Konventa për barazinë gjinore Berisha: Zonja nuk kthehet mbrapa, fitorja në 23 qershor, në duart tuaja

0
3073

Gëzim Saliu

bero“Projekti ynë do t’i japë fund pabarazisë gjinore, do “thërrmojë” murin e patriarkisë”

 

Në konventën e PD-së për barazinë gjinore, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, deklaroi se fitorja e zgjedhjeve në 23 qershor është në duart e femrave. Duke vlerësuar se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare janë përcaktuese për Shqipërinë evropiane, kreu i forcës më të madhe politike në vend theksoi se PD ecën e sigurt drejt suksesit elektoral. “Ne po ecim drejt zgjedhjeve të 23 qershorit që janë përcaktuese për ëndrrën dhe të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Zgjedhje që janë përcaktuese për të ardhmen Evropiane dhe rolin e madh tuajin në shoqërinë shqiptare. Më 23 qershor fitorja si gjithnjë është në duar tuaja, fitorja është vepra juaj, nga zgjedhjet e para pluraliste gjer më sot fitorja e PD ka pasur një emër dhe vetëm një emër, emri i saj ka qenë grua, zonjë vajzë, zonjushë. Ndaj dhe këtu 50 ditë që kanë mbetur me forcën shpirtërore të argumentit tuaj dhe qartësinë dhe kthjelltësinë tuaj me vendosmërinë e paepur tuajën zonja Margaret Thatcher do t’ju thoshte: “Zonja nuk kthehet mbrapa”. Edhe ju persistoni në realizimin e qëllimit tuaj, të një procesi zgjedhor të bukur e të qytetëruar si ju, të një procesi zgjedhor të denjë për çdo shqiptarë, në lartësinë e fitores sonë. Nderime grave dhe vajzave shqiptare, nënave, motrave tona”, – u shpreh Berisha.

 

Mandati i tretë

Në fjalën e tij në Pallatin e Kongreseve, në sallën e mbushur me vajza dhe gra, Kryeministri theksoi se me projektin e mazhorancës për mandatin e tretë do shembet hendeku i pabarazisë gjinore. “Por sot, ne do vendosim për rolin tuaj udhëheqës, për kontributin tuaj shkencor, kulturor. Do vendosim për përpjekjen tonë të madhe kombëtare për të ngushtuar hendekun dhe pabarazinë gjinore, për të shembur murin e patriarkisë. Vajza dhe gra shqiptare në sallë dhe kudo që jeni, për ne çështja e lirive dhe të drejtave tuaja, është para së gjithash çështja e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Askush nuk ka pasur histori më të vështirë dhe sakrifica sesa ju. Në sakrificën tuaj qëndron fisnikëria e shpirtit tuaj. Ne jemi këtu për tu zotuar se do bëjmë gjithçka që 4 vitet që vijnë për respektimin e të drejtave tuaja”, deklaroi Berisha. Më tej ai nënvizoi se me bashkimin me të djathtën, të gjitha vajzat dhe gratë do të bëjnë të mundur zhdukjen e dhunës ndaj tyre. “Çështja e vajzave dhe grave është çështje e madhe e kombi e shoqërisë e emancipimit. Vajza shqiptare të të gjitha bindjeve bashkohuni me ne, së bashku të bëjmë të mundur që askush mos të dhunojë liritë dhe të drejtat tuaja. Së bashku me këtë projekt të thërrmojmë murin e patriarkisë. Të vendosim para ligjit cilindo që guxon të shkelmojë liritë dhe të drejtat tuaja. Të bashkojmë zërin tonë me çdo nënë dhe vajzë që padrejtësisht dhunohet në shtëpinë e saj. Por, çështja e vajzave dhe grave nuk është çështje e lirive dhe të drejtave njerëzore, para së gjithash është çështje e zhvillimit të kombit në rrugë evropiane. Ndaj, ftoj vajzat dhe gratë e Shqipërisë të bashkohemi për shkollim sa më të mirë. Në 4 vite që vijnë ta vendosim në çdo hallkë të politikës shqiptare”, – pohoi kreu i qeverisë dhe njëkohësisht i PD-së, Sali Berisha.

 

Topalli në konventë: Ju rrëfej vështirësitë e një nëne, si më kërcënuan me kallash në kokë

Në konventën e gruas demokrate, nënkryetarja e PD-së, njëherësh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke u “zhveshur” nga petku i politikanes, bëri një rrëfim të jetës së saj, duke kujtuar disa nga peripecitë e karrierës. “Shumë prej jush më njohin nga afër si nënkryetarja e PD-së dhe së bashku kemi përjetuar momente të jashtëzakonshme, të vështira dhe të lumtura. Shumë të tjera më njohin si Kryetaren e Kuvendit, që në ekran mund të shfaqet edhe e ashpër. Në fakt, gjatë këtyre viteve axhenda e Parlamentit ka qenë sfidë dhe reformë dhe përballë kam pasur bllokim dhe bojkot. Pozicionin tim e kam cilësuar si sfidë për t’i shërbyer kauzës sonë, reformës dhe ndryshimit. Por, më parë jam Jozefina, bijë dhe nënë e dy fëmijëve Megi dhe Genari, që janë dy kryevepra të mia. Të jem nëna më e mirë në botë është arritja më madhe në jetë. Sot nuk flas si politikane, por si nënë. Më kujtohen net të panumërta pa gjumë, kujtoj me mall kur vrapoja pas tyre, fati e donte që Megi të lindte ditën kur babai im u nda nga jeta”, – tha Topalli. Më tej Kryeparlamentarja bëri të ditur edhe arsyen e afrimit të saj me Partinë Demokratike duke thënë: “Në atë kohë më kishin dhënë një punë të vështirë në internim, por kurrë nuk hoqa dorë nga ëndrra ime për t’u bërë matematikane, unë ëndërroja të bëhesha shkencëtare, ndërsa politikane nuk mund ta çoja ndërmend të Republikën Socialiste të Shqipërisë, ku dy njerëzit e mi të dashur u persekutuan. Ishte kjo arsyeja, pasi shqiptarët realizuan ndryshimin epokal, një miku im më tha: Ti Jozefinë ke qenë e destinuar të hyje në politike para 20 vitesh. Në vitin 1996, kur sapo kisha lindur Genarin, jeta ime ndryshoi, duke ecur drejt të paimagjinueshmes. Presidenti Sali Berisha më kandidoi në qytetin tim të përjetshëm, në Shkodër, dhe unë nisa rrugëtimin tim… Djali im ishte disa muajsh, kur PD ishte në opozitë. Ishte kohë e vështirë, shteti vriste kolegët e mi, isha gruaja e vetme që hyra në Kuvend me votat e shkodranëve të paepur. Sali Berisha më besoi postin e nënkryetares së Parlamentit. Ishin vite kur shteti i marrë me dhunë kishte si qëllim të largonte nga skena Sali Berishën, të asgjësonte PD-në. Në atë kohë të dhunshme dhe jo aq të largët me shumë pak kolegë shkonim të ngrinim në çdo qytet PD-në. Unë jetoja në Shkodër dhe për të shkuar në Tiranë me rrugë me gropa duhet të udhëtoja 4 orë. Në 8 vite kisha një bashkudhëtar, Genarin e vogël. Kam në mendje vrapin e tij që më pasi ai me priste deri sa kthehesha”. Po ashtu, Topalli kujtoi disa ngjarje politike të cilat kishin sjellë edhe rrezik për jetën, midis tyre edhe lajmin se kishte pësuar atentat. “Kujtoj 4 qershorin e vitit 1998, kur me Azem Hajdarin, Liri Berishën dhe Aleksandër Meksin shkuam për të pritur vëllezërit kosovarë. Shteti qëlloi mbi Azem Hajdarin. Kujtoj se në vitin 1998 më bllokuan në Peshkëpi të Vlorës dhe më mbajtën 20 minuta me kallash në kokë. Me mua ishte një zonjë trime nga Vlora, qetësia e saj na shpëtoi jetën. Emri i saj ishte Dorotea. Por, një ngjarje tjetër ishte duke u zhvilluar në shtëpinë time, pasi një televizion lokal thoshte se ndaj Jozefinës është bërë atentat. Vajza ime e kishte lexuar me zë dhe djali i vogël thoshte: Mama, mama, pasi mendonte se mamit të tij do t’i bënin keq. Ne e donim vendin tonë në ditën më të keqe dhe ky ishte motiv që të mos kishim frikë. Sot Shqipëria ime ka ndryshuar shumë, ndërkohë fëmijët e mi janë rritur, shkolluar, por pavarësisht se janë rritur, ata për mua janë si fëmijë të vegjël. Kjo është puna më e mirë, por me e vështira që kemi bërë…”

 

Majlinda Bregu: Qytetarët na votojnë për vlerat që mbartim

“Në çdo kohë, gruas i janë kushtuar libra, piktura, filma, vargje… Por edhe e kanë paragjykuar e penguar sa herë ka kërkuar e fituar vendin që meriton në shoqëri. E keni vënë re se kur një grua nuk flet e nuk kthen përgjigje, e quajnë shushkë! Kur ngre zërin, i thonë: Je bërë si burrë! Rama ka këtë fjalor zakonisht… Ja ku dola prapë te Rama, se kështu më tha dhe dikush një ditë: Pse flet kaq shpesh kundër Edi Ramës? Në fakt, unë nuk flas kundër Edi Ramës, por kam folur e do të flas gjithmonë për të demaskuar çdo dhunues të grave! Dhe Edi Rama është i tillë. Neve nuk na duhet jeta personale e Edi Ramës. Por jeta personale që pasqyron histori dhune në familje, e liderit të opozitës që pretendon të bëhet Kryeministër sigurisht që na intereson. Ne zgjidhemi nga ju, për t’ju përfaqësuar ju. Qytetarët na votojnë për vlerat që mbartim e atë që përfaqësojmë. Na votojnë, sepse ngjajmë me ta. Se pavarësisht se jemi në politikë, kemi njëlloj si ata shqetësimin për familjet tona”

Dita Botërore e Medias, Berisha: Pa ju nuk ka demokraci

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka dhënë urimin e tij dje me rastin e Ditës Botërore të Medias, duke e cilësuar këtë të fundit si pushtetin e katërt, pa të cilin nuk do të kishte demokraci. “Gazetarë, analistë, botues, pronarë dhe punonjës të mediave, gëzuar ditën e lirisë tuaj! Sot njerëzit e lirë në mbarë botën nderojnë me vlerësimin më të madh mediat, punonjësit e tyre, rolin e tyre si pushtet i katërt, pa të cilin nuk ka demokraci. Duke bashkuar zërin tim me protestën dhe kërkesat e drejta të mediave shqiptare këtë ditë, unë dua t’i garantoj ato se mbetem një mik i vërtetë i tyre, që çmoj dhe admiroj rolin e tyre të pazëvendësueshëm dhe thelbësor në një shoqëri të lirë dhe se do bëj gjithçka që liria e tyre të bëhet çështje e lirisë së çdo shqiptari”, – shkruante kreu i qeverisë në faqen e tij në Facebook. Po ashtu në mesazhin e tij, Berisha theksoi: “Unë gjithashtu dua të përulem me nderim të madh para atyre gazetarëve, kameramanëve, kronistëve, që u martirizuan këtë vit në zona të nxehta të planetit për të informuar botën mbi zhvillimet e ethshme. Edhe njëherë, gëzuar ditën e lirisë së shtypit, ditën e fjalës së lirë!”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency