Në Opera s’do të ketë paqe

0
142

Violeta Murati

artistet - proteste-webNjë ditë më parë, një takim i shpejtë mes medias dhe drejtorit të Teatrit të Operas dhe Baletit nuk zbardhi çështjen që po zien prej tre muajsh: firmosjen e kontratës së punës. Ilir Kerni, i ri në punët e administrimit, e ka të vështirë të pranojë se është në anën tjetër, veç asaj me artistët. Por kjo nuk pi aq shumë ujë, kur gjërat janë konkrete dhe jo aq romantike sa mund të mendohet artisti.

Para dy ditëve këta të fundit kanë ndërprerë provat e koncertit në shenjë proteste kundër firmosjes së kontratës të propozuar nga Ministria e Kulturës që ka pasojë mos marrjen e pagave për muajin qershor. Kerni e ka quajtur të jashtëligjshëm ndaljen e provave të koncertit. Gati ka thënë se e jashtëligjshme do të ishte dhe dhënia e pagave nëse artistët nuk firmosin kontratat. Por ka thënë qartë gjënë më evazive, se është i bindur se të gjithë do ta firmosin kontratën, e kështu s’do të mbetet njeri pa paguar.

Për ata që janë të vjetër në opera ka pak gjasa që punët të rregullohen, se tani ka “rënë flaka” në Opera. Sigurojnë se kontratat nuk firmosen. Ndonëse Kerni tha para mediave se gati 60% e artistëve kanë firmosur, duke mos kthyer përgjigje për firmën e 82 të tjerëve që dorëzuan dje në drejtorinë e TOB. Madje, këta të 82 artistë kanë kërkuar radikalisht dorëheqjen e Kernit, duke pohuar se do të ndjekin rrugë ligjore, deri në padi gjykate.

Kjo situatë e hedhur edhe në media ka shkaktuar alarm në Opera. Edhe pse nuk është hera e parë precedenti i përplasjes institucionale, deri në ndërprerje të shfaqjes siç ajo e vitit 2000 kur po këta artistë lanë operan “Norma”, dhe masa që u mor ishte pushimi nga puna e pesë artistëve. Pas kësaj ngjarje tashmë e dijnë të gjithë se situata precipitoi në një grevë unikale të artistëve të Operas. Këtë herë po të ishte opera do ta ndërprisnin, po në fakt në TOB ka tre muaj që vihen vetëm koncerte me urdhër të drejtores artistike, Abigeila Voshtina, prej së cilës dje ka dalë dhe vendimi se, nëse nuk firmoset kontrata, vendet e punës shpallen vakant. Për këtë të fundit fjalët vërtiten më shumë, se ka uzurpuar institucionin dhe ka dëshirë ta transformojë konceptin e opera në Filarmoni.

Kjo nuk dihet nëse bazohet në ligj apo në vullnete politike, kur Opera nuk e ushqen aq këtë nevojë të vakët. Nuk dihet a përfaqëson këtë ndryshim dhe ideja që kërkonte të gjente dje si justifikim për mediat nga Kerni, kur tha se “jemi në procesin e organigramës së re”. Në fakt kur flitet për ristrukturim si gjithandej e gjithmonë, fjala është për zëvendësimin e vendeve të punës, që shpesh kalojnë nga një parti në duart e një partie tjetër. Edhe TOB nga kjo është prekur, me kushërinj e farefis të ministrave e politikanëve që s’besojmë se po realizojnë ndonjë ambicie artistike, përveç asaj personale si për një vend pune, ashtu dhe për të shtrirë pushtetin “artistik” edhe në të ardhmen.

Por mes Kernit dhe Voshtinës ka disa mospërputhje, artistike po e po. Duke krahasuar numrin e artistëve të punësuar, çfarë kanë deklaruar, dhe një realiteti tjetër siç është firmosja e peticionit nga 82 artistë, si Kerni dhe Voshtina ngatërrojnë shifrat. Që ka një diktat në opera kjo është e qartë, përderisa disa artistë marrin veprime radikale për të shprehur shqetësimin dhe mospërputhjen e tyre në raport me politikat që po ndjek aktualisht drejtimi i ri i Operas. Ka zëra për “rrënjë të thella” të Cikos, ish-drejtorit. Por kjo bëhet aq ironike edhe kur vetë Voshtina deklaron për mediat se, ka një kontratë katërvjeçare për pozicionin e punës që i është dhënë nga ministrja e kulturës Kumbaro. Të gjithë duan të flasin për thelbin e çështjes që mbetet te audicioni. Kjo është e vetmja që anashkalohet duke u përqendruar të gjitha palët tek firmosja e kontratës, e kërcënimi se do mbeten pa punë, e pa pagë.

Për ta kuptuar pak më gjerë situatën, Kerni ka shprehur, se “ka luftuar që teatri të mos mbyllet” dhe artistët “nuk do të nxirren pa punë në rrugë”, dhe se “askujt nuk i hahet haku”, por pasi të rregullohen me organigramën e re! Disa nuk besojnë se pas deklaratave të drejtores artistike dhe Kernit gjendja në Opera do rregullohet. Tashmë ka “rënë flaka” thonë, dhe s’do të ketë kohë të mira, derisa edhe konfliktet e tyre të brendshme, mes njëri tjetrit, çojnë në shikimin e operas si pronë e politikë bashkë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency