Rama: Do ndërtojmë Byronë Kombëtare të Hetimit

0
156

opinion“Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka rënë. SHKB është kthyer në një lloj SHIKU të brendshëm”

Kryesocialisti Edi Rama deklaroi një ditë më parë se me ardhjen e të majtës në pushtet, do të koordinohen të gjitha strukturat e hetimit dhe kontrollit të brendshëm, në një organ të vetëm që do të quhet Byroja Kombëtare e Hetimit. Deklaratat e tij u bënë gjatë prezantimit të programit politik “Për një Rilindje Kombëtare”, në pikën ku flitet për rendin publik, në emisionin “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan, ndërkohë që qëndrimet e tij për këtë çështje u kritikuan nga analistët e ftuar në studio, Henri Çili dhe Arman Shullaku. Sipas analistëve, Byroja e Përgjithshme është e rrezikshme duke e lidhur këtë çështje me rikthimin e byrosë si etiketim i sistemit enverist.

Në replikë me gazetarin Çili, kryesocialisti Rama tha se ideja e koordinimit të institucioneve të kontrollit të sigurisë në një të vetëm, vjen si pasojë e një ngrehine institucionale me këto struktura të ngritura deri më sot. Për këtë ai përmendi se ka pasur një konsultë të vazhdueshme me ekspertë vendas dhe të huaj.

RAMA

“Byroja kombëtare e hetimit është një institucion i kërkuar në mënyrë të përsëritur nga e gjithë asistenca ndërkombëtare për të bashkuar në një strukturë të vetme një sur shërbimesh. Ne themi që në këtë strukturë të organizojnë të gjitha këto shërbime që janë pa koordinim, konsumojnë pare pa fund dhe nuk janë në funksion të policisë. Kjo strukturë do të garantojnë një mirëfuksionim të brendshëm edhe koordinim me struktura të tjera të hetimit të brendshëm edhe me prokurorinë. Ne kemi bërë një sërë takimesh me ekspertë tanë dhe të huaj. Është një reformë strukturore ku këto shërbime do të amalgamohen në një strukturë të vetme dhe do të garantojnë që i gjithë procesi i kalimit të informacionit nga poshtë në majë, të jetë i garantuar. Sot të gjitha shërbimet bëjnë lojërat e tyre dhe askush nuk i shkon nga mbrapa”, – deklaroi Rama.

Sipas tij, sot Policia e Shtetit si ngrehinë institucionale ka rënë. “Shërbimi i kontrollit të brendshëm ka rënë. SHKB është kthyer në një lloj SHIKU të brendshëm”, – tha kreu i PS-së.

Gjithashtu kryesocialisti kritikoi edhe rekrutimin e ekspertëve në forcat e policisë së shtetit duke thënë se në këto struktura, një pjesë e mirë e tyre janë rekrutuar militantë partiak.

Sot marrja në punë në polici është me lekë dhe sa më i lartë rangu aq më i lartë shuma e parave. Ne do të vendosim standarde. Ne në këtë program nuk kemi shpikur asgjë të re. Ne do të ndërtojmë evropën këtu”, – tha Rama.

Duke folur për gjendjen e kriminalitetit në vend, Rama tha se Shqipëria për 100 mijë banorë ka 4 herë më shumë vrasje sesa vendet e BE-së.

Ndërkaq, i pyetur nga gazetari Shullaku se ka apo jo persona të inkriminuar në listat e kandidatëve të PS-së për deputet, Rama iu përgj duke thënë se: Kemi kërkuar dhe kemi marrë dëshmitë e penalitetit nga të gjithë ata që janë në skuadrën tonë për deputet.

Gjatë prezantimit të djeshëm të programit politik “Për një Rilindje Shqiptare”, ekspertët e PS-së parashtruan për publikun dhe gazetarët e ftuar në studion e emisionit “Opinion”, pikat kryesore të programit. Përballë, gazetarëve, Çili, Tela, Shullaku dhe Nazarko, ishin specialistët e PS-së, Cani, Tahiri, Bejqja dhe Gjermeni.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, iu përgj pyetjeve të bërë nga paneli i gazetarëve lidhur me pikat kyçë të programit, por edhe pyetjeve të tjera që kishin të bënin me deklaratat e kreut të PS-së në fushatë elektorale. Në pyetje-përgjigjet e Ramës me gazetarët, në jo pak raste pati edhe debate për profesionalizimin e pyetjeve dhe mbajtjen e premtimeve.

 

 

Gjermeni: 100  mijë familje në Shqipëri, jetojnë me 40 mijë lekë të vjetra

Englantina Gjermeni, njëkohësisht kandidate e PS-së për deputete në zgjedhjet e 23 qershorit, gjatë prezantimit të programit politike të Partisë Socialiste në emisionin “Opinion” deklaroi se 100  mijë familje në Shqipëri, jetojnë me 40 mijë lekë të vjetra në muaj. Sipas saj, në Kukës 73 për qind e familjeve jetojnë me ndihmë ekonomike dhe zonat veriore që kanë mbështetur më shumë Partinë Demokratike, janë lënë në harresë lidhur me programet sociale dhe punësimin. Në rang kombëtarë tha Gjermeni, 13 për qind e familjeve marrin ndihmë sociale. Gjatë prezantimit të pjesës së programit politik me temë “Familja në ndihmë ekonomike”, Gjermeni akuzoi qeverisë për nivelin e lartë të papunësisë në vend dhe mungesën e përkrahjes në programe sociale të shumë familjeve në vend.

 

Tahiri: Do luftojmë korrupsionin me kollare

Deputeti Sajmir Tahiri, njëkohësisht edhe kandidat i PS-së, për zgjedhjet parlamentare të 23 qeshorit, duke prezantuar pikat kryesore të programit politik për drejtësinë mbrëmë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, tha se me taksën e ndershme inspektori i policisë të paguaj më pak taksa. Sipas tij, një mbështetje e vazhdueshme do të jepet për familjet e punonjësve të policisë të rënë në detyrë. “Do të përmbysim sistemin e mëshirës që ka instaluar qeveria. Ne do të garantojnë figuracion të jetës për çdo punonjës policie. Oficerët e rënë në krye të detyrë ne do të garantojnë familjen e tyre në strehim dhe punësim, jo si një mëshirë ndaj tyre, por si një meritë e tyre ndaj detyrave të shtetit. Ne do të garantojnë ç’montimin e sistemit të pandëshkueshmërisë dhe të korrupsionit me kollare duke i hapur rrugë drejtësisë për të gjitha rastet që ne kemi denoncuar siç është rruga Durrës-Kukës, 21 janari etj”, – deklaroi Tahiri.

 

 

Nishani: Rajoni mund të amortizojë pasojat e krizës globale falë bashkëpunimit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë në samitin e 18-të të Presidentëve të Evropës Qendrore mbajtur në Bratislavë të Sllovakisë nga 12-13 qershor, ku pjesëmarrës ishin 19 krerë shtetesh, mes të cilëve dhe Kosova.

Presidenti Nishani në fjalën e tij e vuri theksin tek stabiliteti ekonomik si një dimension shumë i rëndësishëm dhe përcaktues, për sigurinë dhe paqen në rajon.

Në këtë kontekst, Presidenti Nishani u shpreh se vendet e rajonit mund të amortizojnë pasojat e krizës globale dhe të shkurtojnë kohën e saj, duke forcuar bashkëpunimin rajonal, ndërsa shprehu bindjen se projekte madhore rajonale si gazsjellësi “Trans Adriatic Pipeline” i njohur si (TAP) si edhe “Korridori i 8 –të”, Projekti Jonian, Terminali LNG, janë vepra, të cilat do të rrisnin frymëmarrjen ekonomike për të gjitha rajonet e tregjet nëpërmjet të cilave kalojnë.

Kreu i Shtetit nënvizoi se Ballkani, i etiketuar dikur si “fuçi baruti” mund të konsiderohet sot si një “rajon i shanseve të arta”, duke vlerësuar se marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar më 19 Prill 2013 në Bruksel mes Kryeministrave Thaçi dhe Daçic shënon një kthesë domethënëse drejt destinacionit të përbashkët, që është Bashkimi Evropian.

Duke garantuar se Shqipëria do të mbetet një promotore e forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut e bashkëpunimit rajonal, Presidenti Nishani theksoi se është e domosdoshme që vendet e Ballkanit të shkëputen nga hijet dhe atavizmat e së shkuarës, duke shpenzuar energji për të gjetur mënyrat më efektive të bashkëpunimit dhe duke hequr dorë nga sforcimet për të gjetur argumente përjashtimi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency