Vdes Hugo Chavez, zëvendësi i tij, një ish-shofer

0
745

hugo

Diosdado Cabello dhe Nicolas Maduro, dy emrat që pritet të zëvendësojnë ish-presidentin

 

Venezuela ka shpallur shtatë ditë zie me rastin e vdekjes së Presidentit Hugo Chavez. Presidenti 58-vjeçar ka vdekur të martën pas një beteje dyvjeçare me kancerin. Ai ka udhëhequr Venezuelën për 14 vjet. Nënpresidenti Nicolas Maduro, pasardhësi i tij i zgjedhur, është zotuar se do të ruajë trashëgiminë e Chavezit. “Do të na mungojë deri në ditën e fundit të jetës sonë. Populli ynë le ta dijë se trashëgimia demokratike, revolucionare dhe socialiste e komandantit tonë do të ruhet me vendosmëri dhe besnikëri absolute”, – ka thënë Maduro. Chavez ka qenë njëri nga liderët më të zëshëm majtistë të Amerikës Latine dhe një kritik i vendosur i “imperializmit” të SHBA-së. Aleatët rajonalë të Chavezit kanë thënë se vdekja e tij është një “humbje e madhe”. “Me rastin e vdekjes së mikut të dashur të Ekuadorit, presidentit të Republikës Bolivariane të Venezuelës, Ekuadori do të shpallë tri ditë zie kombëtare”, – ka thënë Presidenti i këtij vendi, Rafael Korrea. Qeveria e Kubës po ashtu ka shpallur tri ditë zie kombëtare. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shprehur mbështetjen e Amerikës për popullin e Venezuelës dhe interesin e Uashingtonit për “zhvillimin e një marrëdhënieje konstruktive me qeverinë e Venezuelës”. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Chavez ka qenë “një njeri i pazakontë dhe i fortë”, i cili ka kontribuar në masë të madhe në marrëdhëniet Rusi-Venezuelë. Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmedinexhad, ka thënë se Chavez ka rënë “martir” i një “sëmundjeje të dyshimtë”. Kina, ndërkaq, e ka përshkruar atë si një “mik të madh”. Chavez, qysh në mesin e vitit 2011, u është nënshtruar katër operacioneve në Kubë. Ndërhyrja e fundit ka qenë më 11 dhjetor të vitit të kaluar dhe prej asaj kohe ai nuk është parë në publik. Trupi i Chavezit do të varroset të premten. Nënpresidenti Nikolas Maduro do të udhëheqë vendin si President i përkohshëm deri në zgjedhjet e reja, të cilat do të mbahen brenda 30 ditësh. Maduro pritet të përballet në zgjedhje me liderin e opozitës, Henrike Kapriles, i cili në zgjedhjet e tetorit të kaluar është mposhtur nga Chavezi.

 

Pasardhësi

Vdekja e Chavezit, ashtu siç e quajti edhe Uashingtoni, do të hapë një kapitull të ri për Venezuelën. Por kush do të jetë personi që do të pasojë Chavezin në krye të vendit amerikano-latin? Analistët ndërkombëtarë thonë se Presidenti i ri i Venezuelës, që do të zgjidhet brenda 30 ditëve, do të jetë një mbështetës i politikave të Chavezit, njohur ndryshe në vend si “chavism”. Por kush janë rivalët? Dy janë emrat më me influencë brenda partisë së ish-presidentit. I pari është Diosdado Cabello, një person autoritar, ushtarak karriere që i qëndroi në krah Chavez gjatë përpjekjes së këtij të fundit për grusht shteti dhe tregoi besnikërinë e tij edhe në vitin 2002 kur mbështeti Chavezin të rikthehej në pushtet pas grevës së përgjithshme në vend. Aktualisht mban postin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare, por është personi më i urryer i opozitës, ndërkohë që as në radhët e mbështetësve të Chavez nuk ka simpati të madhe për të. Kandidati tjetër mbetet zv.presidenti Nicolas Maduro. Ky i fundit është “i zgjedhuri” i Chavez dhe në publikimin e lajmit të hidhur për vdekjen e tij, nuk kishte në krah Diosdado Cabellon. Analistët ndërkombëtare nxituan ta komentojnë si një ndarje të madhe dhe sinjali i parë që Cabello me shumë gjasa nuk do të pajtohet me “testamentin” e Chavezit.

Kush ishte Hugo Chavez

Hugo Rafael Chavez Frias lindi më 28 korrik të vitit 1954 në shtetin e Barinasit në Venezuelë. Ishte një nga shtatë fëmijët e një familjeje mësuesish të varfër. Arsimin fillor dhe atë të mesëm e kreu në vendlindje, ndërsa më pas u hodh në Akademinë Shkencore Ushtarake në Karakas. Aty Chavez do të shndërrohej në një njohës të mirë të politikave të majta dhe me figurat revolucionare amerikano-latine si Simon Bolivar apo Che Guevara. U diplomua me rezultate të shkëlqyera në vitin 1975. Përfundimi i akademisë kishte formuar në idetë e tij të majta, përfshirë këtu edhe atë që ushtria kishte të drejtë të rrëzonte çdo qeveri politike që nuk punonte për shtresën e varfër të popullit. Në vitin 1981 u caktua pedagog në të njëjtën akademi ku kishte përfunduar edhe vetë studimet, pozicion që e shfrytëzoi për të doktrinuar studentët me idetë te tij të majta. Shpejt u shndërrua në problematik për udhëheqësit e këtij institucioni, të cilët vendosën ta transferojnë në shtetin e Apures ku nuk mund të “shkaktonte dëm për ushtrinë”. Në këtë shtet u miqësua me fiset lokale dhe nje eksperiencë e tillë do të ndikonte në politikat e Chavezit karshi fiseve indigjene pas marrjes së pushtetit. Në vitin 1992 Chavez udhëhoqi një përpjekje për grusht shtetit për të rrëzuar presidentin Carlos Andres Perez që e akuzonte për gjendjen e vështirë ekonomike të vendit që shkaktuan protesta të mëdha në vend. Grushti i shtetit dështoi dhe Chavez shpejt u gjend nën pranga dhe kaloi 2 vite në një burg ushtarak. Ai përfitoi nga amnistia e dhënë nga presidenti i ri i vendit nga radhët e së majtës që mundi Perezin në zgjedhjet e atij viti. Chavez u lirua me kushtin që të qëndronte larg politikës sepse udhëheqja venezueliane kishte frikë nga popullariteti i tij. Por pas lirimit Chavez formoi Partinë e Republikës së Pestë duke nisur tranzicionin e shndërrimit nga një ushtarak karriere në një politikan karriere. Lëvizjet e tij të para ishin takimet me liderët e tjerë të majtë në Amerikën Latine prej të cilëve siguroi mbështetje, veçanërisht nga Presidenti kubanez, Fidel Kastro. Mendohet se plani fillestar i Chavezit ishte rrëzimi me forcë i qeverisë, por më vonë ndryshoi mendim dhe vendosi të kandidojë në zgjedhjet e vitit 1998. Në fushatë ai premtoi politika sociale revolucionare. Në një fjalim të tij ai akuzoi udhëheqësit e kompanive të nxjerrjes së naftës se jetojnë në rezidenca luksoze ku organizojnë orgji, ndërsa populli mezi siguron ushqimin e përditshëm. Por pavarësisht fjalimeve të ashpra kundër kapitalizmit të huaj, pas fitores në zgjedhje ai emëroi në qeverinë e tij disa figura kyçe konservatore në vend të cilët e ndihmuan në ndërmarrjen e reformave të moderuara për të shmangur kaosin. Ekonomia e Venezuelës nisi rimëkëmbjen dy vite pas ardhjes në pushtet të Chavezit, kjo mbështetur edhe tek të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Pavarësisht retorikës së fortë të majtë, Chavez mbështeti investimet e korporatave dhe kompanive ndërkombëtare në vendin e tij, por me kufizime, sidomos në sektorin naftënxjerrës.

 

 

SHBA: Kërcënimet e Koresë janë të kota

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar Korenë e Veriut se me kërcënimet për revokimin të armëpushimit që i dha fund Luftës së dy Koreve “nuk do të arrijë asgjë”. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha të martën se “kërcënimet ose provokimet… vetëm do të izolojnë më tej” shtetin komunist. Koreja e Veriut kërcënoi se do të heqë armëpushimin, i cili daton nga viti 1953, si kundërpërgjigje për deklaratat e SHBA-së për të vendosur sanksione ndaj testit bërthamor dhe tensioneve që janë krijuar nga ushtrimet e përbashkëta ushtarake në mes të Koresë së Jugut dhe SHBA-së. Kërcënimi erdhi disa orë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Kina bën një thirrje të përbashkët për sanksione të shtrënguara ndaj Pyongyang lidhur me testin e tretë bërthamor të bërë më 12 shkurt. Këshilli i Sigurimit të martën vonë, do të mbajë konsultime me dyer të mbyllura lidhur me Korenë e Veriut.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency