“Restart” në Britani! Jep dorëheqjen kryeministrja pas 45 ditësh në detyrë

0
117

Kryeministrja britanike, Liz Truss, ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas 45 ditësh, duke u bërë kryeministrja që ka shërbyer për kohën më të shkurtër në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.

Truss deklaroi se nuk mund ti mbajë premtimet që bëri gjatë garës për lidershipin në Partinë Konservatore, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të reja për lidershipin e partisë.

Para pak ditësh ajo shkarkoi Kancelarin e Thesarit, Kwasi Kwarteng dhe qeveria bëri një kthesë turpëruese për politikat fiskale, duke anulluar uljen e taksave për më të pasurit, politikë të cilën pranoi se ishte e gabuar. Ndërsa dje dha dorëheqjen nga detyra, Ministrja e Brendshme, Suella Braverman e cila në letrën e dorëheqjes, shprehte shqetësim për “drejtimin ku po shkon qeveria”.

Kthesat e vazhdueshme të qeverisë, për një pjesë të konsiderueshme të premtimeve të Truss, e kanë bërë të pamundur qëndrimin e saj në detyrë, ndërkohë që vendi përballet me krizë për shkak të rritjes të çmimeve.

Partia Konservatore do të mbajë zgjedhje për lidershipin sërish dhe kreu i kësaj partie do të jetë kryeministri i ri i vendit. Truss deklaroi se zgjedhjet do të përfundojnë brenda javës së ardhshme.

Kreu i opozitës, Sir Keir Starmer, ka kërkuar mbajtjen urgjente të zgjedhjeve të parakohshme.

Politika në Britani ka hyrë në një spirale kaotike, që pas dorëheqjes së Boris Johnson. Është e paqartë nëse vendi do të shkojë drejt zgjedhejve të parakohshme, por thirrjet për zgjedhje të përgjithshme sa vijnë dhe shtohen.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here