Marineta

0
61

Bohumil Hrabal

Gjatë këtyre tridhjetë e pesë moteve që kam shtypur letrën e vjetër, nëse do të më jepej mundësi për të zgjedhur, helbete, nuk do të rrekesha të bëja gjë tjetër. Ndërkaq, një herë në tre muaj puna për mua ndryshonte dukje, bodrumi më kallte të keqtë, ankimet dhe vërejtjet e shefit më tingëllinin në kokë, më vikatnin në veshë si të zmadhuara prej një amplifikatori, bimca më shëmbëllente e neveritshme si ferr, mali kaplonte me tërësej oborrin, letrat e lagura dhe të mykura fillonin çastshëm të binin era thartirë, era e plehut ishte e këndshme nga pranë, në thellësitë e nëntokës sime një kënetë po kalbëzohej, flluska të vockla gjëroheshin në sipërfaqe si zjarre çamarrokë përsipër një kërcuri, i cili po kalbëzohej në lymin e një varri të mykur. Atbotë më duhej të dilja, të shpëtoja nga presa mekanike, por nuk shkoja në ajrin e pastër –nuk e duroja dot më ajrin e freskët, më zinte fyckën, pështyja, mbytesha sikur kisha rrufitur tymin e një puroje havane. Shefi mund të bërtiste më shumë, të brente thonjtë me dhëmbë, të kanoste, unë dilja prej bodrumit dhe ecja kuturu drejt botëve të tjera nëntokësore.

Ajo çka më vinte për hosh ishte të shkoja të shihja në qilare shokët e ngrohjes qëndrore, djem hashari me shkollë të lartë që ishin të lidhur me punën si qentë me gufuliqen dhe që përfitonin kësisoj për të shkruar historinë e shekullit të tyre, njëfarësoj hetimi sociologjik. Bash aty mësova që një çereku i botës po shkretohet, punëtorët e bazës bënin studime dhe universitarët zinin vendin e tyre. Ndërkaq, shokët e mi më të hajrit ishin punëtorët e llagëmeve, dy akademikë që bënin një dyqan bukinistik mbi gjirizet dhe llagëmet e Pragës; ishin ata që më shkoqitën se jashtëqitjet që rrjedhin në stacionin e pastrimit të Podbaba-s janë krejt allasoj të dielave dhe të hënave, ditët  janë aq të laryshitshme sa mund të vendosej një grafik i debitit të jashtëqitjeve sipas fluksit të prezarvativëve, zaten mund të identifikoje mëhallat e qytetit ku shkërdhehej më shumë dhe anasjelltas, por ajo që më tronditi më shumë ishte artikulli i tyre mbi luftrat midis minjve të bardhë dhe të zinj,  po aq totale sa dhe ato të njerëzve; pikërisht një nga këto luftra po mbaronte me fitoren absolute të të bardhëve që njëhopshëm ishin ndarë në dy grupe, në dy klane, në dy shoqëri të organizuara dhe në këtë çast të vlertë në të gjitha llagëmet, në të gjithë gjirizet e qytetit të Pragës zhvillohej një luftë për jetë a për vdekje, një luftë e madhe, fituesi i së cilës do të mbretëronte mbi të gjitha erërat dhe jashtëqitjet që rridhnin deri në Podbaba; këta llagëmxhinj të tjetërfartë më mësuan edhe një herë se kjo luftë mbaroi, fituesit, sipas ligjeve dialektike, u ndanë në dy kampe, tamam ashtu siç ndahen gazrat dhe metalet dhe tërëçka që jeton në këtë botë jallane, me qëllim që në luftë të marrin vrunduj të rinj: kësodore, nga dëshira për të ekulibruar të kundërtat, harmonia është cënuar dhe bota në plotërinë e vet nuk është asesi e çalë. Atgrimë kuptova  fjalët e sakllamta të Rimbaud-së, që thotë se lufta e mëndjeve është po aq e mynxyrshme sa edhe dhe akcila luftë tjetër, si dhe shkoklavita frazën e rrefkët të Krishtit: “Unë s’ kam ardhur të sjell paqen, por shpatën”.  Kthehesha gjithmonë i prëjtur prej këtyre vizitave në bimca dhe llagëme, në gjirize dhe stacione pastrimi; dhe, ngaqë e kisha pa sevda edukimin tim, fërgëlloja tek mendoja atë çka kisha mësuar nga Hegeli: e vetmja gjë e mynxyrshme në botë është ajo që është e shuar, e ngurosur, në hekë, dhe e vetmja gjë e lumtur është kur individi, ose më mirë shoqëria e njerëzve, ia del mbanë që përmes luftës të përtërihet, të fitojë të drejtën për të jetuar.

Duke u sorrollatur rrugëve të Pragës për t’ u kthyer tek bimsa ime,  sytë e mi, cok si rrezet X, i tejpërshkonin trotuaret gjer tek llagëmet, aty ku shtabet e minjve të bardhë manovronin me ushtritë e brejtsave, ku gjeneralët japnin urdhër me radio të forcohej lufta në këtë, apo atë front; poshtë këmbëve dëgjoja kërcëllimën e dhëmbëve të trohisur, mendoja me trishtim për këtë botë gjithmonërisht në ndërtim, shllapuritesha në këto llagëme, sytë plot lotë i ngrija drejt qiellit, kur, atypëratyshëm kundrova atë që kurrë s’ e kisha parë, që kurrë s’ e kisha shquar: fasadat, ballinat e godinave, ofronin një pasqyrë për të gjitha dëshirat e mia, për të gjitha ëndrrat e  Goethe-s dhe Hegel-it,  pasqyronin bukurinë e Greqisë, helenizmin, modelin dhe qëllimin; ajgëtoja aty rregullin dorik, kolonat, triglifet dhe kornizat e tij, kacadredhjet dhe pufkat jonike, gjethet e dashtrës korinthiane, hyrjen e tempullit, kariatidet, parmakët e gjer tek çatitë e shtëpive;  vetë këtë Greqi e përhasja në periferitë, mbi çatitë e zakonshme të portave dhe të dritareve të stolisura me femra dhe burra të lakuriqtë, dhe tek një florë ekzotike. Duke çapitur përpara, m’ u kujtua ajo që më kishte thënë njëditëzaj një shofer i diplomuar fakulteti: Europa lindore nuk fillon në portat e Pragës, por vetëm aty ku nuk gjendet më stacioni i vjetër klasik austrik, diku në Galicie, në kufirin skajor të timpanit grek; sa për Pragën, nëse ajo ka kaq shumë frymë greke mbi fasadat, e përveçmërisht në kokën e banorëve të saj, kjo bën vaki për shkak të liceve klasikë  dhe fakulteteve të letërsisë ku, qysh prej Greqisë dhe Romës, gufmojnë  milionat e trurëve çekë. Dhe ndërsa në gjirizet e kryeqytetit dy klanet e miushëve rrokapjekthen në një luftë me sa duket absurde, ëngjëjt e rrëzuar punojnë nëpër bimsa, njerëz sindozot të kulturuar, të mposhtur në një betejë që nuk e zhvilluan kurrë, por që, ani kësaj, nuk rreshtin së përsosuri përshkrimin e botës.

Kur u ktheva në bodrum miushët e vegjël më pritën festivë; kërcenin, vallzonin për të më pritur; kjo më bëri të mendoj që, në fund të kafazit ngarkues-shkarkues, i cili rrinte përmbi llagëm, kishte një qepen. Duke e marrë rrezikun në ballë, zbrita, nduka kapakun; dhe aty, në gjunjë, dëgjova këngën e ujrave të gjirizit, tronditjen brutale të shkarkuesve së ujrave,  melodinë e lavapjatave, zbrazjen e vaskave, ujra shkumëzuese si sajna shkulmesh imcake dhe, së mbrami, me veshët e çullosur dhe vështrimin llagar, dëgjova cërritjet e minjve në luftë, brerjet e mishrave, ankime dhe vikatje, pllaquritje, llokoçitjet e  trupave të luftëtarëve; këto zhurma vinin nga një largësi e papërcaktuar, por e dija se mjaftonte të shkulje kudoqoftë grilën, ose kapakun e llagëmeve, të zbrisje pastaj frymëvalë për të qenë i pranishëm në betejën e mbrame të minjve, në luftën e tyre, të fundmen në dukje, që do të mbaronte me bruhaha të mëdha gëzimi, gjersa të shpikej një arsye që gjithçka të rifillonte. Mbylla qepenin dhe, i pajisur me një mësim të ri, u riktheva tek presa; poshtë këmbëve të mia, në të gjitha llagëmet, një betejë mizore bënte kërdinë. Qiejt e minjve, helbete, nuk mund të jenë njerëzorë, siç nuk mund të jenë për mua, mua që qysh prej tridhjetë e pesë moteve  paketoj letra të vjetra. Kësodore e kam bërë nijet t’ iu shëmbëllej minjve, po bëhen rrumbull tridhjetë e pesë mote që jetoj nëpër bodrume, nuk dua fare të më lajnë, anipse ka një sallë banje mu mbrapa zyrës së shefit. Nëse do të lahesha, do të sëmuresha prej kësaj, duhet të bëj kujdes me higjienën; ngaqë punoj me duar, pa dorashka, i laj ato çdo mbrëmje, por, ama, e njoh bajagi bukur këtë! Nëse do t’ i laja shumë herë në ditë do ta kisha lëkurën të plasaritur. Ndërkaq, herëdokur, kur më kaplon ideali grek i bukurisë, defosun qoftë, laj një këmbë, ose vetë qafën, javën e mëtejshme këmbën tjetër, ose një krah, dhe, kur vjen koha e festave të mëdha fetare, laj trupin dhe këmbët, por e kam parashikuar qysh më parë dhe marr antigripina kundër rrufës së lanetisur që më mbërthen vetëm kur  bie bëborë, eh, e di bajagi bukur këtë!

Tashmë punoj në presën mekanike, në mesin e çdo pakete ndërkall zbulezën e madhe, vepën e një filozofi;  i qetësuar prej shetitjes mëngjesore përmes qytetit, shpirti freskohet prej të mos qenit i vetmuar, duke e ditur se mijra njerëz  të shëmbëllyeshëm  jetojnë në basifondet e Pragës, në bodrume dhe bimca, me kokën plot mendime të ardhangëta e gjalluese, puna më duket më e lehtë, bëhet më mekanike dhe unë ngjitem rrjedhës së kohës, gjersa të rigjej rininë. Gjatë të gjitha të shtunave të kësaj kohe hekurosja pantallonat, iu fërkoja këpucëve shuallin kur ishte i ri, doja të ishin të pastra, e doja imazhin që të jep vetja, duke u orvatur ta përmirësoj…

Me hekurin e mbushur me kongjij bëj rrathë në ajër, shkëndijat hapërndahen, e ngjesh më fort për të theksuar vijën e pantallonave, ujin me të cilin kam mbushur bulçinjtë e pështyj mbi manshetë, hekuros me kujdes këmbën e djathtë gjithsaherë të stripsur për shkak të lojës së noçkave të këmbës, gjithmonë vendos gjurin në tokë duke  rënkuar; teksa tërheq cohën avullzuese jam në hararet për vijën e pantallonave. Së mbrami i vesh dhe dal tek vendi im, përpara se të bujt në Auberge-Basse kthehem për të parë nënën, ngjashënjyese, që më kundron veshjen. Në mbrëmje në ballo, hyn  në sallë ajo që pres, Marinette-a, me kordelet që i zbukurojnë fustanin, gajtanët e përtëleksur në bishtaleca valëviten teksa ecën, muzika fillon, nuk kërcej veçse me të, bota rreth nesh vërtitet si një fugë, me bisht të syrit kërkoj një vend në mes të vallëzuesve për të fluturuar së bashku me të nën ritmin e polkas, kordelet e Marinetës vërtiten rreth nesh pothuajse horizontalisht në rrufullën e vallzimit, bien ngadalzë kur duhet të ul ritmin, ringrihen kur vallzoj me rrotullime të vrujta, më përçikin dorën që mban doçkën e vockël të Marinette-ës  me gjithë shaminë e qëndisur, përherë të parë i them që e dua, ajo po ashtu, më pëshpërit, qysh prej bankave të shkollës, ngjitet me mua, më kacadridhet, jemi më afër se kurrë më parë, i gërthas “Po!”, kur më kërkon të jem vallzuesi i saj gjatë çerek orës së damave, por sapo fillon të zbehet, kërkoj ndjesë, muzgëtohem për një çast të vogël. Duart i ka të ftohta gjatë kthimit, dhe unë e dredh, e përdredh, me qëllim që të gjithë të kqyrin sa fanua jam në vallzim, çfarë çifti të sjellshëm formojmë; së mbrami ritmi përshpejtohet, polka bëhet marramendëse, fjongot e Marinette-ës fillojnë të vërvëlliten së bashku me gërshetën në ngjyrë kashte… Atypëratyshëm të tjerët ndalojnë së vallëzuari, zmbrapsen, largohen me përçmim, formojnë një qerthull rreth nesh… Nuk vjen nga ngashënjimi, është diçkafarë e tmerrshme që i ka hedhur aty si një forcë centrifuge që, as unë, as Marinette-a nuk kemi ditur ta përshquajmë në kohën e duhur, por nëna e saj, me një kërcim, e kap nga krahu dhe, gjithë tmerr e bëtajë, e tërheq duke vrapuar larg sallës së vallzimit, larg prej Auberge-Basse, për të mos u rikthyer më kurrë, dhe që unë nuk do ta shihja për një kohë të gjatë. Qysh prej asaj kohe njerzit nuk e këtillojnë ndryshesoj veçse Mari-mutlyera, sepse Marinette-a, e emocionuar prej çerek orës së damave, e tronditur prej pohimit të dashurisë sime, ia kishte dalë të hidhej gjer tek nevojtoret e ndriçuara keq dhe ngjeu kordolet në ato haletë fshatarake të mbushura dingazi me mutra… Së mbrami kishte ngarendur gjer në sallën e ndriçuar, ku fjongot, gjatë spërdredhjeve rrethore, kishin përçikur e spërkatur të gjithë vallzuesit që i kalonin afër…

Unë bëltuc letrën e qezbunisur, shtyp butonin e gjelbër dhe pjatanca e presës bën përpara, shtyp butonin e kuq dhe zbythet; kjo është lëvizja themelore e botës, si janë pistonat e një helikoni, ose si një rreth që kthehet domosdo në pikën e nisjes. Marinette-a, pa ia dalë mbanë ta përballte lavdinë, kishte ditur ta hante turpin me bukë, i cili, përveç të tjerave, nuk ishte për fajin e saj; ajo që i kishte bërë vaki ishte njerëzore, më se njerëzore, Goethe-ja do t’ ia kishte falur Ulrique von Lewetzow-ës dhe Schelling-u Caroline-ës. Vetëm Leibniz-i nuk do t’ ia kishte falur meselenë e fjongove të dashurës së tij mbretërore Charlotte-Sophie-së, si edhe znj Gontard, Hölderlin-ës së ndjeshme…

Pesë vjet më vonë e gjeta Marinette-ën në Moravie, ku, për shkak të bruhahasë së fjongove, kishte bujtur e gjithë familja; më lypi ndjesë, iu përdëllova –gjithësaherë ndihem fajtor për të gjitha, zaten dhe për të gjitha ngjarjet e allasojta që lexoj në gazetë- dhe e ftova në ekskursion, ngase fitova pesë mijë kurona në llotari; nuk e doja paranë dhe mëtoja që shumë shpejt ta fshija kismetin tim në botë, me qëllim që të mos më pengonte me një libër të kursyer. Dhe, kështu de, u nisëm në mal, në hotelin Renner të Mont-d’ Or-it, kisha zgjedhur këtë hotel të ëndshëm dhe shumë shpejt ta bëja hasha; klientët e hotelit ma zilepsnin që të gjithë Marinette-ën dhe shtyheshin çdo mbrëmje për të më ngacmuar, por nga të gjithë ishte më i xhindosur industrialisti Jina. Ndihesha i çkëthur, prishja pa hesap, kishim gjithçkasej që gjakonim, ishte fund shkurti, dielli shkëlqente, Marinette-a,  gjithë e bronxuar,  skijonte si të tjerët përgjatë pjerrinave lëbyrëse me këmishë të hapur dekolde dhe gjithmonë ata zotërinjtë  që i vinin vërdallë, kurse unë pija konjak me gllënjka. Para mëngjesit kallaballëku i tyre gjendej mbi tarracën e hotelit për t’ u bronxuar, në shezlongë të radhitur me sira, me tridhjetë tavolina të vogla ku vendoseshin likere dhe aperitivë këndellës, teksa Marinette-a skijonte, skijonte gjer në goditjen e mbramë të kambanës për ngrënien e mëngjesit. Ditën e fundit, por mbase të parafundit, e në çdo gjasë ditën e pestë të qëndrimit tonë, kur nuk kisha më veçse pesëqind korona, vështrova Marinette-ën të nxirrë mashalla, bajagi të bukur, që po zbriste me ski mbi shpatet e Mont- d’ Or; i ulur në radhën e klientëve të hotelit, cokja gotën me industrialistin Jina, i cili kishte shpenzuar katër mijë franga në pesë ditë- ai më merrte edhe mua për një industrialist-dhe pashë Marinette-ën të fshihej një çast mbrapa pishave të rrëgjuara, së mbrami të rishfaqej dhe të rrëshqiste me lëvizje të sakaqta drejt hotelit. Ishte mot i bukur atë ditë, dielli ngrohte aq shumë sa të gjithë shezlonget ishin zënë, pronarët qenë detyruar të nxirrnin të tjerë asish; Marinette-a ime vejevinte, parakalonte para tarracës ku bronxoheshin klientët dhe përnjimend industrialisti Jina kishte të drejtë, ajo ishte për t’ u pirë në kupë atë ditë; por  teksa kalonte puqazi me admiruesit e fillimtë të diellit, ajgëtova femrat të ktheheshin  drejt saj, të mbysnin një të qeshur dhe, sa më shumë më qasej, aq më shumë shihja që po mbyste të qeshurën; burrat ranë përmbys, mbuluan fytyrën me një gazetë, bënë gjasme sikur po u binte zali, ose pëlqyen të mbyllnin sytë; tekembrama Marnette-a më kaloi pranë dhe tek njera nga skitë, mu mbrapa këpucëve, unë shqova një zvol të madh muti, të hatashëm si një shtypëse letrash, si në poezinë e bukur të Jaroslav Vrchlicky-t… Për një tëdhjetën e sekondës, e dija se ky qe kapitulli i dytë i jetës së Marinette-ës, tek i cili është shkruar se lypset të durojë turpin pa e mbërritur lavdinë. Sa për industrialistin Jina, duke kundruar atë që Marinette-a kishte bërë mbi ski, diku mbrapa njërave prej pishave të rrëgjuara të Mont-d’ Or, ai u sikletos dhe dora-dorës mbeti krejt i paralizuar, teksa një lulëkuqërim mbushi fytyrën e Marinetës dhe i arriti gjer tek çaçka e kokës… Qiejt s’ janë njerëzorë dhe nuk është më shumë një njeri me kokën mbi supe

Unë shtyp pako pas pakoje në presën time dhe në qendër të akcilës,  është hapur një libër në faqen më të bukur, punoj në presë, por jam duke ndërmendur Marinette-ën; atë mbrëmje ne ishim xurxullosur me shampanjë gjer tek suja e fundme, konjaku nuk na mjaftonte më; duke parakaluar para gjindjes me mutin në ski, Marinette-a, me imazhin që krijonte vetë, dukej si e lajthitur. Kalova gjithë natën duke i kërkuar të falur, një falje të cilën ma hashoi, dhe, krenare dhe e drejtë, e braktisi hotelin Renner, duke përmbushur kësisoj fjalët e Lao-tseu-së: njih turpin  dhe mbështet lavdinë. Një krijesë si ajo është një shembull nën diell…

Hap Libri kanonik i vyrtyteve  në një faqe të përshtatshme dhe, mu si një prift, e vendos  mbi altarin e kurbaneve, në mes të kades së citosus me letër të qelbur dhe thasësh prej çimentoje. Shtyp butonin e gjelbër dhe e gjithë kjo fëlliqësirë fillon të lëvizë, kurse unë ngehem duke kundruar nofullat e presës, të ngjashme me duart që shtrëngohen për lutjen e dëshpërimit, shkalafit Libri kanonik i vyrtyteve, i cili, përmes një asosacioni të largët, më ka bërë të mendohem për një pjesë të jetës së Marinette-ës, bukurinë e rinisë sime. Në fund të gjithë kësaj, në zgafellat e gjirizeve të qytetit, ujrat e pista hungërijnë në kanalet ku dy klanet e minjve luftojnë për jetë, a vdekje. Ç’ ditë e hatashme kjo e sotmja!

E përktheu nga frëngjishtja: Balil Gjini