Bashkëpunimi ekonomik Shqipëri-Kosovë mbi lobime qeveritare

0
141

images (3)

 

Intervistë e kreut të Dhomës së Tregtisë Tiranë për “Kosovapress”. “Ekziston vetëm si ‘frymë’, mbetet në nivele të ulëta”

 

Ervin Kaduku

 

Edhe pse janë realizuar shumë takime dhe dy mbledhje të përbashkëta qeverie, mes Shqipërisë dhe Kosovës, ende nuk ka një bashkëpunim ekonomik ashtu sikurse flitet në letër dhe në marrëveshje. Këtë fakt e pohojnë jo vetëm bizneset që përballen drejtpërdrejt me vështirësi në dogana, por edhe institucionet që mbrojnë të drejtat e tyre siç është edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri.

Kreu i saj, Nikolin Jaka, në një intervistë për “Kosovapress” thotë se bashkëpunimi ekonomik ekziston vetëm si teori si “frymë”, pasi nuk është në nivelin e duhur.

Jaka sheh pengesa gjithandej – si në radhët e gjata të makinave dhe turistëve që presin për të hyrë në Shqipëri dhe për të kaluar pushimet, ashtu edhe tek bizneset që përballen me lloj-lloj burokracish e tarifash në një kohë që dy kryeministrat flasin për unifikim e heqje kufijsh.

“Vazhdon të ketë vetëm frymë, asgjë tjetër, kemi një bashkëpunim ekonomik jo në nivelet e duhura. Unë kam komunikim me shumë kompani kosovare por dhe me miq kosovarë të cilët duan të vijnë në Shqipëri. Ka raste që për fundjavë radha në kufi shkon edhe 4 apo 5 kilometra, dhe shumica e ty re gjatë verës e shohin Shqipërinë si një pamundësi ose nga ana tjetër si një sfilitje të paimagjinueshme për të hyrë dhe për të shijuar bregdetin shqiptar. Personalisht kam kërkuar që të mos ketë kufij mes Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithëse kemi pasur reagimin e institucioneve përgjegjëse që trafiku, problemet, kontrabanda, por unë mendoj se Evropa që nuk ka kufij nuk mendoj që i ka këto probleme, sepse organet sociale funksionojnë nëpërmjet informacioneve dhe nëpërmjet punës kërkimore dhe shkencore dhe jo nëpërmjet kufijve dhe ndalesave. Kështu që unë mendoj dhe propozoj që kufiri me Kosovën sidomos fundjavave dhe sezonin turistik të verës duhet që qarkullimi të jetë i lirë”, – tha Nikolin Jaka lidhur me nivelin e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kosovë.

Jaka argumenton se problemi kryesor që ne, si dy shtete shqiptare, nuk kemi marrëdhënien e duhur ekonomike është se ende nuk kemi punuar për një strategji konkrete për të ditur dhe për ta pasur të qartë edhe vetë, se kush janë objektivat tona dhe ku duam të arrijmë. Madje ai shton se problemi ekziston në faktin se mes Shqipërisë dhe Kosovës marrëdhënia ekonomike funksionon me klane dhe lobime, ku përfitojnë ato biznese që janë ‘miq’ të qeveritarëve.

“Nga ana tjetër unë mendoj se ka shumë vend për të trajtuar problematikat e marrëdhënieve ekonomike. Ne akoma nuk kemi një strategji të qartë se ku duhet të arrijmë dhe cilat janë objektivat tona. Pra vazhdojmë akoma me konkurrencën e lobimeve, kush është afër qeverisë dhe qeveritarëve, dhe nuk kemi një strategji të qartë për të bërë një hartim të një ekonomie komplementare pa cënuar konsumatorin, duke ruajtur cilësinë dhe konkurrencën në treg”, – tha Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Jaka, ndalet edhe në zhvillimet e fundit ekonomike në Shqipëri. Ai komenton nismën e qeverisë “Rama” për të luftuar informalitetin dhe evazionin fiskal, duke e mbështetur plotësisht këtë reformë, pasi formalizimi i ekonomisë, siç e kanë treguar edhe vende të zhvilluara si Japonia dhe Gjermania, është rruga e vetme për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë”, – thotë ai.

“Dhoma e Tregtisë të paktën ka 5 vjet që kërkon jo aksion, por një reformë të qartë, një strategji të kompletuar me paketa ligjore, për një lufte eficente kundër informalitetit dhe evazionit fiskal. E kemi shprehur dhe vazhdojmë ta shprehim që evazioni fiskal dhe informaliteti nuk bëjnë asgjë tjetër veçse dëmtojnë biznesin e ndershëm dhe dëmtojnë gjithmonë buxhetin e shtetit, edhe në njëfarë mënyre dëmtojnë edhe buxhetin e qytetarëve shqiptarë. Kështu që e mbështesim nismën dhe reformën që Qeveria ka ndërmarrë për luftën kundër informalitetit. Nga ana tjetër unë mendoj dhe jam i sigurt që edhe sipërmarrja do reagojë, pra ata sipërmarrës të pandershëm të cilët janë në zonën gri të informalitetit dhe evazionit fiskal do reflektojnë dhe duhet të reflektojnë për shumë arsye dhe një ndër arsyet që unë e kam shprehur dhe vazhdoj ta shpreh është që të heqin edhe makthin nga vetja e tyre. Le të formalizohemi, le të lëshojmë kuponin tatimor, le të paguajmë tatimet ashtu siç është për ti paguar në mënyrë që shqiptarët të mësohen që vetëm me ligj dhe me rregull mund të ecet përpara”, – tha më tej Nikolin Jaka lidhur me aksionin e qeverisë “Rama” për luftën ndaj informalitetit të bizneseve.

Përkundër disa analistëve të ekonomisë që mendojnë se ky aksion do të ketë edhe pasoja negative, Jaka thotë se nuk sheh asgjë negative në këtë operacion. Përkundrazi, ne si shoqëri duhet të mësohemi të respektojmë ligjin dhe nëse ne nuk mësohemi të punojmë nuk do realizojmë asgjë as për veten tonë dhe as për të ardhmen e brezave tanë.

“Personalisht nuk shoh efekte negative, mund të ketë analistë të ndryshëm të cilët e trajtojnë në impaktin social, duke krijuar papunësi etj, etj, unë personalisht nuk shoh asnjë lloj impakti apo efekti negativ. Pse? Se duhet të mësohemi të respektojmë ligjin dhe nëse ne nuk mësohemi të punojmë nuk do realizojmë asgjë as për veten tonë dhe as për të ardhmen e brezave tanë. Do të kujtoja dhe një rast paralel për të bërë dhe një analizë. Pas Luftës së Dytë Botërore vendet më të shkatërruara ekonomikisht por edhe moralisht ishin Gjermania dhe Japonia, por të dyja sot janë vendet më të zhvilluara në botë dhe janë vendet që kanë një ekonomi të qëndrueshme dhe qytetarë të disiplinuar. Kështu që le të marrim shembullin e tyre, të sakrifikojmë dy apo tre vjet në mënyrë që pas kësaj sakrifice për tu legalizuar dhe për tu formalizuar me ligjin, fillojmë dhe startojmë me rregulla, norma, ligje dhe reformat e duhura”, – tha Nikolin Jaka.

——-

 

 

Kompania amerikane

Riaktivizohet skanimi i kontejnerëve në Dogana, rriten çmimet

 

Ka filluar zbatimi i koncesionit të skanimit të kontejnerëve nga “S2 Albania”, një konsorcium amerikano-shqiptar (51% të aksioneve zotërohen nga amerikanët e “Rapiscan Systems” dhe 49% nga kompania shqiptare ICMS), kontrata e rishikuar e të cilit u dorëzua në Kuvend në kulmin e fushatës për zgjedhjet vendore. Koncesioni i dhënë nga qeveria “Berisha” në ikje në fillim të vitit 2013 nis aplikimin, duke marrë 22 euro për çdo deklaratë doganore mbi 1000 euro dhe 5 euro për çdo deklaratë doganore nën 1000 euro (tarifa është përgjysmuar në raport me kontratën e mëparshme).

Pavarësisht uljes, kontrata e rishikuar e skanimit nuk është se ka lehtësuar barrën si për biznesin ashtu edhe për buxhetin. Në marrëveshjen fillestare deklaratat doganore deri në 1000 euro nuk paguanin për shërbimin, ndërsa me rishikimin do të paguajnë 5 euro. Gjithashtu në variantin e ri, buxheti i shtetit merr përsipër kompensimin e kostove të pambuluara me të ardhura në 7 vitet e para të aktivitetit të skanimit.

Nga kjo tarifë, koncesioni i skanimit të kontejnerëve që nuk aplikohet në asnjë vend tjetër të rajonit i kushton biznesit shqiptar 12 milionë euro në vit, në ulje gjithsesi nga kosto e kontratës së mëparshme prej 20 milion euro, sipas deklarimeve të sipërmarrjes, që i kërkoi qeverisë vitin e kaluar rishikimin e kontratës.

Kjo vlerë në raport me të ardhurat që mbledhin doganat në një vit zë 1.6% të totalit, duke u shndërruar për disa biznese sidomos ato të sektorit fason ndër taksat me barrën më të lartë në aktivitetin e tyre. Grosistë të tregut të karburanteve kanë pohuar se për disa prej tyre, taksa për skanimin do të krijojë një kosto 2-3 mijë euro në ditë, e cila pritet që të përcillet në çmimet finale të produkteve.

Kontrolli fizik me skaner ndaj kontejnerëve do të kryhet nga një kompani në një situatë tërësisht monopoli. Ky shërbim që aktualisht kryhet nga dogana synon rregullshmërinë në eksport dhe import, duke shmangur transportin e lëndëve narkotike, të qenieve njerëzore dhe mallrave kontrabandë.

Logjika e do, por edhe praktika e thotë që çdo taksë dhe tarifë ndaj biznesit reflektohet në çmimet finale. Kjo do të vlejë edhe për tarifën që do vihet mbi deklaratat doganore e cila, sipas bizneseve, do të reflektohet në çmime. Muharrem Hoxha, me aktivitet në dhënien me qira të kamionëve dhe kontejnerëve në transport ndërkombëtar, “Riu Transport” tha se klientët e tij janë shumë të shqetësuar për tarifën që shkon për llogari të skanimit. Biznese të veçanta bëjnë me dhjetëra deklarata doganore në ditë, por për shkak të aktivitetit që kanë edhe në transit, kostot për to, do të jenë shumë të larta. Mirëpo siç kanë lajmëruar tregtarët, kjo tarifë e palogjikshme sipas tyre, do të shkarkohet në çmimet finale dhe me shumë gjasa, do të jetë konsumatori ai që do të paguajë. Kjo tarifë rrezikon të rrisë të gjitha çmimet e importit lajmërojnë ekspertë të sektorit të doganave. Shoqata e Hidrokarbureve lajmëroi se, nëse tarifa e skanimit aplikohet për çdo deklaratë doganore, rritja e mëtejshme e çmimeve të karburanteve do të jetë e pashmangshme.

Kontrata fillestare e koncesionit e fituar që në vitin 2011 është nënshkruar në datën 10 prill 2013, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “S2 Albania”, sh.p.k., dhe “Rapiscan Systems”, INC. Me 28 prill 2015 qeveria shqiptare dhe Rapiskan ranë dakord për rinegocimin me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve dhe të tarifës së shërbimit të skanimit.

Deri në shtator 2013, ky shërbim nuk ofrohej. Kishin filluar punimet vetëm në dy pika kontrolli. Kundërshtimi dhe rezistenca e biznesit ishte e konsiderueshme, sidomos në lidhje me tarifën shumë të lartë të shërbimit. Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës rekomandoi rishikimin e kontratës koncesionare.

Në këto kushte, Këshilli i Ministrave e vlerësoi të nevojshme zgjidhjen e kësaj marrëveshjeje. Në vijim, pas vlerësimit fillestar të mundësisë për zgjidhjen e njëanshme të kësaj marrëveshjeje, e cila rezultoi e pamundur, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe qeveria zgjodhën si mundësi ftesën për bashkëbisedim me ofruesin e shërbimit për rishikim të kontratës në mars 2014.

——–

 

 

Bankat

Kredia për bizneset ulet 12 për qind

 

Treguesit e kreditimit po shfaqin një tablo mikste gjatë këtij viti. Zhvillimi pozitiv është ulja e treguesit të kredive të këqija në kufijtë e 20%, niveli më i ulët i tre viteve të fundit. Pas shumë vitesh përpjekje, duket se cilësia e portofolit të kredisë po përmirësohet, ku një shtysë të fortë gjatë këtij viti ka dhënë pastrimi i portofolave nga kreditë e humbura dhe pa shpresë kthimi. Por, ajo që po zhgënjen këtë vit është kredidhënia e re, sidomos në segmentin e bizneseve. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për periudhën Janar-­Korrik 2015, bizneset kanë përfituar kredi të re në vlerën e 111.2 miliardë lekëve, 11.8% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shumica e sektorëve kanë shfaqur një ecuri negative të kreditimit, duke filluar nga ai me peshën kryesore në portofol, tregtia. Kredia e re për tregtinë gjatë shtatëmujorit të këtij viti ka rënë me 20% me bazë vjetore.

Në rënie të dukshme është edhe energjetika, me 57%, industria nxjerrëse me 51% dhe ndërtimi me 10%. Ndër sektorët me peshë, rritje pozitive ka regjistruar vetëm industria përpunuese, me 22%. Në rritje me 67% ka rezultuar edhe kredia e re për bujqësinë, por ky sektor ende ka një peshë shumë të ulët kundrejt totalit të kredisë së re, me rreth 2.5%.

Dobësia e kreditimit të biznesit është një ndër simptomat kryesore të vijimësisë së krizës në aktivitetin ekonomik në vend. Kërkesa konsumatore ngelet ende e zbehtë dhe kjo nuk mundëson shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve të rritjes ekonomike. Kjo gjendje gjeneron më pak kërkesë cilësore për kredi nga bizneset, ndërkohë që edhe oferta e bankave tashmë është qartësisht më përzgjedhëse.

==========

 

 

Bujqësia

Dyfishohet eksporti i produkteve të perimeve

 

Bujqësia ka qenë në rrugë të mbarë këtë vit, duke u konfirmuar sërish si sektor me peshë në rritjen ekonomike të vendit. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, produktet bujqësore janë regjistruar në vlerë e 4.4 miliardë lekëve në 6-mujorin e parë të vitit, nga 2.9 miliardë lekë që kanë qenë të njëjtën periudhë të një viti më parë. Konkretisht perimet janë ato që i kanë dhënë shtysë shifrave të eksportit, duke arritur në thuajse dyfish. Kështu për këtë periudhë janë eksportuar konkretisht 2.1 mld lekë perime, nga 946 milionë të së njëjtës periudhë të 2014­ës, me shumë se dyfishi.

Por rritje nuk është shënuar vetëm në vlerë monetare, por edhe në atë sasiore, nga 27 mijë ton, në 44 mijë ton perime të eksportuara. Në këtë kategori domatet dhe qepët zënë sasi të konsiderueshme, por nuk mbeten pas edhe perimet e tjera të cilat prodhohen në vend. Edhe bostani e pjepri kanë gjetur mjaftueshëm treg, pasi është dyfishuar sasia e eksportuar, duke u arritur në rreth 12 mijë ton. Këto shifra janë rezultat i kërkimit dhe gjetjes së tregjeve të reja, kryesisht evropiane, duke bërë që përpos sasisë së eksportuar, edhe çmimi i shitjes të jetë më i lartë.

 

Ukraina

Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti zhvilloi një vizitë në Rajonin e Kharkivit të Ukrainës ku mori pjesë në forumin ndërkombëtar mbi nismat inovative dhe investuese. Gjatë kësaj vizite ai zhvilloi një takim zyrtar me Guvernatorin e Kharkivit, Igor Rainin, dhe zyrtarë të lartë të Administratës qendrore të Ukrainës. Ministri Panariti ishte i ftuar i veçante i panelit plenar të konferencës nga ku mbajti një fjalim.
Në fjalën e tij ministri vlerësoi angazhimin e autoriteteve të Ukrainës dhe guvernatorit Rainin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon si dhe shprehu vullnetin për rritje të bashkëpunimit në bujqësi. “Prodhuesit shqiptare te frutave dhe perimeve janë të gatshëm të eksportojnë prodhimet e tyre në tregjet e Ukrainës dhe prania ime këtu, synon ta përshpejtojë këtë proces nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve për lehtësimin e procedurave tregtare dhe fitosanitare”, – tha Ministri Panariti.
Një grup zyrtaresh dhe biznesesh bujqësore të Ukrainës pritet të vizitojë së shpejti Shqipërinë për lidhje të marrëveshjeve në fushën e import-eksporteve bujqësore midis dy vendeve.
Ndërsa mediat e Ukrainës janë shprehur se autoritetet ukrainase kanë pohuar se Ukraina ka potencial që të rrisë eksportet e drithërave në Shqipëri si dhe të vajit vegjetal e të tjera.

—-

 

 

Vonesat

Biznesi: Mungesë efektiviteti nga Gjykata Administrative

 

Veprimtaria e Gjykatës Administrative e ngritur në nëntor të vitit 2013 për t’u dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve mes individit dhe shtetit nuk ka dhënë efektet e duhura për biznesin.
Themelimi i saj shihej si një mundësi për zgjidhjen e çështjeve të sipërmarrjeve në një kohë sa më të shkurtër.
Konfindustria në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe fondacionin gjerman “Friedrich Ebert” ka kryer vëzhgimin për efektivitetin e punës së gjykatave administrative në shkallë vendi në vitin 2014 dhe nga ky vëzhgim është konstatuar se 80% e bizneseve janë të pakënaqur nga shpejtësia e gjykimit.
Nga studimi i realizuar del se nga numri i përgjithshëm i çështjeve të regjistruara në gjykata vetëm 54% e tyre janë dhënë brenda afatit 3 mujor nga gjykatat administrative të Shkallës së Parë në nivel vendi. Nga Gjykata e Apelit brenda afatit 3-mujor nga regjistrimi i çështjes janë dhënë vetëm 24% e vendimeve.
Ndërsa vlerësohet se numri i çështjeve për të cilat është dhënë vendim brenda afatit ligjor prej 45 ditësh është pothuajse i papërfillshëm. Viti 2014 ishte viti i parë i punës së gjykatave administrative.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here