Berisha, krerëve të rretheve: Të lëmë mënjanë paragjykimet, dëgjoni çdo zgjedhës

0
142

Ina Jano

berishaPD, parti e premtimeve të mbajtura, anëtarësoi Shqipërinë në NATO, liberalizoi vizat dhe do të sjellë edhe statusin e vendit kandidat

Kryeministri: Nuk mund të mësoj Ramën se si të fitojë. Është humbësi më i madh në Evropë

 

Kryeministri Berisha, njëherazi edhe kreu i Partisë Demokratike, duke u përqendruar në fushatën zgjedhore, deklaroi se forca politike që ai drejton, duhet që të dëgjojë çdo zgjedhës, duke lënë mënjanë të gjitha paragjykimet. Numri një i demokratëve nga selia e kësaj partie bëri dje me dije taktikën elektorale që do të ndjekë e djathta, ndërsa nënvizoi se komunikimi do të jetë bazë në këto zgjedhje. Berisha u drejtoi të gjithë drejtuesve vendorë një kërkesë të njëjtë dhe të qartë, të dëgjojnë zërin e çdo qytetari dhe zgjedhësi pa paragjykime, duke lënë këtu të nënkuptohet se nuk do të ketë diferencime nëse ata janë të majtë apo të djathtë. “Të lëmë mënjanë çdo paragjykim. Nuk ka asgjë më të dëmshme sesa paragjykimi që ne mund t’i bëjmë tjetrit. Ne nuk i ofrojmë asnjë zgjedhësi paragjykim. Ne i ofrojmë dialog, bashkëbisedim dhe përpiqemi ta bëjmë këtë me shkallën më të lartë të mirëkuptimit. Po ndalem këtu për të theksuar se partive nuk ju shërbejnë klishetë, por në qoftë se ka një parti në botë që duhet të jetë e çliruar nga klishetë, është kjo parti, e cila është parti e të rinjve”, – tha Berisha përpara vendorëve demokratë. Kreu i qeverisë nënvizoi dje se 118 ditë mbeten nga dita kur në vend do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme, sigurisht pa llogaritur këtu ditën e heshtjes elektorale. Ai pohoi se demokratët duhet të vënë në funksionim të gjitha forumet që kanë për të trokitur derë më derë për të dialoguar me qytetarët, duke besuar fuqishëm edhe në larminë e këtyre të fundit. Kryetari i selisë blu, i shoqëruar edhe nga nënkryetarja zonja Jozefina Topalli, por edhe sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode dhe kreu i grupit parlamentar Astrit Patozi, foli edhe për programin e Partisë Socialiste.

Arritjet

PD ka arritur sukseset më të mëdha për të gjithë qytetarët shqiptarë gjatë mandateve të saj. Në këtë rresht suksesesh mund të përfshihet anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, por edhe suksese të tjera të qeverisë. “Ne sukseset do t’i mbrojmë, ato nuk janë personale, janë sukses i reformave, janë sukses i qytetarëve. Në rast se ne do t’i përdorim ato si eufori, do të ishte jashtëzakonisht e padrejtë. Sukseset ne i kemi vetëm për të bindur se i mbajmë premtimet, se ne jemi ndryshimi, se ne në këtë periudhë qeverisjeje, kemi bërë transformimet më të thella të këtij vendi, se Shqipëria u anëtarësua në NATO, se lëvizim të lirë, se kemi bërë zgjedhje, të cilat organizmat ndërkombëtarë i kanë vlerësuar si zgjedhjet që plotësuan standardet kryesore të OSBE dhe se, këto zgjedhje bënë të mundur propozimin e Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat”, – u shpreh Kryeministri.

Edi Rama

Referuar kryesocialistit Rama, udhëheqësi demokrat tha se ai është një humbës i thellë dhe ai nuk mund ta mësojë atë që të fitojë. Ashtu si edhe një ditë më parë, kur deklaroi se Rama është politikani me humbje më të shumta, Berisha sulmoi edhe ata që ai i quajti drejtuesit e rinj të selisë rozë. “Nuk është faji im në rast se Edi Rama di vetëm të humbasë, sepse unë nuk mund të mësoj dot kundërshtarin të fitojë. Nuk ka pasur njeri në Shqipëri që të ketë menduar se do të vinte një ditë që, pas 21 vitesh evolucion, Partia Socialiste do të bllokonte reformat e integrimit, do të kthehej në origjinën e saj si armike e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar. Por ja që kjo ndodhi. Ky është një realitet. Por ai nuk mund ta mbajë vendin peng. Ai po përgatit tërësisht skenarin e vitit 2009, por tani jo si shofer autobusi, por është i rrethuar nga 99-shat, i rrethuar nga Mjaft-ucat, i rrethuar nga një grusht i ngushtë bllokmenësh, të cilët në çdo rast do t’i brohorasin “Edi fitimtari”, edhe kur ai të jetë drejt disfatës më të thellë. Por këto janë punët e tyre”, – u shpreh kreu i ekzekutivit.

Referendumi

Kryeministri u kërkoi të gjithë të zgjedhurve vendorë që të komunikojnë e qytetarët edhe për t’u shpjeguar atyre nevojën për mbajtjen e referendumit. Ai i njoftoi ata se tashmë është duke u përpiluar teksti për kërkesën e referendumit, nga një grup pune i specializuar që udhëhiqet nga kreu i Komisionit të Ligjeve, Rusmajli. Berisha pohoi se në fakt Rama është zotuar se do të zbatojë një marrëveshje, por nuk ka arritur ta mbajë një gjë të tillë. “Një njeri i qytetëruar, në të gjitha kohërat, nuk mund ta bëjë, pasi “pacta sunt servanda” – marrëveshja respektohet. Ky është tipari kardinal i njerëzve të qytetëruar. Nëse arrin një marrëveshje, duhet ta nderosh këtë marrëveshje, sepse aty ke vendosur integritetin tënd. Natyrisht, ndonjëherë edhe mund të bësh gabim, por njeriu i qytetëruar merr dhe i mban përgjegjësitë. Por me zotin Rama nuk ka as “pacta sunt servanda”, as “fakta sunt servanda”, sepse ai jeton në atë botën e tij të paranojës së qartë politike, që ai e quan Shqipëria e gënjeshtër. Ai është i lodhur nga jeta. Në bisedat e përditshme, dëgjon njerëz që kanë pësuar trauma ose drama, fatkeqësi dhe që thonë se kjo botë është e rrejshme dhe e quajnë të vërtetë botën tjetër, por ata e kanë nga besimi. Por ky e ka nga karrigia, more zotërinj, sepse ky është i terrorizuar nga fakti që kalon nga disfata në disfatë”, – shtoi Kryeministri. Ky i fundit në përfundim sqaroi edhe faktin se pse shqiptarët nuk mund të votojnë në 23 qershor edhe për deputetët edhe për referendumin.

 

What’s-App

Dialog jashtë paragjykimeve

“Do t’ju jap një shembull. Në What’s-App tim, një qytetar më shkruante: “Kot e ke, këto zgjedhje do t’i fitojë Edi Rama. Boll më se e shkatërrove këtë vend”. Atëherë, unë i them: “Së pari, nuk është faji im në rast se Edi Rama di vetëm të humbasë, sepse unë nuk mund të mësoj dot kundërshtarin të fitojë. Së dyti, pavarësisht se ti paske këto vërejtje, në qoftë se mendon gjakftohtë, nuk mund të thuash që vendi nuk ka ndryshuar dhe, në këtë aspekt, i rendita tre-katër gjëra. Së treti, për mua e rëndësishme është që ti të votosh me dëshirën tënde, por të garantoj se interesat e tua ne do t’i kemi parasysh”. Tonet në What’s-App ndryshuan qartësisht. Pse e mora unë këtë shembull? Natyrisht, autori e nisi What’s-App si një militant i Partisë Socialiste tek unë, por pastaj u shndërrua në një bashkëbisedues i shtruar dhe i qetë me mua dhe nuk mohoi, në asnjë moment, ato argumente që unë paraqita”. Këtë ngjarje u tregoi kreu i qeverisë të gjithë të zgjedhurve në rrethe të Partisë Demokratike për të shpjeguar faktin se të gjithë zgjedhësit duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë.

 

Fyle: Zgjedhjet, test kyç për demokracinë

Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat Evropiane të Fqinjësisë, Stefan Fyle, ka ripërsëritur rëndësinë e përgatitjes dhe mbajtjes së suksesshme të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Në një takim me Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta në Bruksel, komisioneri Fyle ka theksuar se zgjedhjet janë një test kyç për funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. “Është thelbësore që liderët politikë të luajnë rolin e tyre që të bëjnë të mundur që zgjedhjet të jenë në linjë me standardet ndërkombëtare, për të përmirësuar besueshmërinë e institucioneve demokratike dhe të forcojnë llogaridhënien e politikanëve përballë shqiptarëve. Kur bëhet fjalë për zgjedhjet është e rëndësishme të sigurohet pjesëmarrja më e lartë e mundshme e votuesve dhe kthimi në agjendën evropiane shumë shpejt pas zgjedhjeve”, – theksoi komisioneri Fyle. Ky i fundit gjithashtu shtoi se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur në axhendën e saj evropiane. “Periudha aktuale e fushatës parazgjedhore nuk përbën justifikim për të ulur ritmin e punës për reformat që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian dhe si qeveria ashtu edhe opozita duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për ta sjellë Shqipërinë më pranë Bashkimit Evropian”, – shtoi Fyle.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency