Mbreti i lojës bingo

0
172

Ralph Ellison

 

bingo-cage-bkgndGruaja përballë tij po hante kikirikë të pjekur që erëmonin aq këndshëm, saqë ai mezi i vuri fre urisë. Të flinte, as që bëhej fjalë, ndaj dëshironte që ata të nxitonin për të filluar lojën bingo. Atje, në të djathtë të tij, dy djem po pinin verë nga një shishe e pështjellë me qese letre dhe, në errësirë, mund ta dëgjonte gurgullimën e butë. Stomaku i tij dha një gërrvimë të dobët, therëse. “Po të ishim në Jug të vendit,” mendonte, “mjaft që të përkulesha e t’i thoja, ‘Zonjë, më jepni ca nga ata kikirikë, ju lutem zonjë!’ dhe ajo do t’ma kalonte qesèn pa e vrarë fare mendjen.” Ose, në të njëjtën mënyrë, do t’i pyeste djemtë për një gllënkë. Kështu bëhen miq jugorët, dhe as që merakosen për t’u njohur më thellë. Por këtu Lart, punët janë ndryshe. Pyete, po deshe, dikë për diçka dhe shiko po s’menduan se ti je i marrë. Epo, unë s’jam i marrë! Vërtetë jam trokë, se s’kam çertifikatë lindje që të zë një punë, dhe Laura po vdes se s’kemi parà  për një mjek. Por s’jam i krisur. Dhe, megjithate, një njollë dyshimi u vatërzua në mendjen e tij ndërsa hodhi vështrimin drejt ekranit dhe pa heroin të hyjë vjedhurazi në një dhomë të errët, pastaj të dërgojë rrezen e një dritëhedhësi përgjatë murit me rafte librash. Ky është vendi ku e gjeti derën e fshehtë, u kujtua ai. Papritur, burri do të kalojë përmes murit dhe do ta gjejë vajzën të lidhur në shtrat, me duar e këmbë krejt të hapura dhe rroba copë e çikë. Ai qeshi lehtë me vete. E kishte parë filmin tri herë, dhe kjo skenë ishte një ndër më të mirat. Në të djathtë, një djalosh i pëshpërit sygapërruar shokut të tij:

“Plako, shih ç’bëhet atje!”

“Djallo punë!”

“Eh! Ç’do t’ma kishte qejfi ta kisha të lidhur atë, ja, si ajo …”

“Hej! Ai i krisuri po e zgjidh …”

“O plak! Ai e do atë.”

“E do apo s’e do!”

Burri pranë tij lëvizi me padurim, ndaj ai u përpoq ta përjetonte skenën. Por Laura s’i shqitej nga mendja. I lodhur herët nga shikimi i filmit, ai e hodhi vështrimin prapa, atje ku rrezja e bardhë filtrohej nga dhoma e projeksionit, mbi ballkon. Rrezja fillonte e ngushtë pastaj sa vinte e zgjerohej, dhe grimcat e pluhurit vallëzonin në bardhësinë e saj kur ajo binte mbi ekran. Qe për tu habitur se si rrezja binte drejt mbi ekran dhe s’gabonte për të rënë tjetërkund. Sidoqoftë, ata e kishin fiksuar mirë atë. Çdo gjë qe e fiksuar. Tani, e hamendësoni dot vajzën, kur e treguan me rroba të grisura,   të fillojë të heqë dhe ato që i kanë mbetur, dhe djali, kur të  hyjë brenda, të mos e zgjidhë atë, por ta mbajë atje dhe të fillojë të heqë rrobat e tij? Kjo po, kjo ja vlen për tu parë! Nëse një film do të dilte dore në kët’ farë feje, djemtë atje lart do të marroseshin. Po, po! Dhe aq njerëz do të vinin këtu saqë, gjatë nëntë muajve, s’do të gjenit dot një karrige! Një ndjenjë e çuditshme i lëvriu mbi lëkurë. Ai u rrëqeth. Dje, kishte parë një çimkë tek qafa e një gruaje kur po shëtitnin nëpër rrugën e ndriçuar. Por duke hetuar kofshën e tij përmes një vrime xhepi, ai kishte prekur vetëm puprriqe lëkure dhe vraja të vjetra. Shishja gurgulloi përsëri. Ai i mbylli sytë. Tani një muzikë ëndërruese po e shoqëronte filmin, dhe fishkëllimat e trenit dëgjoheshin në largësi, dhe ai – përsëri djalosh, duke ecur drejt Jugut, përgjatë tërthoreve të hekur-udhës, dhe duke parë trenin tek vinte, dhe duke vrapuar në kahun tjetër aq fort sa ç’i hanin këmbët, dhe duke dëgjuar sirenën vërshëllyese, dhe duke dalë, tamam në kohë, nga platforma tek trualli i ngurtësuar, me tokën që i dridhej nën këmbë, duke u ndjerë i lehtësuar kur vrapoi, tëposhtë trasesë së shtruar me qymyr, për tek xhadeja, dhe duke vështruar pas dhe parë me tmerr që treni i kishte lënë shinat dhe po e ndiqte, atje poshtë, në mes të rrugës, dhe të gjithë njerëzit e bardhë duke qeshur ndërsa ai vraponte duke ulëritur…

“Zgjohu, or mik! Ç’dreqin të kuturis mendja që ulërin në kët’ farë feje? A s’na sheh që përpiqemi ta shijojmë këtë skenë?”

Ai ia nguli sytë me mirënjohje.

“Më fal, plako!” i tha. “Duhet të kem qenë në ëndërr.”

Epo mirë, ja, hidhe një gllënkë. Dhe mos bëj më zhurmë si qëpari, dreqi ta hajë!”

Duart i dridheshin ndërsa e hodhi kokën prapa. Ajo s’ishte verë por uiski. Uiski thekre e ftohtë. Ai hurbi një goxha gllënkë pastaj, i vendosur të mos pinte tjetër, ia ktheu shishen të zotit.

“Faleminderit, plako!” i tha.

Tani e ndjente uiskin e ftohtë tek çante një udhëz të ngrohtë drejt e nëpër mesin e tij dhe, ndërsa lëngu lëvizte, të bëhej më i nxehtë e më i thekshëm. Tërë ditën s’kishte ngrënë. Ndaj dhe e ndjeu turbullimin. Erëmimi i kikirikëve e çponte si një thikë; u ngrit dhe gjeti një karrike në mes të udhëkalimit. Por, sapo u ul atje, pa një radhë me vajza të reja, me fytyra të prushuara. U ngrit përsëri duke menduar, “Ju zogëza duhet t’keni qenë duke kërcyer ‘Lindi’ diku.” Kur u hapën dritat, ai gjeti një karrrike disa rradhë më përpara dhe e pa ekranin tek zhdukej pas perdes së rëndë, të kuqe e të artë; pastaj perden duke u ngritur dhe burrin me mikrofon duke ardhur në skenë, së bashku me një shoqërues me uniformë.

Ai kërkoi duke buzëqeshur kartat e tij të bingos. Djalit tek dera s’do t’i vinte mirë nëse do ta merrte vesh se ai kishte pesë karta. E po, jo çdonjeri  e luante lojën bingo; madje edhe me pesë karta ai nuk kishte shumë shanse. Megjithate, vetëm për Laurën, duhet të kishte besim. Ai i studioi kartat, secilën me shifrat e veta të ndryshme, grushtonte secilën tek vrima e bërë në qendër dhe i hapte mbi gju që të dukeshin qartë; dhe, kur dritat u zbehën, u ul i kërrusur në karrige që, me një ngritje të shpejtë të syve, ta kalonte shikimin nga kartat tek rrota e bingos.

Më tej, kur filloi të dritësohej, burri me mikrofon ishte duke shtypur një buton të kapur tek një kordon i gjatë, duke shtyrë rrotën e bingos ,dhe thirrur numrin sa herë që rrota ndalonte.

Dhe sa herë që ai zë tingëllonte fort dhe qartë, gishti i tij kalonte me shpejtësi mbi kartat në kërkim të numrit. Me pesë karta, i duhej të lëvizte shpejt. U bë nevrik; kishte shumë karta dhe burri kalonte shumë shpejt me zërin e tij gërvishtës. Ndoshta duhej të përzgjidhte njërën dhe të tjerat t’i hidhte tutje. Por kishte frikë. Një zjarrmim e kapërtheu. Pyeti veten, sa do t’kërkonte doktori për Laurën? Në djall të vejë, hap sytë tek kartat! Dhe, me dëshpërim, ai e dëgjoi burrin të thërrasë Tre, në një rradhë të cilën e humbi me të pesë kartat. Kësisoj, ai kurrë s’do të fitonte …

Kur e pa rrjeshtin e vrimave, shpuar tërthor kartës së tretë, ai mbeti i ngrirë, pastaj dëgjoi burrin të thirrte edhe tre numrat e tjerë para se të mërkëmbej përpara duke sokëllitur.

“Bingo! Bingo!”

“Lereni atë budallë atje lart,” thirri dikush.

“Hip atje lart, o rob Zoti!”

Ai lëvizi, duke u lëkundur tëposhtë meskalimit dhe lart shkallëve për tek skena, brenda një fashoje drite aq të mprehtë e të ndritshme sa për një çast e verboi, dhe ai e ndjeu që kishte lëvizur brenda një fjale me një fuqi të çuditshme dhe misterioze. Por në të njëjtën kohë, ajo ishte aq e zakonshme sa dhe dielli dhe ai e njihte atë – ishte bingoja  e mirënjohur dhe e përkryer.

Burri me mikrofon po i thoshte diçka publikut ndërsa ai i dorëzoi kartën e tij. Një dritë e ftohtë shkrepi nga gishti i burrit kur karta i iku nga dora. Gjunjët iu dridhën. Burri u afrua duke kontrolluar kartën me numrat e shkruajtur me shkumës në dërrasë. Po sikur të kishte bërë ndonjë gabim? Kremi mbi flokët e burrit e zalisi ndaj u tërhoq mënjanë. Por tani, burri po kontrollonte kartën mbi mikrofon dhe s’bënte që ai të largohej. Qëndroi i shqetësuar ndërkohë që dëgjonte.

“Nën O, dyzet e katër,” psali burri. “Nën I, shtatë. Nën G, tre. Nën B, nëntëdhjetë e gjashtë. Nën N, trembëdhjetë!”

Frymëmarrja iu lehtësua kur burri u buzëqeshi dëgjuesve.

“Po, zonja dhe zotërinj, ai është një nga njerëzit e zgjedhur!”

Auditori dallgëzoi nga të qeshurat dhe duartrokitjet.

“Qëndro drejt, në ball të skenës!”

Ai lëvizi ngadalë përpara, me dëshirën që drita të mos ishte aq e fortë.

“Të fitosh xhekpotin e mbrëmjes, pra 36.90 $, duhet që rrota të ndalojë ndërmjet dy zerove, a e kupton?”

Ai pohoi me kokë, meqë e njihte ritualin nga ditët dhe netët e shumta kur kishte parë fituesit të marshonin përgjatë skenës për të shtypur butonin që kontrollonte rrotën vërtitëse, dhe të merrnin çmimet. Dhe tani, ai ndoqi udhëzimet sikur ta kishte përshkuar një milion herë skenën rrëshqitëse si fitues i çmimit.

Burri po sajonte një farë loje, dhe ai pohonte me kokë me mendjen arratisur. Qe tendosur aq shumë sa befas ndjeu dëshirën për të qarë dhe për t’i fshirë lotët. Ai e ndjente vagëllimthi që tërë jeta e tij qe përcaktuar nga rrota e bingos; jo vetëm ajo çfarë do të ndodhte tani që, së fundi, ishte para saj, por e tëra ç’kishte ndodhur më herët, që nga lindja e tij, lindja e nënës së tij dhe lindja e babait të tij. Ajo kishte qenë gjithnjë atje, edhe kur ai s’kishte qenë i ndërgjegjshëm për të, duke ia dhënë kartat dhe numrat e pafat të ditëve të tij. Ndjenja ngulmonte, dhe ai me shpejtësi nisi të largohej. Më mirë do të jetë të zbres që këtu para se të sillem si i marrë, mendoi ai.

“Këtu, djalo,” e thirri burri. “Ti akoma s’e filluar!”

Dikush qeshi kur ai u kthye i ndrojtur.

“A je mirë?”

Ai u zgërdhi me të folurën ritmike të burrit, por një fjalë s’i hyri në vesh, dhe e dinte mirë që e qeshura e tij s’qe fare bindëse; mbasi befas e kuptoi se po rrinte mbi zgripin rrëshqitës të një ngatërrese të tmerrshme.

“Nga je djalosh?” e pyeti burri.

“Nga jugu i vendit.”

“Zonja dhe zotërinj! Ai është nga poshtë, nga Jugu,” foli burri. “Nga ku? Thuaje qartë në mikrofon!”

“ Nga Mali i Gurtë,” tha ai. “Mali Gurtë, Karolina e Veriut.”

“Kështu pra, ti vendose të zbresësh nga ai mal për në Shtetet e Bashkuara,” qeshi burri. Ai e ndjeu që po e vinte në lojë, por pastaj diçka e ftohte i qe vënë në dorë dhe dritat nuk qenë më prapa tij.

Duke qëndruar para rrotës, u ndie i vetmuar, por vetmia, në një farë mënyre, qe e nevojshme pasi ai kujtoi planin e tij – do t’i jepte rrotës një vërtitje të shkurtër dhe të shpejtë; vetëm një cekje të butonit. E kishte parë shumë herë atë, dhe rrota vinte gjithnjë fare pranë dy zerove kur prekja ishte e shkurtër dhe e shpejtë. E bëri zemrën gur; frika i kishte dalë dhe përjetoi një ndjesì të thellë premtimi, sikur qe gati të shpërblehej për të gjitha gjërat që kishte vuajtur tërë jetës. Duke u dridhur, ai shtypi butonin. Pati një vërtitje dritash, dhe, në një sekond, ai e kuptoi përfundimisht që, edhe po të donte, ai se ndalte më rrotën. Ishte sikur të mbante një linjë tensioni të lartë me dorën e zhveshur. Nervat iu tendosën. Dhe, ndërsa rrota e rriste shpejtësinë, u duk sikur ajo do ta përthithte atë, gjithnjë e më shumë, brenda fuqisë së saj, sikur ajo e kishte në dorë fatin e tij; dhe, së bashku me këtë dukuri, lindi nevoja e thellë e nënshtrimit – të rrotullohej, ta lëshonte veten në vërtitjen e ngjyrave të saj. Tani, ai s’mund ta ndalte më rrotën. Le të vërtitej!

Butoni mbeti i tulatur në shputën e tij, aty ku e kishte vënë burri. Vetëm tani i ra ndërmend për burrin që i rrinte pranë duke e këshilluar përmes mikrofonit ndërsa, pas tyre, publiku i hijëzuar gumëzhinte nga zërat zhurmonjës. Ai lëvizi  këmbët. Akoma e kishte brenda vetes ndjenjën e të papërkrahurit, duke u bërë pjesë e tij dëshira për t’u tërhequr, pikërisht tani që xhekpoti ishte në dorën e tij. Ai e shtrydhi butonin derisà grushti i dhëmbi. Pastaj, si një piskamë e beftë e një fishkëllime metroje, një dyshim shkrepëtiu tejendanë kokës së tij. E nëse s’do ta vërtiste rrotën aq sa duhej? Çfarë mund të bënte, dhe si mund ta dinte? Por pastaj e mori vesh, ashtu i mrekulluar, që, për sa kohë do ta mbante të shtypur butonin, ai mund ta kontrollonte xhekpotin. Ai dhe vetëm ai mund ta përcaktonte nëse do të bëhej i veti, apo jo, xhekpoti. Madje, tani, as burri me mikrofon s’mund të bënte gjë për xhekpotin. Ndihej i pirë. Pastaj, si të kishte zbritur që nga shkrepat për në luginën e banuar, dëgjoi publikun të çirrej.

“Zbrit poshtë që andej, o rrotë!”

“Leja shansin një tjetri …”

“Hej! Xhekut i thotë mendja se ia gjen fundin ylberit …”

Zëri i fundit qe miqësor, ndaj u kthye dhe u buzëqeshi ëndërrues gojëve të çapëlyara. Pastaj ua ktheu shpinën tërësisht.

“Mos e tjerr gjatë, djalo!” u dëgjua një zë.

Ai pohoi me  kokë. Ata çirreshin pas tij. Ata njerëz s’e kuptonin ç’kishte ndodh me të. Me vite të tëra, ata e kishin luajtur lojën bingo, ditë për ditë e natë për natë, duke u përpjekur të fitonin parà për qeranë apo të holla për hamburger. Por asnjëri nga ata djem të zgjuar s’e kishte zbuluar këtë gjë të mrekulleshme. Ai e shihte rrotën duke u vërtitur përtej numrave, dhe përjetoi një shpërthim ekzaltues: Ky është Zoti! Ky është përnjëmend Zoti i vërtetë! Dhe e tha atë me zë të lartë, “Ky është Zoti!”

Ai e tha me një bindje të tillë absolute saqë u frikësua se mund të binte i zalisur tek dritat e buzë-skenës.  Por turma çirresh aq fort saqë s’mund ta dëgjonte. Të marrët! mendoi ai. Unë po përpiqem t’u tregoj sekretin më të mrekullueshëm në botë, ndërsa ata po çirren sikur janë të çmendur. Një dorë ra mbi supin e tij.

“Tani, ju duhet të bëni një zgjedhje, djalosh. E keni tjerrë shumë gjatë.”

Ai e brushoi me forcë dorën.

“Më ler vetëm, o burrë! Unë e di se bëj!”

Burri u hutua ndaj, për tu mbajtur, u kap tek mikrofoni. Dhe, ai, ngaqë s’pati dëshirë t’ia lëndonte ndjenjat, i buzëqeshi dhe, me një sëmbim të beftë, la të kuptohej se s’kishte mënyrë tjetër për t’ia shkoqitur se përse duhej të qëndronte atje duke e mbajtur butonin të shtypur përgjithnjë.

“Hajde këtu,” e thirri ai, i lodhur.

Burri u afrua duke rrotulluar mikrofonin e rëndë përgjatë skenës.

“Çdo njeri mund ta luaj lojën e bingos, apo jo?” e pyeti  ai.

“Sigurisht, por …”

Ai buzëqeshi, me dëshirën e mirë  për të qenë i duruar më këtë zvarranik lëkurë-bardhë, me këmishë blu dhe kostum gabardine të modës.

“Ja, ç’po mendoja unë,” i tha ai. “Çdo njeri mund ta fitojë xhekpotin sa kohë që e ka numrin fatlum, apo jo?”

“Ai është rregulli, por pavarësisht se ç’thuhet …”

“Ja, ç’po mendoja unë,” tha ai. “Dhe çmimi i madh, a shkon tek personi që di si ta fitojë?”

Burri pohoi me kokë pa e hapur gojën.

“Mirë pra, shko atje tej dhe më shih mua kur të fitoj ashtu siç dua vetë. Unë s’do të lëndoj njeri,” tha ai, “vetëm t’u tregoj se si fitohet. Them t’ja tregoj tërë botës si duhet bërë.”

Dhe meqë e mori të mirëqenë, buzëqeshi përsëri që burri ta merrte vesh se ai s’kish gjë kundër tij, ngaqë ishte i bardhë dhe i paduruar. Pastaj, s’deshi ta shohë më burrin dhe vazhdoi ta mbante shtypur butonin; zërat e turmës vinin tek ai si zhurmat në rrugë të largëta. Le të çirreshin! Të gjithë negrit, atje poshtë, ishin vërtetë të turpëruar ngaqë ishte i zi, si ata. Ai buzëqeshi me vete duke e ditur si qe puna. Më të shumtën e herëve, vetë ai qe turpëruar me çka bënin negrit. E po, le të turpëroheshin dhe ata për diçka kësaj radhe! Si ai. Ai ishte si një tel i zi, i hollë dhe i gjatë që po  shtrëngohej dhe mbështillej mbi rrotën e bingos; po mbështillej aq fort sa donte të ulërinte; po mbështillej, por kësaj here ishte vetë ai që e kontrollonte kurdisjen, dhe trishtimin, dhe turpin dhe, pse e bënte atë, Laura do të shpëtonte. Befas dritat vezulluan. Ai u lëkund praptazi. Mos vallë, diçka kishte shkuar keq? Gjithë kjo zhurmë! A s’e dinin ata se ndonëse ai kontrollonte rrotën, edhe rrota e kontrollonte atë, dhe, po të mos e mbante shtypur butonin gjithnjë e përgjithnjë, ajo s’do të ndalte kurrë për ta lënë atë kokë e trokë, trokë e kokë mbi atë malësi të gurtë e rrëshqitëse, dhe Laurën të vdesë? Kishte vetëm një mundësi; duhej të bënte çfarëdo që t’i kërkonte rrota. Dhe duke e shtrënguar butonin me dëshprim, ai zbuloi me çudi se ajo i përcolli një energji nervore. Shpina i mizëroi. Ai përjetoi një lloj fuqie.

Tani e përballi turmën e egërsuar me mospërfillje. Çjerrjet e saj ia përshkonin daullen e veshit si klithmat e trombave nga një xhu-boks. Fytyrat e përhumbura, që skuqnin nën dritat e bingos, i përcollën një domethënie që s’e kish njohur më parë. Për atë Zot, ai po e drejtonte çfaqjen! Ata duhej t’i bindeshin atij, pasi ai ishte fati i tyre. Jam unë, mendonte ai. Le të çirren bastardët! Pastaj, dikush po qeshte brënda tij, dhe ai e kuptoi se, në një farë mënyre, e kishte harruar emrin e tij. Qe një ndjenjë e trishtuar, përpirëse të humbje emrin tënd dhe një  çmenduri ta bëje. Ai emër i qe vënë nga një burrë i bardhë, pronar i gjyshit të tij, kohë më parë, sa s’mbahej mend, atje në jug të vendit. Por ndoshta ata djem të zgjuar e dinin emrin e tij.

“Cili jam unë?” bërtiti ai.

“Nxito për bingon, o rrotë!”

Edhe ata s’e dinë, mendoi i trishtuar. Madje, ata s’dinë as emrat e tyre; ata, të gjithë, ishin bastardë të mjerë e pa emër. E po, atij s’i duhej më emri i vjetër; ai kishte rilindur. Për sa kohë që e mbante shtypur butonin, ai ishte Burri-që-shtypi-butonin-që-fitoi-çmimin-që-ishte-Mbreti-i-Bingos. Ajo ishte rruga e duhur, dhe ai duhej ta mbante shtypur butonin, ndonëse asnjë s’e kuptonte, dhe sikur Laura të mos e kuptonte.

“Jeto!” sokëlliu ai.

Publiku u qetësua si një ventilator i stërmadh në agoni.

“Jeto, Laura! Jeto, vogëlushe! Tani ia mora dorën, zemër. Jeto!”

E ndërsa klithte, lotët i rridhnin çurk nëpër faqe. “Unë s’kam  tjetër veç teje!”

Klithjet iu shkalafitën që nga thellësia e lukthit. Iu bë sikur vërshimi i gjakut në kokë do t’i shpërthente në pikëla të kuqe, si nga tegelat e një topi bejzbolli, si nga një kokë e goditur prej shkopinjve të policisë. Duke u përkulur, ai pa një çurkë gjaku t’ia spërkasë majën e këpucës. Me dorën e lirë kontrolloi kokën. Ishte hunda e tij. O Zot, vërtetë diçka të ketë shkuar keq?! Iu duk se i tërë publiku, në një far’ mënyre, i kishte hyrë brenda dhe po ia shkelmonte stomakun ndërsa ai qe i paaftë t’i nxirrte jashtë. Ata donin çmimin, ja çfar’ kërkonin ata. E donin sekretin për vete. Por ata kurrë s’do ta mësonin atë; ai do ta mbante rrotën e bingos të vërtitej pambarim dhe Laura do t’ishte e sigurtë në rrotë. Por a do t’ishte vallë? Kështu duhej të ndodhte mbasi, nëse ajo nuk do t’ishte e sigurtë, rrota do të pushonte së rrotulluari; s’do të vërtitej më. Ai duhej t’ja mbathte; të villte gjithshka, dhe mëndja e tij sajoi një  imazh për veten – me Laurën në krahë duke rendur tatëpjetë shinave të metrosë, pikërish ballazi një treni A; duke vrapuar dëshprueshëm, ai vjell ndërsa njerëzit i klithin të dalë jashtë, por pa ia thënë se si t’i lërë shinat mbasi, po të rrinte aty, do të coptohej nga treni që do i shkonte sipër, dhe  të shmangej tërthorazi shinave të tjera do të thoshte të vraponte drejt një binari të tretë e të nxehtë, në lartësinë e mesit të tij, i cili hidhte xixa blu që ia verbonin sytë, aq sa mezi mund të shihte.

Ai dëgjoi që këndonin ndërsa auditori përplaste duart.

– Shtiji liker, Xhim djali!

– Fap-fap-fap

Kur e thirri polic trimi

– Se ç’e la në baltë durimi

– Shtiji liker, Xhim djali!

Një inat i hidhur u rrit brënda tij gjatë këngës. Ata mendojnë se unë jam i marrrë. E po, le të qeshin! Unë do të bëj atë çka duhej ta bëja.

I përhumbur në thellësinë e dëgjimit, vuri re se ata po shihnin diçka mbi skenë, prapa tij. U ligështua. Por kur u kthye, nuk pa njeri. Ah, sikur gishti i madh të mos i dhimbte në kët’ far’ feje! Ja, ata po duartrokisnin, dhe për një çast mendoi se rrota kishte ndalur. Por kjo s’ishte e mundur, gishti i madh akoma e mbante butonin të shtypur. Atëhere, ai i pa ata. Dy burra me uniformë i bënin shenjë që nga fundi i skenës. Ata po vinin drejt tij, me hap, ngadalë, si një duet kërcimtarësh Tap-Dance që rikthehet nga bis-i i tretë. Por shpatullat e tyre e goditën përpara, dhe ai u zmbraps tutje duke vështruar si i çmendur rreth e rrotull. Asgjë s’i ndodhej që të luftonte me ta. Ai kishte vetëm kordonin e zi e të gjatë i cili të çonte tek një prizë diku pas skene, dhe ai nuk mund ta përdorte kordonin ngaqë kordoni e vente në punë rrotën e bingos. Ai u zmbraps ngadalë pa ja ndarë sytë burrave ndërsa buzët i shtrëngoi përmbi dhëmbë me një ngërdheshje të tendosur dhe të ngrirë; lëvizi drejt fundit të skenës, dhe e kuptoi që s’mund të shkonte më tej – befas kordoni u tendos dhe  për ta këputur as që bëhej fjalë. Por duhej bërë diçka. Publiku po hungërinte. Befas, ai mbeti i vdekur, duke parë burrat t’i ndalnin këmbët e ngritura si në hapin e ngrirë të një valleje me lëvizje të squllura. Asgjë s’mund të bënte veç të vraponte në drejtimin tjetër, dhe ai u turr përpara duke shkarë e rrëshqitur. Të befasuar, burrat u tërhoqën. Ai u qëlloi me forcë duke kalur përtej.

“Mbërthejeni atë!”

Ai vrapoi, por më shpejt nga ç’duhej, dhe kordoni u tendos, kundërveproi, ndaj u kthye dhe vrapoi përsëri në të kundërt. Kësaj radhe u rrëshqiti atyre dhe zbuloi se duke vrapuar para rrotës, sipas një rrethi, mund ta mbante kordonin të pa tendosur. Por, sipas kësaj mënyre, i duhej t’i valëviste krahët për t’i mbajtur burrat larg. Përse, xhanëm, s’mund ta lënë një burrë vetëm?!  Ai vraponte, bënte rrathë.

“Rrethojeni poshtë perdes,” klithi dikush. Por ata s’mund ta bënin atë. Nëse do ta bënin, ndriçimi i rrotës nga dhoma e projektimit do ndërpritej. Por ata e kishin zënë, më parë se ai t’ua thoshte përsenë, duke u përpjekur që t’ia hapnin grushtin, dhe ai përleshej dhe përpiqej t’i fuste edhe gjunjët në luftim dhe ta mbërthente mirë butonin, mbasi butoni ishte jeta e tij. Dhe tani qe përtokë, duke parë një këmbë të ulej, për t’ia shtypur egërsisht grushtin, poshtë, ndërkohë që e shihte rrotën të vërtitej qetësisht lart.

“Unë s’mund ta dorëzoj,” ulëriti ai.

Pastaj qetësisht, me një ton të përzemërt, “Djema, vërtetë s’mund t’jua dorëzoj.”

Butoni u përplas fort në kokën e tij. Dhe në një çast hutimi, ata ia hoqën duarsh, tani përfundimisht. Ai luftoi me ta duke u përpjekur ta ngrinte veten nga skena  ndërsa shihte rrotën të vërtitej ngadalë për t’u ndalur. Pa u çuditur, ai e pa rrotën të qëndronte tek dy zerot.

“Shikojeni!” tregoi me gisht tërë mllëf.

“Sigurisht, djalosh, sigurisht, çdo gjë në rregull,” tha buzëgaz një nga burrat.

Dhe, duke parë që burri nderoi me kokë dikë që ai s’e shihte dot, përjetoi një lumturi të pamatë; ai do ta merrte atë çka marrin të gjithë fituesit.

Por ndërsa ngrohej nën drejtësinë e buzëqeshjes së shtrënguar, ai s’e pa burrin tek e shkelte lehtë syrin, as këmbë-shtrembtin pas tij që doli tej perdes së ulur me shpejtësi, i vendosur ta godasë.  Ai veçse ndjeu dhimbjen turbulluese që shpërtheu në kafkën e tij, dhe e mori vesh që, dhe nëse dhimbja do ta mëshironte, fati i tij kishte perënduar në skenë.

Përktheu nga anglishtja: Shpëtim Myshketa

Marrw nga “Fjala review”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency