Biznesi: Të shqetësuar nga mënyra se si funksionon sistemi bankar në Shqipëri

0
53

Ervin Kaduku

Konfindustria denoncon raste të konkurrencës së ulët, madje të oligopolit nga bankat e nivelit të dytë, që e kanë shndërruar Shqipërinë në një “zonë laboratorike”, me pëlqimin e Ardian Fullanit

 

bankovka - peníze - euro - bankaNë një njoftim të saj zyrtar, Konfindustria shprehu shqetësimin e saj lidhur me pasojat e rënda në ekonominë kombëtare, biznesin dhe qytetarët shqiptare, që vijnë nga mënyra aktuale e ndërtimit dhe funksionimit të sistemit bankar shqiptar.

Konfindustria vlerëson se sistemi bankar ka shkallë të ulët të konkurencës, duke shfaqur në disa raste deri në bashkërendime të tipit oligopol. Pasojat e gjendjes së mësipërme janë ulja e masës së kreditimit të biznesit dhe individëve në kufirin më të ulët historik, termat më të lartë te kreditimit jo vetëm krahësimisht me vendet e BE, por edhe rajonit, duke e venë në kushte të pabarabarta sidomos prodhuesit vendor krahësimisht të huajve si dhe braktisjen pothuajse të plotë të sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare si bujqësia, etj. Gjithashtu rritja e nivelit të kredive me probleme në masën 25% dhe në shifër absolute mbi 1 miliard euro, thekson Konfindustria.

Konfindustria i kërkon vendimarrjes politike shqiptare të vlerësojë si rëndësi parësore ndërhyrjen institucionale për përmirësimin rrënjësor të ndërtimi dhe funksionimit të sistemit bankar. Janë një sërë nderhyrjesh të domosdoshme që duhet të ndërmerren nga Ekzekutivi në bashkëpunim edhe me biznesin për tejkalimin e gjendjes së veshtirë të tashme. Para së gjithash është krejt e papranueshme mungesa e tregut të kapitaleve, duke lënë pa asnjë mundësi zgjedhjeje biznesin dhe qytetarët shqiptare në investimin e kursimeve të tyre, theksohet në mesazhin e komunitetit të biznesit shqiptar.

Denoncimi dhe kërkesa nga ana e biznesit lidhur me praktikat dhe qendrimet e bankave të nivelit të dytë në realitetin shqiptar bëhet në një kohë, kur gazeta Standard po ngre prej kohësh pikëpyetje lidhur me tolerimin e pafalshëm nga ana e Bankës qendrore dhe guvernatorit të saj Fullani, si gatantë të mbarëvajtjes të këtij sektori jetik të ekonomisë shqiptare. Vetë guvernatori nuk bën më shumë se të bëjë thirrje boshe në adresë të bankave që operojnë në vend që këto të shtojnë kreditimin, Por çfarë ka ndodhur në fakt? Krejtësisht e kundërta. Bankat kanë qenë shumë aktive në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ndërkohë që nuk ka ndodhur e njëjta gjë me huadhënien për ekonominë. Të dhënat e detajuara bëhen të ditura nga tabelat e tremujorit të dytë 2013, të publikuara nga Shoqata e Bankave. Pesë banka, nga 12 që kanë raportuar të dhënat (mungojnë shifrat për Alpha Bank, Societe Generale, Credit Bank of Albania dhe United Bank of Albania) kanë raportuar ulje të portofolit të huasë për gjashtëmujorin e parë 2013 në raport me fundin e 2012-s. Sipas këtyre të dhënave, stoku i huasë për ekonominë ka rënë me 0.1% për periudhën në fjalë (qershor 2013/dhjetor 2012) në 498 miliardë lekë. Ndikimin më të madh në këte tendencë negative e ka dhënë Raiffeisen, banka më e madhe në vend si për nga aktivet ashtu dhe stoku i huasë, e cila për të dytin vit radhazi pothuajse e ka ndërprerë kredidhënien. Stoku i saj i huasë ka rënë me gati 4% (apo 5.2 miliardë lekë), duke zbritur në 129 miliardë lekë.

Është normale që bankat greke të shfaqin një lloj tërheqjeje nga dhënia e kredisë, ndërkohë që bankat e tyre mëma u kërkojnë gjithnjë e më shumë transferim të fitimit në Greqi, përballë jushteve të vështira dhe afatgjata të krizës që po përjetojnë në këtë vend, me ekonomi tashmë në kaos të plotë. Ndërkohë, Italia ka patur pak a shumë edhe ajo probleme, megjithatë Intesa ka qenë mjaft aktive duke dhënë kredi dhe po kështu ka bërë edhe banka franceze Societe Generale. Është normale që banka turke BKT të ishte aktive në treg, duke u nisur edhe nga situata e favorshme e Turqisë, me një PBB në rritje, kur të tjerët lëngojnë, por ajo, në vend që të investojë në ekonominë reale, ka investuar kryesisht në drejtim të borxhit të brendshëm.

Sa i përket Credinsit, kjo bankë ka qenë dhe ndodhet ende në qendër të problemeve financiare, që lidhen me dështime të ortakut të saj Rezart Taçi, të cilit i kishte hapur dyert pa kërkuar shumë llogari, veprim për të cilin tani banka e vetme me kapital shqiptar në treg po kalon vështirësi. Kohët e fundit, një raport i agjencisë së njohur ndërkombëtare Moody’s dha një vlerësim në ulje për këtë bankë, duke thënë se të gjitha parametrat e saj janë stabël, me përjashtim të perspektivës, që shfaqet me notën “negative”. Kjo parashikohet të ketë ndikim jo të vogël në rritjen e vështirësive nga ana e drejtuesve të kësaj banke, me përjashtim të rastit kur atë ta ndihmonte qeveria e re e majtë, me të cilën drejtuesit e saj kanë gjithashtu relata pak a shumë të ngrohta.

Në këtë treg, me lëvizje të konsoliduara tashmë prej disa tremujorësh, karakteristika e të cilave është tërheqja masive nga kreditimi i ekonomisë dhe qytetarëve dhe kërkimi i fitimit më të sigurtë, duke blerë letra me vlerë të shtetit, ajo që bie në sy është paraliza e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe Këshillit Mbikëqyrës të bankës qendrore. Drejtuesit e BSH do t’i justifikonin ato paga e shpërblime marramendëse në rast se do të kishin thënë më me forcë fjalën e tyre, duke ndikuar në trendin e institucioneve bankare me mjetet që lejon ligji shqiptar. Por, ata janë kënaqur me deklarata tepër të përcipta dhe me ulje të normës së interesit vetëm kur ka qenë tepër vonë.