Shkodër/ Vrasja e Altin Koçekut, pranga autorit pas dëshmisë së shokut

0
154

Anxhela Tato

vrasja e shkodresRrëfimi i 17-vjeçarit: Altin Koçeku u vra nga Palush Demiraj, më kërkoi të merrja përsipër krimin

Viktima u ekzekutua kur po futej në makinë, sipas 17-vjeçarit shënjestra ishte shtetasi I.D. i shpallur në kërkim

Dëshmia e Alban Lulushit çon në pranga autorin kryesor të dyshuar për vrasjen e Altin Koçekut. Para togave të zeza 17-vjeçari pohoi se Palush Demaj i ka kërkuar të marrë përsipër krimin, pasi ai do e shlyente me gjak. Por pesha e ndërgjegjes dhe frika për familjen e ngujuar kanë bërë që 17-vjeçari të tregojë të vërtetën në masën e sigurisë së datës 19 maj. Kjo deklaratë ka qenë sinjalizimi për blutë, të cilët ditën e djeshme kanë vënë në pranga 21-vjeçarin Palush Demiraj. Sipas rrëfimit të të miturit vrasja e Koçekut ka qenë aksidentale, pasi shënjestra ishte shtetasi I.D., i shpallur në kërkim. Alban Lulushi i ka kërkuar ndihmë shokut të tij Demiraj, i cili ka marrë armën dhe ka shtënë në drejtim të makinës, duke mos e ditur që brenda ishte një person. Policia është duke verifikuar versionin e dhënë nga 17-vjeçari, por dyshimet  i ka që shkaku i krimit ka qenë një konflikt për çështje femrash. Nga të dhënat e bluve ka dyshime ende të pakonfirmuar se autori ka ngacmuar kushërirën e viktimës, por mbetet për tu vërtetuar. Prangosja e tij ka ardhur si rezultat i dëshmisë së dhënë javën e kaluar nga Alban Lulashi, i dyshuari tjetër i vrasjes së të riut 24 vjeçar. Lulashi, 17 vjeç, në dëshminë e tij, mohoi autorësinë e vrasjes duke thënë se atë e ka bërë Demaj, por që ky i fundit i ka kërkuar të marrë fajin përsipër. “Demaj më tha t’i merr autorësinë përsipër, unë të marr gjakun. Por jam penduar se kam familjen e ngujuar”, – u shpreh për ngjarjen 17-vjeçari Lulashi në dëshminë e tij. Ndërkaq Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën arrest me burg për Alban Lulashin.

 

Seanca gjyqësore

Gjykata e Shkodrës zhvilloi më datë 19 maj seancën e caktimit të masës së arrestit për 17-vjeçarin Alban Lulashi. Prokurori Lazër Shytani lexoi dinamikën e ngjarjes së ndodhur në 15 maj në fshatin Hot i Ri, ku për pasojë mbeti i vrarë 24-vjeçari Altin Koçeku, ndërsa u shpallën në kërkim disa persona të akuzuar si bashkëpunëtorë të autorit të dyshuar, Lulashi. Por ndryshe nga sa ka deklaruar në polici, i mituri surprizoi gjykatën dhe prokurorinë me dëshminë e tij. Albana Lulashi tha para togave të zeza se nuk kishte qëlluar ai me automatik në drejtim të automjetit tip “Benz”, por kishte qëlluar shoku i tij Palush Demaj. “Krimin e mora përsipër, pasi ma kërkoi Demaj, duke më thënë: “Ti merr autorësinë pasi je i mitur, unë të marr gjakun”, – ka rrëfyer 17-vjeçari. Më pas, ai ka deklaruar se vrasja e 15 majit ka ndodhur aksidentalisht, pasi objektiv ishte dikush tjetër jo Koçeku. Sipas tij, konflikti ka qenë mes tij dhe shtetasit I.D edhe ky i shpallur në kërkim nga policia. “Shtetasi I. D. më ka kërcënuar në telefon dhe për këtë gjë unë kam lajmëruar të afërmit e mi dhe shokët. Pas kërcënimit në telefon, ai më ka kërkuar të takohemi dhe e kemi lënë në fshatin Hot takimin. Aty shtetasi I. D. ka qëlluar në ajër për të trembur shokët e mi, Palush Demaj dhe Alfred Rrasën. Në kundërpërgjigje shoku im Palush Demaj ka marrë automatikun poshtë banakut të lokalit ku punonte dhe ka qëlluar në drejtim të makinës “Benz”. Për shkak të xhamave të zinj, nuk e kemi ditur se brenda saj ndodhej 24-vjeçari Altin Koçeku, që mbeti i vrarë nga një plumb që e goditi në kokë. Menjëherë pasi Demaj qëlloi në drejtim të makinës, u larguam të gjithë, ku ne fshehëm edhe armën e krimit në zonën e Zallit të Kirit”. Pasi përfundoi rrëfimin i mituri, prokurori kërkoi të vlerësohej si i ligjshëm arrestimi dhe të lihej në burg 17-vjeçari. Ndërkohë që ka reaguar edhe avokati i tij Rroksan Sheldija, i cili kërkoi caktimin e masës “Arrest shtëpie” për klientin e tij, me argumentin se ai është i mitur dhe ka kryer çdo veprim në kushte vetë mbrojtje, por kjo nuk u pranua nga trupa gjykuese e kryesuar nga Arber Çela.

 

Vrasja

Më datë 15 maj një 24-vjeçar u ekzekutuar me kallashnikov në fshatin Hoti i Ri në komunën Rrethina pas një konflikti të çastit me një bashkëmoshatarin e tij. Ngjarja mësohet se ka ndodhur për motive banale. Altin Koçeku, 24 vjeç është qëlluar me breshëri kallashnikovi e për pasojë ka humbur jetën në spitalin rajonal të Shkodrës, ku ishte dërguar në gjendje të rëndë. Sherri ka nisur kur 24-vjeçari Koçeku ka qenë brenda një lokali në fshatin Hot dhe ka nisur të debatojë me autorin e krimit, i cili në fillim rezultoi se ishte 17-vjeçari Alban Lulashi po nga fshati Hot i Ri. Sipas dëshmitarëve debati ka degjeneruar deri në fyerje të rënda mes dy të rinjve. Pas debatit autori është larguar menjëherë nga lokali dhe ka shkuar në banesë ku edhe ka marrë armën e zjarrit tip kallashnikov për t’u rikthyer përsëri. Në momentin që Koçeku ka qenë duke u futur në automjet, autori e ka qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një distancë e afërt, ndërsa është larguar menjëherë. Për pasojë 24-vjeçari ka marrë disa plumba në organet jetësore, ndërsa është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës nga banorë të zonës por sapo është futur në sallën e kirurgjisë ka humbur jetën, për shkak të hemorragjisë.

 

Korçë/ U denoncuan të zhdukura, gjenden 2 të miturat, kishin qëndruar tek një shoqe

Gjenden pas tre ditësh dy vajza adoleshente nga Korça, të cilat ishin denoncuar si të zhdukura nga familjarët e tyre. Mësohet se G.XH 13-vjeçe dhe G.B 14-vjeçe shoqe me njëra tjetrën, kishin ikur me lejen e prindërve në një piknik, por nuk ishin kthyer më në banesë. Kjo gjë ka alarmuar prindërit, të cilët kanë kërkuar edhe ndihmën e policisë. Pas kërkimeve vajzat janë gjetur në afërsi të fshatit Vranisht, aty ku dhe banonin. Në një intervistë për median familjarët deklarojnë se adoleshentet kishin qëndruar te një mikeshë e tyre, por mosnjoftimi në familje i ka alarmuar ato. “Vajzat shkuan për piknik, morën leje po nuk u kthyen. Nuk u kthyen, u alarmuam lajmëruam policinë. Vajzat kishin shkuar tek shtëpia e një shoqeje”.

 

Tropojë/ Gjendet e mbytur 47-vjeçarja, dyshime se vuante nga depresioni

Gjendet e mbytur në Lumin e Valbonës një 47-vjeçare nënë e tre fëmijëve, e cila rezultonte e zhdukur që prej 28 ditësh. Policia bën me dije se viktima është Sanije Gega dhe trupi i pajetë është gjetur në afërsi të fshatit Dushaj. Familjarët, të cilët kanë bërë identifikimin e kufomës kishin bërë denoncimin në polici për zhdukjen e të afërmes së tyre, më datë 27 prill. Nga ekzaminimet e para të policisë behët e ditur se 47-vjeçarja nuk ka shenja dhune në trup dhe dyshohet se është vetëmbytur. Të afërm të saj dëshmojnë se ajo së fundmi përjetonte një gjendje të rënduar emocionale, pas martesës së vajzës së saj të vetme. Ajo kishte dhe dy djem të tjerë, njëri prej të cilëve studion në Tiranë, ndërsa djali tjetër është i martuar dhe jeton me familjen e tij. 47-vjeçarja jetonte në komunën Margegaj në Tropojë, vetëm me bashkëshortin.

 

Tiranë/ Qiraxhiu grabit shtëpinë, nuk kursen as dyer e as dritare

Një qiraxhi është larguar nga banesa jo vetëm duke mos shlyer qiranë, por madje nuk ka lënë asnjë orendi. Për t’i vënë “kapakun” vjedhjes, qiraxhiu ka hequr edhe dyer e dritare, të cilat i ka marrë. Ngjarja ndodhi pak ditë më parë në zonën e Yzberishtit në Tiranë, ndërsa pronari i apartamentit ka kryer dje denoncim në polici. M.B, i tha policisë se kishte lëshuar apartamentin e tij të kompletuar me qira. Ai ishte njoftuar nga banorë të pallatit se shtëpia ishte pa derë dhe pa dritare. Me të mbërritur në shtëpinë e tij, M.B, ka konstatuar zhdukjen e qiraxhiut si dhe boshatisjen e shtëpisë. Sipas tij, në vend të dritareve ishin vendosur perde për të mos rënë në “sy” mungesa e tyre nga jashtë. Policia tha se ka nisur hetimet për të zbardhur vjedhjen si dhe për kapjen e autorit.
Sukth/ Sekuestrohet 5 kg kanabis dhe armë automatike në një trailer

Pas informacioneve në rrugë operartive, policia e Tiranës ka bërë të mundur sekuestrimin e 5 kg kanabis sativa dhe një arme automatik, në një nga trailerat e firmës “Kapurani Trans” me qendër në Sukth. Në pranga të policisë kanë rënë deri në këto momente dy persona, punonjës të firmës “Kapurani Trans” në pronësi të Foto Kapuranit. Nga informacionet e mbledhura në rrugë operative dhe nga hetimet paraprake, po hetohet edhe më tej pasi dyshohet se kjo kompani, duke e fshehur sasinë e lëndës narkotike në trailera, kryente transportimin e drogës drejt Gjermanisë dhe Italisë. Aktualisht po kryhen hetime dhe kontrolle në banesat e personave të ndaluar, ndërsa trailerat si dhe parkingu është vënë nën kontrollin e uniformave blu.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency