Verifikim kriteresh/ Mbyllen 17 universitete, ja ministrat e deputetët me diplomat e tyre

0
209

Florenc Drizari

min arsimitMAS: Rimbursim dhe transferim studentëve

“20 universitete për 1 milion banorë”, Rama: Diploma me dru zjarri dhe shpërblime në natyrë

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje mbylljen e disa universiteteve dhe shkollave private në vend, ndërkohë që lista është hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Një ditë më parë kjo Ministri publikoi rezultatet e raportit të verifikimit të kritereve për ligjshmërinë në universitetet publike dhe private. Me objektivin të shpallur si “Universiteti i Gjeneratës Tjetër”, Ministria e Arsimit inicioi një proces disa mujor verifikimi, të ndarë në disa faza, përfundimi i të cilit solli si produkt raportin e verifikimit të kritereve për ligjshmërinë, brenda kornizës ligjore në fuqi, në institucionet e arsimit të lartë. Kjo fazë do të pasohet me nisjen në dhjetor, të një tjetër procesi të rëndësishëm, akreditimit të universiteteve nëpërmjet matjes së cilësisë.

 

Rama

Kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër sistemin universitar. Duke folur për diploma fiktive dhe tituj shkencorë të marrë për tema që sipas tij as imagjinata nuk i përcakton dot, Rama tha se qeveria zbatoi vetëm ligjin dhe se reforma në sistemin universitar, kryesisht atë privat, do të vazhdojë.

“Kemi arritur të kemi sot numrin më të madh të universiteteve për frymë në Evropë, 8 herë më shumë se Britania e Madhe. 20 universitete për 1 milionë banorë. Kemi arritur një kulm tjetër, me 1432 programe të ndryshme mësimore, a thua se vendi ynë i ka mundësitë t’i përgatisë të rejat dhe të rinjtë për 1432 profesione dhe nënprofesione të ndryshme. Kemi arritur një tjetër rekord, evropian nuk diskutohet, rajonal padyshim, por, mbase, edhe botëror, me 50 programe studimore në universitetet tona publike, ku nota mesatare e të gjithë të regjistruarve është nën 5.5”, – tha Rama. Ndërsa ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, tha se në shumë institute të larta nuk ka regjistra të studentëve që janë shkolluar e diplomuar aty të cilat zyrtarisht rezultojnë të djegur apo të humbur.

Duke folur se si merreshin diplomat në disa universitete private, Kryeministri u shpreh: Kemi arritur të japim diploma në natyrë, për shërbime të ndryshme, lyerje, shpëlarje, punime hidraulike, punime zdrukthëtarie, të shpërblyera jo me para, por me diploma nga pronarët e universiteteve në fjalë. Kemi arritur që të fusim pagesën në natyrë për t’u shkolluar, lopë, dele, oriz, fasule, zhavorr, dru zjarri. Ka studentë që e kanë paguar studimin me dru zjarri. Natyrisht, të prera pa leje nëpër pyje. Kemi arritur që të kemi regjistra themeltarë universitetesh, ku shkruhet “10 diploma i ka tërhequr shefi”.

Jo pak kritikues për cilësinë dhe temave doktorale u tregua Kryeministri teksa citoi disa shembuj: “Se si mund të ketë doktorë shkencash, sot, që kanë doktoruar me tema të tilla si “Universi muzikor i Inva Mulës”, apo “Historia e funksionimit të noterit”, apo “Humori në këngët popullore”, apo “Aktrimi në filmin kosovar”, apo, copë fare, temë doktorature “Diana Çuli dhe Helena Kadareja”. Kjo është diçka që imagjinata ime nuk e rrok dot, por besoj se është e paimagjinueshme për çdo njeri normal, në një vend normal”.

Por çfarë do të ndodhë me studentët që vazhdojë studimet në këto universitete. Edhe për këtë Kryeministri Rama e kishte një përgjigje duke thënë se “fasha e mesme ku pezullohet funksionimi i universitetit në vazhdimësi, pra, ndalohen universitetet të marrin studentë në vitet e para, sepse nuk përmbushin kriteret ligjore, por duke bërë një sërë përmirësimesh mund të shkojnë më tutje, me studentët ekzistues dhe; fasha e tretë, që mbyllen imediatisht dhe ku gjithë studentët ekzistues të merren përsipër, nën kujdesin e shtetit, për t’u adresuar në universitete publike apo private, për të njëjtin profil, bazuar në kreditet që kanë marrë dhe bazuar në të gjithë dokumentacionin që zotërojnë, për të vazhduar normalisht studimet e tyre dhe për të mos lejuar që investimi i tyre të humbasë”.

 

 Lista e universiteteve dhe shkollave që preken nga nisma e qeverisë

 

Propozim për mbyllje

Akademia e Arteve Shkodër

 

Propozim për mbyllje të filialeve

Filiali Kukës, Universiteti i Tiranës

Filiali Sarandë

Filiali Peshkopi, UAMD

Filiali Pogradec, UK

Filiali Lushnjë, Universiteti Bujqësor

Filiali Gjirokastër, Universiteti Bujqësor

Akademia Pedagogjike, Tirane

Kolegji Profesional i Sporteve Fier

 

Universitete privat për heqje licence

Shkolla e Larte, “Nëna Mbretëreshë Geraldinë”

Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës

Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës

“Shkolla e Lartë Ilyria”

Kolegji profesional ‘Argent’, Shkodër

Kolegjet Profesionale, private “Medicom’

Shkolla e Larte Private e Edukimit

Universiteti ‘Elite’

“Universiteti Planetar i Tiranës”

“Medikadent”

“Gjon Buzuku”, Shkodër

Akademia e Ndërtimit, Tiranë

Universiteti ‘Kristal’

Universiteti ‘Vitrinat’

Universiteti ‘Justiniani I’

 

 

Pezullim të aktivitetit

Akademia Profesionale e Biznesit IPAL “ISSAT”

Kolegji Profesional “Ivoclar Vivadent&Partners”

Kolegji Profesional privat “New Generation”

“Pavarësia”, Vlorë

“Hena e plote” Bedër

“Logos”

“Justicia”

“Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”

Instituti Kanadez i Teknologjisë

“Wisdom University”

Universiteti “Aldent”

Universiteti ‘Albanian University’

 

Rekomandime për plotësim kriteresh:

“Shkolla e Lartë Private Mesdhetare e Shqipërisë”

Akademia e studimeve të aplikuara “Reald”

IPAL “Shkolla e Lartë Nehmia”

SHLP “Tirana Business University”

SHLUJ “Marubi”

SHLUJ Universiteti “Marin Barleti”

SHLUJ “Universiteti i Nju Jorkut, Tiranë”

SHPAL “Universiteti Metropolitan Tirana”

Universiteti “Epoka”

Universiteti “Polis”

Universiteti Evropian i Tiranës

Universiteti katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”

 

CV e deputetëve dhe ministrave

Diplomat e marra në universitetet e mbyllura nga qeveria, shumë deputetë fshehin të dhënat

 

Lindita Nikolla

 Ministër i Arsimit dhe Sportit

“Znj. Nikolla, në korrik 2010, ka kryer studimet Master në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzekutiv pranë Albanian University dhe në vitin 1989 ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, dega Matematikë, Universiteti i Tiranës”, – shkëputur nga CV-ja e ministres Nikolla në faqen e Kryeministrisë.

 

Artan Gaçi – Deputet, PS

Edukimi:

Instituti i Lartë i Arteve (dega Skulpturë)

Diplomuar në Drejtësi, Universiteti “Kristal”

 

Bedri Hoxha – Deputet, PD

Edukimi:

Qershor 1989: Diplomuar në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, dega Mësuesi.

Korrik  2009: Diplomuar në Universitetin “Kristal” Tiranë, dega Drejtësi.

 

Shkëlqim Selami – Deputet, LSI

Edukimi:

1985-1989: Shkolla e Mesme Bujqësore, Vlorë.

2006-2009: Universiteti “Kristal”, Fakulteti i Drejtësisë, Tiranë.

2009-2011: Master, “E Drejta Civile”, Universiteti “Kristal”, Tiranë.

2010: Vlerësuar me titullin “Kalorës i Paqes”, nga Fondacioni “Cianfranco Costa”, Itali.

 

Ylli Shehu – Deputet, PR

Edukimi:

2006-2011: Universiteti “Kristal”, Fakulteti i Drejtësisë.

2009- :Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency