Nuk qe asnjëherë në Shqipëri, por poeti kilian Pablo Neruda shkruajti një poezi për Shqipëri, dhe me rastin e dhjetëvjetorit të themelimit të partisë komuniste shqiptare, komiteti qëndror, vendosi të ftonte shkrimtarë dhe personalitete të njohur të botës komuniste. Mes tyre dhe poeti kilian. Por ftesën e komunistëve shqiptarë ai e injoroi. Këtë na e kujton në një reagim të tij, studiuesi Hasan Bello, i cili jep një konsideratë, argument pse u bë ky refuzim nga Pablo Neruda, duke u shprehur se, ndoshta ishim një vend periferik, por dhe se mund të kishte dëgjuar për trajtimin që regjimi komunist i bënte shkrimtarëve shqiptarë?!!
Nuk qe asnjëherë në Shqipëri, por poeti kilian Pablo Neruda shkruajti një poezi për Shqipëri, dhe me rastin e dhjetëvjetorit të themelimit të partisë komuniste shqiptare, komiteti qëndror, vendosi të ftonte shkrimtarë dhe personalitete të njohur të botës komuniste. Mes tyre dhe poeti kilian. Por ftesën e komunistëve shqiptarë ai e injoroi. Këtë na e kujton në një reagim të tij, studiuesi Hasan Bello, i cili jep një konsideratë, argument pse u bë ky refuzim nga Pablo Neruda, duke u shprehur se, ndoshta ishim një vend periferik, por dhe se mund të kishte dëgjuar për trajtimin që regjimi komunist i bënte shkrimtarëve shqiptarë?!! Më poshtë po japim të plotë këtë argument nga studiuesi ku sjell këtë vështrim: “Një nga poetët më të njohur të shek.XX është kiliani Pablo Neruda (1904-1973). Ai njihet edhe si politikan, diplomat dhe antifashist. Neruda përveç miqësisë me shkrimtarë të njohur të kohës, ishte i përfshirë dhe në lëvizjen komuniste. Kjo, ishte bërë “modë” për shumë intelektualë të para Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1971 Neruda fitoi çmimin Nobel për Letërsi, i cili u kundërshtua nga bashkëkohësit, për shkak të aktivitetit të tij politik. Megjithatë, shkrimtarë si Markezi e cilësuan atë si poeti më i madh i shek.XX.
Në vitin 1951, me rastin e dhjetëvjetorit të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, Komiteti Qendror, vendosi të ftonte shkrimtarë dhe personalitete të njohur të botës komuniste. Një nga këta ishte dhe poeti kilian Pablo Neruda. Më 27 shtator 1951, zëvendësministri i Jashtëm Mihal Prifti i përcolli legatës shqiptare në Moskë një zarf me ftesën përkatëse. Në këtë periudhë, Neruda ndodhej në Kinë. Por megjithë përpjekjet e ministrit shqiptar në Moskë Vasil Nathanaili dhe, ndërhyrjeve që ai bëri në Ministrinë e Jashtme të Bashkimit Sovjetik, as Neruda e as shkrimtari i njohur turk Nazim Hikmet, që ndodhej në Moskë si emigrant politik, për arsye të panjohura, nuk erdhën në Shqipëri.
Kjo tregon se në pikëpamjen kulturore Shqipëria konsiderohej si vend periferik dhe që nuk përfillej as nga poetë e shkrimtarë komunistë. Ndoshta për këtë mund të ketë ndikuar trajtimi që regjimi komunist i bënte shkrimtarëve shqiptarë. Me këtë kemi parasysh diferencën e madhe mes Tiranës zyrtare dhe vendeve të Bllokut Lindorë, në të cilat poetët dhe shkrimtarët gëzonin liri ku e ku më të mëdha se sa tek ne.”
***
Poeti i njohur si Pablo Neruda e pati emrin e fëmijërisë Neftalí Ricardo Reyes Basoalto, kur lindi në vitin 1904. Ai i nënshkroi veprat e tij si Pablo Neruda, por nuk e mori këtë emër ligjërisht deri në vitin 1946, për shkak se i ati, një punëtor hekurudhash, nuk e pëlqente interesin e të birit për poezinë. Neruda e përdori këtë emër në përkujtim të poetit çek Jan Neruda. Neruda u rrit në Kilin e jugut deri më 1921-shin, ku u zhvendos në Santiago dhe u regjistrua në kolegj për ta përgatitur veten si mësues i frëngjishtes. Por ai e braktisi shkollën për t’iu përkushtuar poezisë. Libri i tij i parë, “Crepusculario” (Libri i Muzgut), u publikua më 1923-shin, dhe në vitin pasardhës botoi “Njëzet poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi”. Kjo u bë vepra e tij më popullore me më shumë se një milion e gjysmë kopje të shitura. Libri ishte përplot me poezi romantike dhe erotike.
Mes viteve 1927 dhe 1935, Neruda ishte një diplomat i Kilit në Burma, Cejlon, Java, Singapor, Argjentinë dhe Spanjë. Më 1930 ai u martua për herë të parë, por martesa nuk ishte e lumtur dhe disa vite më vonë e la bashkëshorten e tij për të jetuar me Delia del Carril, me të cilën qëndroi deri në vitin 1955. Gjatë kësaj periudhe ai shkroi dy vëllimet me poezi, “Rezidencë në tokë”, të cilat konsiderohen si poezitë më të mira surrealiste në gjuhën spanjolle. Ai pretendoi më vonë se i pati shkruar këto vepra në një kohë që nuk dinte asgjë për surealizmin. Ai thjesht iu përgjigj rrymave letrare në qarkullim, pavarësisht se këto përgjigje u bënë vetë rrymë për formimin e lëvizjes surrealiste gjithkund tjetër.
Tmerri i Nerudës nga luftërat civile dhe barbaritë ushtarake (përfshirë vdekjen e mikut të tij, poetit Federico García Lorca) gjatë Luftës Civile në Spanjë, e bënë atë thellësisht komunist.
Poezia e tij nuk ishte më surrealiste, por më e drejtpërdrejtë. E shkruar jo për akademikët apo lexuesit e tjerë të sofistikuar, por për të shtypurit nga politika, punëtorët dhe njerëzit e thjeshtë.
Neruda këmbëngulte gjithashtu se ai ishte në mënyrë specifike një poet i Amerikës Latine. Ai njihet për poezinë “Lartësitë e Maçu Piçut”, ndoshta poezia më e madhe e tij, një poezi e botuar në vëllimin “Canto”. Ky vëllim u shkrua rreth fundit të viteve 1940, ndërsa Neruda po fshihej në Kili për të shmangur arrestimin për deklaratat që pati bërë kundër qeverisë. Ai u arratis nga Kili më 1949-n dhe nuk u kthye deri më 1952-shin, kur një regjim i ri erdhi në pushtet. Ai u martua me Matilde Urrutia tre vjet më vonë dhe e kaloi pjesën e mbetur të jetës me të në shtëpitë e veta në Santiago dhe në Isla Negra në bregdetin e Kilit.
Neruda mori Çmimin Ndërkombëtar të Paqes më 1950-n, çmimin e paqes “Stalin” më 1953-shin, një Doktoraturë Nderi në Letërsi nga Oksfordi më 1965-n, dhe çmimin “Nobel” në letërsi më 1971. Më 1969-n ai u nominua si kandidat për president nga Partia Komuniste, por u tërhoq në favor të shokut të tij, Salvador Allende. Në fund të jetës së tij, ai la 34 vëllime me poezi, ese dhe drama të botuara, si dhe tetë volume me poezi dhe kujtimet që iu botuan më vonë.
Poezia për Shqipërinë
Pablo Neruda nuk erdhi kurrë në Shqipëri, por në vargjet e një poezie që shkoi për vendin tonë gjen më shumë dashuri sesa mund të kenë të gjithë politikanët shqiptarë.
O Shqipëri e vogël, e fortë,
e vendosur dhe zëmjaltë,
teli i kitarës sate
‐ ujë dhe çelik i gjallë –
vjen e më t’i shtohet tingullit
të historisë,
këngës së kohës që s’ka të mposhtur,
me një zë bjeshkësh
dhe ndërtimesh,
aromash
dhe bardhësish,
këngës së mbarë njerëzve dhe mbarë, mbarë bjeshkëve,
zogjve dhe mollëve në lule, erërave dhe valëve.
Forca, vendosmëria dhe lulet janë dhuratat q’i sjell ti
ndërtimit të jetës mbi tokë…