Homazh/ Maks Velo: Metropol qensh

0
1207

 

Homazh/ Nga “Historia e një cope guri”, rrëfenja të Maks Velos;  Përjetime dhe fiction, në natyrën e dytë të shkrimtarit

 

Maks Velo

Qentë e rrugës ishin problem për qytetin. Shtoheshin dhe çuditërisht vinin kope në momente krizash politike dhe sidomos kur kishte revolta të armatosura. Sa më shumë të shtëna kishte në qytet, aq më të sigurt e të qetë dukeshin.

Ndoshta e dallonin lehtësisht që situata ishte në favor të tyre, d.m.th, të shtënat me breshëri njëshe apo të pandërprerë nuk ishin për ta, por për njerëzit. Kur këta gjuanin njëri-tjetrin, mendjen nuk e kishin tek qentë.

Turmat e njerëzve konkurronin dhe ua kalonin turmave të qenve. Megjithatë në raportin mujor përgjegjësi i seksionit komunal në bashki shkroi e raportoi se me sa duket qentë në fillim grupohen në banda të vogla dyshe ose treshe, dhe pastaj këto grupe krijojnë bandat e lagjeve dhe së bashku zbresin drejt qendrës.

Specialisti i bashkisë dyshonte se këtë përvojë qentë e kishin akumuluar dhe trashëguar në vite, prandaj dukeshin shumë të sigurt. Shkonin drejt shesheve e qendrave ku bëheshin përleshje, por asnjëherë gjatë krizave nuk u raportua vrasja apo plagosja me armë e ndonjë qeni, bile edhe fyerjet e njerëzve ndaj tyre pakësoheshin ndjeshëm.

Turbullirat politike ishin kohët e arta të qenve. Turma e tyre lëvizte ngadalë zhvendosej me dinjitet sipas një strategjie saktë. Ajo shkonte pikërisht andej nga vinin zhurmat e kallashnikovëve, d.m.th nga qendra e qytetit.

Çuditërisht qentë tregonin dhe një intuitë politike bashkëkohore që iu mungonte udhëheqësve të partive kryesore, analistëve të shquar apo komentatorëve të kanaleve kryesore televizive.

Ata ishin asnjanës. Nuk merrnin pjesë as me të majtët as me të djathtët.

Qytetarët nuk mbanin mend që qentë e rrugëve të kishin kafshuar njeri, sidomos që kur kafshimet midis njerëzve ishin shtuar aq sa nuk mbaheshin më dot evidenca, dhe kjo për shkak se individët e kafshuar nuk shkonin për mjekim as në ambulanca, as në spitale.

Grupet e qenve kalonin anës rrugës pa zhurmë, dhe për këtë nuk do të merrnin certifikata mirësjellje të cilat Bashkia e qytetit tonë, për hir të së vërtetës qoftë kur ishte blu, qoftë kur ishte rozë, nuk ua dha kurrë. Duhet shënuar se qentë asnjëherë nuk e bënë problem këtë padrejtësi.

Në diktaturë ata kishin vuajtur njëlloj si njerëzit. Komiteti Ekzekutiv Shtrëngues i qytetit pat marrë disa vendime për zhdukjen e tyre në dy rrugë: vrasjen me çifte ose helmim, pasi ishte përdorur metoda e riedukimit. I dërguan në një zonë jashtë qytetit, në Vandaq, por kur panë se nuk iu dilej, duke respektuar të drejtat e kafshëve për të cilat dhe kishin ratifikuar konventat ndërkombëtare, vendosën t’i helmojnë kolektivisht.

Pastaj caktuan dy gjuetarë për t’i vrarë kafshët nga mesnata deri aty nga ora katër në të gdhirë. Një nga gjuetarët, Feriti, ishte një jevg nga ndërmarrja e pastrimit të rrugëve, i kritikuar në mbledhjen e kolektivit për imoralitet, meqenëse i kishte marrë me radhë jevgat e brigadës. Të gjashtë jevgat kishin deklaruar se nuk i linte të punonin gjatë natës, se jo vetëm kishin pasur marrëdhënie me të, por dy prej tyre kishin lindur edhe fëmijë.

I deleguari i Komitetit të Partisë nuk dinte çfarë të konkludonte se Feriti gjithë kohës ishte i pirë dhe pranonte çdo gjë. Atëherë i sugjeroi ndërmarrjes ta çonin të vriste qentë. Të gjithë u çuditën kur ai pranoi pa bërë fjalë, bile edhe kur i doli pija, nuk kundërshtoi fare. Feriti kërkoi një karrocë me kalë, i ngarkonte qentë e vrarë në karroceri, pastaj në mëngjes i groposte nga bregu i lumit. Të nesërmen e kishte pushim. Ndodhte shpesh që qentë nuk ngordhnin ne vend, vazhdonin të zvarriteshin e ulërinin. Në qetësinë e natës u bënë tmerr i qytetarëve. Kjo ishte e paparashikuar dhe megjithë aftësitë e Feritit, ngordhja në vend ishte pamundur.

Në mbledhjen e Byrosë Politike, kryetarit të Komitetit iu hoq vërejtje për këtë çështje. Sekretari i K.Q ngriti dhe një problem shumë të rëndësishëm. Ai tha se Garda e Republikës i kishte kërkuar zyrtarisht përgjigje se ç’do të bëhej nëse turma e qenve do të zbriste, do afrohej dhe do tentonte të futej në Bllok. Do lejohej të futej, do shoqërohej sa të dilte prej Bllokut apo do eliminohej? Dhe nëse do eliminohej, si? Do të gjuhej me mitraloz automatik apo revolver. Ushtarët e Gardës nuk dispononin revolverë me silenciator.

Kishte pasur një rast të izoluar, po ushtari e shmangu pa gjuajte. Kur pesë qenë u afruan dhe zbritën nga parku drejt rrugës sekondare të bllokuar, ushtari i gjuajti me gurë.

-Problemi shokë, sikurse e shihni dhe vetë është i vështirë dhe me përgjegjësi. Sikur qentë të futeshin në Bllok, si do t’i bëhej? Mirë nëse Udhëheqësi është me pushime, po nëse është në shtëpi, çdo të thotë? Deri tani Ai nuk ka dijeni për këtë problem. Ne kemi arritur me forcat tona ta mbajmë dhe ta shtyjmë tufën e qenve sa më larg Bllokut, drejt zonës verilindore ku janë dhe kasaphanat. Ata shkojnë pas erës së gjakut… Zhdukësit e qenve duhet të gjuajnë andej dhe sidomos në ditët me shi, kur krismat zhbëhen, shkrihen e lahen si gjaku. Kështu qetohen dhe ulërimat edhe krismat.

Kryetari i Komitetit e quante veten të aftë për të kaluar çdo situatë, dhe vërejtja e preku rëndë në dinjitetin dhe moralin e tij si një lloj udhëheqësi që ishte. Deri më tani, ishte i vetmi anëtar i Byrosë, i cili nuk kishte asnjë vërejtje në karakteristikën personale, dhe ja, papritur ndëshkohej për një gjë banale që ai nuk e kishte menduar ndonjëherë: për ulërimat e qenve. U kërkon vartësve ta sillnin vrasësin para tij.

-Dëgjo,- i tha, – mos të dëgjoj më për ty….për qentë dua të them. Mos të dëgjoj zë qeni kur jep shpirt, se do të vij vetë dhe do të të vras ty bashkë me qentë, dhe po deshe ulëri. Ne kemi pushkatuar njerëz, më shumë se sa ti qenë, dhe nuk ka hapur gojë njeri, bile buroistët, shokët tanë kur i pushkatojnë, bërtasin “Rroftë Udhëheqësi”.

Dhe unë ashtu do bërtisja po të isha në vend të tyre, kurse ata qentë e tu janë të pabindur. Kjo do të thotë të mos u bindesh urdhrave të Partisë.

-Shoku Kryetar, po nuk është faji im. Ke dëgjuar “shpirt qeni”…e ky është faji i tyre…Mezi u del shpirti, sikur kanë shtatë shpirtra. Po të kishte mundësi më çoni për specializim në Kinë…

-Si the? Të na bësh edhe aty ndonjë proçkë, të na prishësh me shokët kinezë?! Apo s’më kanë raportuar se qenke dhe feminist…njeri i degjeneruar je… Ne të kemi çuar për dënim ne vrasjen e qenve, ti na dashke dhe specializim!

– S ta shohësh të arsyeshme shoku kryetar, se mezi ju kemi. Sa për ato jevgat, as mos e zër me gojë. Ato që thua ti, duan vetë, tani vijnë andej nga zona e qenve…

-Mirë, mirë, ik dhe me kujdes. Bëji qentë të mos bërtasin aq fort se tmerruan kryeqytetin tani që morëm dhe Flamurin e Kongresit.

-Mos e bëj qejfin qeder! Kur të thotë Feriti….o qentë, o unë.

Që atë dite Feriti ishte i pamëshirshëm. Karrocën e mbushte çdo natë me katër o pesë qenë dhe duke kënduar ngrinte faqoren e rakisë.

Turmat e qenve morën arratinë kodrave në periferi (e qytetit dhe zbritën vetëm pas rënies së diktaturës, sikur ta kishin kuptuar se edhe ata kishin fituar të drejtat që u takonin.

Sa herë përshkruhen ditët e fundit të regjimit, disa gazetarë që i kanë përjetuar ato momente shkruajnë se një turmë qensh shoqëroi turmën e njerëzve e cila tërhoqi zvarrë monumentin e diktatorit.

Kishin kaluar gjashtë vjet kur bashkia e kryeqytetit mori vendimin e ri për zhdukjen e qenve të rrugës. Në aktin e formuluar në mbledhjen e këshillit bashkiak theksohej se bollëku që solli demokracia, pruri me vete dhe shtimin e numrit të qenve që nuk i nënshtrohen ligjit bashkiak. Kjo dhe justifikonte shkeljen e konventës për mbrojtjen e kafshëve, pra zhdukjen e tyre.

Sipas rregullit për shpalljet publike, akt-vendimi u botua në gazetën e bashkisë dhe u lexua në rubrikën bashkiake në televizionin lokal ‘IVB.

Nuk u mor vesh kujt i drejtohej njoftimi dhe se si mundej që qentë të informoheshin. Sidoqoftë u bë e ditur se kryetari i ri i respekton rigorozisht të drejtat e qytetarëve dhe të kafshëve dhe konventat për to. Me gjithë paralajmërimin, qentë vazhduan të mblidheshin rreth kasapëve në pazaret e lagjeve dhe sidomos në pazarin e vjetër të qytetit.

Aksioni i vrasjeve filloi pas mesnate, por qentë përdorën një taktikë kundërshtuese efikase. Porsa dëgjohej një e shtënë në qetësinë e natës, dhe hungërimat e qenit të plagosur çanin errësirën, tërë qentë ku ishin e ku s’ishin, në katër anët e qytetit ulërinin me sa u mbante fyti. Kjo krijoi tension dhe shqetësim të paparë. Shtypi, mbi njëzet gazeta dolën me artikuj specialë dhe dy syresh me kryeartikuj.

Kryeqytetasit kishin kaluar trauma e tmerre dhe nuk kishin më nerva të përballonin edhe këtë gjëmë qenërishte. Të vetmit që flinin të qetë ishin personelet e ambasadave, po ata që nuk protestuan.

Çështja u shtrua dhe në parlament. Ata që dridheshin më shumë, zgjoheshin pas mesit të natës nga hungërimat dhe nuk i zinte gjumi deri në mëngjes, ishin deputetët

Një institut studimesh i specializuar, që subvencionohej nga Këshilli Mirëdashës i Gadishullit, bëri me këtë rast një studim dhe pa se lidhje të çuditshme kishte midis rrogave të larta të nëpunësve shtetërorë dhe frikës së pasmesnatës. Sa më të larta ishin rrogat e atyre që mbaheshin nga taksapaguesit, aq më të pagjumë ishin këta rrogëtarë.

Të shtënat e çifteve dhe hungërimat e qenve u kujtonin Vitin e Zi, që ata donin ta harronin sa më parë të ish e mundur. Në një mbledhje të Kryesisë së Parlamentit, grupi parlamentar i Partisë së Tushkut që ishte në maxhorancë, kërkoi shtesë rrogash për deputetë që kishin filluar të vuanin nga pagjumësia. Në atë mbledhje u theksua se kjo pagjumësi vinte prej intrigave të shteteve fqinje të Gadishullit, që fusin edhe qentë e tyre në territorin tonë në kundërshtim me ndarjen e territorit të qenve që qenkësh aprovuar në takimin e kryetarëve të qeverive.

Çudia ndodhi, qentë u zhdukën nga qendra. Këtë herë duhet pranuar, ishte vetëm gjenialiteti i kryetarit të ri të bashkisë. Ai bëri kërcënimin dhe njëherësh premtimin që nëse do të kapte një qen rrugësh do ta lyente me bojë.

Në fillim qentë nuk e morën seriozisht kërcënimin e kryetarit të ri.

Në fakt, ekipi i ngarkuar, me moshë mesatare njëzete-tre vjeç, sipas porosisë, kapi gjashtë qenë. Pesë prej tyre, nën efektin e narkozës, arritën t’i lyenin, kurse njëri u shpëtoi.

Ishte ai i shpëtuari çoi lajmin i pari: shokë qenër, po na lyejnë me bojë, dhe nuk është shaka… Këta njerëz kanë dhe një këngë në folklor: Foli Teloja me gojë/do ju skuq me bojë… Tani po e zbatojnë me të vërtetë.

Sipas raporteve që u bënë publike, madje iu dërguan dhe Këshillit të Kontinentit, doli se të pesë qentë u lyen kështu:

I pari, nga gjysma e sipër portokalli, nga gjysma e poshtë violet.

I dyti, i gjithi i verdhë, koka e kuqe.

I treti, bishti blu, trupi bojëpjepri, koka bojëgjaku.

I katërti, trupi jeshile dervishi me njolla manushaqe, koka blumarin.

I pesti, trupi i kuq, koka e bardhë dhe bishti i zi.

Qentë e ngjyrosur u fotografuan dhe u filmuan para se të liheshin të lirë. Posterat e tyre mbushën rrugët dhe në sheshin kryesor ishte montuar një pllakat gjigant me pesë qentë laramanë dhe me një shënim poshtë: Qentë e rrugës bënë të njohur metropolin tonë.

Në editorialin e saj, gazeta më e rëndësishme e kryeqytetit doli me kryeartikullin “Metropol qensh”, ku sulmonte direkt kreun bashkiak.

U shkruan dymbëdhjetë artikuj pro dhe kundra. Bashkia u përgjigj se ngjyrosja ishte e studiuar dhe e programuar. Stafi ngjyrosës, në një intervistë të gjatë dhënë Televizionit Shtetëror, shpjegoi arsyet estetike dhe teknike, si dhe u kërkoi qytetarëve ta rizgjidhnin kryetarin aktual edhe për një mandat të dytë trevjeçar. Arsye parësore ishte se asnjë bashki në botë, kurrë më parë, nuk kishte bërë dot një çudi si kjo, bojatisja e qenve, dhe me kaq sukses. Kryeqyteti dukej tejet modern, dhe jetonte një kohë tjetër. Dukej se i kishte kaluar periudhat e krizave, jo të qenve, por të njerëzve.

Këta të fundit, mendonin se një ditë mund të lyheshin po njëlloj, dhe se kjo mund të qe eksperiencë e rëndësishme në rrugën e demokracisë.

Kundërshtarët, këshilltarët opozitarë, bënë parashikime të errëta për kryetarin, por gabuan. Doli e kundërta.

Qentë çuditërisht u zhdukën nga qendra e periferia dhe u strukën në zona të thella. Kjo ndodhi porsa panë pesë qentë kampionë. Ata të lyerit u futën në lumë, u zhgërryen në dhera, baltë e zall, por boja nuk u doli. Bashkia ishte kujdesur që me fondet rezervë dhe me kontributet e biznesit të blinte në Ikaliqi markën me të mirë të bojërave, me një garanci pesëvjeçare.

Të gjithë kryetarët e bashkive të qyteteve të tjera ndoqën shembullin e tij, dhe qentë përfundimisht u syrgjynosën vullnetarisht në rang republike.

Këshilli Verior i Kontinentit në bazë të raporteve që i bënë të dërguarit e posaçëm, vendosi dhe organizoi në kryeqytet një seminar në nivel rajonal, në mënyrë që kjo eksperiencë të përhapej dhe në shtetet fqinjë. Me këtë rast kryetarit të bashkisë së metropolit iu dha një çmim ndërkombëtar për kthimin e lumturisë qytetarëve të një vendi të varfër, të rraskapitur dhe depresiv.

 

Një vit pa Maks Velon

“Agjitacion dhe propagandë kundër shtetit”  ishte dënimi që i mori 10 vjet jetë Maks Velos, gjatë periudhës më të egër që ka parë Shqipëria.  Arkitekti dhe piktori, Maks Velo u nda nga jeta  më 7 maj të vitit të kaluar, për të lënë një vend bosh të pazëvendësueshëm në sferën publike. Një zë i fortë në mbrojtje të trashëgimisë dhe arkitekturës shqiptare por jo vetëm, një artist me botë dhe zemër të madhe.

Me kontribut të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës për shoqërinë dhe Shqipërinë. Autor i një sërë projektesh të ndryshme të rëndësishme të projektuara prej tij ose në bashkëpunim janë: Parku i Madh i Liqenit, Tiranë, shkolla “Emin Duraku”, objekti i banimit pranë Hotel Tiranës, godina e ish-ATSH, ish-hotel “Arbana”, Tiranë, kinemaja e Laprakës, kinema “Pionieri”, Tiranë, “Uzina Mekanike”, Peshkopi, etj.

“Maks Velo ka qenë pjesë e qëndresës sonë dhe një nga mbështetësit më të fortë të kauzës së teatrit në sferën publike. Në sheshin e teatrit gjeti gjithmonë një mikrofon të hapur duke ndarë me ne eksperiencën profesionale dhe fjalën e tij në mbrojtje të Teatrit, të cilin e konsideronte një monument historik dhe kulturor. Një mik i qytetit, që do të na mungojë të gjithëve. Qytetari dhe arkitekti Maks Velo, ka nderimin dhe bekimet tona.”, ka kujtuar mjeshtrin AMT-ja.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here