Ekonomi Rusia rrezikon kolapsin për “faj” të Botërorit 2018

0
131

 Përgatiti Altin Vorpsi

Russia_2018_World_Cup

“Një pjesë e mirë e vendeve do të kenë vështirësi që të gjenerojnë fondet e duhura për të sponsorizuar eventet që do të mbahen në qytetet e tyre, për shkak se rritja ekonomike në Rusi do të jetë edhe më e vogël”, – shkruan “S&P”

 

 

Vladimir Putin kërkoi me ngulm që Rusia të organizonte Lojërat Dimërore në 2014 dhe Botërorin e futbollit në 2018. Presidenti, mbase i shtyrë nga dëliri i madhështisë, ka dashur që të promovojë paksa vendin e tij duke vënë kështu në qendër të dy projekteve mjaft të kushtueshme. Dy projekte që kanë venë në rrezik bankat e qyteteve pritëse. Këto institucione po falimentojnë nga  kreditë e mëdha të dhëna.

 

Alarmi

Për të dhënë alarmin ka menduar agjencia “Standard & Poor’s” që në një raport të fundit të publikuar hedh dyshime të rënda sa i përket shifrave që do të lëvrohen për të mundësuar organizimin e këtyre eventeve. “Një pjesë e mirë e vendeve do të kenë vështirësi që të gjenerojnë fondet e duhura për të sponsorizuar eventet që do të mbahen në qytet e tyre për shkak se rritja ekonomike në Rusi do të jetë edhe më e vogël”, – shkruan “S&P”.

 

Pak transparencë

Një tjetër faktor që ka përkeqësuar gjendjen është edhe transparenca e pakët në sektorin ekonomik. Shpenzimet e parashikuara për infrastrukturën janë dyfishuar në tre vitet e fundit: në 2010 Putini vetë fliste për një buxhet 7 – 8 miliardësh euro, ndërsa së fundmi Vitaly Mutko – ministri i Sporteve dhe president i komitetit organizator të “FIFA World Cup 2018” – ka folur për një shifër që i afrohet 15 miliardë eurove. Por edhe kjo shifër nuk është ajo e duhura pasi vetë administratat lokale kanë bërë të ditur se në tërësi duhen të paktën 33 miliardë euro.

 

Kush ia del

Nëse këto parashikime do të jenë të vërteta, atëherë vetëm administratat lokale më të pasura mund t’ia lejojnë vetes të ndërtojnë terrenet sportive për të pritur eventet në fjalë. Qytetet që nuk do të kenë probleme sipas “Standard & Poor’s” do të jenë Moska e Shën Pjetërburgu, Kazani dhe Soçi (do të mbahen Lojërat Olimpike Dimërore më të shtrenjta të historisë, pasi do të shpenzohen rreth 50 miliardë dollarë, rreth dyfishi i atyre që u shpenzuan për Londër 2012).

 

Problematiket

Për shtatë qytetet e tjera pritëse (Ekaterinburg, Samara, Saransk, Rostov-on-Don, Nizhni Novgorod, Volgograd dhe Kaliningrad) “S&P” parashikon probleme të mëdha. Në disa raste si Kaliningradi për shembull, stadiumi do të ngrihet i ri dhe për të bërë diçka të tillë duhen qindra milionë euro. ndërsa në qytete si Samara dhe Saransk stadiumet duhet të rikonstruktohen nga e para. Duhet thënë se pikërisht për mungesë fondesh qeveria ruse ka mënjanuar fillimin e punës në rrjetin hekurudhorë që qe parashikuar të ngrihej në Urale.

 

Parashikimet

Kështu, parashikimet nuk janë nga më të mirat. Për të përmbushur detyrimet përballë pushtetit qendror ato lokale mund të marrin kredi të rënda që nuk do të kenë mundësi t’i shlyejnë në një të ardhme të afërt. Dhe nëse nuk do të gjendet një zgjedhje atëherë agjencia “S&P” paralajmëron që infrastruktura e Botërorit Rusi 2018 do jetë mjaft e dobët. Kjo agjenci tregon se korrupsioni është nga faktorët që shifrat fillestare të parashikuara janë ndryshuar. Por kjo nuk është një e re për vendin lindorë…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency