Lamtumira “Spice Boy” lë futbollin pas 20 vitesh

0
144

 Përgatiti Altin Vorpsi

beckham

Bekami lë prapa një karrierë 20-vjeçare, që nisi me debutimin me fanellën e Mançester Junajtidit dy dekada më parë, 115 ndeshje me kombëtaren angleze dhe i vetmi futbollist anglez në histori që fiton titullin në 4 kampionate të ndryshme.

 

 

Devid Bekam vari këpucët në gozhdë… jo atë që i hodhi Sër Aleks Fergusoni në ballë vite më parë. Kampioni 38-vjeçar vendos të lërë katërkëndëshin e blertë si i tillë, pas triumfit në Ligën e Parë franceze.

 

Zyrtarizimi

Lajmi i lamtumirës erdhi dje dhe duhet thënë se nuk e priste askush: “Falënderoj PSG-në që më dha mundësinë të vazhdoja të luaja futboll, por mendoj se ka ardhur momenti t’i jap fund karrierës në nivelet më të larta. Po të më kishin thënë se do të kisha luajtur futboll me Mançester Junajtidin, do ta kisha mbajtur me krenari shiritin e kapitenit për kombëtaren e vendit tim për më shumë se 100 ndeshje dhe do të kisha luajtur në klubet më të rëndësishme të botës, atëherë do t’u isha përgjigjur se ishte një fantazi e pastër. Unë jam me fat që i realizova të gjitha këto ëndrra. Nga sot ajo çka më bën më shumë krenar për karrierën time, është se kam qenë kapiteni i Anglisë. Sa herë vishja fanellën e ‘Tre Luanëve’, jo vetëm i bashkohesha një plejade të mrekullueshme lojtarësh, por përfaqësoja edhe çdo tifoz që ndjek me pasion kombëtaren e tij. Jam i nderuar që kam përfaqësuar Anglinë brenda dhe jashtë fushe”.

 

Një tjetër jetë

“Asgjë nuk do të kisha arritur pa familjen time. U jam mirënjohës prindërve të mi për sakrificat, të cilat më lejuan të realizoja ëndrrat e mia. I detyrohem gjithçka Viktorias dhe fëmijëve, të cilët kanë qenë frymëzimi dhe mbështetja ime për të luajtur në maksimum për një periudhë kaq të gjatë. Dua të falënderoj edhe Sajmon Fullerin dhe skuadrën e tij për mbështetjen e vazhdueshme. Dua të falënderoj të gjithë shokët e skuadrave dhe trajnerët nga të cilët kam pasur kënaqësinë të mësoj. Dua të falënderoj edhe të gjithë tifozët që më kanë mbështetur dhe më kanë dhënë forcë gjatë dy dekadave. Asgjë nuk do ta zëvendësojë 100% këtë sport në zemrën time. Megjithatë, më pret një aventurë e re dhe mezi po pres për ta shijuar. Ndihem me shumë fat që më janë dhënë kaq shumë mundësi gjatë karrierës sime dhe tashmë është momenti të ndryshoj”, – vazhdoi “Spice Boy”

 

Brilant

“Spice Boy” largohet si një ikonë e futbollit botëror. Ai u pranua në akademinë e Mançester Junajtidit në vitin 1991 kur ishte vetëm 16 vjeç. Debutimi me skuadrën e parë do të vinte 3 vite më vonë, 7 dhjetor 1994. Me “djajtë e kuq” të Fergusonit, i cili si në fund të sezonit merr me vete edhe nxënësin e tij, Bekami fitoi 6 tituj në Angli (i pari në vitin 1996 dhe i fundit në 2003) dhe një Champions (1999). Pastaj dy kupa dhe një Superkupë. Më pas iu bashkua Realit të Madridit, Milanit dhe Los Anxheles Galaksisë. Fitoi La Ligën në sezonin 2006-07 dhe Superkupën e Spanjës. Pastaj dy tituj në SHBA me kalifornianët (2011 dhe 2012). Qershia mbi tortë ishte titulli i fundit në Francë me PSG-në. Pas Skollsit, një tjetër yll i klasës së vitit 1992 të Mançester Junajtid zyrtarizon tërheqjen e tij nga futbolli.

 

 

“I artë”

Mesi dhe Ronaldo mund të kenë shkëlqyer më shumë se ai në fushën e blertë, por Devid Bekam është futbollisti më i pasur në botë. Në moshën 38-vjeçare, anglezi është futbollisti që largohet si mbreti i planetit, me një pasuri që kap shifrat e 200 milionë eurove. Vitin e fundit, anglezi fitoi 22 milionë euro vetëm nga marrëveshjet e biznesit. Pas tij vjen Lionel Mesi (134 milionë euro) dhe në vend të tretë është Kristiano Ronaldo (130 milionë euro). I katërti në listë ndër më të paguarit është Kaka me 80 milionë euro në sezon, ndërsa pas Rikardinjos renditet patrioti i tij, Ronaldinjo, me 73 milionë euro.

 

Skeda

Emri: Devid Bekam

Datëlindja: 2 maj 1975 (38 vjeç), Londër (Angli)

Pozicioni: Mesfushor

Karriera: 1993–2003 – Man.Junajtid         265 ndeshje

1994–1995 – Preston North End (huazim)5 ndeshje

2003–2007 – Real Madrid               116 ndeshje

2007–2012 – Los Anxheles Galaksi         98 ndeshje

2009 – Milan (huazim)                                 18 ndeshje

2010 – Milan (huazim)                                 11 ndeshje

2013   PSG    9 ndeshje

Karriera me kombëtaren

1992–1993 – Angli U-18     3 ndeshje

1994–1996 – Angli U-21     9 ndeshje

1996–2009 – Angli  115 ndeshje

 

Trofetë

Mançester Junajtid

Premier Ligë – 1996, 1997, 1999, 2000, 2001, 2003

Champions League – 1999

“FA Cup” – 1996, 1999

Superkupa e Anglisë – 1993, 1994, 1996, 1997

Kupa Ndërkontinentale – 1999

“FA Youth Cup” – 1992

Real Madrid

La Liga – 2007

Superkupa e Spanjës – 2003

LA Galaksi

“MLS Cup” – 2011, 2012

PSG

Ligue 1 – 2013

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency