Letra e Kapedanit të Mirditës: Ja ç’rrëfejnë për Enverin të arratisurit në Beograd

0
163

hoxha enverKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla, së pari me letërkëmbimin e Krujës me familjen Gjonmarkaj dhe kryesisht, siç do ta shohim në këtë vëllim, me kapedanin e Mirditës

 Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit të disa letrave, së pari me letërkëmbimin e Krujës me familjen Gjonmarkaj dhe kryesisht, siç do ta shohim në këtë vëllim, me kapedanin e Mirditës, Ndue Gjonmarkun, figurë e mirënjohur historikisht e Derës së Gjonmarkajve të Mirditës, që udhëhoqën luftën ma të vendosun antikomuniste të krahinës në fjalë e ma vonë e shtrin në tanë territorin e Shqipnisë.

“Çfarë përfytyrimi i kthjellët i s’ardhmes, çfarë idili shpirtëror me thelbin e atij përfytyrimi, çfarë besimi në fuqinë e së mirës që strehohet në thellësitë e pafund të shpirtit të popullit që jeton në një letargji të përkohëshme, thellësi të depërtueshme vetëm nga njerëz të mbrujtun me aftësinë për të parë larg, përtej horizontit të një epoke të përflakur nga ngjyra e gjakut! Prej saj burojnë ëndrrat më frymëzuese dhe përkunden shpresat më të guximshme për sendërtimin e s’ardhmes, edhe se errësira mbulon gjithshka”, – shkruhet mbi këto letra në parathënien e vëllimit të parë. Ndërsa vetë Kruja do të shprehej: “…Në pjesën mâ të kulluet, aty ku ndërgjegja ndritë si pasqyrë xhixhilluese, t’a ngrehim Idén e nji Shqipnije e cila për secilin prej nesh të ketë fytyrën e zêmrën e nânavet tona, edhe të jetë ngushllimtare, dashunore e e adhurueshme, por sidomos e drejtë kundrejt të gjithë të Bijve në të dám të hirevet e të miradinavet të veta…”. Ky profil i Shqipërisë, asaj të ëndërruar artikulon në letrat e Krujës jo vetëm mendimin e hapur, pa pasione politike, pa urrejtje e mllefe, por për të zënë vend si një shtet i lirë, e përcjellë vlerat qenësore të kombit. Letrat e mëposhtme dëshmojnë se si po arrinte Enver Hoxha të merrte pushtetin total mbi shqiptarët, përmes terrorit dhe të arratisurit nga Shqipëria rrëfenin “të zezat” që po ndodhnin.

 

***

Romë, 3 – II – 1953

I dashuni Mustafë,

 

Sot mora letrën t’ande të shkrueme me datë 28.I.1953 dhe me të diftue të drejtën kam qeshë me të madhe aq sa më vite marre se kishem frikë se po më sheh ndokush tue qeshë me veti e do të mendote se kam luejtë. Natyrisht gazi më duelë kur pashë në letër mea culpa t’anden e nuk më hite në krye se pse gjithë ajo mori trazimi, për nji gja qi nuk ka kurrfarë randësije të veçantë. Edhe letrën e parë më shkoqitje e kam marrë dhe i kam shkrue me nji herë Matos, natyrisht pa përmendë aspak emnin t’and. I kam thanë se emni i tij asht harrue prej artikullshkruesit por pa kurrfarë qëllimi të keq. Për ma tepër, i kam thanë, at artikull nuk e ka shkrue Kola. Ai madje as nuk ka pasë dijeni n’at qashtje. I kam shkrue se në numrat qi do të vijnë do të dali nji artikull tjetër n’Albanie Libre të cillin kam me e shkrue unë vetë por, natyrisht pa emën e aty kam me korrigjue edhe at gabim qi asht ba në numrin qi përmbante artikullin me Histori në Dorë. Por i kam shkrue se në qoftë se ai ngul kambë për me e publikue letrën e tij integralisht në gazetën e Blokut Albanie Libre edhe ate kam me e ba.. Të shofim se shka ka me m’u përgjegjë.

Tashti me ty. At artikull nuk e ka shkrue Kolë Biba. Ate e ka shkrue nji mik i jemi qi e kam si vëlla e asht Lin Shkreli. Mbas sa e sa mundimesh tue i mbledhë andej e kndej të gjitha shenjimet e perpjekjevet e sidomos të Lidhjes së Shkodrës, pse rreth asajë përmblidhet artikulli e veprimtarija organizative e politike ndër male e jo aq për veprimtarinë ushtarake, siç duen të thonë disa, më kërkoi ndihmën t’eme dhe unë me gjithë qef ia dhashë. Natyrisht n’at artikull janë shumë gjana qi mungojnë por asht parapa se në nji kohë të dytë duhet të dali nji tjetër mbi lëvizjet e ndryshme antikomuniste në Shqipni gjatë këtij regjimi. Edhe më duket se ai artikull ka qenë mjaft objektiv. Aq asht e vërtetë sa qi as Partija Agrare nuk ka pasë se shka me thanë vetëm se kan qitë nji letër mizerabile, gjoja e ardhun nga Jugosllavija, e cilla nuk më duket se asht e vërtetë dhe, për ma tepër, ajo jo vetëm qi ka frymë komuniste, por asht krejtësisht komuniste. Nëse nuk e ke pa po t’a dërgoj e lexoje. Në at letër qi i kam shkrue Matos i kam kërkue edhe bashkëpunimin e tij rreth këtyne qashtjevet tue i a theksue se janë shumë sende qi sot për sot nuk mundemi me i përmendë aspak. Të shofim se çfarë përgjegjeje do të më api. Me të diftue të drejtën unë nuk e kuptoj kët lloj njeriu i cilli idhnohet sepse nuk i u përmend emni në gazetë e, për ma tepër, tue i thanë se ajo ndreqet kollaj fort. Shqipo hesapi. Kaq me qashtjen e Matos.

Kndej nuk kemi kurrgja të ré. Të gjitha punët janë njashtu sikur i dishron Enver Hoxha. Ai s’kishte mujtë me i pshtjellue shqiptarët ma tepër edhe sikur të kishte derdhë të gjithë kasën e shtetit. Këta të mjerët po ia çojnë ujin në mullí Enverit me shokë. Por shpresojmë të ketë nji Zot.

Prej Nikollit kam marrë letra e asht mirë. Në këto ditë, më duket se asht transferue për në nji qytet të vogël afër Beogradit. Besoj se ka me qenë mirë.

Ata qi dalin prej Shqipnije e na shkruejnë, na shkruejnë të gjitha të zezat për vendin t’onë.

Tashti qi erdhën republikant në fuqi të shofim se shka po na qesin në dritë. Si duket menden nuk e kanë fort të rregullt d.m.th. e kan menden me i prushë fjalët e Zoti i u shtoftë inatin.

Ti si je me shnet? Shka të kan thanë doktorat? A jé për operacjon a jo? Më shkruej gjithsesi jo pse unë po kam se shka me të ba por s’pakut sa me e dijtë.

Na jemi mirë e ishalla po i pshtojmë influencës qi ka fillue të zgjanohet në të katër anët.

Me kaq tue të përqafue me mallë e dashuni si ty ashtu Gjelën iu dërgoj të falat e mija ma të përzemërtat, i yti gjithmonë.

Ndue Gjomarkaj (firma)

 

 

 

 Romë, 27 korrik 1956

I dashtuni Mustafë,

Kemi marrë letrën t’ande me të cillën na vejshe në dijení të shkuemjes s’ate e të Gjelës për Amerikë. Nuk e merr me mênd se sa fort jemi pikllue e sidomos baba. Por n’anë tjetër ti jé tue shkue në shpi t’ande, te Bashkimi yt qi të pret me krahë haptë e bashkë me Gjelën të mbajnë si duhet e si të përket, jo vetëm si babë por edhe si personalitet i jetës kulturore e politike të kombit shqiptar. E kjo âsht nji e mirë qi Perëndija e ka rezervue për ty, mbas gjithë të kqijave qi të kanë ra për krye, për me e kalue pleqnín në paqë e qetësi. E prandej nuk duhet me u demoralizue. Natyrisht tue u largue prej kndej, qi âsht vêndi mâ i afërmi me Shqipni, njeriu trishtohet e zemra e tij mbushet me vaj kur mendon të dashtunit e vet n’at burg qi âsht Shqipnija e shkretë, por ti duhet të trimnohesh sepse bashkë me Bashkimin t’and të dashtun e Gjelën t’ande ke me mujtë e me ju shkue në ndihmë e me ju a lehtësue ndopak vujtjet fizike e ndoshta me ju lenue edhe vujtjet morale.      Largimi i yt prej kndej, natyrisht, ka me prekë zemrat e të gjith miqvet e të dashamirvet të tú e sidomos të babës e t’emen qi të duem aq fort, të çmojmë sa askend tjetër e dishrojmë me të pasë gjithmonë afër. Megjithatê na kemi me kenë gjithmonë pranë teje me mênd e me zemër, pranë teje me të gjithë dashunin t’onë. Kudo qi ti të shkojsh na kemi me të ndjekë si të dashtunin t’onë mâ t’afërmin e t’a besojsh se ké me kênë përherë në gojën e në zemrën t’onë. Besoj se këto qi po të shkruej ké me i marrë për të vërteta e të jesh i sigurtë, i dashtuni Mustafë, se ti sot për sot je i vetmi njeri qi me të vërtetë konsiderohe si nji vëlla prej babës e si nji babë prej meje. E largimi yt pa u pá, Zoti mos e thashtë, për të mramen herë, na ka prekë mun në loçkën e zemrës. Por jeta âsht e giatë e, si i thonë nji fjale: veç mali me mal nuk përpiqet se njeri me njeri po, prandej nuk âsht e thanun se Perëndija nuk ka me e premtue qi të shifemi edhe nji herë në vendin t’onë të liruem.

I dashtuni Mustafë, nuk dij se shka me të thanë. Nuk gjej fjalë me të tregue dashunin t’eme, nderimin qi kam për ty e zemra nuk më ban me të thanë udha e marë. Megjithate si e pastë premtue Zoti ashtu u baftë.

Me kaq, tue të përqafue me dashuni atnore po të tham: Zoti t’a priftë marë, të ndjefsha gjithmonë zanin e mirë, mos u ligshtò por qindrò i fortë për veti e për né.

I yti gjithmonë Ndue Gjomarkaj (firma)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency