Champions League Hidhet shorti i 1/8-ave, bavarezët përballë topçinjve, Siti përplaset me Barcelonën

0
167

Shorti i Ligës së Kampioneve ka nxjerrë në përballje sfida emocionuese. Arsenali i Vengerit ka mundësinë që të hakmerret ndaj Bajernit, ndërsa Pelegrini do të provojë forcat e tij përballë katalanasve të Martinos.

 

Jurges Veizaj

hedhja_e_shortitËshtë hedhur në Nion të Zvicrës shorti për fazën 1/8 të UEFA Champions League. Ceremonia e hedhjes u drejtua sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Xhani Infantino, dhe ambasadori i finales Luis Figo. Ashtu siç pritej, kjo fazë e kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Evropë do të dhurojë emocione dhe spektakël pa fund duke parë edhe përballjet që dhuruan. Spikasin përballjet Mançester Siti-Barcelona, Arsenal-Bajern Mynih, Milan-Atletiko Madrid dhe Gallatasaraji-Çelsi. Me fat Mançester Junajtid i Mojesit, që do të ketë përballë grekët e Olimpiakosit dhe për Realin e Madridit që do të ketë përballë gjermanët e Shalke 04 në një sfidë që më parë ka dhuruar emocion.

 

Rumenige: Arsenali, jo skuadra që donim

Probleme në sfond duket për Bajernin. Kjo, pasi përballë shorti e vuri me Arsenalin. Drejtori ekzekutiv i klubit bavarez Karl Hajnc Rumenige u shpreh për këtë përballje duke thënë se nuk do të jetë e lehtë. “Ne nuk dëshironim që të ndesheshim me Arsenalin, më shumë preferonim një përballje me Zenitin, por ky është shorti, nuk ke çfarë të bësh. Ne do ta respektojmë Arsenalin, pasi ata kanë një skuadër të fortë dhe kanë në ekip tre futbollistë të kombëtares gjermane, si Per Mertesaker, Mesut Ozil dhe Lukas Podolski. Do të jenë dy përballje të vështira ndaj tyre, por ne do të kërkojmë me çdo kusht kualifikimin”, – ka thënë drejtuesi bavarez. Bajerni u përball edhe sezonin e kaluar ndaj Arsenalit në fazën e 1/8 të Champions League dhe pas një rezultati të përgjithshëm 3-3 të dy takimeve, skuadra bavareze kaloi në fazën tjetër në saj të sasisë më të madhe të golave të shënuar në fushë kundërshtare, duke u shpallur më pas edhe si kampione Evrope. Ndeshja e parë midis dy skuadrave do të zhvillohet në 19 shkurt të vitit të ardhshëm në stadiumin “Fly Emirates”, ndërsa ajo e kthimit në 11 mars në “Allianz Arena”.

 

Reali qesh ndaj Shalkes

Realit të Madridit i buzëqeshi fati në shortin 1/8 të Champions League, duke e vënë përballë gjermanëve të Shalke 04. Ishte një short i mirë për “Los Blancos” pasi shmangën kundërshtarët e fortë të vazos së dytë si Mançester Siti, Arsenali dhe Milani, por nuk mendon kështu drejtori i Marrëdhënieve Institucionale i madrilenëve, Emilio Butragenjo. “Është e vërtetë që në teori kishte kundërshtarë më të vështirë, por kjo është vetëm në teori. Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm në të dyja takimet ndaj Shalkes, sepse një natë e keqe të lë jashtë Champions-it. Megjithatë, ne kemi një avantazh, pasi e luajmë sfidën e dytë në “Santiago Bernabeu”. Në pamje të parë shorti nuk duket i keq, por në futboll gjithçka është e mundur. Skuadrat gjermane janë shumë kompetitive”, – u shpreh drejtuesi madrilen. Real Madrid u kualifikua për në fazën e 1/8 të Champions League, pasi e mbylli grupin B në vendin e parë me 16 pikë duke lënë pas Gallatasarajin, Juventusin dhe FC Kopenhagen.

 

 

Zubizareta: Do të preferoja Junajtidin

Drejtori Sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizareta, e cilëson një përballje mes yjesh ndeshjen e Champions League ku skuadra katalanase gjen përballë nënkampionët e Premier Ligës, Mançester Sitin. “Bëhet fjalë për dy skuadra që dinë të sulmojnë mirë dhe kanë mesfushorë me talent. Siti ka në organikë një lojtar të madh si Jaja Ture por drejtohen edhe Txiki Begiristain që ka punuar me ne për shumë vjet. Nëse vërtet duhej të luanim në Mançester, unë do të preferoja Mançester Junajtidin. Ky është një short shumë i vështirë për skuadrën tonë”, – ka deklaruar drejtuesi “blaugrana”. Në vijim, drejtuesi i lartë teknik shton se dy skuadrat kanë organika të pasura me lojtarë të klasit botëror dhe kjo do ta bëjë këtë 180-minutësh edhe më interesant. Zubizareta komenton gjithashtu edhe zërat që e lidhin Barcelonën me sulmuesin e “Citizens”, Serxho Aguero, duke theksuar se këto lajme nuk janë të vërteta.

 

 

Drogba luan ndaj ish-skuadrës

Didier Drogba e ka quajtur veten e tij si “njeriu më me fat” në Ligën e Kampioneve, pasi Gallatasaraji u caktua të përballet me Çelsin në 16-shen e fundit të garës. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, i cili luajti më shumë se 340 ndeshjen për Çelsin gjatë karrierës së tij për klubin londinez, thotë se mezi pret mundësinë për t’u rikthyer në “Stamford Bridge”. Drogba madje thotë se ai në të dyja ndeshjet do të luajë me ndjenjën sikur luan në shtëpi të vet. “Çfarë shorti… jam njeriu më me fat në këtë garë. Në të dyja ndeshjet do të luaj në shtëpi! Shihemi brenda disa muajsh”, – ka shkruar Drogba në “Instagram”. Javën e kaluar menaxheri i Çelsit, Hoze Murinjo, tha se Drogba meritonte të pritej me duartrokitje nga tifozët vendas nëse do të caktohej të vinte në “Stamford Bridge”. Ndeshjet e para do të luhen më 18/19 shkurt dhe 25/26 shkurt, ndërsa ndeshjet e kthimit më 11/12 mars dhe 18/19 mars. Shorti për çerekfinalet do të hidhet më 21 mars, ai për gjysmëfinalet më 11 prill në po të njëjtën orë, ndërsa finalja e madhe luhet më 24 maj në stadiumin “Da Luz” të Lisbonës.

 

Blank: I lumtur që shmangëm Arsenalin

Trajneri i Paris Sent Zhërmenin, Lorent Blank, është i kënaqur që ka shmangur skuadrat si Arsenali dhe Milani në Ligën e Kampionëve, pasi u caktua përballë Bajer Leverkusenin në shortin e sotëm të garës evropiane. Blank megjithatë kishte përcjellë performancat e klubit gjerman këtë sezon dhe thotë se ata nuk do t’i nënvlerësojnë rivalët e radhës. “Nuk mendoj se kjo ndeshje do të merret seriozisht. Ne kemi shmangur dy skuadra shumë të vështira me Milanin dhe Arsenalin, por ne ende duhet të përgatitemi si duhet për këtë takim”. “Ne do të duhet të përcjellim dhe studiojmë këtë skuadër pasi duhet t’i njohim ata më mirë. Unë i kam përcjellë ata në disfatën 5-0 nga Mançester Junajtid, por kjo nuk ishte reflektim i vërtetë i tyre. Ky është një ekip me kualitete të mëdha”, – ka thënë Blank.

 

 

 

 

Ja përballjet që dhuroi shorti:

 

Mançester Siti – Barcelona

Olimpiakos – Mançester Junajtid

Milan – Atletiko Madrid

Bajer Leverkusen – PSG

Gallatasaraji – Çelsi

Shalke – Real Madrid

Zenit – Borusia Dortmund

Arsenal – Bajern Munih

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency