Lista e deputetëve të PS-së, Rama vendos ekskluzivisht për emrat, kryesia pa funksion

0
162

Gëzim Saliu

ps.Dogjani, Ramës: Po e identifikon partinë me kryetarin, tamam si në kohën e Enverit

Pas Pezës dhe Carës, Rama prezanton Vexhi Muçmatën si kandidatin e PS-së për Kukësin

 

Përpilimi i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste nga kreu socialist Edi Rama ka shkelur statutin e forcës më të madhe opozitare. Duke lënë kryesinë e PS-së pa asnjë funksion, pasi, sipas statutit, duhet të jetë ky forum i cili duhet të japë miratimin për propozimet për kandidatët për deputetë, kryesocialisti po ripërsërit skemën e përdorur në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Duke lënë mënjanë strukturat e partisë, Rama ka nisur të bëjë publik këto ditë disa nga kandidatët për deputetë të PS-së në qytetet e vendit në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit, ku ka munguar tërësisht transparenca për kriteret e formën e përzgjedhjes së këtyre kandidatëve.

Përplasja

Pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist, ku Rama nuk pranoi t’i përgjigjej kërkesave të deputetit të Kukësit Asllna Dogjani, kreu i PS-së prezantoi juristin Vexhi Muçmata si kandidat për deputet për Qarkun e Kukësit. Kandidimi i Muçmatës vjen pasi, sipas Ramës, Kukësi ka nevojë për njerëz me nivel si ai për t’u përballuar me sfidat dhe jo për llafazanë. “Sot jem krenar për PS që do t’i japë Kukësit mundësinë si një forcë për rilindjen të votojë për një burrë të urtë dhe fisnik dhe djalë i atij komuniteti. Jo një politikan llafesh për Kukësin po një kuksian i mirë për politikën. Juristi Vexhi Muçmata do të udhëheqë skuadrën tonë drejt fitores në Kukës”, – tha Rama. Ndërsa kandidati për deputet në Qarkun e Kukësit, Vexhi Muçmata, gjatë fjalës së tij theksoi se do i shërbeje banorëve të Kukësit pa dallime partiake, si dhe me premtime të mbajtura. “Kam pranuar ftesën për të kandiduar si deputet në Qarkun e Kukësit me qëllimin që t’ju shërbej banorëve të qarkut pa dallime partiake, me hapësirën që më siguron mandati i deputetit, jo me fjalë, por me vepra. Unë do jem derë e hapur për cdo banor të Qarkut të Kukësit”, – theksoi Muçmata. Ndaj këtij prezantimi nuk ka munguar reagimi i deputetit aktual të Qarkut të Kukësit Asllan Dogjani, i cili ka theksuar se me veprimin e djeshëm, Rama dha provën e radhës se nuk do të dijë për asnjë njeri, jo vetëm në Kukës, por as në gjithë Shqipërinë. “Nuk do të dijë për anëtarët e simpatizantët e Partisë Socialiste të Kukësit, të cilët kanë tetë vjet që kontribuojnë në opozitë, pasi nuk i pyeti dhe nuk u mori mendim as për emërimin e kryetarit të partisë në rreth e as për kandidatin për deputet që e prezantoi sot. Nuk pyeti dhe hodhi në kosh kërkesën e mbi 250 anëtarëve të Partisë Socialiste që kërkuan të drejtën për të zgjedhur kryetarin e tyre me votë duke treguar se rregullat janë bërë formalisht dhe jo për t’u respektuar. Ky njeri hakmarrës nuk di as të reflektojë, pasi nuk i pëlqen e vërteta, nuk dëgjon, nuk i pëlqejnë parimet dhe vlerat, ka frikë të përballet me argumentet dhe realitetin. Ai nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë një socialist i vërtetë. Ka menduar dhe mendon vetëm për interesat e veta. Tregoi se është një kryetar pa dinjitet. Kjo është fytyra e vërtetë e tij dhe jo ajo që e tregon çdo ditë nga ekrani i televizorit”, – tha Dogjani. Më tej, ai nënvizoi: “Ky njeri që nesër pretendon të bëhet Kryeministër u tregoi shqiptarëve se po kërkon ta identifikojë Partinë me kryetarin, tamam si në kohën e diktaturës, ku partia identifikohej me Enverin. Por socialistët e vërtetë do fitojnë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe do vendosin me votë për kryetarin e tyre. Me njerëz të tillë, Partia Socialiste nuk mund të ecë përpara”. Ditët e fundit kreu socialist ka bërë prezantimin e një sërë kandidatëve për deputetë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare, ku ka prezantuar kandidatin për qytetin e Kavajës Parid Carën dhe atë për qytetin e Peqinit Alfred Pezën. Të gjitha këto përzgjedhje, së bashku me prezantimin e djeshëm të Muçmatës, ashtu siç bëhet e ditur nga burime pranë selisë rozë si edhe nga deklarimet e një sërë deputetësh të PS-së, janë bërë pa marrë më parë mendimin e kryesisë socialiste, e cila sipas statutit të PS-së duhej të japë pëlqimin e saj për kandidatët.

 

 

Statuti i PS-së

Neni 29/ pika 14

Kryesia e PS-së mblidhet jo më rrallë se një herë në muaj dhe ka këto kompetenca kryesore: miraton kandidaturat për deputetë dhe drejtuesit kryesorë të organeve vendore

 

Erion Braçe: Përzgjedhjet e kandidatëve, pa kritere

Vetëm pak ditë më parë në një reagim në rrjetin social, anëtari i kryesisë së PS-së Erion Braçe ka shprehur kritikën e tij lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga ana e kreut socialist Rama. Dukë bërë të ditur se po shkelet statuti i PS-së, Braçe nënvizoi se në rastin e tij nuk është parashikuar asnjë konsultim apo mendim i kryesisë së selisë rozë. “Nuk ka asnjë vendim të kryesisë së PS-së për këtë çështje! Sepse, nuk ka të miratuar asnjë dokument kriteresh e parimesh mbi bazë të të cilit do të përzgjidhen kandidatët për deputet; sepse, nuk ka asnjë analizë të punës të secilit prej deputetëve ekzistues të grupit parlamentar duke më përfshirë dhe mua; sepse, nuk ka asnjë konsultim të të deleguarit të kryesisë, me mua, me ne deputetët në qarkun Berat dhe mbi të gjitha me anëtarësinë e PS-së në këtë qark; sepse, nuk ka asnjë konsultim të të ngarkuarit të kryesisë në GSO për qarqet e Jugut, me mua, me ne deputetët në qarkun Berat dhe mbi të gjitha me anëtarësinë e PS-së në këtë qark. Unë i qëndroj parimit që do të vendosni ju, socialistët e thjeshtë që punoni në çdo fushatë në çdo bllok, lagje, fshat, komunë e bashki!”, – tha Braçe.

 

Malaj: Transparencë për listat

Deputeti socialist, Arben Malaj, duke folur pas polemikave të deputetit të Kukësit, Asllan Dogjani, që nuk do të kandidohet në zgjedhjet e ardhshme, ka thënë se lista e deputetëve duhet të dalë nga vota e fshehtë. Duke iu referuar sportit, ai ka thënë se fitoret nuk vijnë nga një trajner i fortë, pra nga kreu i partisë, por nga ekipet zinxhir. “Si mund ta ndërtojmë një ekip gjithëpërfshirës? Vetëm përmes garës, transparencës në garë dhe votimit të fshehtë. Kolegë të PS janë shprehur në emër të përgjegjësisë që ka PS kundrejt shqiptarëve. Nuk është koha për batuta. Ka figura nga PS që janë shprehur dhe në mënyrë të drejtpërdrejt, pasi nuk duan të përsëriten gabimet. Unë s’jam ekspert në sport, por di si menaxhohet një ekip. Ekipet fituese janë të suksesshme kur krijojnë ekipe zinxhirësh, jo ekipe me trajnerë të fortë, që vendosin kush do lozë dhe kush do rrijë në stol rezervë”.

 

Ilir Gjoni: Pas kryesisë, lista në dorë të kryetarit

Deputeti i Partisë Socialiste, i cili në mbledhjen e kaluar të Asamblesë Kombëtare zhvilloi një debat me kryesocialistin Rama lidhur me listat e deputetëve, ka deklaruar se statuti i forcës më të madhe opozitare përcakton qartë mënyrën dhe formën si përzgjidhen institucionet drejtuese dhe si hartohen listat e kandidateve për deputet. “Ky nuk është një proces 2 mujor por shumë më i gjatë dhe jo parazgjedhor. Fillon që nga marrja e mandatit të deputetit, të legjislaturës aktuale, dhe është detyrë e strukturave të partisë, sekretariatit të burimeve njerëzore, dhe kryetarit që të monitorojnë deputetët aktuale gjatë gjithë periudhës 4-vjeçare, por gjithashtu të shqyrtojnë dhe monitorojnë edhe personat e tjerë dhe në fund të dalin me një konkluzion. Por duhet që këto figura të maksimizojnë votat se përndryshe humbet qëllimi. Por kuptohet, partia dhe forumet i japin ekskluzivitetin kryetarit të partisë dhe kryesisë për të vendosur se kush do jetë në listat për deputet”, tha ai dy ditë më parë në një intervistë për “News 24”.

 

Rama, deputetëve: Paketë kundër armëve dhe krimit

Pas vrasjes së komisarit Dritan Lamaj, kreu socialist Edi Rama u është rikthyer edhe një herë diskutimeve për gjendjen e sigurisë në vend, duke i kërkuar deputetëve socialistë në mbledhjen e grupit parlamentar angazhim të plotë për një paketë propozimesh kundër armëve. “Unë do kërkoj që nga Komisioni ynë i Ligjeve të ketë një angazhim me përparësi, për një paketë propozimesh kundër armëve në veçanti dhe krimit në përgjithësi. Edhe pse unë e mbroj bindjen se nuk është boshllëku ligjor që ka sjellë lulëzimin e krimit dhe rrënimin e policisë, por është boshllëku mendor, moral, programor i kësaj qeverie si dhe padyshim boshllëku ekonomik dhe social për shkak të kësaj keqqeverisjeje”, – tha Rama. Më tej në fjalën e tij, kryesocialisti deklaroi se territori i vendit ka dalë jashtë kontrollit të policisë. Sipas Ramës në zonat rurale njerëzit armatosen përditë për të mbrojtur pronën dhe deri në shkollat e mesme të Tiranë kanë hyrë armët nëpër klasa. “Krimi e ka zënë Shqipërinë për fyti dhe ne nuk kemi asnjë arsye pse të lodhemi duke përsëritur se kur Partia Demokratike erdhi në qeveri, evidentoheshin 8250 krime në vit. Në vitin 2012 u evidentuan 20688 krime gjatë vitit. Diferenca në shtatë vjet qeverisje është 12 438 krime më shumë, që do të thotë se vit pas viti progresioni i rritjes së kriminalitetit është mesatarisht 1500 krime në vit dhe vetëm viti 2012 në raport me 2011 evidentoi 3029 vepra penale më shumë. Shqipëria e sotme ka koefiçentin më të lartë të vrasjes për 100 mijë banorë në Evropë dhe në rajon”, – u shpreh kreu i PS-së Edi Rama.

Lista Rama, Muçmataj jep dorëheqjen si prokuror, i zë vendin Dogjanit në Kukës

Vetëm pak ditë më parë, Vexhi Muçmataj ka paraqitur dorëheqjen nga detyra e tij si prokuror, pasi është përzgjedhur nga kreu socialist Rama si kandidat për deputet në qarkun e Kukësit. Në mbështetje të nenit 149 pika 3 të Kushtetutës, si dhe të nenit 8 pika 2 germa “c” dhe të nenit 27 pika 1, germa “a” të ligjit nr. 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin e funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm, dekretoj: Neni 1 Zoti Vexhi Muçmataj prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me kërkesën e tij, të largohet nga kjo detyrë”, thuhej në dekretin nr. 7955, datë 19.2.2013 të Presidentit të Republikës Bujar Nishani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency