Vota e një socialisti të mençur dhe sfida e ujit si shembull

0
120
Nga Akil Kraja:

Më të mirin! Mjekun më të mirë, avokatin më të mirë, inxhinierin më të mirë. Këtë do të kërkonte çdokush nëse do të gjendej përballë një situate fatkeqe të papritur. Dhe përcaktimi i më të mirës do të bazohej në një kriter të dyfishtë. Tipologjia e rrezikut përballë të cilit gjendemi dhe reputacioni i personit që mund ta zgjidhë atë. Një arsyetim krejt bazik që mund të zbatohet lehtësisht edhe në kontekstin e 14 majit, me qëllim identifikimin e profilit të kandidatit ‘ideal’.

Le te përcaktojmë së pari një rrezik mjaftueshmërisht të përgjithshëm që mund të prekë çdo qytet të vendit dhe që në kontekstin e zgjedhjeve vendore, përbën një çështje me interes për çdo qytetar, urban apo rural, te majtë apo të djathtë. Që arsyetimi të jetë realist, çështja e identifikuar duhet të jetë gjithashtu kompetencë e plotë administrative dhe financiare e pushtetit vendor. Së fundmi, rreziku i identifikuar nuk mund të jetë teorik, por i vërtetë, eminent, mbështetur në fakte të pakundërshtueshme, dhe me gjasa të materializohet brenda mandatit katërvjeçar të kryetarëve që do të dalin pas 14 majit. Në këto kushte, çdo thirrje për të votuar një kandidat apo një tjetër do të mund të quhej potencialisht si një votë inteligjente, e mençur, bazuar ne një arsyetim racional e pragmatist, dhe që i shërben stricto-sensu vetëm interesit personal të qytetarit votues.

Aktualisht, rezervat e ujit në rajonin spanjoll të Katalonjës janë në 26% të mesatares së tyre vjetore për shkak të një thatësire rekord. Kjo situatë bën që 18% e territorit spanjoll të jetë në rrezik shkretëzimi të lartë ose shumë të lartë. Në Francë, napa freatike në 75% të territorit është në nivelin e kuq, niveli i rrezikut më i lartë. Rajoni mesdhetar francez i Pireneve Orientale, nuk ka njohur një ditë të vetme shiu gjatë vitit të shkuar. Rreth 400 komuna të pellgut mesdhetar francez kanë përjetuar një emergjencë thatësire të plotë që detyroi shtetin të ndërhynte duke dërguar cisterna e depozita uji. Në Itali, lumi Po ka rënë në nivele të jashtëzakonshme, pothuajse tharjeje, dhe ekspertët e mjedisit theksojnë se thatësira rekord tanimë ka filluar të prekë dhe napën freatike pasi shirat sezonalë atje janë 50% më të pakta, ashtu si dhe reshjet e dëborës të cilat janë 70% më pak.

Shifrat dhe faktet e mësipërme paraqesin një kontekst emergjence kontinentale përsa i përket çështjes së ujit. Anembanë Mesdheut, për shkaqe që lidhen drejtpërsëdrejti me krizën ujore, ekonomia bujqësore dhe ajo urbane po goditen në mënyrën më të dhunshme. Uji po bëhet më i rrallë, dhe më i shtrenjte. Në Spanjë janë vënë në punë 360 fabrika de-kripëzimi. Thatësira bën që zjarret të bëhen më të shpeshtë dhe më të furishëm. Fermat, por dhe ullishtet e Mesdheut janë në rrezik. Ndërkohë, në paralel, në dimër reshjet bëhën më të dendura, me përqendrime vjetore që shkaktojnë përmbytje e dëme materiale me miliarda euro.

Ne Mesdhe ka një emergjencë uji. Një situatë që nuk mund të mos prekë dhe Shqipërinë, të pozicionuar në të njëjtin brez gjeografik. Vendi ynë është në rrezik, dhe në veçanti ultësira perëndimore, e cila përmbledh më shumë se 80% të popullsisë dhe ekonomisë së vendit. Nga Shkodra në Sarandë, duke përfshirë Lezhën, Durrësin, Lushnjën e Vlorën, por sigurisht dhe Tiranën, prej vitit 2015, kullotat e pyjet, kanalet e kullimit dhe vaditjes, shoqëritë aksionare të ujësjellës kanalizimeve, janë të gjitha kompetencë e pushtetit vendor. Ashtu si në Mesdhe, dhe në këto qytete shqiptare uji përbën një sfidë. Por kjo, jo për shkak të natyrës, por kryesisht për shkaqe që lidhen me keq-menaxhimin e korrupsionin.

Ne vitin 2018, një drejtor i ujësjellësit Sarandë ‘luajti’ me qytetarët, të majtë e të djathtë, duke i lënë pa ujë për 3 ditë për të parë sa mban ky popull. Në vitin 2017, një përgjim në kuadër të një hetimi që lidhej me çështjet e trafikut të drogës, (Dosja e famshme 339), dëshmonte sesi ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime Durrës ishte marre peng nga interesa kriminale me qëllim shitblerjen e votës. Në Tiranë 6 litra uji në 10 humbin për shkaqe keqmenaxhimi ndërkohë që çmimi është shtrenjtuar me 40% me qëllim financimin e një administrate ‘uji’ e përmbytur nga skandale punësimi të shumta. Në nivel kombëtar, në vitin 2021, nga 58 ndërmarrje UK, vetëm 12 arrijnë të mbulojnë kostot operative. Jo më pak e rëndësishme, zjarret masive të viteve të fundit dëmtuan qindra hektarë pyje e kullota ndërkohe që dhe drejtoritë e zjarrfikësve janë kompetence e bashkive.

Gjatë katër viteve të ardhshme, në veçanti qytete si Lezha, Durrësi apo Vlora, do të përballen me situata thatësire, përmbytjesh e zjarresh gjithmonë e më të shpeshta, dhe me intensitet gjithnjë e më të lartë. Do të jemi në një situate emergjence të përhershme. Nga ku pyetja, cilët janë kandidatët më të përshtatshëm për t’i shërbyer interesave të qytetarëve përballë këtij skenari? Kush janë kandidatët e 14 majit që do të ishin ‘menaxherët’ më të mirë për të trajtuar emergjenca si ato të ujit? Rikujtojmë që ishte pikërisht në një kontekst emergjence ‘mjedisore’ që u krijua kuadri ligjor përjashtimor mbi të cilin u ngrit skema e mega-vjedhjes së inceneratorëve financuar njëherazi nga disa bashki të vendit si Durrësi, Kavaja, Tirana, Fieri e Elbasani, dhe së fundmi dhe Vlora.

Çdo shqiptar i mençur, demokrat apo socialist qoftë ai, e ka mëse të qartë që në 14 maj voton ose vijimin e vjedhjeve të taksave të tij, ose ndryshimin e një modeli zhvillimor që sjell ndryshim, rritje të shërbimeve të ofruara dhe të sigurisë publike në terësi. Askush nuk mund të pranojë që të vijohet përpara me abuzimet e njëpasnjëshme të një bashkie të kalbur nga krimbi i korrupsionit. Uji, mbetjet, asfalti elektoral, punësimet abuzime, shkollat me dy turne, transporti publik, betonizimi, a ka një fushë pa abuzime madhore gjatë 4 vjeçarit të shkuar? Ndaj më 14 maj, le të zgjedhim më të mirin! Mjekun më të mirë, avokatin më të mirë, inxhinierin më të mirë, sigurisht dhe kandidatin më të mirë që mundëson ndryshimin e shumëpritur nga çdokush.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here