Në 22 nëntor protesta/ Basha: Amnistim faturave abuzive të CEZ-it ndaj familjeve. Pse Rama fsheh rritjen e çmimit

0
142

Erneta Shevroja

 

tryeza 2Reagimi i Kryeministrit: Asnjë lëshim hajdutëve të energjisë. Vendi ndriçohet me reforma që çlirojnë energji transformuese, jo me pallavra e gënjeshtra

 

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i kërkoi qeverisë që të amnistojë të gjitha faturat abuzive të deritanishme për energjinë elektrike të gjitha familjeve shqiptare. Basha, në një tryezë me palët e interesuara, tha se qeveria po u faturon shqiptarëve shumën prej 600 milionë eurosh, që ia fali kompanisë çeke CEZ, ndërsa i bëri thirrje të sqarojë sa do të rritet çmimi i energjisë. I pranishëm në tryezë, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh në të njëjtën linjë me qëndrimet e kreut të PD-së, Basha. Ndërsa në reagimin e tij ndaj tryezës, Kryeministri Rama i cilësoi deklarimet e opozitës “gënjeshtra”.

 

 

Amnisti energjisë

Në një tryezë me ekspertë të ekonomisë dhe me përfaqësues të shoqatave e grupeve të ndryshme shoqërore në nevojë, kreu i opozitës, Basha, i bëri thirrje qeverisë të mos rrisë çmimin e energjisë elektrike, por të amnistojë faturat abuzive të CEZ-it. “Kërkojmë sot nga qeveria të mos rrisë në asnjë mënyrë çmimin e energjisë, por të marrë masa drastike për miradministrimin e Kompanisë së Shpërndarjes, uljen e humbjeve dhe kryerjen me emergjencë të investimeve të duhura në rrjetin e shpërndarjes. Qeveria të përmbushë detyrimet e saj para se të kërkojë sakrifica nga qytetarët. Ne kërkojmë sot amnistimin e faturave abuzive të vendosura nga kompania CEZ ndaj të gjitha familjeve”, – bëri thirrje Basha.

 

 

Sa do të rritet çmimi

Shefi i opozitës shtroi edhe një pyetje. “Pse zoti Kryeministër nuk tregon se sa do të jetë çmimi i energjisë? Çfarë po fsheh? Pse ka frikë të përballet me qytetarët e tij?”, – deklaroi Basha, duke shtuar se qeveria po zhvillon aksione, me qëllim që të shmangë vëmendjen nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Kryetari i opozitës u ndal edhe në marrëveshjen mes qeverisë dhe kompanisë CEZ, e bërë muaj më parë, ku u falën 600 milionë euro. Kjo shumë e falur, sipas Bashës, sot me rritjen e çmimit të energjisë, po u faturohet konsumatorëve shqiptarë. “S’e pati fare të vështirë, madje na e shiti si arritje të madhe megavjedhjen, skandalin e faljes së 600 milionë eurove detyrime të pranuara të kompanisë CEZ kundrejt shqiptarëve. Me këto 600 milionë euro Kryeministri mund të kishte investuar në përmirësimin e sistemit dhe nuk do të kishte nevojë të rriste çmimin. Por nuk e bëri. Zgjodhi që këtë t’ua faturojë qytetarëve”, – tha Basha.

 

 

Fasha

Ish-kryeministri Sali Berisha e vuri theksin tek fasha mbrojtëse. Sipas tij, çdo vend që është në këtë stad zhvillimi ekonomik, e ka të detyruar fashën mbrojtëse prej 300 kilovatë-orësh. Kjo, sipas Berishës, për arsyes se janë 2 milionë njerëz që lehtësohen nga kjo masë dhe nuk harxhojnë më shumë se 300 kilovatë-orë energji elektrike. Berisha gjithashtu tha se sot çmimi i energjisë në Shqipëri është më i larti nga të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe nuk mund të tolerohet më edhe një rritje tjetër. “Fasha është një detyrim për çdo qeveri të një vendi në stadin tonë të zhvillimit. Ajo është një garanci. Ndërsa tani këta që kanë më pak po tatohen dhe po u rriten taksa të paktën me 40% kurse ata që kanë me shumë dhe konsumonin për komoditetin e tyre më të madh 700 apo 800 kilovatë tani do paguajnë si këta”, – tha Berisha, ndërsa theksoi se sot vendi ndodhet në emergjencë kombëtare dhe bëri thirrje për të protestuar.

 

 

Rama: Asnjë lëshim hajdutëve të energjisë

 Pas mbylljes së tryezës, dje pasdite reagoi Kryeministri Rama lidhur me tryezën dhe kërkesat e Partisë Demokratike për mosrritje të çmimit të energjisë elektrike. Në një shënim në profilin e tij, Kryeministri tha se nuk do të bëhet asnjë lëshim për hajdutët e energjisë elektrike. “Asnjë kthim pas, asnjë lëshim për hajdutët e dritave”, – shkroi Rama në “Facebook”. Ndërsa deklaratat e opozitës kreu i qeverisë i cilësoi pallavra dhe gënjeshtra. “Vendi ndriçohet me reforma që çlirojnë energji transformuese, jo me pallavra dhe gënjeshtra”, – reagoi kreu i qeverisë.

 

 

Eksperti: Ja si do të ndikojë rritja e çmimit në xhepat e qytetarëve

 

Në tryezën e organizuar nga Partia Demokratike, i pranishëm ishte edhe eksperti Mateo Spaho, i cili tregoi në mënyrë të detajuar dhe me shifra konkrete efektet që do të sjellë në ekonominë familjarë rritja e çmimit të energjisë dhe rritja e çmimit të naftës. “Efekti i përbashkët i këtyre dy taksave, të energjisë dhe naftës, është një humbje prej 230 mijë lekësh të vjetra për çdo familje shqiptare, për familjet e varfra me 30 mijë lekë në muaj është një humbje prej 6.35% të fuqisë së tyre blerëse. Për familjet me të ardhura 50 mijë lekë ka një humbje prej 3.8% në fuqinë e tyre blerëse”, – sqaroi eksperti Spaho. Ai shtoi se sot Shqipëria ndodhet në vend të 16-të sa i përket çmimit të lartë të karburanteve në krahasim me 50 shtetet e kontinentit për nga niveli i çmimit, duke lënë pas Suedinë, Francën dhe shtetet të tjera, ku pagat janë shumë më të larta.

 

 

Në 22 nëntor, protesta e parë kundër rritjes së energjisë elektrike, PD do t’i bashkëngjitet

Në datën 22 nëntor, do të zhvillohet protesta e parë kundër rritjes së energjisë elektrike dhe rritjes së taksave. Këtë fakt e bëri të ditur kreu i shoqatës Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja, kërkesë e cila mori mbështetje të plotë nga kreu i opozitës, Lulzim Basha.Jam këtu për të komunikuar një vendim politik të Bashkimit të Sindikatave Shqiptare, se do të fillojë protestat më 22 nëntor, për arsye të ngritjes së energjisë elektrike, për arsye të pezullimit të lejeve të ndërtimit në gjithë Shqipërinë, i cili ka sjellë një impakt dhe pasoja të jashtëzakonshme. Rritjen e çmimit të karburanteve, vendosjen e 21 taksave në momentin e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, vendosjen e 10 taksave të reja dhe mosstabilitetin e Ministrisë së Financave ndaj taksave që u vendos shqiptarëve. Në çdo tre muaj ka një politikë shtrënguese të taksave në Shqipëri”, – tha Kalaja.

 

 

Edhe pensionistët kundër rritjes së energjisë eklektike

 Kundër masave të qeverisë është pozicionuar edhe Shoqata e Pensionistëve të Shqipërisë. “Nga një përllogaritje e thjeshtë mund të themi se vlera e akorduar nga qeveria për subvencionimin është një vlerë që nuk plotëson as një të katërtën e njerëzve në nevojë. Shuma që do të indeksojë të gjitha kategoritë përfituese nga rritja e çmimit të energjisë është plot 160 lekë të reja. Pra, është një shumë qesharake dhe tepër e ulët në një kohë kur bëhet fjalë për një heqje fashe të energjisë elektrike. Nuk bëhet fjalë vetëm për një rritje të çmimit të energjisë elektrike, pasi kjo do të pasohet edhe me rritje të tjera të çmimeve për produktet që konsumojmë. Gjendja ekonomike në të cilën ndodhet mosha e tretë e ka të pamundur që ta përballojë çmimin e ri të energjisë elektrike”, – u shpreh përfaqësuesi i Shoqatës së Pensionistëve të Shqipërisë, Osman Terziu.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency