Ronaldo: Vendi i tretë, detyrim për Brazilin

0
136

cr7-press1“Fenomeni” Ronaldo është i shtangur nga humbja turpëruese e Brazilit në përballjen ndaj Gjermanisë në Belo Horizonte. Për ish-sulmuesin brazilian, ky dështim është i rëndë, ndërkohë që tashmë, sipas tij, verdhejeshilët kanë si detyrim që të dalin të tretët në këtë kompeticion. Ronaldo ka një kërkesë për lojtarët dhe trajnerin Luiz Felipe Skolari. “Tani për Brazilin, të dalë i treti në renditje është një detyrim. Skuadra pagoi një çmim të shtrenjtë për gabimet që bëri në fushë dhe tashmë ka detyrim që të paktën t’i lumturojë të gjithë tifozët me fitimin e sfidës tjetër”, – ka thënë ish-kampioni i botës në 2002. Për “Fenomenin”, një humbje e tillë 7-1 është tronditëse, për më tepër që shumë tifozë ëndërronin që në këtë Botëror do të ishte Brazili skuadra që më 13 korrik do të ngrinte lart trofeun. “Tifozi është ai që vuan më shumë nga streset që sjellin humbjet dhe tani është detyra e kombëtares që të risjellë sërish buzëqeshjen tek ata”, – vijoi “Fenomeni”. Por, Ronaldo e di se do të duhet shumë punë që tifozët të buzëqeshin pas turpërimit të vuajtur dje në “Estadio Mineirao”.

 

 Klose: I habitur nga ajo që ndodhi, i lumtur për rekordin

Mbrëmja e Belo Horizontes do të mbetet e paharrueshme për Miroslav Klosen. Goli i minutës së 23-të, i dyti në serinë e finalizimeve të “panterave” në fitoren e thellë 7-1 ndaj Brazilit, e shndërron 36-vjeçarin në golashënuesin më të mirë të botërorit, duke lënë pas edhe “Fenomenin” Ronaldo. Një statistikë e pabesueshme për një sulmues që ka debutuar në Kupën e Botës në vitit 2002. Katër herë radhazi në gjysmëfinale, 16 gola të shënuar, duke lënë pas emrat më të mëdhenj të historisë së futbollit. Ronaldo është ndalur në shifrën e 15 golave, Gerd Myler nuk shkoi më shumë se 14 finalizime, Fonten 13 dhe mitiku Pele 12. Për Miron, është një ëndërr nga e cila e ka të vështirë të zgjohet. “Ende nuk po e kuptoj se çfarë ka ndodhur, nuk e di çfarë të them. Luajtëm shumë mirë dhe në harmoni të plotë. Bëmë thjesht ato gjëra që i provojmë në stërvitje. S’ka asgjë të veçantë. Jam shumë i lumtur për golin tim”, – është shprehur Klose. Thjesht magjik edhe Tomas Myler, i cili u ngjit në kuotën e 5 golave në Brazil 2014, shifër e cila e shpalli golashënuesin më të mirë katër vjet më parë në botërorin e Afrikës së Jugut. Në moshën 24-vjeçare ka arritur shifrën e 10 golave në Kupën e Botës dhe me këtë ritëm mund ta zbresë nga froni mbretin Klose ndoshta që në Rusi 2018.

 

 Humels: Tashmë mund të bëjmë ëndrrën realitet

Një ndër aktorët më të rëndësishëm të suksesit të skuadrës së tij, Mats Humels, ka thënë se Gjermania duhet të fokusohet në titullin dhe të mos gëzohet shumë pas fitores ndaj Brazilit. “Ne mendojmë se tani ëndrra mund të bëhet realitet, dhe për këtë duhet të tregojmë më të mirën të dielën. Ishte një lojë shumë e qetë për ne. Këtë po e themi pa arrogancë, ne thjesht nuk kemi pasur emocione aspak. Është një gjë speciale, për të cilën secili ka dhënë kontribut. Tani do të tentojmë të japim më të mirën për të bërë ëndrrën tonë realitet”.

 

Pele: Nuk pritej një humbje e tillë

Ish-legjenda e skuadrës braziliane dhe një ndër ikonat më të mëdha të futbollit botëror, Pele, është shprehur i tronditur për rezultatin e ndeshjes Brazil-Gjermani. Gjithashtu ai u shpreh se shpreson që të shikojë ekipin e tij kampion në Botërorin e 2018-ës që do të zhvillohet në Brazil. “Gjithmonë kam thënë që futbolli është një udhëtim me shumë surpriza. Asnjëri nuk e priste këtë rezultat”, – deklaroi legjenda në profilin e tij në “Twitter”. Do të marrim të gjashtën në Rusi 2018”, – deklaroi ikona që në fund mesazhin tij e mbylli edhe më një urim për skuadrën gjermane që arriti të merrte një triumf të madh.

 

 Levandovski prezantohet te Bajerni: Gati për të dhënë maksimumin

Polaku Robert Levandovski u prezantua zyrtarisht si futbollist i Bajernit të Mynihut, skuadër me të cilën do të luajë për 4 vitet e ardhshme. Në fakt, kontratën me bavarezët sulmuesi polak e kishte nënshkruar që në muajin janar, por priste përfundimin e sezonit për t’u vënë nën urdhrat e Pep Guardiolës. Në prononcimin e parë me fanellën e Bajernit, Levandovski siguroi se është gati për aventurën e tij të re. “Kam kaluar 4 vjet te Borusia dhe e kuptova se kishte ardhur momenti për të hedhur hapin tjetër në karrierë. E di që çdo lojtar i ri ka nevojë për pak kohë që të përshtatet, megjithatë besoj se kjo periudhë do të jetë e shkurtër. Do të jem gati për të dhënë maksimumin tim që në ndeshjen e parë të sezonit. Ndihem shumë mirë ndërsa bateritë i kam plot për sezonin e ri”, – u shpreh sulmuesi polak. 25-vjeçari është aktivizuar në 131 ndeshje të Bundesligës dhe ka shënuar 74 gola me fanellën verdhezi të Borusias që kur u transferua nga Lech Pozhnan në vitin 2010.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency