Pamundësia për të zgjidhur shkeljet, KQZ i drejtohet prokurorisë

0
163

Florenc Drizari

kqzMbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

KQZ vendosi ngritjen e padisë penale ndaj kryetarit të Komunës Kala e Dodës, Dibër, Bajram Himallarit

 

Komisioni Qendrori i Zgjedhjeve rikthen masat administrative ndaj krerëve të njësive vendore. Pas gjobitjes së disa kryetarëve të bashkive dhe komunave disa javë më parë për mungesë në dhënien e informacioneve në raport me KQZ-në, komisioni më i lartë i administrimit zgjedhor vendosi dje ngritjen e padisë penale ndaj kryetarit të Komunës Kala e Dodës në Dibër. Kryetari i kësaj komune, Bajram Himallari, akuzohet për shkelje të Kodit Zgjedhor me caktimin e qendrës së votimit, aty ku zgjedhësit e kanë të vështirë të shkojnë. Fillimisht lëvizja e qendrave të votimit në këtë zonë nga kryetari i komunës, Himallari, është ngritur si shqetësim në KQZ nga përfaqësuesi ligjori Partisë Demokratike Niazi Kosovrasti disa ditë më parë, por pamundësia e këtij komisioni për të ndërhyrë dhe zgjidhur çështjen njëkohësisht, bëri që kryetarja Lefterie Luzi (Lleshi) të deklaronte publikisht ngritjen e kallëzimit penal në prokurori ndaj kreut të qeverisjes vendore në Dibër.

KQZ

“Projektvendimin “Për shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike për procedurat e bashkimit të QV-së 1182, nga kryetari i Komunës Kala e Dodës, Qarku Dibër”. KQZ vendosi të mos ndryshojë bashkimin e Qendrave të Votimit 1180, 1182 të ZAZ-së Nr.18, të komunës Kala e Dodës, Qarku Peshkopi. KQZ gjithashtu vendosi të bëjë kallzim penal ndaj shtetasit Bajram Himallari, në detyrë Kryetar i Komunës Kala e Dodës, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Peshkopisë, si pasojë e përsëritjeve të vazhdueshme të shkeljeve të dispozitave të Kodit Zgjedhor”, – thuhet në vendimin e marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ndërsa nga ana e saj, kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi (Lleshi) gjatë mbledhjes së djeshme deklaroi: “Jemi në pamundësi të rregullimit të një vendimi të paligjshëm të kryetarit të komunës, por kjo nuk na pengon për të bërë kallëzim penal ndaj këtij kryetari komune i cili ka sjellë në vështirësi të gjithë zonën në lidhje me ndryshimin e qendrave të votimit duke I vendosur jashtë kritereve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor”.

Ndërsa përfaqësuesin ligjor të Partisë Demokratike në KQZ, Niazi Kosovrasti, zgjidhja e ngërçit të krijuar në Qarkun e Peshkopisë, është më e rëndësishme sesa ndjekja penale e kryetarit Himallari.

“E drejta e qytetarëve ku shkon? Kush do e zgjidhë këtë, prokuroria apo KQZ? Po ç’më duhet mua se kryetari i komunës shkon për ndjekje penale. E drejta e qytetarëve ku shkon? Është një e drejtë e qytetarëve që duhet vendosur, e cila është mohuar nga kryetari i komunës”, – tha Kosovrasti.

Një gjë e tillë konsiderohet si veprim i qëllimshëm i tij nga ana e përfaqësuesve të KQZ-së, nisur nga fakti se ky është rast i përsëritur nga Himallari. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se do të penalizojë të gjithë kryetarët e komunave që tentojnë të shkelin kodin elektoral.

Ndërkaq, një tjetër çështje e debatuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ishte edhe mbushja e mitingjeve elektorale me fëmijë të shkollave nëntë vjeçare apo të mesëm. Ky shqetësim u ngrit nga përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonçaj, i cili e quajti shkelje penale pjesëmarrjen e detyruar të fëmijëve në mitingje elektorale. “Një mësues që thotë do t’i vë notën fëmijës pse ta marr atu tek mitingu. Është vepër penale dhe nuk mund të merren fëmijët nga shkollat në mitingje”, – tha Gjonçaj. Nga ana e tyre përfaqësuesit e KQZ-së i tërhoqën vëmendjen atij se kjo çështje nuk ishte pjesë e rendit të ditës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ashtu si edhe në ditët e kaluara, KQZ vijoi me akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet e 23 qershorit nga organizata ndërkombëtare dhe vendase. Aktualisht, numri i të akredituarve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka shkuar afërsisht 3600 vëzhgues.

 

 

KQZ shqyrton sot qendrat e votimit në ambientet private dhe raportin e BMM-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i rikthehet paraditen e së premtes shqyrtimit të vendimeve për votimin në ambientet private. Miratimi i qendrave të votimit në ambiente private është shoqëruar me debate të ashpra mes përfaqësuesve ligjorë të të dyja palëve në KQZ, të PD-së dhe PS-së për faktin se në ato zona ku qeverisin të majtët në rang lokal, të djathtët kërkojnë ndryshimin e disa qendrave të votimit dhe anasjelltas.

Ndërkaq, KQZ pritet të shqyrtojë sot edhe raportin e dytë të Bordit të Monitorimit të Medias ku një pikë e nxehtë debati pritet të jetë edhe marrja në diskutim e një spoti publicitar të Postës Shqiptare.

“Projektvendim “Për shqyrtimin e kërkesës të Partisë Demokratike për ndryshimin e vendndodhjes të QV nr. 1420,14201,14202 dhe 14203, të Bashkisë Durrës”; Projektvendim “Për një ndryshim në vendimin nr. 276, datë 30.4.2013 “Për miratimin e disa qendrave të votimit në ndërtesa private, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 23 qershor 2013”; Projektvendim “Për një ndryshim në vendimin nr. 458, datë 21.5.2013,“Për miratimin e disa qendrave të votimit në ndërtesa private, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 23 qershor 2013”; Projektvendim “Për shqyrtimin e raportit të Bordit të Monitorimit të Medias, për datën 31.5.2013 deri më 6.6.2013”, – thuhet në zbardhjen e rendit të ditës të KQZ-së.

 

 

 

 

 

Raporti i OSBE-së për Ligjin e Medias: KKRT e RTSH rrezikojnë të mbeten instrument i politikës

Përfaqësuesja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për Lirinë e Medias, Dunja Mijatovic, dorëzoi raportin e radhës për lirinë e shtypit në botë në Këshillin e Përhershëm në Vjenë. Në këtë raport përmendet edhe Shqipëria ku thuhet se Mijatovic ngre shqetësimin lidhur me projektligjin për transmetimet duke sugjeruar se ligji i miratuar nga Komisioni për Edukimin dhe masmedian nuk është bërë me konsensus për Këshillin Kombëtar të Radio Televizionit, KKRT, dhe transmetuesin publik, RTSH, pra duke rrezikuar se të dy institucionet do të mbeten instrumente politike të shumicës parlamentare. “Zyra ime do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e legjislacionit të ri”, – shprehet Mijatovic në raportin e saj.

 

Vëzhguesit vendorë: Monitorojnë nga afër 350 qendra votimit vetëm në Tiranë

Koalicioni për Zgjedhjet e Lira dhe të Ndershme deklaroi një ditë më parë se do të monitorojë nga afër rreth 350 qendra votimi, të zgjedhura rastësisht në qarkun e Tiranës. Më pas përfaqësuesve të këtij koalicioni do të monitorohen 18 qendrat e numërimit në qark. Gjatë një konference për shtyp përfaqësuesit e këtij koalicioni paraqitën planin e vëzhgimit.

“Nga pikëpamja ligjore, koalicioni do të vëzhgojë të gjithë aktivitetin ligjor dhe administrativ të zhvilluar nga administrata zgjedhore, përfshirë KQZ-në dhe qendrat e votimit. Kështu, vëzhguesit tanë do të jenë në qendra të caktuara dhe do të kontrollojnë që nga momenti në të cilin paraqitet Komisioni dhe që bën punën përgatitore; do të vërehet nëse materialet zgjedhore kanë ardhur në rregull nga KZAZ-të, kanë qenë në gjendje fizike të mirë dhe do të shihet edhe puna për përgatitjen e ambienteve. Do të shihet edhe procesi i mbylljes, për ata qytetarë, të cilët ndodhen jashtë qendrës së votimit, jo për fajin e tyre, por që nuk kanë pasur mundësi të votojnë, si dhe procesi i mbylljes së materialeve dhe dërgimit të tyre pranë qendrave të numërimit të KZAZ-ve”, – tha Erind Mërkuri, ekspert ligjor.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency