Hakmarrja Tritol makinës së vëllait e kunatës të personit që vra biznesmenin në Fier

0
3128

Elton Qyno

tritolPlagoset rëndë çifti Sulejman dhe Alie Sulo. Dyshime për hakmarrjen e shtetasit Naim Suli në nëntor

 

Një sasi tritoli ka shpërthyer dhe më pas ka provokuar rënien e zjarrit në një automjet teksa ishte duke ecur në rrugën Lushnjë-Fier. Ngjarja e rëndë duket se ka lidhje me një vrasje të kryer në 10 nëntor 2012, në qytetin e Fierit, ku i vdekur ka mbetur biznesmeni i karburanteve Naim Suli. Pikërisht kjo vrasje dyshohet se ka lidhje dhe me shpërthimin e djeshëm në afërsi të fshatit Vajkan në Fier, ku kanë mbetur të plagosur rëndë çifti i bashkëshortëve, shtetasit Sulejman dhe Alie Sulo. Pikërisht këta të fundit kanë qenë duke ecur në rrugë, kur papritur automjeti i tyre është shpërthyer dhe më pas zjarri ka mbuluar thuajse të gjithë makinën. Si pasojë e këtij shpërthimi të fuqishëm, kanë mbetur të plagosur rëndë dy bashkëshortët, të cilët janë transportuar me shpejtësi në drejtim të spitalit rajonal të Fierit dhe më pas në atë Ushtarak në Tiranës. Dëshmitarët në vendngjarje kanë treguar për policinë e Fierit se mjeti fillimisht ka shpërthyer dhe më pas ka marrë zjarr. E gjithë skena është parë nga disa drejtues të tjerë automjetesh, ndërkohë që makina tip “Skoda” me targa TR 2661 S, ka ecur rreth 200 metra në rrugë, e mbuluar në flakë.

Nxjerrja nga makina

Më shumë se 6 persona, drejtues të automjeteve, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga makina të dy trupave të dëmtuar. Në çastet e para, makina ende nuk ishte nxehur aq sa të pengonte hapjen e dyerve. Për pasojë, disa shoferë të tjerë që kanë qenë afër makinës në momentin e shpërthimit, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga makina të dy personave. Ata i kanë dhënë ndihmën e parë, duke i transportuar në spitalin rajonal të Fierit, ndërkohë që disa persona të tjerë kanë telefonuar policinë dhe shërbimin zjarrfikës, të cilët kur kanë mbërritur në vendngjarje, kanë konstatuar se automjeti ishte shkrumbuar nga flakët e zjarrit. Në vendin e krimit kanë shkuar dhe ekspertë të kriminalistikës, të cilët kanë vendosur të bllokojnë për disa minuta rrugën Fier-Lushnjë, për të kryer hetimet e nevojshme.

Gropa në asfalt

Nga grumbullimi i provave dhe këqyrja me imtësi e vendit të ngjarjes, uniformat blu kanë ngritur dyshime të forta se makina ka shpërthyer nga një sasi e konsiderueshme tritoli, e cila ka qenë vendosur në motorin e makinës. Ky dyshim, sipas ekspertëve të policisë, faktohet nga një gropë, që është hapur rreth 200 metra larg vendndodhjes së makinës, pikërisht në vendin ku ka ndodhur shpërthimi, dhe më pas mjeti ka qëndruar në një distancë prej 200 metra. Pikërisht në këtë gropë që ndodhej në asfaltin e rrugës, janë marrë mostra që kanë ngjashmëri me ato të barutit, të tritolit. Nisur nga kjo situatë, prokuroria ka ngritur dyshime të forta se krimi i rëndë mund të ketë ndodhur i telekomanduar. Për këtë pistë gjatë ditës së djeshme janë kryer hetime, duke shoqëruar disa persona dhe duke verifikuar numrat e telefonit. Dyshimet e para flasin për një atentat ku si motiv është hakmarrja, për shkak se 60-vjeçari është vëllai i Gëzim Sulos, i cili së bashku me dy djemtë e tij vrau përpara shtëpisë biznesmenin e një karburanti, të quajtur Naim Suli. Për këtë ngjarje, policia e Fierit ka arrestuar shtetasin Gëzim Sulo dhe dy djemtë e tij, Ervis dhe Endri Sulo, të cilët pas arrestimit janë shprehur se nuk ishin ata që kanë qëlluar mbi biznesmenin, por personi që qëlloi ishte babai i tyre. Një gjë të tillë e ka pranuar dhe Gëzim Sulo, por nga ana tjetër prokuroria ka këmbëngulur se vrasja e biznesmenit është bërë nga tre personat të cilët kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe se shkak i kësaj vrasjeje ka qenë një konflikt për zhurmat e servisit që posedohej nga autorët e krimit.

Tre personat lanë pa ndjenja pronarin

Grabitën argjendarinë në Fier

arrestohet “Ujku” dhe “Leshkoja”

Policia e Fierit ka arrestuar autorët e vjedhjes së argjendarisë në Fier, mes të cilëve është prangosur dhe personi që mban nofkën “Ujku”. Sipas policisë, të arrestuarve u janë sekuestruar dy automjete, tri maska, një pistoletë, një xhup i përdorur gjatë vjedhjes me dhunë dhe bizhuteri. “Për këtë ngjarje u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për autorët e dyshuar që janë shtetasit: Niku Dolva, 31 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Fier, i njohur me pseudonimin Leshko. Moren Rrokaj, 24 vjeç, lindur dhe banues në Fier, i njohur me pseudonimin Bushi, Naim Dyrmishi, 23 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Fier, i njohur me pseudonimin Ujku”, – bën të ditur policia e Fierit. Në 28 prill të tre të rinjtë grabitën një argjendari në lagjen “Apolonia” në Fier, duke dhunuar edhe pronarin e saj Maksi Gjergji. Ky i fundit është qëlluar me qytën e pistoletës, duke rënë në tokë pa ndjenja, ndërkohë që tre autorët kanë nxituar duke marrë të gjithë bizhuteritë e floririt që ndodheshin në banak. Për shkak se argjendaria nuk ka pasur kamera sigurie, policia është shprehur se fillimisht se nuk ka të dhëna të sakta për tre autorët. Ndërkohë, gjatë grumbullimit të informacionit operativ është mundësuar sigurimi i vendndodhjes së tre autorëve, të cilët janë arrestuar dhe gjatë operacionit u janë sekuestruar edhe disa prova materiale, si maska, pistoleta, fishekë, orë të vjedhura dhe disa bizhuteri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency