Kategoria Superiore, Tirana dhe Teuta luajnë për t’iu afruar kreut Tirana sfidon sot ekipin e Tomorit

0
110

Altin Vorpsi 

teutaTeuta pret Shkumbinin në Durrës
Një rast i tillë kurrë më parë nuk e patën këtë kampionat. Ndjekëset më të afërta të Skënderbeut kanë shansin që sot të fitojnë tri pikë të plota përballë ekipit kampion, që të premten u rrezua për herë të parë në këtë edicion të Kategorisë Superiore. E tërë vëmendja është përqendruar tek Tirana dhe Teuta dy prej ekipeve që përveçse mbyllën më afër Skënderbeut fazën e parë janë forcuar edhe në merkato.

Bardheblutë

Sot Tirana ka një sfidë të lehtë në letër. Me ndryshimet e bëra në grupin e fazës së parë, bardheblutë duken më të konsoliduar dhe në ndjekje të vendeve të kreut. Sot do të kenë përballë, në “Selman Stërmasi” Tomorin e vendit të fundit, thuajse i dorëzuar në luftën për mbijetesë. Beratasit kanë premtuar për qëndresë edhe pse jo, surpriza, por tjetër është dëshira dhe tjetër mundësia. Kjo e fundit anon më tepër nga 24 herë kampionët e vendit.

“Djemtë e detit”

Durrsakët me trajner të ri presin në “Niko Dovna” bardhekaltrit e Peqinit. Gugash Magani debuton në kampionat në stolin e “djemve të detit” ndaj së shkuarës së tij si futbollist dhe trajner. Sidoqoftë, në kësi nivelesh, nostalgji të tilla nuk kanë vend. Çka do të thotë se bregdetarët s’do të kenë asnjë pikë mëshire për peqinasit e rrezikuar seriozisht për të dalë nga kategoria. Në ndjekje të Skënderbeut kryesues, durrsakët nuk duan të lëshojnë aspak terren.
Tri pikë të detyruara

Flamurtari-Bylisi është një çift që vihet në përballje brenda pak kohësh, për llogari të kupës dhe kampionatit. Ky duel i javës së 14-të është shtyrë 24 orë në kohë, sepse Vlora do t’i japë lamtumirën e fundit birit dhe ish-futbollistit të saj, Alfred Zijaji të shtunën, i ndarë nga jeta të premten në mëngjes pas një sëmundjeje të rëndë të mëlçisë. Homazhet për të zhvillohen në stadiumin “Flamurtari”, nga ora 10 deri në 12. Gjithsesi, mallakastriotët janë shndërruar në një “mace të zezë” për bregdetarët e Vlorës, me këta të fundit të zhbilancuar ndjeshëm në realizimin e objektivave përmes kësaj gare. Pra, titulli mbetet një ëndërr e pamundur, por edhe zona e Kupave të Evropës janë vështirësisht të realizueshme, ndaj kjo gjë synohet përmes kupës, ku llogaritë pas çerekfinaleve të katërta janë ngatërruar jo pak. Duke qenë se luajnë në fushën e tyre, natyrshëm që kuqezinjtë shpresojnë e besojnë të ndalin “revanin” e skuadrës së Shensojit, por edhe të inaugurojnë me një fitore tapetin e ri të stadiumit. Një nga pengesat serioze e të besuarve të Ernest Gjokës, për të cilën ishte “qarë” shumë edhe spanjolli i shkarkuar Hulian Rubio. Po sot kuksianët e suksesshëm të Cungut kanë udhëtuar gjatë për ta luajtur ndeshjen e javës së 14-të. Në Gjirokastër i pret një transfertë vërtet e vështirë, ashtu sikurse ka qenë rivaliteti mes këtyre dy skuadrave edicionin e kaluar në kategorinë e parë, për t’u ngjitur më lart. Tashmë që janë në elitën e futbollit shqiptar, e shohin veten me qasje të kundërta: verilindorët synojnë Kupat e Evropës, ndërsa bluzinjtë kënaqen me mbijetesën. Kjo e fundit kalon edhe përmes 90-minutëshit të parë të kësaj faze, ku vlejnë vetëm tri pikët.

Besa fillon uljen, Laçi kam vendin e dytë

Nisi në mënyrën më të mirë të mundshme pjesa e dytë e sezonit për Laçin. Ekipi kurbinas mundi në fushën e Peqinit Besën me rezultatin 2-1. Skuadra e Stavri Nicës në fakt nuk e nisi mirë pasi në minutën e 24-t Vucajt u ndëshkua me karton të kuq, duke i lënë të tijtë me 10 lojtarë. Besa përfiton nga kjo gjë dhe në minutën e 37-të, Sefa shënon golin e avantazhit. Megjithatë edhe pse në inferioritet numerik Laçi në minutat shtesë të 45-minutëshit të parë arrin të gjejë rrugën e golit me anë të Çelës, i cili barazon lojën. Në pjesën e dytë të dyja palët kërkojnë golin e avantazhit, por Emurllai në minutën e 51 arrin të fitojë një 11-metërsh dhe Zefi nuk gabon nga pika e bardhë duke realizuar golin e avantazhit. Gjithsesi kavajasit bëjnë të pamundurën për të barazuar por fati qëndron nga ana e Laçit që me këtë fitore ngjitet në vendin e dytë të klasifikimit në kuotën e 24 pikëve.

Të premten
SKËNDERBEU-VLLAZNIA 0-1
Golat: Hajdari 73′

Dje
BESA-LAÇI 1-2
Golat: Sefa 37′ / E. Çela 45+2′, Zefi 51′ (pen)

Sot
TIRANA-TOMORI
LUFTËTARI-KUKËSI
TEUTA-SHKUMBINI
KASTRIOTI-APOLONIA
FLAMURTARI-BYLISI

Renditja Nd. Pikë
1 Skënderbeu 14 33
2 Laçi 14 24
3 Teuta 13 23
4 Tirana 13 22
5 Bylisi 13 21
6 Kukësi 13 21
7 Vllaznia 14 20
8 Flamurtari 13 19
9 Besa 14 16
10 Kastrioti 13 15
11 Shkumbini 13 12
12 Luftëtari 13 11
13 Apolonia 13 8
14 Tomori 13 6
Kategoria e Parë Partizani e nis keq Blerjet (13) e bëra gjatë merkatos dimërore duket se nuk i kanë shërbyer shumë skuadrës së Partizanit. Skuadra e Shpëtim Duros nuk ia doli dje që të merrte dot pikët e plota, edhe pse përballë kishte një ekip si Ada, që lufton për të mos rënë një kategori më poshtë. Sa i përket kronikës, takimi ka nisur i shpejtë për skuadrën e Duros e cila kërkon sa më shpejt golin e fitores. Tekniku “i kuq” ka rreshtuar formacionin 4-3-3, çka do të thotë se fitorja është një detyrim për ekipin e tij. Por, fati do t’i buzëqeshë velipojakëve, të cilët kanë në gjirin e tyre tre ish të Partizanit, si Linin, Tafën dhe Karkaçin të cilët kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen e djeshme. Minuta e 11’ e takimit dhe Alcani do të gabojë në mbrojtje. Puka merr topin dhe nga këndorja jep një pasim të saktë për Dushkajn i cili pasi shmang dy mbrojtës të kuq, mposht edhe Androviç. “Demat”: nuk u besojnë syve dhe hidhen në kërkim të golit të barazimit. Abazaj një minutë pas pësimit të golit do të gjuajë fort në drejtim të portës kundërshtare, por topi shkon jashtë. Ndërsa në minutën e 21-të Alcani do të realizojë me kokë pas një krosimi nga goditja e dënimit, por anësori akordin pozicion jashtë loje. Minutat kalojnë dhe rastet për shënim nga ana e të dyja skuadrave në këtë pjesë të parë nuk do të prodhojnë asnjë gol. Në fraksionin e dytë të lojës, Duro bën dy lëvizje në fushë. Alcani i lë vendin Frashërit, ndërsa Agastra Lalës. Devolli kthehet në qendër të mbrojtjes, ndërkohë që loja e Partizanit bëhet edhe më shumë sulmuese. Goli nuk do të vonojë dhe në minutën e 51-të, Devolli kroson saktë në zonën kundërshtare ku pa snjë rrëmuje, përfiton Abazaj i cili realizon. Barazimi rikthen besimin te vendasit, që hidhen në sulm, por mungon goli. Nga ana tjetër Ada mbrohet mirë dhe faullet në dëm të të kuqve janë të shpeshta. Lala, Abazaj, Frashëri e Malo nuk shënjestrojnë siç duhet portën kundërshtare, çka nuk sjell ndryshim rezultati deri në minutën e fundit shtesë nga pesë të tilla që akordoi gjyqtari i katërt. Ky rezultat i ka shkuar më për shtat miqve, të cilët edhe përpara takimit e kishin deklaruar se kënaqeshin edhe me barazimin në transfertë. Pas takimit Duro u shpreh: “Nuk e kisha menduar se sot do ta kishim humbur këtë takim, edhe pse më parë u shpreha se të gjithë kundërshtarët tanë duheshin respektuar. Ndodhi ajo që nuk e dëshironim dhe në këtë ndeshje kemi lënë dy pikë. Kemi gabuar që në momentet e para të lojës duke i dhuruar një gol kundërshtarit, si pasojë e veprimeve në mbrojtje. Kjo na e vështirësoi më shumë punën edhe pse gjatë gjithë lojës u përpoqëm të fitonim dhe nuk ia arritëm. Ishte ndeshja e parë dhe duhej fitorja. Kemi thënë që çdo ndeshje do jetë finale dhe këto dy pikë na penalizojnë shumë. Si unë ashtu edhe futbollistët jemi në pozita përgjegjëse”.

Java e 16-të
BESËLIDHJA-LUSHNJA 0-0
PARTIZANI-ADA 1-1
KAMZA-BUTRINTI 1-1
NAFTËTARI-ELBASANI 1-1
HIMARA-TËRBUNI 2-2
GRAMSHI-BURRELI 1-0
MAMURRASI-DINAMO 1-0
POGRADECI-ILIRIA 3-0

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency