Intervistë me fëmijët Ministri Beqaj nuk premton shëndetësi falas për të gjithë

0
167

Gjatë një bashkëbisedimi me fëmijët, Beqaj ka premtuar se “shpenzimet e shëndetësisë do të jenë efektive”, por nuk konfirmoi nëse shëndetësia do të jetë falas për të gjithë

 

Ministri shendMinistri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, së bashku me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, morën pjesë në aktivitetin “Garë për mbijetesë”, pjesë e fushatës globale me mesazhe ndërgjegjësuese ‘EveryOne’. Kjo nismë ka si synim parandalimin e vdekjeve për fëmijët nën moshën 5 vjeç. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm dhjetëra fëmijë nga qytete të ndryshme. Fëmijët që morën pjesë në këtë veprimtari, iu bashkuan nismës së 50.000 fëmijëve nga e gjithë bota që vrapuan në këtë maratonë-stafetë, për t’u bërë thirrje udhëheqësve dhe vendimmarrësve në të gjithë botën të bëjnë më shumë për t’u dhënë fund vdekjeve të fëmijëve nga shkaqe të parandalueshme. Ministri i Shëndetësisë, pas veprimtarisë u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të fëmijëve. Një fëmijë nga Gjirokastra i ka drejtuar ministrit pyetjen se a do të jetë shëndetësia falas për fëmijët kur ai vetë kishte dëgjuar se do të jetë falas për të gjithë. Përgjigjja e Beqajt ishte pak konfuze, por në asnjë moment nuk konfirmoi se shëndetësia do të jetë falas për të gjithë. “Ligjërisht, edhe më parë, kujdesi shëndetësor për fëmijët ishte i ofruar falas, kështu ka qenë”, – u shpreh Beqaj para fëmijëve, por pa konfirmuar se shëndetësia do të jetë falas për çdo shqiptar, ashtu siç është premtuar gjatë fushatës elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 23 qershorit. Më tej, ministri i Shëndetësisë ka premtuar ndryshime në shërbimin shëndetësor si dhe mjekë në çdo shkollë për t’iu përgjigjur çdo urgjence të mundshme.

Kemi dëgjuar kohët e fundit që shëndetësia do të jetë falas. A do të realizohet kjo gjë edhe për fëmijët?

Faleminderit për pyetjen! Sigurisht, që në programin e qeverisë ne jemi të angazhuar për të ofruar kujdes shëndetësor sipas nevojës për të gjithë shqiptarët. Pa dyshim, që në radhë të parë, këtë gjë duhet t’ua sigurojmë fëmijëve, që janë e ardhmja, dhe për të arritur atë qëllim, që edhe nëse sot apo në të nesërmen e afërt e kemi të pamundur për ta bërë për të gjithë shtresat apo të gjithë moshat në Shqipëri, duhet ta garantojmë për fëmijët. Ligjërisht, edhe më parë, kujdesi shëndetësor për fëmijët ishte i ofruar falas, kështu ka qenë. Ajo që ne duam të bëjmë, është që shpenzimet e shëndetësisë të jenë efektive, për kujdesin e shëndetit të fëmijëve dhe të gjithë shqiptarëve.

Çdo fëmijë ka të drejtën për t’u arsimuar, por për t’u arsimuar ai duhet të ketë një shëndet të mirë. A na e siguroni këtë shëndet?

Sigurisht që shëndeti juaj si fëmijë varet nga disa faktorë dhe ajo që ne jemi të vendosur të arrijmë është që kujdesi shëndetësor për ju t’i kapërcejë barrierat që ekzistojnë sot, që janë, disa herë edhe financiare, për shkak të kushteve ekonomike të familjeve ku ju jetoni. Znj. Helen e preku në fjalën e saj dhe e tha se një pjesë e mirë e fëmijëve që kanë kujdes shëndetësor të pamjaftueshëm janë nga familje të varfra, dhe natyrisht, ky është një fenomen jo vetëm shqiptar. Padyshim, që ne duam të thyejmë dhe barrierat etniko-kulturore që ekzistojnë sot në shoqërinë shqiptare dhe jemi të vendosur që atyre grupeve që kane ende barriera ekonomike, etniko-kulturore apo gjeografike, t’i kapërcejnë këto barriera, në mënyrë që të mos varet kujdesi shëndetësor për ju nga origjina nga vini apo kushtet ekonomike të familjeve ku ju rriteni sot.

Në shkollën tonë kemi mjekë që vijnë një ditë po, një ditë jo. Si mund të veprohet për të pasur mjekë në rast emergjence?

Në shtëpitë tona nuk e kemi kulturë që të shkojmë shpesh të mjeku, çfarë duhet bërë më shumë për ndërgjegjësimin?

Për prezencën e mjekut në raste urgjente në shkollë, sigurisht që Autoriteti Shëndetësor Rajonal i Tiranës, po merr të gjitha masat që të arrijë të mundësojë mbulim me kujdes shëndetësor për të gjitha shkollat e qytetit dhe të periferisë së Tiranës, me një minimum kohor të mjaftueshëm që t’i përgjigjet çdo rasti urgjence që ju mund të keni në shkollat e ndryshme të Tiranës dhe padyshim, këtë program do ta shtrijmë, me drejtorinë e shëndetit parësor, në të gjithë vendin.

Lidhur me pyetjen për ndërgjegjësimin, sigurisht që është një problem madhor jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet më të zhvilluara. Ne kemi pasur mundësi të komunikojmë me prindërit tuaj, nëpërmjet publikut, edhe gjatë këtyre javëve, jemi të vendosur që nga viti i ardhshëm të fillojmë një program depistimi masiv falas për të gjithë shqiptarët nga mosha 40-60 vjeç.

Në të gjitha shkollat e qytetit të Korçës nuk ka stomatolog dhe mjek. A do të bëhet e mundur të kemi, sepse kemi vërtet nevojë?

Në disa fshatra në Korçë nuk ka qendër shëndetësore. A mund të krijohet një qendër për ata që nuk kanë mundësi ekonomike të shkojnë të vizitohen në qytetin e Korçës?

Lidhur me pyetjen e parë – që të ketë stomatologë dhe mjekë në çdo shkollë – është një sfidë, e cila nuk është e lehtë për t’u arritur. Por, që të shtrijmë kujdesin e domosdoshëm dentar në të gjitha shkollat, në bashkëpunim me urdhrin e ri të stomatologëve, që do të krijojmë dhe drejtoritë e shëndetit parësor, padyshim, që do t’ju ofrojmë shërbim dhe kontrolle të vazhdueshme për shëndetin e gojës.

Lidhur me pyetjen e dytë – sigurisht, që kujdesi shëndetësor parësor në zonat rurale është pamjaftueshëm, diku mungojnë qendrat shëndetësore, diku mungojnë mjekët. Diku edhe ata mjekë që janë në detyrë nuk paraqiten rregullisht. Mbulimi i territorit të Shqipërisë me shërbim parësor është një sfidë që na obligon të bëjmë përpjekjet maksimale, duke filluar që me buxhetin e vitit të ardhshëm, të fillojmë programin e rimëkëmbjes së qendrave shëndetësore dhe të prezencës në mënyrë periodike të njësisë së lëvizshme të mjekëve që t’i ofrojnë kujdesin shëndetësor të gjithë grupmoshave dhe pa dyshim edhe fëmijëve.

 

 

 

PD: Shërbimi falas për të sëmurët me kancer ka vite që ofrohet

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, se po mashtron me deklaratat e tij që shërbimi shëndetësor do të ofrohet falas për të sëmurët me kancer. Sipas ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, “ministri i Shëndetësisë është qytetari më pak i informuar në vend për sektorin që ai mbulon. Prej disa javësh në krye të Shëndetësisë ai ka pasur kohën e mjaftueshme të mësojë për disa shërbime të rëndësishme të spitaleve”. Sipas Spahisë, ministri mund të ishte informuar se trajtimi i të gjithë rasteve me kancer në Shqipëri është tashmë falas. “Ligji nr. 10383, i datës 24 shkurt 2011, pika e, parashikon përfshirjen në marrjen e shërbimit shëndetësor falas të shumë kategorive, ndër të cilat dhe kategorinë e të sëmurëve me kancer. Nëse ministri i Shëndetësisë i kësaj qeverie do ta kishte këtë informacion, atëherë me siguri nuk do të ishte bërë qesharak dy ditë më parë, kur premtoi se qeveria e tij do ta ofrojë falas këtë shërbim”, – ka deklaruar Spahia. Sipas deputetit të PD-së, “të premtosh një gjë që është realizuar me kohë, do të thotë të mashtrosh. Mashtrimi publik është i dënueshëm”. “Shëndetësia shqiptare ka mjaft sfida dhe kërkon njerëz seriozë që të përballen me to. Mashtruesit nuk janë personat e përshtatshëm për të drejtuar shëndetësinë, ata në fakt kanë nevojë të trajtohen seriozisht nga mjekësia”, – tha deputeti i PD-së, Bardh Spahia.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency