Ronaldo qëllon në shenjë, Juventusi fundoset në “Bernabeu”

0
172

Jurges Veizaj

Një sfidë midis dy titanëve evropianë që ndesheshin pas disa kohësh. Ronaldo ishte vendimtar me dy golat e tij dhe i jep suksesin e radhës skuadrës së vet.

 

1382480989_extras_portada_6Një lojë që dhuroi emocione për vetë emrat që ishin përballë. Mirëpo në “Santiago Bernabeu” ka vetëm një zot dhe ky është Kristiano Ronaldo. Pjesa e parë nis midis emocioneve, për shkak se përballë gjenden dy ekipet që kanë bërë historinë e futbollit evropian. Sfida nis direkt me një aksion të rrezikshëm nga ana e Juventusit. Është Markizio ai që gjuan duke vënë në presion Iker Kasijasin. Portieri spanjoll përgjigjet mirë dhe e nxjerr topin në kënd. Ndërsa përgjigjja do të vinte nga Reali, por kësaj radhe do të kishte gol. Është ylli i skuadrës, Kristiano Ronaldo, që është në pozicion të rregullt, driblon në mënyrë magjike Bufonin dhe shënon golin e parë duke i dhënë avantazhin ekipit. Një gol i shpejtë që fik entuziazmin e Kontes. Janë juventinët ata që do të shkojnë drejt gjysmëfushës të galaktikëve për të kërkuar golin. Pogba dhe Pirlo janë ata që tentojnë të shkojnë drejt golit, por që është e vështirë që të kalojnë murin madrilen. Ndërsa Reali tenton që të shënojë me anë të kundërsulmit. Është Tevez për juventinët që gjuan para mbrojtjes së spanjollëve, por që topi është pak më larg portës së Iker Kasijasit. Të njëjtën gjë tenton edhe Kaseres të bëjë, por që topi është i destinuar për të qenë larg portës. Nga ana e të bardhëve është Di Maria që huton mbrojtjen, futet në zonë, pengohet, por arbitri nuk akordon penallti. Argjentinasi Tevez është i rrezikshmi në ekipin e Juventusit, por bardhezinjve u mungon pak fat për të shënuar. Ndërkohë, pas një aksioni të rrezikshëm, është Pogba ai që gjuan në limitet e fushës me kokë drejt portës së Realit. Kasijas përpiqet, grushton, por afër është Lorente që shtyn këmbën dhe e fut topin në rrjetë, duke i sjellë barazimin skuadrës. Një gol nga spanjolli që nuk është aktivizuar nga Konte, por që duket se ia shpërblen teknikut për mundësinë që i ka dhënë. Shifrat janë në barazim dhe duket se loja do të rihapet nga e para. Një gol i shënuar nga ekipi italian që e meritonte, për shkak se ishte ekipi që po provonte më shumë. Është Reali që shkon drejt gjysmëfushës së Juventusit, kësaj radhe për të sjellë edhe golin tjetër. Gjatë një krosi në zonë është Kielini ai që në një dyluftim me Serxho Ramosin shkakton penallti. Lojtarët e Juventusit protestojnë, por duket se gjithçka është e kotë, pasi arbitri është i bindur. Para topit është Ronaldo që e gjuan i qetë në kënd, duke shënuar edhe kështu golin e dytë për skuadrën dhe golin e dytë personal. “Bernabeu” ngrihet në këmbë për yllin e skuadrës që duket se i jep suksesin sa herë që është në fushë. Ndeshja është me temp të lartë dhe duket se dhuron spektakël. Është ekipi i Kontes që përsëri vihet në kërkim të golit. “Zonja e vjetër” tenton, por kësaj radhe nuk duket se ka efektivitetin e fillimit të sfidës. Lëvizin mirë në mesfushë, por nuk arrijnë të finalizojnë. Është Kristiano ai që rrëqeth përsëri portën e Bufonit, por kësaj radhe është vetëm pak centimetra larg shtyllës. Në minutat e tjera u pa qartë një dominim i Realit. Ekipi i Ançelotit nuk bëri presion afër portës, por u përqendrua të mbajtja e topit. Duket se merengesit po prisnin që të kalonin minutat për t’u mbyllur pjesa e parë, e cila do të mbaronte me një lojë në favor të madrilenëve.

