Sherri për dritat e ndezura/ Shqiptari akuzohet se rrahu në burg ish-ministrin grek

0
180

 

Një incident i rëndë është shënuar së fundmi në burgun e Koridhalosë, në Greqinë fqinje, ku protagonist është bërë një shqiptar dhe një ish-ministër. Shqiptari, 37-vjeçar, i quajtur Harri Koka, i arrestuar si miku i Kristodulos ose “kimistit”, (personazh i njohur në Greqi për sulme me sfond terrorist), akuzohet se ka qëlluar brenda qelisë, ish-ministrin grek të Mbrojtjes, Akis Cohaxopulos, që është dënuar me 8 vjet për fshehje pasurie.

Ç’ndodhi në burg

Në lajmin e publikuar nga disa media greke si “newsit”, “imerisia”, etj, thuhej se ish-ministri u godit brenda qelisë, nga shqiptari Koka, me të cilin ndan qelinë prej muajsh tashmë. Ish-ministri i PASOK është ankuar për dritat e ndezura, ç’ka ka “ndezur” tërbimin e Kokës, i cili e qëlloi 70-vjeçarin me fshesë. Më tej, e goditi 4 herë me grushta. Në fillim dukej se faji “e mori përsipër” Nikos Romanos, i dënuar për vjedhje dhe më tej u akuzua Claus Stefanakis, por hetimet kanë nxjerrë fajtor pikërisht shqiptarin. “Ishim të frikësuar, por nuk e kam qëlluar unë”-është shprehur Koka. Nëpërmjet avokatit të tij, Bob Stefanakos ai mohon ta ketë goditur ish-ministrin grek. Ky i fundit u shtrua në spitalin e burgut, pas goditjeve.

Avokati i ministrit

Avokati mbrojtës i ministrit, Leonidas Kodhalis, në një deklaratë për incidentin në burg thotë: se “Të hënën, në ora 9:30, në mëngjes ne kemi qenë në burgun e Koridallosë. Aty pati një konfrontim verbal me një grup personash. Incidenti u shmang nga ndërhyrja e të tjerëve. I tërhoqëm vëmendjen organeve kompetente për të marrë masat e nevojshme, sipas gjykimit të tyre, për të siguruar integritetin fizik dhe jetën e ish-ministrit”.

shqiptari harri koka
Harri Koka

Kush është Harri Koka

Janarin e vitit të kaluar policia greke ka bërë publike foton e shqiptarit të arrestuar, i akuzuar si bashkëpunëtor i terroristit grek, Kristodulos Ksiros. Harri Kokadispononte dokumente të rreme me emrin Theoharis. Shërbimi kundër-terrorizmit i bën publike fotot pas arrestimit të Kristodulos Ksiros, njeriu më i kërkuar në Greqi vitet e fundit, dhe të bashkëpunëtorit të tij shqiptar, i cili sic mësohet, i kishte siguruar terroristit një shtëpi me qira, ku ai u fsheh gjatë një viti arrati nga burgu. Sipas policisë, shtetasi shqiptar është Harri Koka, i biri i Janit dhe Sofisë dhe i lindur më 26 nëntor 1976 në Shqipëri. Policia bën publike edhe kartën e tij të identitetit, me të dhëna të rreme, ku shqiptari njihet si Theoharis Hrisaki. Policia po heton për të zbuluar rolin e plotë të shqiptarit, në veprimtarinë e terroristit famëkeq të Greqisë, ish anëtarit dhe ekzekutorit të organizatës terroriste greke “17 nëntori”.
Ish-ministri grek

Në vitin 2013, gjykata vendosi të dënojë me 8 vjet burg, 520 000 euro gjobë dhe konfiskimin e shtëpisë ish- ministrin grek të Mbrojtjes, Akis Cohaxopulos, ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar një dënim me 10 vjet, për ish zyrtarin e lartë. Ish ministri i Mbrojtjes në qeverinë e PASOK-ut, konsiderohet përgjegjës për deklaratat e pasakta të pasurisë gjatë viteve 2006-2009. Prokurori i çështjes deklaroi se Akis Cohaxopulos fshehu me mashtrim asetet e tij, që nga viti 2006. Padia hartuar kundër Cohaxopulos, përfshin deklaratën e pasurisë të vitit 2006 për depozitat, aksionet dhe letrat me vlerë në rreth 47 000 euro, deklaratën e vitit 2007 për 33 000 euro depozita dhe atë të vitit 2008 për 20 000 euro depozita.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here