Shpopullimi/ Të huajt zëvendësojnë shqiptarët, në peshkim punojnë rreth 320 shtetas nga Egjipti

0
71

Sektori i peshkimit në Shqipëri është një industri e cila prej vitesh vuan mungesën e fuqisë punëtore.

Për këtë arsye janë punësuar më shumë se 300 shtetas të huaj, kryesisht nga Egjipti, duke bërë kështu zëvendësimin e shtetasve shqiptarë me të huaj.

“Jam nga Egjipti dhe punoj prej një viti në sektorin e peshkimit në Durrës. Ka shumë kolegë egjiptianë edhe në Vlorë dhe Shëngjin. Kam marrë edhe një apartament me qira pranë qendrës së qytetit”, tha peshkatari egjiptian Muhametin Muhame.

Ashtu si kudo, edhe tregu shqiptar i punës i plotëson nevojat me të huaj, që ofrojnë krahun dhe aftësitë e tyre të punës, shumë larg familjes.

I tillë është edhe rasti i Muhametin Muhme, shtetas egjiptian i punësuar në sektorin e peshkimit në Durrës.

Ai, së bashku me shumë bashkëkombas të tij, punojnë prej vitesh në qytetin bregdetar, pasi tregu i punës ofron një pagesë më të mirë se në vendin e tyre.

“Jemi rreth 300 persona nga Egjipti dhe jemi të kënaqur me punën këtu. Pagesa, kushtet, gjithçka është shumë mirë”, tha Muhme.

Klodian Kapiti, përfaqësues i sektorit, tregon se nga 600 punonjës, afro 320 janë egjiptianë dhe këta të fundit janë parë si zgjidhja e vetme për të mbushur vakumin e krijuar prej mungesës së fuqisë punëtore vendase.

“Pjesa më problematike është krahu i punës, që në shumicën e rasteve është zgjidhur me peshkatarë të huaj, kryesisht egjiptianë”, tha Klodjan Kapiti, anëtar i Sindikatës së Peshkimit.

“Në peshkim sot nuk ke saldator, marangoz, elektriçist. 2 saldator lëvizin në të gjithë peshkimin, duhet ta prenotosh që të vijë të të bëjë një saldim”, shtoi Kapiti.

“Pati një shmangie, nuk pati një përcjellje tradite, sepse peshkimi nuk i merr bazat në shkollë, por transmetohet brez pas brezi”, tha më tej ai.

Këto sfida të vazhdueshme po sjellin rreziqe për shumë subjekte të këtij sektori, duke i drejtuar disa drejt falimentimit.

“Duhet gjithmonë një mbështetje e fuqishme shtetërore duke thjeshtuar ato burokracitë e panevojshme. Një mal me letra për të aplikuar për një subvencionim. Procedura është një tmerr, më mirë merr një leje ndërtimi, sesa një letër për një ndihmë që të takon”, tha Kapiti.

Përveç sektorit të peshkimit, shumë industri të tjera, po gjejnë zgjidhje tek punëtorët e huaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here