 

Ndërsa në pjesën e dytë të dyja skuadrat luajnë lojë më të hapur. Është Pogba i pari që shkon rrezikshëm drejt portës së Realit, por që ndalet mirë nga Kasijasi, i cili tregohet i vëmendshëm. Por në aksionin e parë të Realit do të hapeshin shumë probleme për Juventusin. Pas një dyluftimi midis Kielinit dhe Ronaldos, është italiani ai që ndërhyn duke e goditur në fytyrë portugezin e Realit. Një goditje që do t’i kushtonte shumë. Arbitri do të jepte karton të kuq për mbrojtësin që do ta linte skuadrën me 10 lojtarë. Një problem më shumë për Konten, që përveç disavantazhit, do të luante me 10 lojtarë. Tekniku italian vepron për të mbrojtur skuadrën dhe fut në lojë Lorenten në vend të Bonuçit. Një zëvendësim i detyrueshëm që u hap probleme italianëve. Reali është ai që tenton të shënojë golin e tretë për të siguruar rezultatin. Ronaldo me Marselo veprojnë mirë në krah duke arritur që të driblojnë mirë mbrojtësit juventinë. Torinezët luajnë mirë, por duket se e kanë të pamundur që të përballojnë presionin nga madrilenët të cilët janë në epërsi numerike. Azamoah është ai që futet në fushë në vend të Andrea Pirlos. Mesfushori italian merr edhe një dhuratë shumë të mirë nga “Bernabeu”. Tifozët madrilenë duartrokasin, duke i rezervuar një mikpritje shumë të mirë fantazistit juventin. Është Di Maria përsëri që driblon mirë në zone dhe e çon topin drejt Benzemasë që e shpërdoron mundësinë, duke e nxjerrë në mënyrë të habitshme jashtë. Nga ana e Juves është Vidal që provon futet në zonë, por që gjuan dhe del huq duke rënë. Kiliani në mënyrë edhe paksa qesharake kërkon penallti, por duket qartë që arbitri e ka parë mirë situatën. Ndërsa Ançeloti rezervon edhe zëvendësimin e tij. Është momenti për t’u futur në fushë Gareth Bejli në vend të Benzemasë. Blerja 100-milionëshe futet në fushë për t’u vërtetuar që vlen për shifrën që është blerë. Xhovinko është ai që provon, por topi devijohet nga Kasijasi. Juventusi ndërkohë mundohet të ushtrojë presion, edhe pse me 10 lojtarë në fushë. Italianët provojnë të shënojnë, pasi tashmë nuk çfarë të humbin. Ndërsa Ançeloti bën zëvendësimin e dytë, duke futur në fushë talentin Isko në vend të Ilarramendit. Ndërsa loja zhvillohet me aksione të shumta nga të dyja skuadrat që mundohen të arrijnë diçka, por duket se është e pamundur, pasi të dyja ekipet mbrohen shumë mirë. Di Maria është dhe zëvendësimi i tretë, që i lë vendin beniaminit madrilen Alvaro Morata. Duket se futja e të riut e zhvendos lojën drejt gjysmëfushës së Juventusit. Është Modriç ai që tenton të organizojë lojën, por që është e vështirë të kalohet muri juventin, që nuk dëshiron të pësojë më. Loja duket se i ka lodhur të dyja skuadrat të cilat duket se nuk po dalin më në lojën e tyre. Është Xhovinko ai që futet në zonë, por që e shpërdoron shansin. Duket se pjesa tjetër e lojës është një orvatje e skuadrave, por që nuk kishte asnjë rrezik për shënim goli. Kështu, Reali fiton një trepikësh mjaft të vlefshëm, ndërsa Juventusi tashmë rrezikon që të mbesë edhe jashtë fazës së dytë, për shkak se nuk ka arritur të marrë asnjë fitore.

 

 

Ndeshjet e djeshme

 

Mançester Junajtid  1 0       Real Sociedad

Bajer Leverkusen     4-0      Shakhtar Donetsk

Real Madrid              2-1      Juventus

Gallatasarai               3-1      Kopenhagen

Anderleht                  0-5      Paris Sen Zhërmen

Benfika                                  1-1      Olimpiakos

CSKA e Moskës                   1-2      Mançester Siti

Balern i Mynihut                 5-0      Viktoria Plzen

 

 

 

Nejmar nuk ka kushtuar 57 milionë euro

Duket se ylli i ri i Barcelonës ka kushtuar shumë më pak se ç’thuhet. Çmimi i vërtetë që Barcelona pagoi për shërbimet e Nejmarit vazhdon të mbetet një mister, ndonëse klubi blaugrana ka pranuar publikisht se braziliani u mor nga Santosi për shumën e 57 milionë eurove. Por nuk mendon kështu presidenti i klubit, nga i cili u transferua talenti 21-vjeçar. Odilio Rodrigues deklaroi se në arkën e Santosit kanë përfunduar vetëm 25 milionë dhe për pjesën tjetër aksionerët e klubit katalanas duhet të pyesin presidentin Sandro Rosel. Kjo shifër, siç pranon edhe vetë shefi i klubit brazilian, mund të shkojë deri në 31. 5 milionë euro, nëse Nejmari do të jetë njëri prej finalistëve për “Topin e Artë” dhe nëse nuk zhvillohet miqësorja mes Santosit dhe Barcelonës, e parashikuar në kontratën mes dy palëve. Odilio Rodrigues sqaron për të gjithë se nga shuma 25 milionë euro në llogari të Santosit, një pjesë e tyre i janë dhënë agjencisë “DIS and Teisa”, që kishte gjithashtu të drejta mbi Nejmarin, gjatë kohës që ai luante në Brazil. Bëhet fjalë për një diferencë vërtet të madhe, mes 25-milionëshit që pretendon presidenti i Santosit dhe 57-milionëshit që ka deklaruar Rosel.

 

Diego Kosta synimi i Murinjos në janar

Duket se në Spanjë ka dalë një sulmues i artë. Kësaj radhe jo nga Reali i Madridit apo Barcelona, por nga Ateltiko e Madridit. Është momenti i Diego Kostës. Sulmuesi mjaft në modë në Evropë, edhe për shkak të debatit se fanellën e cilit ekip përfaqësues do të veshë, vazhdon ndërkohë të shënojë për Atletikon e Madridit ndeshje pas ndeshjeje. Futbollisti 25-vjeçar, i lindur në Brazil, ndodhet mes dy zjarreve, Del Boske mendon ta marrë si pjesë të Spanjës, ndërkohë që Skolari nuk pranon ta shikojë me fanellën e “La Rojas”. Gjithsesi, Diego Kosta vazhdon të bëjë detyrat që i ka caktuar Simeone, duke shënuar sa herë që mundet për klubin e tij. Forma e jashtëzakonshme që po kalon ka tërhequr mes të tjerëve edhe vëmendjen e Çelsit, që mund të tentojë ta rrëmbejë që në janar. Hoze Murinjo, siç informon “Mirror”, kërkon të përforcojë repartin e avancuar duke shtuar në ekip edhe lojtarin e “Los Colchoneros”. Sipas informacionit që përcjell e përditshmja britanike, tekniku portugez nuk është i kënaqur me Samuel Etonë, Demba Ba apo Fernando Torresin, edhe pse ky i fundit ishte autor i dy golave kundër Shalkes në Ligën e Kampioneve. Manjati Roman Abramoviç mund të tregohet bujar me kërkesat e Murinjos dhe të paguajë klauzolën e Diego Kostës, që është në shifrën e 38 milionë eurove.

 

Ferguson: Vidiç donte të luftonte ndaj Kosovës

Gjithmonë ka qenë e ditur lufta midis popullit serb dhe atij kosovar. Një luftë historike që duket se është e pranishme edhe sot. Kësaj radhe objekt ka qenë futbollisti serb Nemanja Vidiç. Një nga zbulimet më interesant dhe tronditëse në autobiografinë e ish-trajnerit të Mançester Junajtidit, Sër Aleks Ferguson, e publikuar disa ditë më parë, lidhet me mbrojtësin serb të “djajve të kuq”, Nemanja Vidiç. Skocezi rrëfen në librin e tij se Vidiç ka dashur të marrë pjesë në luftën e Kosovës përkrah ushtrisë serbe. “Vidiç ishte lojtar pa kompromis. Ishte serb krenar. Në vitin 2009 erdhi tek unë dhe më tha se mund ta thërrisnin për të luftuar në Kosovë”, – rrëfen Sër Aleks. “Çfarë mendon”, – i thashë i alarmuar. “Në Kosovë. Duhet të shkoj atje, – më tha. – Është detyra ime”. E shihja në sy dhe e kuptoja që thoshte të vërtetën”, – shkruan Ferguson në librin e tij. Një deklaratë që duket se do të hapë mjaft polemika. Kjo, edhe për faktin se tashmë ylli më i ri i skuadrës, Adnan Janzuaj, është kosovar dhe familja e tij ka qenë pjesë e UÇK-së. Do të jetë interesante të shihet se si lojtarët i kanë marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe a do të ndikojë ky problem në fushë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency