”.

Në një fjalim emocional për stafin e Shtëpisë së Bardhë në ditën e dorëheqjes, zoti Nixon citoi një prej arsyeve të rënies së tij politike.

“Duhet ta dini, të tjerët mund t’ju urrejnë. Por ata që ju urrejnë fitojnë vetëm kur ti i urren ata. Dhe pastaj shkatërron vetveten”.

Menjëherë pas kësaj, Presidenti i ri Gerald Ford u përpoq të qetësonte vendin që kishte përjetuar dorëheqjen e parë të një presidenti në histori.

“Të dashur amerikanë, makthi ynë i gjatë ka marrë fund. Kushtetuta jonë funksionon. Republika jonë është një qeveri me ligje dhe jo e një individi. Këtu sundon populli”.

Disa ndihmës të Presidentit Nixon përfunduan në burg për krime dhe abuzim pushteti gjatë skandalit “Uotergejt”. Regjistrimet audio nga Shtëpia e Bardhë implikonin zotin Nixon, sepse ai kishte porositur ndihmësit që t’i thoshin CIA-s të gënjente tek FBI-ja, në përpjekje për të penguar hetimet e skandalit.

Më vonë, Presidenti Ford do ta falte zotin Nixon për përfshirje në krime. Ky hap ndoshta i kushtoi zotit Ford zgjedhjet presidenciale të vitit 1976, të cilat u fituan nga demokrati Jimmy Carter.

Skandali “Uotergejt” mbetet një pikë e rëndësishme kthese në historinë politike amerikane, thotë historiani Allan Lichtman i Universitetit Amerikan.

“Skandali ‘Uotergejt’ mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm. Deri më sot, mbetet përpjekja më e plotë e një presidenti dhe administratës së tij për të minuar procesin demokratik”.

Skandali “Uotergejt” u zbulua gjatë një periudhe dyvjeçare; pjesa dërrmuese u zbulua dhe dokumentua nga gazetarët e “Washington Postit”, Bob Woodward dhe Carl Bernstein. Historiani Lichtman thotë se roli i gazetarëve hetues të “Uotergejtit” dhe përfshirja e Presidentit në një skandal politik ishin vendimtare.

“Po të mos ishin gazetarët Bob Woodward dhe Carl Bernstein si dhe burimi i tyre i brendshëm i informimit, Nixon mund të kishte shpëtuar. Ndaj sistemi ka funksionuar, por mësimi që nxjerrim është se duhet të jemi gjithnjë vigjilentë”.

Skandali “Uotergejt” bëri gjithashtu që Kongresi të reformonte sistemin financiar të fushatës, edhe pse disa nga këto reforma janë zhbërë nga vendimet e fundit të Gjykatës së Lartë.

“Uotergejti” po ashtu çoi drejt një epoke të re, me kampe të ndara politike që është bërë edhe më e polarizuar vitet e fundit. Norman Ornstein është analist politik në Institutin American Enterprise këtu në Uashington.

“Kemi parë rritjen e tensioneve, por jo të nivelit që kemi tani. Ajo që unë shoh tani është një nivel i organizimit klanor, jo thjesht polarizim, diçka që ne nuk e kemi parë që nga periudha e Luftës Civile”.

Amerikanët kanë ndryshuar qëndrimin e tyre në lidhje me një aspekt të skandalit “Uotergejt”. Në vitin 1974, 59 për qind kundërshtonin vendimin e Presidentit Ford për faljen e Richard Nixonit. Por në vitin 2002, një sondazh i “ABC News” gjeti se 59 për qind besonin se zoti Ford kishte bërë gjestin e duhur si pjesë e një përpjekjeje për të ribashkuar vendin pas njërit prej skandaleve më të rënda politike në historinë e Amerikës.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency